Sikur arsimi të ishte çështje kombëtare

0
187

Dr. Ndriçim Mehmeti

Dr. Ndriçim MehmetiNë këto ditë të nxehta të politikës, pakkush tërhiqet prej problematikave të vërteta, të cilat mbulohen, humbasin e shuhen shumë shpejt prej politikës. Një nxënës shpërndau ilaçe gjumi në një gjimnaz, por buja u shua pa hapur lajmi. Një mësuese nuk jep mësim prej kohësh dhe përsëri gjërat harrohen. Nxënësit në shkollën 9-vjeçare ankohen për ngacmim seksual dhe së fundi, lajmi gjen një dritare në një televizion dhe fillon bëhet pak problem. Mbase ndonjë problem i madh shumë jo, por për ata që ndjekin lajmet e arsimit, mbase kishte shumë për të thënë.

Por siç ndodh në debatet e fundit në televizion për çështjet e arsimit, ato kthehen në monologë të vagullt, pa ndonjë interes për publikun e gjerë. Gjëja më interesante që kanë gjetur për të bërë debatin tërheqës drejtuesit e MAS është të merresh personalisht me ata që të bëjnë pyetje dhe jo t’i kthesh përgjigje pyetjes. Kështu ndodhi së fundmi në emisionin e radhës, që do ta quaja në mënyrë artistike “Monolog mbi arritjet në arsim”.

 

Përse duhej që zëvendësministrja të më tregonte se “arsimi është çështje kombëtare”?

Për çdo njeri që ka pak njohuri nga arsimi arsyeja është shumë e thjeshtë: Të mbulojmë dështimin, duke sulmuar, dhe jo duke mbrojtur. Reformat e deklaruara me të madhe, jo vetëm që nuk u realizuan, por as filluan ndonjëherë, së paku në arsim. Ndonëse flitet për një sërë reformash, të ndërmarra në arsim, në fakt ato s’janë gjë tjetër veçse disa masa gjysmake, antireformë, për të prishur gjithçka të mirë dhe për të ndërtuar një sistem model, tipik shqiptar që nuk e gjen gjëkundi. Në mungesë të përgjegjësisë, për rinimin e plotë të sistemit arsimor, sulmohen njerëzit që guxojnë të bëjnë një gjë shumë modeste në një demokraci: Të pyesin rrogëtarët e shtetit se cilat janë masat e marra për të zhvilluar sektorin që ka më shumë peshë në përparimin e një vendi, arsimin, besoj se nuk është mëkat. Po cila është arsyeja e refuzimit për t’u marrë me thelbin dhe për të kaluar në një debat personal, kur mungon pala për të cilën flet? Pa dyshim dështimi spektakolar në fushën e arsimit, qoftë atë parauniversitar, qoftë edhe në atë të lartë. Arsimi parauniversitar vuan sot të gjitha sëmundjet që mund të ketë një sistem: pasiguri të mësimdhënësve, dhuna në rritje në marrëdhëniet nxënës-nxënës, një rrokopujë “reformash” pa fillim e mbarim, arnime urdhrash e udhëzimesh në kundërshtim të njëri-tjetrit e pa dyshim gjendje të rëndë korrupsioni dhe paaftësie të drejtuesve nga qendra në bazë. Prej një viti e ca, qëndrojnë të komanduar, të paemëruar dhe në kundërshtim me ligjin të gjithë drejtuesit e komanduar në përputhje me ndarjen sipas preferencave politike të koalicionit qeveritar.

Prej gjashtë muajsh, si një thikë mbi krye të mësuesit, qëndron testimi, vlerësimi, licencimi, rankimi e dreqi me të birin, që ka ndër mend të bëjë MAS. Duke mos ditur vetë se çfarë kanë ndërmend të bëjnë, i kanë lënë gjërat pezull, duke ruajtur surprizën e madhe ndoshta për 1 maj. Prej 3 muajsh arsimi është sektori më informal i asaj që quhet punësim në të zezë në ekonominë e vendit. Mbi 35 mijë mësues janë aktualisht punonjës pa kontratën kolektive, mes tyre si punëmarrës, përfaqësuar prej sindikatave dhe MAS si punëdhënës. Ndonëse kontrata kolektive ka përfunduar në dhjetor 2014, ajo nuk është përtërirë deri më sot që jemi në fillim të prillit 2015. Kryeministri, i cili është shumë i vendosur në luftën kundër informalitetit, ka rastin të verifikojë këtë handikap të madh, i cili ka vetëm një dhe një përgjegjës: Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Prej më shumë se një muaji, MAS ka ndërmarrë veprime të paligjshme, në ndryshimin e përzgjedhjes së librave, në zgjedhjen e mësuesve, në ndryshime ligjore të palogjikshme dhe të pakuptimta, vetëm e vetëm të mbulojë dështimet e vjetra me të reja.

 

Por nëse arsimi është çështje kombëtare, përse u shua sektori i Diasporës në MAS

Arsimi është vërtet çështje kombëtare, por jo lodër kombëtare në duar të njerëzve që e përdorin sa herë që janë ngushtë për veten e tyre. Nëse arsimi është çështje kombëtare, atëherë përse u suprimua sektori i Diasporës në MAS? Kush ishte hartuesi i strukturës së re që hoqi këtë sektor jetik për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve jashtë vendit? Si mundi të bindte ministren dhe stafin e ngushtë se ky sektor ishte i tepërt në MAS? A thua në atë kohë nuk e dinin se arsimi është një çështje kombëtare? Jo të gjitha këto i dinin fare mirë. E propozuan strukturën e re me vetëdije të plotë dhe Kryeministri Rama, i cili bën be e rrufe për shqiptarët jashtë vendit, i dha dërrmën këtij sektori përmes firmës në urdhrin nr. 186, datë 18.10.2013, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”. Tani për diasporën nuk ndihet askush ose flet pakkush. Nuk gjen më aktivistë të shquar të Partisë Socialiste, sot ministra, të bredhin me mëngë të përveshura dhe me kamerën nga mbrapa, duke shpërndarë libra. As nuk gjen më shkrime te gazetat e emigrantëve shqiptarë, që mallkonin nga mëngjesi në darkë qeverinë shqiptare si “të paaftë se nuk i dërgonte aq sa duhej libra”, se “nuk interesohej për fëmijët e tyre”. Tani që nuk kanë ku të përplasin kokën tek një zyrtar përgjegjës për këtë punë, heshtin dhe nxjerrin në gazetat e tyre foton se si po takohen me atë dhe këtë zyrtar për emigracionin, se “pse nuk e mori çmimin ky dhe ai artist”, “kush do të marri dokument në Greqi”, si “përfitojnë fëmijët e emigrantëve leje qëndrimi”. Pra emigrantët shqiptarë do t’i kenë më mirë punët pa një sektor përgjegjës për ta për identitetin kombëtar, por mjafton që t’u sigurohen lejet e qëndrimit dhe mundësia e një pensioni, nëse shteti ve dorën në zemër. Për këtë të fundit duhet të presin, kur të mbarojmë nënshkrimin e marrëveshjeve me vendet ku ka më shumë shqiptarë, si në Çeki, Sllovaki, Burund e Zambie.

Por ama MAS nënshkroi marrëveshje për mësimin në diasporë, mori edhe zotime me homologët e Kosovës dhe kaq mjafton besoj që të quajmë arsimin çështje kombëtare.

 

A është denigrimi i mësuesve, një reformë e suksesshme drejt kuptimit të arsimit si çështje kombëtare?

Çfarë ofrohet sot për mësuesit? Testim, rregull, disiplinë, konkurrencë, konkurrim, licencim, vrapime të lira bashkë me mësuesit, kontributi për shkollën komunitare, zhvillim profesional në bazë të mendimeve të Djuit, Xhejmsit, Millerit e në fund të përmbledhura në termin më shqip të mundshëm, prej mentorit të gjithë MAS: “Arsimi i gjeneratës tjetër”, u bë burimi i masave antireformë të arsimit. “Konstruktivizmi, kurrikula dhe kompetenca”, libri që gjeti tregun më të lakmueshëm, të gjithë mësuesit me hir e me pahir, u kthye në planin e punës “të dalë ku të dalë”. Nga njëra anë turreshin në inspektime kundër mësuesve, nga ana tjetër buzëqeshnin shtrirazi përpara kamerave, se “po hartonin reformën në bashkëpunim me grupet e interesit”. Takimet me grupin e interesit, siç shihen edhe në fotot e publikuara prej MAS, quheshin më së shumti, takimet me vetë punonjësit e institucionit. Asnjë konsultim serioz, asnjë tryezë me grupet e interesit, që kanë për objekt të tyre arsimin, nuk u ndërmor. Duke i shkuar deri në fund dëshirës për të bërë keq nuk kursyen as mësuesit, duke i nëpërkëmbur për muaj dhe gati një vit, me udhëzime pas udhëzimesh, kreditesh pas kreditesh, për një ditë të vetme, ku do të testohen dijet e tyre profesionale. Me shumë gjasa edhe në këtë rast ky do të quhet “testimi i mirë i bërë për herë të parë për kualifikimin e mësuesve”. Madje propozoj që në testimin e pritshëm të gjithë mësuesve, ministrat-kujdestar shkolle, të bëhen pjesë e tij, duke dhënë për herë të parë shembullin se ata testohen si gjithë masa që kanë në kujdestari. Duke vuajtur nga sindroma e herës së parë, në mungesë ndoshta të një here të parë dikur, tani trumbetojnë se çdo gjë po bëhet për herë të parë. Por kur çdo gjë bëhet për herë të parë, atëherë përse ngurrojnë të hyjnë në një debat përfaqësuesit e lartë të MAS me ata që mendojnë ndryshe nga ata?

Për t’iu përgjigjur në pak rreshta kësaj pyetjeje, por edhe merakut të zonjës zëvendësministre në lidhje me përcaktimin për “herë të parë” të arsimit si çështje kombëtare, po sjell fjalët e një kontribuuesi të çmuar të arsimit në vitet ‘20-‘40 të shek. të kaluar. Safet Butka do të përgjigjej njësoj si në vitin 1929 për gjetjen e shkakut të vërtetë, të mungesës së debatit për arsimin dhe në mungesë të tij, gjetjen e një mundësie për sulm personal. “Shkaku përbëhet prej dy komponentësh që janë mjerisht karakteristikë për shqiptarin e sotëm përballë çdo nevoje. E para mungesa e një zakoni për të biseduar botërisht, drejt a tërthori, çështje të përbashkëta. E dyta, frika se mos keqkuptohemi nga debati dhe vëmë kështu në rrezik interesin tonë, për hir të një interesi të largët”.

Unë nuk dyshoj, por jam i bindur se mungesa e debatit për arsimin nga MAS, vjen prej arsyes së dytë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency