Ndryshimi në ligj/ Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit nuk do të hapen për deputetët

0
125

Gëzim Saliu

  Dosjet e ish-Sigurimit të ShtetitAsnjë dosje s’do të hapet për deputetët apo zyrtarët, pa kërkesë të kreut të partisë apo institucionit

 Doda: Rama po hedh hapin e fundit për mbrojtjen e spiunëve dhe xhelatëve të së kaluarës

Ndryshimi i fundit në ligjin e qeverisë për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit parashikon se kjo procedurë nuk mund të ndiqet për deputetët apo zyrtarët. Sipas amendimit në projektligj, vetëm nëse e kërkon kryetari i partisë apo kreu i institucionit do të mund të hapen dosjet për deputetët apo zyrtarët. Për deputeten demokrate Mesila Doda, kjo tregon se mazhoranca e majtë përmes ligjit të saj nuk ka si synim zbardhjen e të vërtetave të ndodhura në kohën e regjimit komunist. “Sot mësova se ligji revolucionar i qeverisjes për hapjen e dosjeve ka pësuar edhe një lehtësim tjetër. Asnjë dosje nuk hapet për deputetet a pushtetarët e tjerë, deri kur këtë kërkesë nuk e bën kryetari i partisë apo kreu i institucionit. Me këtë rast spiunët dhe xhelatët të flenë të qetë, se nëse u del ndonjë mëkat, siç i thuhet partia e vet i dënon”, – shkruante Doda në rrjetin social “FB”.

 

Reagimi

Sipas Dodës, ligji i qeverisë është vetëm një farsë e panevojshme, e cila do të shërbejë, theksoi ajo, për të vulosur faktin se në këtë vend krimet nuk ndëshkohen. Duke bërë të ditura detaje të tjera të projektligjit, i cili, sipas saj, është shumë larg dekomunistizimit, deputetja e PD-së tha se Kryeministri Rama dhe qeveria e majtë po mbron xhelatët e diktaturës. “Kjo është një farsë krejtësisht e panevojshme, një farsë që do shërbejë thjesht për te tronditur hallexhinjtë dhe për te vulosur përfundimisht qe ne këtë vend krimet nuk dënohen, as moralisht e as ligjërisht. Edi Rama po kryen hapin e fundit për mbrojtjen e seres se spiuneve dhe xhelatëve te se kaluarës, dhe kjo është shume larg se qeni një hap i pare për dekomunistizimin”, – shkruante Mesila Doda. Kjo e fundit së bashku me shoqërinë civile dorëzoi kohë më parë në Kuvend projektligjin për lustracionin dhe hapjen e dosjeve, i cili u rrëzua me votat e mazhorancës. Projektligji i shoqërisë civile kishte si qëllim kontrollin e pastërtisë së figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24.10.1944 deri më 31.03.1991. Sipas projektligjit, hapja e dosjeve duhet të përfshijë të gjithë zyrtarët, që nga Presidenti i Republikës, anëtarët e Këshillit të Ministrave, deputetët, gjyqtarët, e deri te drejtuesit e medies. Ndërkohë, për kontrollin e figurave parashikohej të ngrihej edhe një autoritet. Ndërkaq ligji i qeverisë, i cili u miratua me votat e shumicës, synon dhënien e aksesit në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit për të gjithë personat e prekur drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish Sigurimit. Projektligji parashikon informimin e Institucioneve Publike mbi marrëdhëniet që një person, i cili do të promovohet apo emërohet në një pozicion të lartë shtetëror, kushtetues apo publik, ka pasur me ish-Sigurimin e Shtetit, në rast se kërkohet prej tyre, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 dhe Opinionin e Komisionit të Venecias. Për të realizuar hapjen e dosjeve projektligji parashikon po ashtu ngritjen e një komisioni të posaçëm me 5 anëtarë që do trajtojë çdo rast apo kërkesë të ardhur nga individë apo institucionet shtetërore.

