Koncesioni për Rrugën e Kombit, rivendos kufirin dhe vizat mes shqiptarëve

1
266

Ardian Muhaj

Rrugën e KombitLajmi se qeveria shqiptare ka vendosur të nisë procesin e tenderimit për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, tingëllon fare i pafajshëm dhe i pakritikueshëm. Rruga është bërë, për të janë shpenzuar aq e kaq para, dhe prandaj edhe duhet mirëmbajtur dhe për ta mirëmbajtur duhen para. Ky është arsyetimi që të vjen në mendje, dhe që në pamje të parë të duket aq i pafajshëm dhe i patëkeq,saqë të vjen keq të dyshosh në pa të keqësinë e tij. Mirëpo çështja është më e madhe dhe më e fajshme se sa duket në pamje të parë, apo në pamjen e parë me të cilën po e paraqet pushteti dhe në pamjen e parë të cilën po e percepton qytetari.

Kjo ide duket se ka qenë peshuar që në periudhën e qeverisjes së mëparshme, por nuk është konkretizuar më tej. Mirëpo qeveria aktuale në Tiranë jo vetëm që po shkon drejt konkretizimit por edhe në këtë hap të sigurt drejt gabimit të madh duket se po bashkëpunon ngushtësisht edhe me qeverinë tjetër shqiptare në Prishtinë.

Pikë së pari nuk kuptohet se përse pikërisht në këtë fazë që rruga është e përfunduar dhe kur kërkon vetëm mirëmbajtje, qeveria kërkon të taksojë idenë e bashkimit kombëtar. Në se rruga u bë pa taksuar drejtpërdrejtë rrugën e bashkimit përse në këtë fazë të mirëmbajtjes kërkohet të gjobiten shqiptarët që duan të kontaktojnë e të mbajnë gjallë lidhjet tona me vetveten? Në se mirëmbajtja është qershia mbi tortë e Rrugës së Kombit, përse duhet të na kushtojë më shtrenjtë qershia se sa torta?

Edhe mund të supozohet se Rruga e Kombit është një lopë aq e majme sa që është dëm të mos milet nga shteti. Por prapë pikëpyetjet janë të shumta dhe e bëjnë këtë projekt për dhënie me koncesion jo thjesht një nevojë ekonomike por pikësëpari nevojë politike, diskriminuese unike, të paprecedent dhe të padobishme, ose përmbledhtazi kundër shqiptare.

Të gjitha rrugët në territorin shqiptar kanë pasur koston e tyre ekonomike, por asnjë prej tyre nuk është taksuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe diskriminuese sikur Rruga e Kombit. Shqiptarët nuk gjobiten për të përdorur autostradat e rrugët që i çojnë as në Greqi, as në Mal të Zi e as në Maqedoni, por vetëm atë rrugë që i çon në pjesën tjetër të Shqipërisë së mohuar. A nuk po e pohojmë këtë mohim që i është imponuar kombit tonë që më 1913 me këtë diskriminim? Atëherë kush po i subvencionon këto rrugë dhe nuk po e subvencionon Rrugën e Kombit? Në se taksohet drejtpërdrejtë me 5 euro kalimi në Rrugën e Kombit, përse nuk taksohet ta zëmë me 1 euro kalimi në autostradën Tiranë-Durrës, Fushë-Krujë-Milot, Elbasan-Tiranë, Kavajë-Vlorë, Gjirokastër-Kakavijë?

Nga ana tjetër si ka mundësi që shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë të paguajnë asgjë për të shkuar në Mal të Zi, në Maqedoni e madje as në Serbi, por u duhet që vetëm të paguajnë për të shkuar në krahinën tjetër të Atdheut. A thua nuk kanë kushtuar fare rrugët që lidhin Shkupin, Podgoricën e Beogradin me Prishtinën, dhe vetëm ajo që lidh Tiranën me Prishtinën të ketë kushtuar?

Si është e mundur që edhe për projektin tjetër madhor të infrastrukturës rrugore shqiptare, të rrugës po aq emërmadhe të Arbrit, Ministria e Transportit na garanton se nuk do të taksohet edhe pse do të jepet me koncesion ndërtimi dhe mirëmbajtja e saj. Ministri Haxhinasto “parashtroi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave argumentet për nevojën e një projektligji për procedure të veçantë për lidhjen e kontratës koncesionare, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe Kompanisë Kineze “China State Construction Company”… Ai i “siguroi deputetët se asnjë rrugë nuk do të taksohet pa dale konkluzionet e studimit Strategjia Kombëtare e Taksimit Rrugor, e paraqitur në Komision nga Ministri ditë më parë, duke përjashtuar këtu vetëm Rrugën e Kombit, tender koncesionar aktualisht në proces”. Më tej ministri garanton për Rrugën e Arbrit se “kjo rrugë nuk parashikon taksim” (Faqja zyrtare e ministrisë: transporti.gov.al. lajm i datës 14 prill 2015.).

Pa hyrë fare në supozime të tepërta, dhe fare thjeshtë, vendosja e traut të kalimit dhe e pagesës prej 5 apo më shumë eurosh për çdo mjet që qarkullon në këtë rrugë, nënkupton që shqiptarëve në të dy anët e kufirit dikur të dhunshëm e tash të turpshëm shqiptaro-shqiptar, t’u krijohet ideja se edhe në se thjeshtohen procedurat e kalimit ndërkufitar, madje edhe në se për ndonjë ndërhyrje perëndimore hiqet kufiri politik në Morinë, prapëseprapë do ekzistojë kufiri ekonomik në Milot apo në Kukës, prapëseprapë do të të duhet të ngadalësosh e të ndalosh makinën, të qëndrosh në radhë e në trafik për të paguar në portat e ferrit të turpit kombëtar.

Vendosja e një pagese të tillë pavarësisht prej faktit se nga se motivohet e çfarë synon do të sjellë si pasojë të pashmangshme krijimin dhe ushqyerjen të psikozës së kufirit brenda nesh, të idesë se ndarja jonë në fund të fundit nuk na qenka politike dhe e imponuar nga jashtë, por natyrale dhe e mbështetur nga vetë ne. Prandaj asnjë shqiptar nuk duhet të mbështesë një pengesë të tillë, madje edhe sikur të gjitha rrugët e monopatet e Shqipërisë të taksoheshin drejtpërdrejtë, Rruga e Kombit nuk duhet taksuar.

Përkundrazi, do të duhej që jo vetëm të mos taksoheshin mjetet që do qarkullonin në të, por të subvencionohej çdo mjet që do kalonte në këtë rrugë bashkimtare. Më leverdi ekonomike dhe vlerë patriotike do të kishte që në vend që t’i merreshin 5 euro shoferëve, t’i jepej secilit prej tyre një shumë simbolike, qoftë edhe një euro. Le të marrim shembull nga fqinji ynë Greqia që edhe pse ndodhet në mesin e një krize ekonomike të paprecedent në histori, megjithatë e riktheu sërish pagesën e pensionit për himariotët, të cilët nuk kanë kontribuar asnjë qindarkë në sistemin e sigurimeve shoqërore greke. Akoma edhe më domethënës është shembulli i Evropës që po sakrifikon një kontinent i tërë për të mbajtur në gjirin e saj Greqinë.

Për më tepër në një nga konferencat e përbashkëta për shtyp të ministrave të infrastrukturës, u pohua se shkëmbimet Shqipëri-Kosovë janë katërfishuar që nga ndërtimi i rrugës dhe volumin më të madh e zënë shkëmbimet e njerëzve. Për këto arsye në aspektin ekonomik gjoba e Rrugës së Kombit, do të ketë efekte negative, mbasi do sjellë zvogëlimin e qarkullimit në të, dhe në se Tirana politike do merrte 5 euro nga njëra, ekonomia shqiptare do humbte shumëfish më shumë në se hotelet, restorantet, kafenetë e dyqanet e bregdetit shqiptar do të braktiseshin nga vizitorët e Shqipërisë së përtej kufirit politik.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here