Kreu i policisë: Ndalimet në kufi janë të drejta, mos u mashtroni për azilin

0
141

 Artan Cena

haki cako analizaDrejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako: Bashkë me Prokurorinë jemi duke punuar dhe kemi identifikuar grupe trafikantësh

Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, nuk i ka pranuar akuzuat se uniformat blu po ndalojnë në kufi lëvizjen e lirë dhe po kthejnë edhe persona të cilët kanë dokumente të rregullta. Duke folur në një konferencë të organizuar për bashkëpunimin me Europol, Çako ka bërë të ditur se fluksi i largimeve ka ardhur si pasojë e mashtrimeve nga disa organizata kriminale. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se janë identifikuar këto grupe trafikantësh dhe në bashkëpunim me prokurorinë janë duke u hetuar. “Shumë shpejt do të kemi dhe rezultatet e hetimit”, – tha Çako i cili u pyet nga gazetarët në lidhje me masat që janë marrë nga policia.

 

Çako për azilantët

Në një kohë që qytetarë të shumtë ankohen se u është refuzuar me pa të drejtë largimi nga Shqipëria, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka deklaruar se nuk ka asnjë rast ku nga ana e policisë është shkelur ligji. Numri një i uniformave blu tha se së bashku me Prokurorinë janë duke hetuar grupe dhe individë që kanë organizuar këtë valë emigrimi dhe së shpejti ata do të vihen para ligjit. Ndërkohë drejtori i policisë, Haki Çako tha se grupe kriminale po nxisin azilin duke organizuar trafik ilegal. “Sigurisht që përkrah gjithë këtij inspirimi, nxitjes së qytetarëve shqiptarë për shtimin e numrit të tyre azilkërkues, ka dhe një lider grupesh që përfitojnë në mënyra të paligjshme, që janë të lidhur ngushtë me agjenci apo struktura të caktuara të transportimit nga Shqipëria në drejtim të Evropës Perëndimore. Ne do të hetojmë individë dhe grupe të tilla që përfitojnë në mënyrë të paligjshme, organizata kriminale. Në bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë respektive të rretheve gjyqësore, i jemi referuar materialeve që janë në hetim për çështje të cilat nuk mund t’i specifikojmë”, – tha Çako. Largimet e shumta sidomos drejt Gjermanisë kanë bërë që Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, të bëjë një vizitë pune në Gjermani, ku do takohet me homologun e tij gjerman në lidhje me fatin e mijëra azilkërkuesve. Ndërkaq për të kaluar në një nga vendet e BE-së nuk është e nevojshme të respektosh kushtet e rregullores për të lëvizur në hapësirën Shengen, mjafton të paguash biletën vajtje-ardhje në agjencinë e udhëtimit.

 

Bashkëpunimi me Europolin

Europoli dhe policia shqiptare kanë rritur bashkëpunimin për të luftuar krimin dhe trafikun. Përfaqësuesi i Europolit, Seren Pedersen tha se aktualisht janë duke u kryer disa operacione të përbashkëta por nuk ka publikuar më shumë detaje se për çfarë bëhet fjalë. “Jemi të kënaqur me mënyrën se si po bashkëpunojmë me autoritetet shqiptare. Kemi konceptuar një përmirësim të dukshëm. Numri i shkëmbimit të informacioneve ka ardhur në rritje të konsiderueshme. Kemi konstatuar se 1/3 e informacioneve që shkëmbejmë me partnerët shqiptarë ka lidhje me substancat narkotike. Por gjithashtu shkëmbejmë informacione për armët dhe eksplozivët. Për fat të keq nuk mund të ndajmë me ju informacione që janë duke u zhvilluar aktualisht, por do t’ju informojmë më vonë gjatë këtij viti”, – tha Pedersen.

 

Shërbimet e policisë tani do të bëhen nga civilët, për efekt korrupsioni

 Nëse do tu duhet të telefononi në numrin 129, personi që do ju përgjigjet nuk do të jetë më një punonjës policie, por një civil. Po ashtu edhe shërbimet e tjera në polici, si shpërndarja e pasaportave apo edhe shërbimet e tjera, të sporteleve do tu besohen punonjësve civile. Nisma e re u prezantua këtë të hënë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në Drejtorinë e Policisë se Tiranës. Sipas tij, shkëputja e kontaktit fizik polic-qytetar do të shmange korrupsionin. “Këto zyra do të jenë të shumta dhe do të mundësojnë eliminimin e korrupsionit. Ky është hartimi i një sistemi kompjuterik të digjitalizuar. Ky sistem ndjek në mënyre elektronike që nga kërkesa e qytetarit deri tek kthimi i përgjigjes. Dhe çdo vonese për kthimin e përgjigjes identifikohet dhe do të dënohet. Vonesa shpesh është përdorur si pretekst për të nxitur korrupsionit. Në këtë mënyrë në monitorojmë punonjësin e policisë që t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari dhe te identifikojmë rastet e korrupsionit. Kjo do të mundësojë edhe eliminimin fizik të kontaktit të punonjësit të policisë me qytetarin”. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u bëri thirrje të gjithë të rinjve të cilët kanë përfunduar studimet e larta të bëhen pjesë e kësaj nisme. Ai tha se të rinjtë e përzgjedhur do të trajnohen për komunikimin që duhet të kenë me qytetarët në këto shërbime.

 

Suedia: Mos abuzoni me regjimin pa viza, nuk jeni në luftë për azil

Suedia është një nga vendet që po përballet me fluksin e madh të azilkërkuesve nga Shqipëria, por edhe vende të tjera që janë në konflikt. Ambasadori i Suedisë deklaroi nga Kukësi se shqiptarët nuk duhet të abuzojnë me lëvizjen e lirë pasi ndryshe nga vendet në konflikt, Shqipëria e ka përfituar liberalizimin e vizave. Ambasadori i Suedisë kërkoi që qeveria të informojë qytetarët që ata të zbatojnë me korrektësi lëvizjen e lirë. “Autoritetet shtetërore suedeze janë të shqetësuara për këtë fluks të azilkërkuesve jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga vendet arabe. Suedia ka qenë një mbështetëse e fuqishme për liberalizimin e vizave dhe do të vazhdojmë të jemi që ky regjim të jetë i tillë. Padyshim kjo vjen edhe me disa detyrime dhe jo që të abuzohet me regjimin e vizave. Kërkesat për azil do t’u pranohen vetëm atyre që përndiqen dhe janë në luftë, – sqaroi Svenson, – ndaj shqiptarët duhet të mendohen mirë para se të harxhojnë kohë dhe para për të bërë këtë hap”, theksoi në fjalën e tij, ambasadori i Suedisë në Tiranë. Sipas Svenson “është e drejtë se çdokush të kërkojë azil po për shqiptaret nuk është e nevojshme që të kërkohet azil se askush nuk përndiqet dhe askush nuk është në konflikt lufte. Pra jetojnë në paqe”. Ambasadori i kërkoi qeverisë që të informojë qytetarët rreth regjimit të vizave dhe të drejtat që kanë për të emigruar. Ai mori pjesë në hapjen e një ekspozite në Kukës me temë “klimën”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency