Operacioni/ Shkatërrohet banda e lezhjanëve në Itali, shisnin drogë me italianët

0
132

Artan Cena

 arrestimet italiGjatë operacionit “Labirinti” janë vënë në pranga 17 persona, prej të cilëve 9 ishin nga Shqipëria. Kush janë të arrestuarit

Shkatërrohet një bandë droge dhe prostitucioni në Itali, 17 persona në pranga, mes tyre 9 shqiptarë. Mësohet se shqiptarët e arrestuar ishin shumica nga zona e Lezhës, ndërsa shumica prej tyre ishin të papunë. Arrestimet janë bërë gjatë një operacioni të koduar “Labirint”, ndërsa hetimi kishte nisur prej disa muajsh. Arrestimet e shqiptarëve dhe italianëve janë bërë në zonë e Viareggios. Banda ishte zbuluar kur policia kishte ndjekur një sasi droge marijuanë që ishte nisur nga veriu i Italisë dhe kishte mbërritur në Viareggio. Aty më pas janë bërë hetimet e nevojshme duke u zbuluar edhe banda shqiptaro-italiane.

 

Shkatërrimi i bandës

Siç edhe kanë shkruar gati të gjitha mediet italiane gjatë ditës së djeshme, banda e trafikantëve të drogës e përbërë nga shqiptarë, por që mbështetej në një rrjet të madh tregtarësh italianë, është goditur në orët e para të mëngjesit nga policia në Viareggio. Operacioni i quajtur në shqip “Labirint” ka sjellë në dritë një sistem kompleks të furnizimit dhe trafikimit të grupit kriminal. Droga ishte blerë në Italinë veriore dhe ishte sjellë në tregun e Versilia-s. Baza e operacioneve ishte pikërisht në Viareggio, ku bëhej menaxhimi i kontakteve me Shqipërinë. Boshti i trafikut të drogës ishin gjashtë shqiptarë që kanë përfunduar në pranga. Dhe, në mesin e tyre, rolin e liderit e kishte Tauland Marku, një 29-vjeçar, banor i vjetër në Torre del Lago. Një tjetër figurë e shquar në organizimin e bandës ishte Mareldo Dragusha, njëzet e një vjeç, edhe ai shqiptar banues në Viareggio, i cila në rrjedhën e hetimit të autoriteteve italiane, rezulton se është i implikuar edhe në shfrytëzimin e prostitucionit të një të reje, e cila “ka punuar” në Versilia.

 

Hetimet e policisë

Gjithçka nisi duke ndjekur gjurmët e disa prej pjesëtareve të bandës që sillnin sasi të konsiderueshme të marijuanës nga Italia Veriore (Milano dhe Borgomanero) duke synuar tregun e lulëzuar të drogës në Versilia. Pas gjurmimit të trafikantëve, policia arriti të identifikonte një grup të shqiptarëve që kujdesej të kryente dërgesat dhe pastaj nga ana tjetër e rishisnin marijuanën për shitësit e drogës, të cilët ishin përgjegjës për tregun me pakicë. Ndaj të gjithë të arrestuarve rëndojnë akuzat e “Shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike” dhe disa prej tyre akuzohen edhe për trafik ndërkombëtar të drogës.

 

Të arrestuar:

Taulant Marku, 27 vjeç

Mareldo Dragusha, 21 vjeç

Kreshnik Lleshi, 32 vjeç

Miklovan Legisi, 39 vjeç

Mareglen Mhillaj, 21 vjeç

Dritan Selmani, 30 vjeç

Narciso Cristian Petrucci, 32 vjeç

Luca Poli, 38 vjeç

Oussama Ghaouari, 26 vjeç

Davide Quarta, 29 vjeç

Denisa Catiru, 27 vjeçe

 

Arrest shtëpie:

Gentjan Çizmja, 36 vjeç

Giulio Bianchi, 36 vjeç

Maurizio Mari, 50 vjeç

Bledar Marku, 30 vjeç

Francesco Gherardi, 51 vjeç

 

