Për 21 qershorin/ Emrat e rinj në 6 bashki, PD me 17 kandidatë të zyrtarizuar. Paloka zbardh negociatat me PR-në

0
168

Gëzim Saliu

selia pd Kreu i grupit të PD-së: Normale që PR si aleate kryesore të ketë kërkesa, po negociojmë për Durrësin. Duka, kandidaturë pozitive, për një Bashki kaq të madhe PD do kandidatin e saj

Ndryshe nga mazhoranca, opozita ka përzgjedhur një strategji tjetër për prezantimin e kandidatëve të saj për zgjedhjet e 21 qershorit. Dujke shmangur publicitetin dhe garën mediatike për shpalljen e emrave me mazhorancë, PD po synon që kandidatët e përzgjedhur të kenë mbështetjen e bazës dhe banorëve të bashkisë ku ata do të kandidojnë. Pas publikimit të disa kandidaturave të ditët e fundit, ku mes bashkive kryesore ishin ato të Elbasanit dhe Kamzës, PD zyrtarizoi dje edhe 6 emra të tjerë. Kështu, në Bashkinë e Peqinit opozita ka përzgjedhur të garojë kandidatura e Albert Kreçit, ndërsa në Divjakë do të jetë ajo e Irakli Goresë. Në Pukë, Partia Demokratike do të hedhë në garë Rrok Dodën, ndërsa Burreli do të ketë kandidat Nezir Rizvanin. Nga ana tjetër, gara për Bashkinë e Klosit do t’i besohet Basir Çupës. Më parë PD bëri të ditur edhe emrin e Dhurim Alinanit si kandidat zyrtar në Delvinë dhe Gëzim Çaushit në Roskovec. Ky proces publikimi i emrave të kandidatëve pritet të vazhdojë deri në përfundimin e tyre dhe nisjen zyrtare të fushatës zgjedhore. Por nëse për bashkitë e vogla, duke përjashtuar emrat e zyrtarizuar të Ardian Turkut në Elbasan dhe Xhelal Mziut në Kamëz, opozita është në proces të përditshëm të zyrtarizimit të emrave, për bashkitë e mëdha ende ka dilema. Për Tiranën gara duket e vështirë dhe tashmë katër kandidatët që duket se do të “përplasen” deri në fund mes tyre do të jenë Halim Kosova, Jorida Tabaku, Besnik Aliaj dhe Gert Bogdani. Një tjetër dilemë e opozitës mbetet Bashkia e Durrësit, ku ngërçi i krijuar me Partinë Republikane duket se nuk ka marrë ende zgjidhje. Për Bashkinë e Durrësit PR këmbëngul në kandidimin e Agron Dukës, ndërsa demokratët nga ana e tyre duket se nuk janë të gatshëm që një ndër bashkitë më të mëdha t’ia lënë në “dorëzim” aleatit tradicional.

 

Dilema e Durrësit

Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar të PD-së dhe nënkryetari i kësaj force politike, Edi Paloka, zbardhi dje ecurinë e negociatave parazgjedhore me partitë e koalicionit të djathtë. Sa i përket Partisë Republikane, Paloka tha se me këtë forcë politike do të arrihet një marrëveshje. Duke i cilësuar të drejta kërkesat e PR-së, numri dy i grupit kuvendor demokrat tha se synimi është arritja e marrëveshjes. “Pothuajse negociatat me aleatët janë mbyllur. E vërtetë që Partia Republikane si aleati më i madh ka kërkesa që përputhen edhe me pozicionin e tyre si aleatët më të mëdhenj dhe më të afërt, kërkesa që po shqyrtohen dhe mendoj se do ta gjejmë një zgjidhje. Ato kanë kërkesat e tyre, ne kemi bërë ofertat tona dhe do konkludojmë shumë shpejt në marrëveshje dypalëshe”, – tha ai. Sa i takon kandidaturës së Agron Dukës për Durrësin, një propozim ky nga republikanët, Paloka u shpreh se ka një qasje për dakordësi mes palëve. Vështirësia, sipas tij, qëndron në faktin se për një bashki kaq të madhe si Durrësi, PD dëshiron që të ketë kandidatin e saj, duke mos e lënë garën në dorë të aleatit. “Unë e kam thënë mendimin tim për zotin Duka, mendim pozitiv, por negociatat ndaj bëhen, ne jemi të qartë se Durrësi është një nga qytetet më të mëdha ku PD pretendon të fitojë dhe kjo bën pak të vështirë këto negociata, pasi kuptohet që në qytetin më të madh partia më e madhe pretendon të ketë kandidatin e saj. Kjo nuk ul vlerat e zotit Duka si kandidat, por ne jemi në këto momente negociatash”, – pohoi Paloka.

 

Kandidatët zyrtarë të PD-së deri tani për zgjedhjet e 21 qershorit

  1. Albert Kreçi – Bashkia Peqin
  2. Rrok Doda – Bashkia Pukë
  3. Nezir Rizvani – Bashkia Burrel
  4. Basir Çupa – Bashkia Klos
  5. Irakli Gorea – Bashkia Divjakë
  6. Asqeri Kuqja – Bashkia Belsh
  7. Besnik Dushaj – Bashkia Tropojë
  8. Ardian Turku – Bashkia Elbasan
  9. Xhelal Mziu – Bashkia Kamëz
  10. Igli Kokalari – Bashkia Gjirokastër
  11. Altim Çomo – Bashkia Libohovë
  12. Kodhel Cala – Bashkia Gramsh
  13. Buaj Hoxha – Ura Vajgurore
  14. Luan Mustafaj – Patos
  15. Zef Hila – Vau i Dejës
  16. Dhurim Alinani – Bashkia Delvinë
  17. Gëzim Caushi – Bashkia Roskovec

 

Publikimi i kandidatëve, përballjet e para mazhorancë-opozitë për 21 qershorin

Bashkia Mat

Nezir Rizvani (PD) përballë Adelia Farricit (PS)

Bashkia Klos

Basir Çupa (PD) përballë Valbona Kolës (PS)

Bashkia Divjakë

Irakli Gorea (PD) përballë Fredi Kokoneshit, (PS) kreu aktual i kësaj Bashkie

Bashkia Pukë

Rrok Doda (PD) përballë Rustem Strugës (PS)

Bashkia Vau i Dejës

Zef Hila (PD) përballë Gjok Lleshit (PS)

Bashkia Tropojë

Besnik Dushaj (PD) përballë Rexhë Biberajt (PS)

Bashkia Belsh

Asqeri Kuqja përballë Arif Tafanit (PS)

 

 Sot mbledhja e KQZ-së, vendoset për emërimin e anëtarëve të KZAZ-ve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvillon ditën e sotme mbledhjen ku do të miratohet projektvendimi për emërimin e anëtarëve të KZAZ-ve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Po ashtu, në axhendën e mbledhjes së KQZ-së është përfshirë edhe miratimi i aneksit të manualit të KZAZ-së, pjesa e parë, si edhe projektvendimi për regjistrimin si subjekt zgjedhor të disa partive politike për zgjedhjet lokale.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency