Në kopsht/ Gjyshja denoncon për abuzim seksual me 5-vjeçare, policia: Një gërvishtje

0
260

Artan Cena

 Gjyshja denoncon për abuzim seksual me 5-vjeçareNgjarja e rëndë është bërë publike në Sarandë, ku Eli Kasneci ka treguar për ngjarjen e ndodhur në kopsht sipas saj. Policia: Ishte një gërvishtje

Gjyshja e një 5-vjeçareje nga Saranda denoncon se është abuzuar seksualisht me mbesën e saj të mitur në ambientet e kopshtit. 53-vjeçarja, Eli Kasneci, ka rrëfyer se vajzën e vogël, e cila është prekur nga autizmi e ka dërguar në mëngjes në kopshtin numër 3 në Sarandë si çdo ditë tjetër, por kur është kthyer në shtëpi, ajo ishte e gjakosur. Ndërkaq pas denoncimit policia lokale ka nisur hetimin. Këta të fundit me në një reagim të mesditës së djeshme kanë bërë të ditur se nuk ka abuzim seksual por ka qenë një gërvishtje që ka shkaktuar hemorragjinë.

 

Dëshmia e gjyshes

“Në mëngjes vajzën e çova nga gjumi si zakonisht, e lava dhe e çoj të shëndetshme në kopsht. Në orën 12:10 babai i saj e merr nga kopshti. E marr vajzën, e ndërroi, dhe ajo kishte shumë hemorragji. E marr vajzën së bashku me babanë e saj dhe e çoj në kopsht tek edukatorja. I thash që vajza ka hemorragji, ajo më tha “si ka mundësi’”, – tha gjyshja e vajzës. Gjyshja e 5-vjeçares, autike, e cila jeton me të dhe të atin pas divorcit të prindërve thotë se menjëherë e ka dërguar vajzën tek mjeku gjinekolog në spitalin e Sarandës, dhe ky i fundit i ka pohuar se me vajzën është abuzuar seksualisht. “E çova në maternitet, ma vizitoj doktor Aleksi, i cili ishte dhe me infermiere. I thash doktor të lutem ma thuaj hapur se çfarë ka vajza. Më pa në sy dhe më tha se “është abuzuar me vajzën’. Mund të ndodh një gjë e tillë në kopsht i thash?! Po më tha, mund të jetë futur ndonjë i huaj brenda”, – tha 53-vjeçarja. Por mjeku gjinekolog nuk ka pranuar të flasë më në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa ka mohuar që i kishte pohuar gjyshes së vajzës se i mitura ishte abuzuar seksualisht. 53-vjeçarja thotë se ka bërë denoncim në policinë e Sarandës, por nuk u mor asnjë masë ndaj kopshtit. Ajo akuzon drejtoreshën e kopshtit numër 3 në Sarandë se nuk i ka dhënë asnjë shpjegim për atë që ka ndodhur, por madje ka lëshuar akuza për abuzim brenda familjes. “I thashë, znj. Bona, nuk të akuzoj për kopshtin, por dua të di se çfarë ka ndodhur me vajzën time. Më tha, shih brenda familjes, se mos i ka bërë gjë babai i saj. Kudo që të vësh, më tha, mos harxho lekët e tua se nuk do fitosh asgjë”, – deklaroi Eli Kasneçi. Policia e Sarandës thotë se pas denoncimit, të miturës i është bërë një tjetër ekzaminim nga dy mjekë të tjerë dhe sipas raportit të mjekëve rezulton se vajza ka një gërvishtje pranë organit gjenital, ç’ka ka shkaktuar dhe hemorragjinë, por sipas mjekëve nuk është abuzuar seksualisht me të. policia ka dorëzuar në prokurorie, por pa cilësuar ndonjë vepër penale, por vetëm “dëmtim mekanik”. Por pyetja që ngre e moshuara është se çfarë ka ndodhur me mbesën e saj të mitur? Në këto kushte ajo kërkon që të kryhet një tjetër ekspertizë në Tiranë.

 

Reagimi i policisë

 Pas bërjes publike të këtij rasti dhe kallëzimit të bërë nga gjyshja e të miturës, policia e Sarandës ka nisur hetimet. “Pas kallëzimit të bërë në Komisariatin e Policisë Sarandë, menjëherë janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore. Si dhe është bërë ekspertiza nga mjekja gjinekologe, në prani të mjekut ligjor, ku ka rezultuar se nuk kemi të bëjmë me ngacmim seksual por me një gërvishtje në pjesën e jashtme që mund të ketë ardhur nga rrëzimi ose nga ndonjë mjet mekanik”, – thuhet në një reagim të Drejtorisë së Policisë së Vlorës që ka nën administrim edhe Komisariatin e Sarandës.

 

Operacioni antidrogë në Lazarat, edhe 5 të arrestuar pas 10 muaj hetime

Pesë persona të kërkuar për kryerjen e disa veprave të rënda penale gjatë operacionit antikanabis të një viti më parë, u arrestuan nga forcat speciale në Lazarat. Policia njofton se në operacionin “Spring”, u vunë në pranga Gentjan Kazma, 33 vjeç, Ramadan Basha, 31 vjeç, Arjan Basha, 47 vjeç, Gurgaz Skënderi, 24 vjeç dhe Mirteza Shemsho, 42 vjeç, të gjithë banorë të Lazaratit. Sipas policisë këta persona janë kapur në fshatin Lazarat dhe pasi për ta Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar urdhrat e ekzekutimit të vendimeve penale të datës 29 prill 2015, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për ta. Të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Grup i strukturuar kriminal”, “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve, “prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”. “Të gjithë këta persona janë të akuzuar për ngjarjet e ndodhura gjatë operacionit antikanabis qershor 2014 në Lazarat”, – bënë të ditur burime zyrtare nga Policia e Shtetit. Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe me Policinë e Gjirokastrës në muajin qershor 2014, ka nisur procedim penal për sulmet me armë mbi punonjësit e policisë dhe të gjitha veprat e mësipërme.

 

Pranga të riut, u kap me 5 pako tritol gati për ta shpërthyer

 Kapja në flagrancë me 5 pako lëndë plasëse, të dyshuar si tritol, çuan në pranga një të ri në qytetin e Vlorës. Policia lokale njoftoi gjatë ditës së djeshme se ka finalizuar me sukses operacionin të koduar “Laguna”, si rezultat i të cilit është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i Arbër Saraselit, banues në Vlorë. Arrestimi i tij u krye pasi iu gjetën 5 pako me lëndë plasëse e dyshuar si tritol, të mbështjella me natribani, të lidhura me kapsollë dhe fitil, të gatshme për t’u përdorur për shpërthim.

 

Digjen dy mjete të parkuara në mes të Fierit, nisin hetimet

 Dy automjete janë djegur në Fier gjatë orëve të natës, duke u gdhirë dita e djeshme. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “29 Nëntori”, ku dy makina tip “BMW”, të parkuara në anë të rrugës kryesore, janë përfshirë nga flakët. Banorët e lagjes kanë njoftuar policinë, e cila ka nisur hetimet, ndërkohë që zjarrfikësit kanë shuar zjarrin në orët e para të mëngjesit. Nuk dihen ende shkaqet dhe rrethanat e tjera të ngjarjes. Paraprakisht policia tha zjarri nuk ka qenë aksidental, por i qëllimshëm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here