Djali i kryekomunarit dhunon policin brenda komisariatit të Gramshit

 Djali i kreut të Komunës së Tunjës në Gramsh ka rrahur mesditën e djeshme një efektiv policie brenda komisariatit të këtij rrethi. Incidenti është regjistruar një ditë më parë në ambientet e brendshme të komisariatit të Gramshit, ku Renato Bërdëllima, djali i kreut të Komunës Tunj, Refit Bërdëllima. I riu ishte shoqëruar në komisariat së bashku me Robert Bërdëllimën, Markel Toçillën dhe Mario Kurumin për prishje të qetësisë publike dhe kundërshtim të forcave të policisë. Në momentin që është shoqëruar në polici Renato Bërdëllima ka vijuar konfliktin me një efektiv policie dhe gjatë përplasjes janë thyer edhe xhamat pranë portës hyrëse të komisariatit. Nga kjo ngjarje është thyer edhe një xham në një nga portat hyrëse ku ndodhi edhe incidenti. I riu është neutralizuar nga forcat e policisë dhe aktualisht ndodhet në ambientet e komisariatit të Gramshit ku është vendosur edhe arrestimi i tij.

 

Delijorgji dëmshpërblehet me 15.600 euro, i janë shkelur të drejtat

 Shqipëria ka shkelur të drejtat e Mihal Deligjorgjit në procesin e stërzgjatur gjyqësor në ngarkim të tij për tragjedinë e Gërdecit. Gjykata e të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg vlerësoi se janë tejkaluar afatet e mbajtjes në paraburgim të Delijorgjit, në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Konventë të cilën Shqipëria e ka ratifikuar në Kuvend prej kohësh. Për këtë, Strasburgu ndëshkoi shtetin shqiptar me 15.600 euro, shumë që duhet të derdhet në llogarinë e Delijorgjit. Mihal Delijorgji ishte pjesë e 28 personave të ndaluar nga policia pas shpërthimit të Gërdecit, më 15 Mars të 2008-ës, e ku gjetën vdekjen 26 persona. Ai u ndalua më 17 Mars, po të atij viti si administrator i “Albademil”, kompania që operonte në Gërdec. Prej kësaj date do të niste procesi maratonë gjyqësor, që përfundoi më 12 Mars të vitit 2012 me dënimin nga Gjykata e Tiranës me 10 vite burgim. Delijorgji apeloi vendimin dhe më 13 Shkurt të 2013 Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 kohën e burgimit, pas kërkesës së të pandehurit për gjykim të shkurtuar dhe në 19 Mars të po atij viti, Delijorgji la qelinë.

 

 Vjedhja me armë, policia shoqëron ndihmësit e autorëve

 Hetimet për grabitjen me armë të dy ditëve më parë kanë çuar në polici 5 persona të dyshuar. Këta persona dyshohet se kanë lidhje me grabitjen e 1 milionë lekëve paraditen e së hënës në autostradën Tiranë – Durrës. Sipas policisë, makina e autorëve të krimit, që u gjet e djegur, një “Mercedes-Benz” me targa AA 826 KK ishte vjedhur në Kavajë në 19 prill të këtij viti. Njëri nga personat e shoqëruar në polici, sipas burimeve, dyshohet se ka ndihmuar autorët e grabitjes së parave për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Hetuesit e çështjes kanë dyshime të forta se personat e shoqëruar kane lidhje me grabitësit e parave. Shuma e lekëve e grabitur i përkisnin dy bizneseve në një prej qendrave tregtare në Tiranë. Ato po transportoheshin me një makinë të një kompanie private të sigurimit, e cila nuk përmbushte asnjë standard dhe kriter të parashikuar në ligj për sigurinë e transportit të mjeteve monetare. Për këtë arsye, policia ka nisur hetimet edhe ndaj kompanisë së sigurimit.

 

Konfiskim pasurisë së mbledhësit të borxheve të CEZ-it

 Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar nga Gjykata konfiskimin e llogarive bankare në shumat totale 3.2 milionë dollarë dhe 450.000 euro të Kastriot Ismailajt, administrator i shoqërisë “Adriatic Develoment Corporation ltd”. Shoqëria është e licencuar për mbledhjen e borxheve nga kompania CEZ. Burime nga organi i akuzës kanë bërë me dije se ky person nuk e justifikon këtë pasuri dhe për këtë arsye është regjistruar procedimin për veprën penale të “Mashtrimit”. Fillimisht, llogaritë bankare janë vendosur në sekuestro preventive. Sipas Prokurorisë, Ismailaj i vënë në dijeni të sekuestros, nuk ka paraqitur asnjë dokument për të provuar ligjshmërinë e burimit të pasurive.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency