Financat e “mbyllin gojën”, mungon ndjeshëm transparenca e zërave buxhetorë

0
125

Ervin Kaduku

ministria e financave –  Bankat e huaja largojnë më se 2 miliardë euro nga Shqipëria

–  Komisioni Evropian konstaton rritje të deficiteve dhe papunësisë

–  Serverat prishen dhe sistemi financiar bllokohet vazhdimisht

Ndonëse që prej vitit 2000 është vendosur një rregull për të pasqyruar që më datë 12 të muajit pasardhës shifrat paraprake të realizimit të treguesve kryesorë të realizimit të buxhetit të shtetit, deri më 21 prill, Ministria e Financave nuk kishte publikuar ende fiskalen e tremujorit (të dhënat për të ardhurat nga taksat dhe shpenzimet e qeverisë).

Të dhënat fiskale janë treguesi më i rëndësishëm paraprak i ekonomisë. Ato tregojnë se ku po shkon ajo. Kur të ardhurat në buxhet bien, kjo tregon se qarkullimi i mallrave dhe aktiviteti ekonomik në tërësi ka ngadalësim ose që administrimi ka rrëshqitur në korrupsion dhe evazioni është toleruar.

Në fakt, edhe rezultatet financiare të dy muajve të parë të vitit ishin shqetësuese. Por, pyetja që shtrohet sot është: Financat e tolerojnë me dashje mungesën e transparencës, duke konstatuar (dhe fshehur për publikun) faktin që vendi po shkon në mënyrë të pandalshme drejt krizës buxhetore?

 

Defekti i teknologjisë

Të dhënat e Buxhetit bëhen publike si rezultat i një projekti të kushtueshëm. Gjatë vitit 2013, teksa ende nuk kishte ardhur në pushtet e majta, ministria e Financave zhvilloi tenderin për vendosjen e programeve dhe serverave të rinj të këtij dikasteri. Meqenëse fituese në tenderin e serverave nuk u shpall firma që ishte planifikuar nga ish-ministri Ridvan Bode, u vendos që të instalohej programi i ri në serverat e vjetër. Sasia e madhe e informacionit që hidhet çdo ditë në këtë sistem me pajisje të vjetra shkakton dhe bllokimin e herëpashershëm të serverit.

Një javë më parë, ministri aktual i Financave, Shkëlqim Cani, ka pranuar një bllokim disaditësh të sistemit të pagesave në Thesar, duke sqaruar se kjo situatë ka ardhur si pasojë e vjetërsisë së pajisjeve. Kreu i Financave ka pranuar se tenderi për rinovimin e pajisjeve ka dështuar 5 herë.

Por blerja dhe instalimi i një serveri të ri ka qenë një nga kushtet e vendosura në marrëveshjen e FMN me qeverinë shqiptare. Afati për përmbushjen e tij ishte shtator 2014, por ministria e Financave nuk e realizoi për shkak të shtyrjes apo dështimit të tenderit. Pas dështimit, blerja e serverit të ri të Thesarit, i cili duhet të integrohej me atë të Tatimeve, u shty për tremujorin e parë të këtij viti. Por sërish kushti nuk është përmbushur ende.

 

Rezultatet

Sipas Komisionit Evropian, rezultatet financiare të Shqipërisë paraqesin problematikë shqetësuese. Kështu, në raportin më të fundit të institucioneve të vëzhgimit ekonomik të tij thuhet shprehimisht se deficiti i llogarisë korrente u zgjerua 12.2 për qind në shkallë vjetore gjatë tre muajve të fundit të 2014-ës, nga tetori në dhjetor, duke vijuar tendencën e katër tremujorëve të mëparshëm. Ndërkohë, sipas Brukselit, përkeqësimi i bilancit tregtar me jashtë u ngadalësua, por duke mbetur gjithnjë i madh (9.2% në shkallë vjetore). Si pasojë e rënies së eksporteve me -21.2 për qind dhe një rënieje të lehtë të importit me -0.6%. Ky deficit nuk arriti të mbushej me fitimet nga industria përpunuese dhe bilanci turistik në rritje, që sollën 56.9% më shumë të ardhura, thuhet në raport.