 

 PBDNJ shkëputet nga PS: Dalim vetëm në zgjedhje. Milo pas “vuajtjeve”, bashkohet me Ramën

Partia Bashkimi për të drejtat e njeriut e drejtuar nga Vangjel Dule do të garojë e vetme në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Vendimi është zyrtarizuar në një dalje për mediat nga zëdhënësja e kësaj force politike Ketrina Jarazi, e cila saktësoi se gjatë kësaj fundjave kjo forcë politike së bashku me OMONIA-n do të zyrtarizojë edhe emrat e kandidatëve. Dalja e PBDNJ-së e vetme vjen për shkak të mosmarrëveshjeve me PS-në për Bashkinë e Himarës, ku PS do të kandidojë me Gjergji Goron, ndërsa PBDNJ ka kandidatin e saj. Ndërsa një aleat i rëndësishëm u ikën të majtëve, Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos konfirmoi dje se do të jetë pjesë e koalicionit duke i hapur rrugë edhe respektimit të paktit për bashkëqeverisje në nivele të dyta. Kjo do të thotë se PDS do të marrë disa poste zëvendësministrash dhe drejtorësh. “Qysh sot ka filluar zbatimi i marrëveshjes së 23 qershorit. Dhe do të këtë një zbatim të plotë të saj. Nuk po hyjmë në detaje të posteve shtetërore, më e rëndësishme është fryma e bashkëpunimit që duhet të na karakterizojë në këto zgjedhje. Do të kemi një bashkëpunim jo për këshilltar bashkiak, aty do të garojmë më vete, por kemi rënë dakord që do të bashkëpunojmë pas fitores në zgjedhje në të gjitha bashkitë që do të ketë aleanca jonë e përbashkët”, – tha Milo.

 

 Kosova, takime me artistët: Më shumë mobilizim në të ardhmen për artin

Kandidati i PD-së për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Halim Kosova, zhvilloi dje një bashkëbisedim informal me artistët pranë pedonales në kryeqytet. Takimin me artistët të kandidatit Kosova e shoqëroi lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta të një artisti të shquar, Met Begës. Kandidati i PD-së ka ngushëlluar familjen, miqtë dhe të afërmit e tij.“Jo vetëm sepse e kam pasur shumë mik, por sepse ka dhënë shumë për qytetin, ka dhënë shumë për artin. Ngushëlloj jo vetëm familjen, por të gjithë artistët të cilët kanë humbur një koleg, kanë humbur një mik, kanë humbur një shok. Për Metin dhe për shumë të tjerë që kanë ëndërruar diçka më mirë por që nuk i arritën, por që mendimet e tyre dhe eksperiencat e tyre janë të vlefshme, do te mobilizohemi edhe më shumë në të ardhmen për artin dhe artistët”, – tha Kosova. Në takim, kandidati i opozitës dëgjoi sugjerimet e tyre se si qyteti mund t’i dedikojë më shumë hapësira, mundësi dhe resurse artit dhe artistëve. Pas takimit, aktorja e njohur Ema Andrea u shpreh: “Shpresoj që çfarë diskutuam, çfarë propozuam, si artistë të lirë, të jetë e mundur të realizohet. Në formë shumë të sinqertë ishte një nga ato takime të sinqerta dhe pa premtime boshe e me fjalë të cilat e dimë që nuk do të bëhen realitet. Folëm sinqerisht për problemet tona se si mundet arti dhe kultura e të gjitha zhanreve të jenë më produktive edhe në të mirë të kryeqytetit”

 

 Debate në Kuvend/ Nëpunësit civilë, PD: Keni larguar 9 mijë punonjës. Komisionerja: S’ka dijeni sa është numri

Diskutimi i ligjit për shërbimin civil u shoqërua me debate dje në Komisionin e Ligjeve, ku u përfshi edhe kriminalizimi i administratës publike. Deputeti i PD-së, Eduart Halimi, kërkoi dje nga komisionerja për Shërbimin Civil, Pranvera Strakosha, informacion të saktë lidhur me numrin e punonjësve të larguar nga administrate Publike. Halimi u shpreh se janë larguar nga administrata 9 mijë punonjës dhe kjo shifër, sipas tij, është siguruar nga ankesat që vijnë pranë PD-së. Po ashtu kërkoi edhe numrin e vendimeve të Gjykatës Administrative për kthimin në punë të punonjësve të shkarkuar dhe sa prej këtyre vendimeve janë zbatuar. Në përgjigje të pyetjeve të deputetit demokrat, Strakosha tha se nuk kishte dijeni për numrin e të larguarve. “Nuk kam dijeni as sa gjyqe kanë fituar qytetarët dhe as sa vendime ka zbatuar qeveria”. Po ashtu deputetët demokratë ngritën në komision shqetësimin e të punësuarve në administratë me të shkuar kriminale. Për këtë çështje, Strakosha tha se nuk ka asnjë të tillë në administratë pasi janë marrë dëshmitë e penalitetit për secilin. “Ne kemi marrë dëshmi penaliteti për çdo person. Në administratë nuk ka asnjë punonjës të inkriminuar”, – pohoi ajo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency