Akuzat/ Belgjika sjell 2500 faqe prova kundër Mark Frrokut, gjykimi bëhet në Shqipëri

0
146

Artan Cena

prova kundër Mark FrrokutBrukseli nuk ka kërkuar që deputeti kristiandemokrat të ekstradohet që të gjykohet atje. Të hënën Frroku njihet me të gjitha akuzat

Deputeti kristiandemokrat Mark Frroku do të gjykohet në Shqipëri, si autor i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Kurtit 16 vite më parë në Belgjikë. Kjo, pasi autoritetet belge sollën në Prokurorinë Shqiptare dosjen hetimore në ngarkim të tij. Burime pranë organit të akuzës thanë se pas letërporosisë, autoritetet belge sollën në rrugë diplomatike 2500 faqe material hetimor në ngarkim të Frrokut, i akuzuar për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim. Në mars të këtij viti organi i akuzës i kërkoi Parlamentit autorizimin për arrestimin e Frrokut, pasi, sipas Prokurorisë, deputeti akuzohej nga autoritetet belge për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim.

 

Dosja me prova

Drejtësia belge ka sjellë në Shqipëri dosjen e vrasjes në Belgjikë, për të cilën akuzohet deputeti Mark Froku. Dosja ka mbërritur në vendin tonë 10 ditë më parë. Me anë të një letërporosie të ardhur në rrugë diplomatike është dorëzuar pranë Ministrisë së Drejtësisë dosja e plotë ndaj deputetit Frroku, ku akuzohet për vrasje me thikë të shqiptarit Aleksandër Kurti. Burimet thonë se janë rreth 2500 faqe material, në të cilat ka procesverbale të deklarimeve të dëshmitarëve shqiptare dhe qytetarë të huaj, deklarimet e femrave që janë shfrytëzuar për prostitucion, prova të ndryshme materiale dhe aktet e ekspertimeve të viktimës, te vendit të ngjarjes e gjurmë gishtash. Të gjitha këto materiale, tashmë ndodhen në zyrën e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Drejtësisë, ku janë përkthyer dhe javën e ardhshme pritet që dosja t’i dorëzohet grupit hetimor të Prokurorisë së Përgjithshme. Referuar materialeve të ardhura, burimet nga prokuroria thonë se autoritetet e drejtësisë belge nuk kanë kërkuar ekstradimin e deputetit Mark Frroku edhe pse emri i tij është shpallur në listën e personave të kërkuar. Pavarësisht mungesës së kërkesës për ekstradim, autoritetet shqiptare do të hetojnë dhe gjykojnë deputetin Frroku në Shqipëri për akuzën e vrasjes me paramendim të ndodhur në mars të vitit 1999 në Bruksel.

 

Edhe bashkëpunëtorët

Mësohet se deputeti Mark Frroku është arrestuar në Holandë, ku ka vuajtur dënimin për shpërndarje të lëndës narkotike dhe më pas është ekstraduar në Belgjikë për llogari të kësaj dosje. Disa muaj pas qëndrimit në qeli, ai është liruar pasi vendimi i dënimit me 10 vjet burg është rikthyer për gjykim. Ndërkohë, burimet thonë se në dosjen e ardhur nga Belgjika përveç emrit të deputetit Frroku, autoritetet belge kanë sjellë materialet edhe për shtetasin Hil Joka i njohur si Arjan Bytyçi, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje. Për këtë ngjarje tre persona të tjerë shqiptarë, bashkëpunëtorë në vrasje janë dënuar nga drejtësia belge me nga 10 vjet heqje lirie. Aktualisht, deputeti mbahet i izoluar nën masën e sigurisë arrest me burg dhe pas mbërritjes së dosjes nga Belgjika ai do të gjykohet nga pala shqiptare, ku rrezikon 15 deri në 25 vite heqje lirie. Aktualisht deputeti kristiandemokrat është në hetim dhe për fshehje pasurie e pastrim parash, pas kallëzimit të bërë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për fshehjen e 3 milionë euro pasuri.

 

 Autobusi me nxënës përplaset me makinën, 3 të vdekur në Sarandë

Dy persona kanë humbur jetën dhe disa janë plagosur si pasojë e aksidenteve në Sarandë. Të plagosur në rrugë ka pasur edhe në Fier dhe Berat. Në këtë të fundit ka mbetur i plagosur kreu i PS-së së rrethit. Aksidenti i parë ka ndodhur fshatin Kuricë në Sarandë dhe ka humbur jetën një e moshuar. “Automjeti me targë AA 870 CX, që drejtohej nga Dorjan S. Deçolli, 37 vjeç, banues në Tiranë, ka përplasur 72-vjeçaren me inicialet E. N., e cila për pasojë ka ndërruar jetë”, – tha policia. Aksidenti i dytë me vdekje ka ndodhur pasditen e djeshme pranë kthesës së Syrit të Kaltër. Nga të dhënat thuhet se një autobus është përplasur me një automjet. Si pasojë e kësaj, thuhet se ka gjetur vdekjen K. Braçi, 59 vjeç, drejtues i mjetit “Volkswagen”, ndërsa në gjendje të rëndë ishte vajzat e viktimës, S. Braçi, 21 vjeçe, e cila ndërroi jetë në spital. Drejtuesit i autobusit me nxënës nga Devolli E. Tefiku ka marrë disa plagë. Ekspertët kanë shkuar dhe po punojnë për zbardhjen e ngjarjes. Në orët e mesditës së djeshëm, kreu i PS-së Berat, Shkëlqim Biçaku, mbeti i plagosur si pasojë e një aksidenti. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Divizioni-Uznove në Berat. Në momentin e aksidentit, Biçaku ka qenë duke udhëtuar më makinën e tij tip “Mercedes-Benz”. Ndërsa në Fier dhe dy makina janë përplasur, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima.

 

Kishte mbjellë kanabis në dhomën e gjumit, policia i vihet nga pas

Tri parcela me kanabis u zbuluan të premten në një fshat të Komunës Zall-Herr në Tiranë, ndërsa një person tjetër e kishte mbjellë bimën narkotike në një nga dhomat e shtëpisë së tij. Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht se ka ushtruar kontroll në fshatin Radhesh të Komunës Zall-Herr dhe në vendin e quajtur Mali Kulat-Radhesh, pranë një përroi, zbuloi tri parcela të mbjella me bimë të dyshuara si lëndë narkotike kanabis sativa. Në këto parcela ishin mbjellë 147 bimë, me gjatësi nga 5 deri në 30 cm. Policia ushtroi kontroll në banesën e shtetasit Kasem Hida, banues në fshatin Radhesh, si person i dyshuar për mbjelljen e këtyre bimëve. Gjatë kontrollit u konstatuan në banesën e tij, të mbjella në kubikë, 168 bimë të tjera kanabis sativa. Policia vendosi arrestimin në flagrancë të 54-vjeçarit Hida për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”. Gjithashtu, policia shpalli në kërkim një banor të fshatit Lucë të kësaj Komune, sepse në një dhomën e gjumit në banesës së tij u gjetën të mbjella në kubikë 62 rrënjë bimë, të dyshuara si kanabis sativa, me gjatësi mesatare 15-35 cm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here