Ministri Gjerman/ “Mos u lodhni të vini, asnjë shqiptar nuk do të përfitojë azil në Gjermani”

0
121

Artan Cena

Saimir Tahiri dhe Thomas De MaizierMinistri i Brendshëm, Saimir Tahiri, vizitë në Gjermani, takim me homologun Thomas De Maizier për situatën e shqiptarëve që kërkojnë leje qëndrimi

Fluksi i madh i shqiptarëve që kërkojnë azil në Gjermani ka qenë thelbi i bisedës midis ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe homologut të tij gjerman, Thomas De Maizier. Sipas ministrit gjerman, ky numër i lartë i personave që kërkojnë azil në vendet e BE-së, mund të prodhojnë pasoja të rënda për Shqipërinë. Ministri Tahiri në fjalën e tij vuri theksin te masat që ka marrë qeveria shqiptare për të mos lejuar asnjë shtetas të këkojë padrejtësisht azil politik.

 

Asnjë shans azili

“Shqiptarët nuk do të kenë asnjë shans për të përfituar azil politik në Gjermani”. Ky ka qenë mesazhi i Ministrit të Brendshëm gjerman. Thomas De Maizere i cili u takua me homologun shqiptar Saimir Tahiri me të cilin ka ndarë shqetësimin për numrin e madh të azilantëve që i janë drejtuar Gjermanisë gjatë muajve të fundit. “Po merremi bashkarish me një çështje që na shqetëson, siç është azili. Janë shqiptare nga Shqipëria apo nga shqiptarë që jetojnë në vende të tjera që vijnë në Gjermani për të kërkuar azil. Ky është një shqetësim i madh, sepse mund të prodhojnë paragjykime në raport me vendin tuaj, që ju do donit t’i shmangnit. Ndaj mesazhi im i qartë është se nuk ka asnjë shans për të fituar azil politik në Gjermani. Të gjithë shqiptarët që kanë ardhur, apo që do të vijnë, do të rikthehen në vendin e tyre. Në Shqipëri ka një demokraci krenare dhe nuk ka arsye për përndjekje politike. Ne do të bëjmë shumë për ta zhdukur këtë shqetësim dhe do të kemi bashkëpunim të madh jo vetëm duke u fokusuar te arsyet e gabuara të kërkesave për azil”, – tha ministri gjerman, Thomas De Maiziere.

 

Deklarata e Tahirit

Gjatë takimit është diskutuar për fluksin e muajve të fundit i shqiptarëve që kërkojnë azil në Gjermani. Ministri Tahiri shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për ndalimin e azil kërkuesve të paligjshëm, duke prezantuar masat që ka marrë policia shqiptare në pikat kufitare, apo në hetimin e grupeve që mashtrojnë shqiptarë duke u premtuar azil, si dhe kërkoi gjithashtu shkurtimin e procedurave të përpunimit të kërkesave nga pala gjermane. “Shqetësimi për azilkërkuesit, është një shqetësim që po adresohet edhe në vendin tonë. E informova kolegun për masat që ka marrë Shqipëria, dhe gjithashtu ia bëra të qartë angazhimin e qeverisë shqiptare për të mos lejuar në asnjë mënyrë shtetas shqiptarë që në mënyrë të padrejtë, vijnë e kërkojnë azil politik. E bëmë të qartë që nuk ka azil politik në Gjermani dhe në asnjë vend të BE-së, për arsye politike apo për arsye ekonomike, dhe do të bëjmë gjithçka, për të ndaluar këtë fenomen që shqetëson si Shqipërinë dhe partneret tanë”, – ka thënë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

 

Gjermania, ndihmë edhe për Byronë e Hetimit

 Gjithashtu ministrat Tahiri dhe De Maiziere kanë folur edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit. Tahiri deklaroi se ky institucion do të ketë ekspertizë edhe nga partnerët gjermanë. “Gjermania ka ndihmuar me ekspertizë Policinë shqiptare dhe për të forcuar kapacitetet, dhe po kështu do të vazhdojmë, në mënyrë që të shtrojmë bazën për një bashkëpunim të sigurt lidhur me luftën kundër korrupsionit, veçanërisht kundër korrupsionit elitar, krimit të organizuar dhe gjithashtu Byronë Kombëtare të Hetimit, si një institucion që do të ketë ekspertizë edhe nga partnerët gjermanë”, – theksoi në fjalën e tij, ministri Saimir Tahiri.

 

Lëshuan vërtetim për azil, nisin hetimet për zyrtarët lokalë

 Prokuroria e Korçës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për shpërdorim detyre ndaj Kastriot Malushit, 50 vjeç, me detyrë nënkryetar i Komunës Libonik. Me të njëjtën akuzë ka filluar procedimi edhe për sekretaren e kësaj komune 53-vjeçaren me inicialet V. A. Të dy zyrtarët lokalë, akuzohen nga policia për veprën penale “Shpërdorim të detyrës”. Uniformat blu kanë bërë të ditur se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë lëshuar një vërtetim në kundërshtim me ligjin për 42-vjeçaren me inicialet N. M., banuese në Tiranë. Ky vërtetim mësohet se ishte lëshuar me qëllim që ajo të përfitonte azil politik në vendet e BE-së. Policia është duke hetuar nëse ka pasur edhe raste të tjera të ngjashme, ndaj dhe për këtë arsye nuk ka dhënë shumë detaje lidhur me procedimin penal në ngarkim të dy zyrtarëve të komunës. Qarku i Korçës është ndër më të prekurit nga fenomeni i ikjes se njerëzve drejt vendeve të BE-së. Vetëm në javën e fundit nga policia kufitare në Kapshtice, nuk janë lejuar të kalojnë për në Greqi, me shumë se 300 qytetarë shqiptarë, të gjithë për mungesë dokumentacioni.

 

Shqiptarët, të parë për kërkesat e azilit, shumica në Gjermani

Janë 1847 shqiptarë që kërkuan azil në vetëm 5 javët e para të këtij viti, çfarë përfaqëson 236% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. 1668 vetë aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Gjermani, 106 në Suedi, 52 në Belgjikë, 15 në Zvicër dhe 2 në Luksemburg. Rritja “befasuese” e aplikimeve nga shqiptarët, sipas analizës së kësaj agjencie evropiane me seli në Varshavë, ndikoi për rritjen domethënëse të kërkesave të përgjithshme të regjistruara në Gjermani, që kryeson 5 vendet më të prekura të zonës “Schengen”, me 90% të aplikimeve të bëra në tërësi për azil nga qytetarët e rajonit dhe mbetet destinacioni më i pëlqyer për shqiptarët dhe serbët. “Krahasuar me periudhën e mëparshme të raportuar, Gjermania regjistroi një rritje domethënëse të aplikimeve me 57%, më së shumti për shkak të rritjes befasuese të aplikimeve nga shqiptarët, 122%. Kërkesat për azil në 4 vendet e tjera anëtare të BE-së mbetën në nivel të ulët, me renditjen e Suedisë në vend të dytë, duke raportuar një rënie prej 48% krahasuar me Dhjetorin e 2014-s”, – bën të ditur “TCH”. Vëzhgimi i parë me pritshmëri negative në raportin e 50 të FRONTEX-it flet për kthim të ritmit të rritjes së azilkërkuesve nga 5 vendet e rajonit përfituese të regjimit pa viza në zonën “Schengen”. Gjithsej, raportohet për 5539 aplikime gjatë 5 javëve të para të vitit, çfarë shënon një rritje prej 39%, krahasuar me Dhjetorin e 2014-s. Por, me gjithë rritjen e ndjeshme të azilkërkuesve shqiptarë, FRONTEX vlerëson se Serbia vijon të kryesojë aplikimet nga 5 vendet përfituese të Ballkanit me 42% (2334 kërkesa), e ndjekur nga Shqipëria 33%, Maqedonia 12%, Bosnja 11% dhe Mali i Zi me vetëm 2%. “Gjatë kësaj periudhe të raportuar, shqiptarët janë kombësia me rritjen më të lartë, prej 93% krahasuar me dhjetorin e 2014-ës. Kjo ishte periudha e dytë radhazi e raportuar për normën më të lartë të rritjes së regjistruar nga shtetasit shqiptarë. Duhet përmendur se malazezët regjistruan një përqindje më të lartë të rritjes, megjithatë shifrat e tyre mbeten 15 herë më të ulëta, krahasuar me shqiptarët. Pavarësisht rritjes relativisht modeste, prej 18% të numrit të aplikimeve, shtetasit serbë vazhdojnë të renditen të parët për kërkesat e azilit në Janar të 2015-s.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency