Ndër 141 vende/Turizmi, në katastrofë totale. Shqipëria klasifikohet në vendin e 106-të

0
172

Ervin Kaduku

Turizmi,  Shqipëria klasifikohet në vendin e 106-të–  Para pak ditësh, me dy vjet vonesë, ekzekutivi njoftoi për projektligjin, sipas të cilit mund të ulet TVSH për turizmin

–  Drejtuesit e promovimit të turizmit, të mbytur në korrupsion

Lidhur me suksese të qena e të paqena të qeverisë “Rama”, opinioni publik po i nënshtrohet pa mëshirë një bombardimi të vërtetë propagandistik, ku nuk mungon edhe një sukses, që nuk vërtetohet në praktikë, i sektorit të turizmit. Indeksi i konkurrueshmërisë së turizmit 2015, i vlerësuar dhe shpallur dje nga Forumi Ekonomik Botëror, e rendit Shqipërinë në vendin e 106, ndër 141 vende të ekzaminuara. Veç të tjerash, më keq akoma, vendi ynë mban edhe vendin e fundit të klasifikimit në rajon dhe Evropë. Ky indeks vlerëson si më pozitive në vendin tonë klimën e biznesit, duke e renditur Shqipërinë të 93­ën ndër 141 vende. Nga pikëpamja e sigurisë, si një ndër faktorët kyç të zhvillimit të biznesit dhe turizmit, Shqipëria qëndron në mes të listës, në vendin e 70 ndër 141 ekonomi. Më keq jemi me konkurrueshmërinë e çmimeve, ku vendi ynë renditet i 93­ti në listën e 141 vendeve, duke lënë pas në rajon vetëm Kroacinë dhe Greqinë e plagosur rëndë nga kriza. Infrastruktura në sektorin e shërbimeve turistike nga ana tjetër vlerësohet deri diku e kënaqshme, ku Shqipëria renditet në mesin e tabelës. Por burimet kulturore, nga ana tjetër, i kanë dhënë një goditje të fortë indeksit të përgjithshëm, pasi e degdisin Shqipërinë ndër të fundit vende në nivel global. Vendin e parë në listën e të mëdhenjve të turizmit botëror e mban Spanja, që vlerësohet si vendi me konkurrueshmërinë më të madhe në sektor, e ndjekur nga Franca dhe Gjermania. Ndërkohë në vend të fundit renditen Angola, Guinea dhe Çadi.

 

Zgjedhjet

Mendohet se këtë vit turizmi do të stepet nga Shqipëria, duke ndjekur trendin e dy viteve më parë. Ekspertët thonë se një arsye e mosrritjes së prenotimeve të turistëve këtë vit janë edhe zgjedhjet e qershorit dhe frika që krijojnë mundësitë e trazirave tek të huajt. Megjithatë zgjedhjet nuk janë i vetmi motiv; duket se një tjetër mangësi e jona e dallueshme prej vitesh, është edhe mungesa e shërbimeve dhe kushteve që ofrohen për turistët e huaj kur vijnë në Shqipëri. Nga njëra anë është punuar mirë me rrugët dhe infrastrukturën; por sërish në shumë plazhe ka ndotje; mungesë uji apo edhe dritash ndonjëherë.

 

Krahasimi me rajonin

Ekspertët konstatojnë se pavarësisht se turizmi shqiptar ka mangësi në shërbime, sërish çmimet e akomodimit apo të ushqimeve janë shumë më të larta se në disa vende të tjera të rajonit. Për operatorët turistikë kjo është arsye e vlefshme se pse turistët e huaj preferojnë më shumë Greqinë, Malin e Zi apo Kroacinë në vend të Shqipërisë. E vetmja mënyrë për t’i mbijetuar konkurrencës së ashpër është ndryshimi total i mënyrës se si funksionon industria e turizmit në Shqipëri. Të paguash dhe të mos marrësh shërbimin, nuk të lë aspak shije të mirë, dhe askush nuk e mendon të kthehet një herë të dytë në një vend të tillë. Operatorët turistikë theksojnë se çmimet e larta dhe shërbimet jo cilësore që ofrohen kryesisht nga njësitë akomoduese të bregdetit i kanë larguar turistët. Shumë hotele dhe njësi akomoduese janë shprehur se vazhdimisht ndjejnë konkurrencën e tregjeve turistike të rajonit, të cilat ofrojnë çmime më të ulëta krahasuar me shërbimin që ofrojnë.

 

Konkurrenca

“Mbas heqjes së vizave për turistët shqiptarë jashtë vendit, ky treg ka dhe konkurrencën e tregjeve kufitare. Në këto kushte, shtresa të mëdha popullsie që nuk shkonin jashtë vendit për pushime, tani i janë drejtuar tregjeve të Korfuzit apo Kalkidhikisë. Në këto kushte diferenca bëhet edhe në shërbime edhe në çmime. Tregjet kufitare kanë ofruar dhe ofrojnë shërbime shumë më të larta dhe çmime relativisht të ulëta për shërbimet që ofrojnë në raport me tregun shqiptar. Pra, kjo industri duhet të pësojë ato ndryshime të nevojshme për të përballuar konkurrencën e vendeve kufitare,” deklaron njeri prej operatorëve turistikë.

 

 Roli i institucioneve

“Nuk mendoj se është bërë mjaftueshëm dhe aq më shumë me një fond më të madh që pati në dispozicion Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit. Nuk kemi parë një strategji marketingu ku të përcaktohen qartë ku dhe si janë shpenzuar ato para. Bizneseve të turizmit dhe ekspertëve të saj nuk u është kërkuar ndonjë mendim se si mund të bëhej më mirë ky marketing me këtë buxhet i cili paguhet nga tatimpaguesit. Nga ky keqmenaxhim për shembull nuk është bërë e mundur nga AKT-ja pjesëmarrja në Panairin e Parisit në shtator 2014, ndërkohë që ishte në listën zyrtare që iu është dërguar bizneseve që në janar të këtij vit”, thekson Kliton Gërxhani, drejtor i agjencisë “Albania Holidays”. Në fakt, drejtuesit e lartë të institucionit që duhet të promovojë turizmin jashtë vendit e kanë mendjen tek varavingot e tyre dhe jo tek puna e rezultati i saj. “Nuk është bërë mjaftueshëm për promovimin e turizmit shqiptar, shton edhe Sokol Hoxha, nga “Shkodra Travel”. Promocioni bëhet me buxhet dhe ai i dedikuar për turizmin në të gjithë Shqipërinë është më i vogël se ai i fqinjëve tanë, si Maqedonia, Mali i Zi, për të mos përmendur Kroacinë dhe Greqinë. Ne ende kemi taksat më të larta në turizëm, në krahasim me të gjithë vendet e rajonit. TVSH-ja vazhdon të jetë 20%, ndërkohë që pothuajse të gjitha vendet e tjera e kanë më të ulët se 10%. Si mund të konkurrojmë me këto vende, ndërkohë që as financiarisht e as për cilësinë e shërbimeve nuk afrohemi dot me to. Në të gjitha vendet e rajonit ofrohen subvencione për agjencitë që të tërheqin turistë, ndërsa në vendin tonë as që mund të mendohet si masë e tillë”, shton ai.

 

Ankesa të turistëve

Ja se çfarë shkruan një turiste nga Filadelfia e SHBA-së në lidhje me sektorin shqiptar të turizmit.

“Kur mbërritëm na thanë se nuk mund të përdornim shërbimet për mirëqenien, sepse ishin në rikonstruksion. I shpjeguam recepsionistes se ne zgjodhëm këtë hotel pikërisht për këtë arsye. Atëherë ajo na tha se mund të pyesnim booking.com. Nuk mund të përdornim telefonin e brendshëm (një budallallëk i vërtetë). Mësuam se mund të përdornim vetëm pishinën dhe asgjë tjetër. U zhgënjyem shumë. Nuk kemi qenë në shumë hotele në Shqipëri, por në rastet e tjera, kemi marrë shërbim dhe çmime më të mira”.

Ndërsa një turist nga Gjermania në përshkrimin e qëndrimit të tij në një nga hotelet e Tiranës shkruante: “Mëngjesi nuk ishte cilësor dhe as i bollshëm në sasi. Personeli i shërbimit më pa që unë mora copën e fundit të kekut dhe as nuk më pyetën nëse doja tjetër. Shërbimi me makinë ishte më cilësor dhe më i lirë në çmim sesa taksitë në aeroport. Nga ana tjetër, edhe pse dhomën e kisha parapaguar, më kërkuan kartën e kreditit dhe më bllokuan 99 dollarë për natën. Mendoj se ishte diçka e padrejtë”.

 

 

Pakësohet paraja në qarkullim, shenjë e rënies ekonomike

Tre muajt e parë të këtij viti kanë shënuar një rënie të parasë gjithsej që qarkullon në ekonomi, referojnë statistikat e Bankës së Shqipërisë. Masa monetare gjithsej (M3) arriti në 1.19 trilionë lekë në fund të muajit mars, me një rënie prej 4.4 miliardë lekësh në raport me fundin e vitit 2014. Sipas ekspertëve, kjo rënie është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend. Ndonëse rënia është edhe ciklike, ritmet e ngadalësimit të rritjes së parasë gjithsej në qarkullim janë të dukshme vitin e fundit, siç tregohet dhe nga grafiku. Ky tregues I shtohet sinjaleve të tjera për ngadalësimin e ekonomisë, si rënia e eksporteve me 2% me bazë vjetore për periudhën janar-mars 2015; ngadalësimi i rritjes së kredisë, performance e dobët e depozitave; ulja e të ardhurave nga tatimet e doganat me 2%, po për të njëjtën periudhë, me të hyrat nga TVSh (një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi), që u reduktua me 9%, duke arritur në 27.5 miliardë lekë.

 

 Ulet dhe paraja jashtë bankave

Edhe paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare ka shënuar një ulje në muajt e parë të këtij viti, ndryshe nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, kur shënoi një rritje rekord dhe jashtë normalitetit, e lidhur kryesisht me uljen e depozitave në lekë, për shkak të normave të ulëta të interesit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në mars 2015, niveli i parasë jashtë korporatave depozituese (që përbëjnë 18% të parasë gjithsej, ishte 216.4 miliardë lekë, duke u ulur me 1.2 miliardë lekë, në raport me dhjetorin 2014.

 

 Forcohet euro ndaj lekut

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, monedha vendase ka fituar pikë ndaj dollarit gjatë ditës së djeshme. Ai ra me 1.70 lekë më pak se një ditë më parë duke u këmbyer me 123.55 lekë. Ndërsa monedha euro u rrit me 0.09 lekë duke u këmbyer me 140.54 lekë. Edhe në tregjet ndërkombëtare, dollari ishte vetëm rreth 0.3 për qind larg nga niveli i ulët në tre muaj si pasojë e shqetësimit se raporti i borderove të SHBA-së do të intensifikojë të premten shenjat se ekonomia më e madhe në botë është ngadalësuar. Indeksi Dollar Spot i Bloomberg, i cili vlerëson monedhën amerikane kundrejt 10 monedhave kryesore të tregut, ishte në 1,160.84 në Londër, në krahasim me 1,160.75 të mërkurën, kur ra 0.7 për qind. Indeksi ka rënë 1 për qind këtë javë. Dollari amerikan ndryshoi pak, në 119.47 jen, pasi ra për tre ditët e para të javës. Ai ishte në 1.1355 për euro, pasi ra 1.4 për qind të mërkurën.

 

 

Biznesi “mbytet” në overdrafte

Kredia e re e dhënë gjatë 2014 ka shkuar në 85 të totalit të saj për biznesin dhe vetëm 15 % për konsumatorët. Banka e Shqipërisë analizon se, kredia e re për sektorin e biznesit ka performuar pozitivisht, duke u zgjeruar gjatë periudhës në analizë (korrik-dhjetor 2014) me 7.4% (ose 8 miliardë lekë) dhe 15.4% (ose 15.4 miliardë lekë) vit më vit. Kontributin kryesor në zgjerimin e kredisë së re për periudhën, e dhanë kredia për “kapital qarkullues” me 5.9 miliardë lekë dhe ajo për “investime për pasuri të paluajtshme” me 4.9 miliardë, ndërsa kredia e re akorduar në formën “Overdraft” shënoi rënie me rreth 5.7 miliardë lekë. Edhe pse në rënie, kredia e akorduar në formën “Overdraft” zë peshën kryesore të kredisë së re dhënë biznesit me rreth 49%. Në terma vjetorë, zgjerimi i kredisë së re është ndikuar nga zgjerimi i kredisë së re “Overdraft” me rreth 10.4 miliardë lekë dhe “për pasuri të paluajtshme” me rreth 4.2 miliardë lekë. Kredia e re për sektorin e individëve u zgjerua me 11% (ose 2.1 miliardë lekë) gjatë periudhës, kryesisht për kategoritë “konsum i mallrave jo të qëndrueshme” dhe “për pasuri të paluajtshme”, përkatësisht me 0.8 miliardë lekë. Kredia e re akorduar “për pasuri të paluajtshme” tek individët, zë peshën kryesore me rreth 41%. Në terma vjetorë, kredia e re për individë u zgjerua me 5.8% ose 1.2 miliardë lekë, ku kontributin kryesor në zgjerim e dha kredia për “konsum të mallrave të qëndrueshme” dhe “konsum i mallrave jo të qëndrueshme”.

 

 Bankat rritin fitimet

Sistemi bankar rezultoi me një fitim prej 5.86 miliardë lekë në tremujorin e parë 2015, duke shënuar një rritje prej 30%, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Ky është niveli më i lartë historik i fitimeve të sistemit në këtë periudhë, të paktën në letra. Tre ishin arsyet kryesore që ndikuan në rritjen e fitimit: Së pari, të ardhurat neto të veprimtarisë u rritën me gati 11%, duke arritur në 11.4 miliardë lekë. Ndonëse si të ardhurat nga interesat ashtu dhe shpenzimet për interesa ranë, ritmet e rënies ishin më të larta për shpenzimet sesa për të ardhurat. Kjo, teksa ulja e normave të interesit të depozitave ka qenë më e lartë sesa ajo e kredive, në reflektim të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, duke bërë që diferenca mes tyre të arrijë nivele rekord të larta. Së dyti, të ardhurat nga veprimtaritë e tjera u rritën ndjeshëm, duke rezultuar neto në 1.1 miliardë lekë, nga gati zero që kishin qenë në tremujorin e mëparshëm. Së treti, shpenzimet për provigjione, që dikur ishin një nga faktorët kryesorë që gërryenin fitimet e bankave, ishin minimale në tremujorin e parë të vitit, madjee bankat kanë filluar të rikuperojnë këto fonde.

 

 

Azia dhe Paqësori, epiqendra e zhvillimit ekonomik

Azia dhe Paqësori do të vazhdojnë të mbeten zonat me rritjen më të madhe ekonomike edhe gjatë dy viteve të ardhshme, thekson Fondi Monetar Ndërkombëtar. Diçka e tillë vjen falë kërkesës së fortë të brendshme, normave të ulta të interesit, dhe rënies së çmimeve të naftës. Gjatë vitit 2015, Prodhimi i Brendshëm Bruto i rajonit do të rritet mesatarisht me 5.6%. Për sa i përket vitit të ardhshëm, rritja parashikohet disi me një hap më të ngadaltë, në 5.5%. Nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar, vlerëson faktin se rritja ekonomike globale, pavarësisht faktit se nuk është homogjene, do të vazhdojë të mbështesë kërkesën për eksportet aziatike. Të gjithë këta faktorë, pritet të zbehin disi efektin negativ të masave shtrënguese fiskale si pasojë e fluturimit të kapitalit. Mes ekonomive kryesore të kontinentit, ekonomia kineze pritet të ngadalsojë hapin në krahasim, nga 6.8% aktualisht në 6.13% gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë për Japoninë, rritja parashikohet në 1% gjatë vitit aktual, dhe në 1.2% gjatë vitit të ardhshëm. India vlerësohet gjithashtu si një ndër ekonomitë me hapin më të shpejtë të rritjes jo vetëm në Azi po edhe në nivel global. Ekonomia indiane projektohet të rritet me 7.5% gjatë dy viteve të ardhshme. Gjithsesi, Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk lë pa nënvizuar edhe rreziqet për ekonominë e rajonit, duke theksuar se rritja më e ulët se objektivat në Kinë dhe Japoni, mund të gjenerojë një efekt zinxhir në rajon.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here