Si vit, gjatë 2014-ës u shënua një rritje 25.7 për qind e deficitit të llogarisë korrente, që arriti në 12.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, krahasuar me 10.7 për qind që ishte në fund të vitit 2013. Hyrjet e investimeve të huaja direkte u pakësuan me 13.4 për qind krahasuar me një vit më pare.

Ndërkohë, rënie e ndjeshme është konstatuar në fushën e shpenzimeve buxhetore gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti, sipas BE. Realizimi i këtij zëri ishte 12 për qind më i ulët se sa shifra e planifikuar, ndonëse ishte, nga ana tjetër, 5.5 për qind më shumë se një vit më parë në këtë periudhë. Por edhe një vit më parë, shifra ka qenë shumë e ulët. Shpenzimet ishin më të ulta, si në ato operative e të mirëmbajtjes, ashtu edhe në ndihmat sociale dhe investimet me fonde publike, thuhet më tej në këtë raport tremujor.

Sa i përket punësimit, theksohet se papunësia u rrit në 18 për qind gjatë tremujorit të fundit të vitit 2014 ndër shqiptarët e moshave 15-64 vjeç, nga 17.4% që ishte në tre tremujorët e mëparshëm. Niveli i papunësisë mes të rinjve u rrit më shumë, duke arritur në 33.9% për moshat 15-29 vjeç, ndërkohë që 63.6% e shqiptarëve rezultojnë të zënë me punë, niveli më i lartë që nga tremujori i dytë i vitit 2012. Në Shqipëri bujqësia ofron pjesën më të madhe të punësimit, me 41.8 për qind të të punësuarve, e ndjekur nga tregu i shërbimeve me 22.5% dhe shërbimet jotregtare me 17.1%.

Ndërkohë, niveli i kredisë së keqe ka shënuar ulje, në 22.8 për qind të totalit, nga 24.9 për qind të regjistruar në tre muajt paraardhës, por ka mbetur i lartë dhe pengon një rikthim tek kreditimi i fuqishëm.

 

Investimet

Vitin e kaluar investimet e qeverisë ranë në 60 miliardë lekë, sa 4.3 për qind e prodhimit kombëtar, duke shënuar një nga nivelet më të ulëta historike. Por ky nuk ishte një rast i veçuar. Të dhënat tregojnë se 2014-a ishte viti i tretë me radhë, që investimet përmes buxhetit bien nën 5 për qind të prodhimit kombëtar, një nivel i konsideruar nga ekspertët si i domosdoshëm për të mbështetur rritjen ekonomike. Në 4 vitet para kësaj periudhe, Shqipëria ka shpenzuar për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve apo projekteve të tjera të zhvillimit, mesatarisht 7 për qind të prodhimit kombëtar në vit.

 

Bankat e huaja largojnë 2 miliardë euro jashtë

Në një kohë kur shteti shqiptar po zhytet gjithnjë e më shumë në borxhe masive, rezulton që investimet e sistemit bankar jashtë vendit në fund të muajit shkurt të këtij viti kishin vlerën e 293 miliardë lekëve, ose pak më shumë se dy miliardë euro. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, pretendimet ndaj subjekteve jorezidente janë rritur me rreth 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pretendimet ndaj jorezidentëve përfshijnë investimet në tituj borxhi të qeverive apo korporatave të huaja, vendosje të valutës në formë depozitash në banka jashtë vendit apo edhe huatë për banka të tjera të huaja, kryesisht në formën e transaksioneve brenda grupeve bankare shumëkombëshe.

Vendosjet dhe investimet jashtë vendit përbëjnë një zë mjaft të rëndësishëm në bilance, me më shumë se 20% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar.

 

Energjia, liberalizimi i furnizimit për të gjithë nga 2018-a

Duke filluar që nga viti 2018, të gjitha bizneset në vendin tonë do të furnizohen nga operatorë privatë, duke zgjedhur vetë kompaninë e dëshiruar. Nisma e parashikuar në ligjin për energjinë synon një liberalizim të mëtejshëm të sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike, duke mundësuar futjen e operatorëve të rinj në treg. Por jo vetëm kaq, pasi edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të ketë mundësinë e hedhjes në treg të paketave të ndryshme të furnizimit me energji për bizneset në bazë të nivelit të tensionit që ato janë lidhur dhe fashave orare të furnizimit. Kështu, një furrë buke e lidhur në tensionin e mesëm 10, 20 apo 6 kilovolt dhe që aktualisht paguan një çmim energjie prej 8.52 lekë për kilovator, do të mund të lidhet me një kompani tjetër që kryen shërbimin e furnizimit bazuar në tarifa të tjera dhe në varësi të shpeshtësisë dhe orareve të furnizimit.

Të gjitha këto ndryshime janë pjesë e ligjit të energjisë që po diskutohet në Komisionet Parlamentare. Neni 70 i këtij ligji përcakton detyrimet e operatorëve të ndryshëm të shpërndarjes, ndërsa neni 75 përcakton rregullat e licencimit për këta operatorë, që gjithnjë do të jenë në varësi të ERE si përsa i përket operimit të tyre në tregun vendas, rregullimit të tarifave, ashtu edhe garantimit të furnizimit me energji elektrike.

Brenda këtij viti, pritet të dalin në treg të lirë për blerjen dhe energjinë elektrike të gjitha ato biznese që furnizohen në linjën e tensionit 35 kilovolt, ndërkohë që në fund të vitit 2017 në treg do të jenë edhe kategoritë e tjera të bizneseve të lidhura në linjat e tensionit të ulët.

Skema që synon të zbatojë qeveria shqiptare për liberalizimin e tregut energjetik është e ngjashme me atë të Bashkimit Evropian. Marrim si shembull një vend kufitar, Italinë. Deri në vitin 2001, monopoli i shpërndarjes së energjisë elektrike ishte në duart e kompanisë kryesisht me kapital shtetëror “ENEL” apo Enti Kombëtar për Energjinë Elektrike. Ndryshimet ligjore në këtë vend përgjatë vitit 2001 bënë të mundur operimin e subjekteve private në sektorin e shpërndarjes. Tanimë në Itali jo vetëm bizneset, por edhe abonentët familjarë mund të zgjedhin furnizuesin e tyre bazuar në skemat e ofruara me tarifa të ndryshme të çmimit të energjisë. Është e njëjta logjikë që është përdorur në rrjetin e telefonisë fikse dhe shpërndarjen e internetit ndaj abonentëve të ndryshëm. Konsumatori mund të zgjedhë operatorin dhe të nënshkruajë kontratën bazuar në nevojat e tija për konsum.

 

“Korridori Blu” i bregdetit do të kushtonte 400 milionë euro

“Korridori Blu”, projekt për një autostradë që nis në Velipojë dhe përfundon në Butrint, që lidhet më pas me brigjet kroate dhe greke, i pagëzuar si projekti rajonal që do të financojë BE, pritet të përmbyllë studimin e fizibilitetit këtë vit. Seksioni shqiptar i këtij korridori është 350 km i gjatë dhe është një prioritet rajonal të përfshira në SEETO, bënë të ditur burimet në Ministrinë e Transporteve. Studimi i fizibilitetit është paraparë të përfundojë në vitin 2015.

Kjo rrugë është domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit, duke u dhënë interesuarve qasje në zona të gjera bregdetar. Segmentet rrugore ndahen në Velipojë – Shëngjin, Shëngjin – Patok, Patok – Durrës, Durrës – Divjakë, Divjakë – Seman, Seman – Vlorë, Vlorë – Dhërmi, Dhërmi – Sarandë, Sarandë – Butrint.

Aktualisht ka një studim fizibiliteti dhe projekti paraprak në dispozicion për segmentin Velipojë – Shëngjin ka një kosto të llogaritur prej 40 milionë dollarësh amerikanë. Për pjesën tjetër, nuk ka asnjë studim fizibiliteti në dispozicion.

Mendohet që kosto e këtij projekti të jetë mbi 400 milionë euro. ideja e projektit është caktuar si prioritet në instrumentin e Paraanëtarësimit (IPA), çka shton shanset për financimin e tij në kuadër të integrimit në BE.

 

Në 2014-ën, paguam 3.16 lekë për çdo minutë për të folur me celular

Në vitin 2014 një përdorues celular ka paguar mesatarisht 3.16 lekë për minutë për thirrjet telefonike. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, treguesi i të ardhurës mesatare për minutë nga trafiku dalës i operatorëve celularë pësoi një rënie të mëtejshme nga niveli prej 3.7 lekë për minutë, duke përfshirë në shifra edhe tatimin mbi vlerën e shtuar. Rënia e tarifave mesatare të telefonisë celulare ka ardhur falë uljes graduale të tarifave me shumicë, por edhe për shkak të konkurrencës gjithnjë e më të fortë mes operatorëve. Megjithatë, problem për komunikimin celular ngelen diferencat shumë të mëdha mes paketave ofertë dhe tarifave standarde dhe prirja e operatorëve për ta kanalizuar komunikimin brenda të njëjtit rrjet. Masat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, që do të hyjnë në fuqi në fillim të muajit Korrik, synojnë t’i adresojnë këto probleme. Ndërkohë, që vitin e kaluar kanë nisur të vërehen përmirësimet e para. Përqindja e trafikut brenda rrjetit ka zbritur në 79%, nga 93% që kishte qenë në vitin 2013. Mesatarisht, çdo përdorues i telefonisë celulare komunikon për 341 minuta në muaj, në rritje me 5% krahasuar me vitin 2013. Vitin e kaluar, çdo përdorues kreu mesatarisht 172 minuta thirrje dalëse edhe mori 168 minuta thirrje hyrëse çdo muaj.

 

 Shqipëria, më pak tokë bujqësore për frymë në Evropë

Keqpërdorimi, erozioni dhe menaxhimi jo i duhur i tokës ka bërë që gjatë viteve të fundit në vendin tonë të reduktohet mjaft toka bujqësore. Zëvendësministri i Bujqësisë, Jani Babi, gjatë një konference shkencore në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Tokës”, u shpreh dje se jemi vendi me më pak tokë bujqësore në Evropë për frymë, vetëm 24% e sipërfaqes.

Dita e Tokës, ka për qëllim të ndërgjegjësojë njerëzit në lidhje me rëndësinë e natyrës. Në SHBA, Dita e Tokës festohet çdo vit në ekuinoksin pranveror, kurse në shumicën e vendeve të botës ajo festohet çdo vit në 22 prill. Vendet e tjera preferuan një datë fikse. Kështu, tradita e Ditës së Tokës vazhdon të respektohet edhe sot, në këto kohë kur shkatërrimi i natyrës dhe problemet në lidhje me të janë thelluar më shumë se kurrë.

 

Shkodra, me rritjen më të madhe të automjeteve

Ndërsa Shkodra zë vendin e parë në shkallë republike për rritjen e numrit të automjeteve për pasagjerë që në 2014 arritën në 55 mjete/1.000 banorë, është Korça qarku me numrin më të vogël të automjeteve, 18 mjete/1.000 banorë.

Sipas INSTAT, mjetet rrugore për pasagjerë kanë shpërndarje gjeografike në të gjithë territorin e vendit ku gjatë 5-vjeçarit 2010-2014 mjetet rrugore për pasagjerë shënuan tendencë rritje në numër për banorë. Nga 112 mjete/1.000 banorë që ishin në vitin 2010, arritën në 143 mjete/1.000 banorë në vitin 2014.

Numri i autoveturave në vitin 2014 ishte 101/1.000 banorë, ndërsa për vitin 2014 arriti në 131 autovetura/1.000 banorë ku rajoni Tiranës zë 37.6% të numrit gjithsej të autoveturave.

Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me trena ka ardhur duke u ulur. Nga afro 18 mijë pasagjerë që udhëtuan në vitin 2010, numri i tyre në vitin 2014 arriti në 7.714, ose mesatarisht 3 pasagjerë/1.000 banorë.

 

Dollari në kuotën e 131 lekëve

Monedha e gjelbër ka shënuar një tjetër rritje gjatë ditës së djeshme, duke u këmbyer me gati 131 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Në të kundërt, euro ka rënë, duke zbritur afër 140 lekëve, në 140.07 lekë. Këto lëvizje kanë reflektuar luhatjet në tregun ndërkombëtar, ku ankthi për paketën shpëtuese të Greqisë ka goditur euron, pavarësisht se të dhënat treguan se indeksi I besimit në Gjermani ishte në rritje.

Euro po luhatet në kuotën 1.0682 USD, duke iu larguar nivelit të lartë të arritur të premten prej 1.0849 dollar.

Në tregun vendas euro vijon të mbetet e qëndrueshme në rreth 140 lekë, ndërsa luhatjet më të mëdha po i pëson dollari.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency