Gjykata e Lartë/ Mark Frroku ndërron vendin me vëllain e madh, Arbenin, në burgun 302

0
147

Mark Frroku në burgPasi qëndroi një javë në arrest shtëpie, Mark Frroku është rikthyer në qeli. Si për ironi të fatit, vëllai i vogël është izoluar në burgun 302, ndërron vendin me vëllain e madh

“Para Zotit dhe në ndërgjegjen time jam i pastër”. Kështu është shprehur deputeti Mark Frroku në dalje të Gjykatës së Lartë pak minuta pasi mësoi vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila e la në arrest me burg. Gjykatës së Lartë i është dashur të paktën tri orë të vendoste dërgimin e deputetit Mark Frroku në dhomat e paraburgimit 302 Tiranë. Ndërkohë, si për ironi të fatit, në të njëjtën orë kur Mark Frroku mësoi se do të qëndronte në arrest me burg deri në përfundim të hetimeve, vëllai i tij i madh, Arben Frroku, i shpëton izolimit, duke fituar pafajësinë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Mark Frroku u paraqit në Gjykatën e Lartë në orën 12:30 minuta me pranga në duar dhe po ashtu doli prej andej, i shoqëruar nga një numër i madh punonjësish të policisë. Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar për Frrokun arrest me burg, duke argumentuar edhe akuzat ndaj tij. Deputeti Frroku u vu në pranga për herë të dytë për llogari të drejtësisë belge. Mark Frroku qëndroi një javë në arrest shtëpie pas përfshirjes së tij në çështjen Doshi. Ai u akuzua nga prokuroria se në bashkëpunim me Doshin dhe Durim Bamin, inskenuan vrasjen e Tom Doshit dhe Mhill Fufit, me qëllim ndjekjen penale të kreut të Kuvendit Ilir Meta. Por edhe në këtë rast Frroku kundërshtoi duke deklaruar se nuk ka lidhje.

 

Akuza

Interpol Brukseli kishte nisur në janar të këtij viti një kërkesë zyrës së Interpolit Tiranë ku kërkonte informacion të plotë lidhur me deputetin Mark Frroku, i cili akuzohej për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti në vitin 1999. Vetëm në 28 mars Prokuroria e Përgjithshme arriti të njihej me materialin e ardhur nga Belgjika. Një ditë më pas ajo iu drejtua Kuvendit për dhënien e autorizimit me qëllim arrestimin e deputetit Frroku, i cili në atë moment ndodhej në arrest shtëpie si i përfshirë në çështjen Doshi. Të enjten në 2 prill Parlamenti me 113 vota pro i hapi rrugë arrestimit të Frrokut dhe pak orë më vonë ai u shoqërua nga ambientet e shtëpisë në Drejtorinë e Policisë Tiranë për tu njohur me akuzat e reja.

 

Akuzat e reja

Autoritetet belge dërguan në Prokurorinë e Përgjithshme një material të zgjeruar me veprimtarinë kriminale të deputetit Mark Frroku. Në dosjen e dorëzuar në Gjykatën e Lartë thuhet se deputeti Mark Frroku është duke u gjykuar në shkallën e parë të krimeve të rënda në Bruksel për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti në vitin 1999. Kundër Frrokut kanë dëshmuar katër persona. Mes tyre ka qenë dhe vëllai i viktimës. Në raport thuhej gjithashtu se Frroku ka qenë i pranishëm në vrasje, ndërsa porosia është dhënë nga Arben Frroku, i cili në atë kohë ndodhej në Shkodër. Materiali i prokurorisë zbardh edhe mbledhjen e baballarëve në Shkodër, pas vrasjes së Kurtit. Por ndaj Mark Frrokut nuk rëndon vetëm akuza e vrasjes. Prokuroria thotë se Frroku është hetuar në vitin 2002 në Itali për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Ndërkohë po në emër të tij rëndon edhe një akuzë për shkelje të ligjit të opiumit në Holandë ku rezulton i dënuar me 3 vite burg. Frroku në vitin 2004 është ekstraduar nga Holanda për llogari të drejtësisë belge, ku është shoqëruar në polici për 60 ditë dhe më pas është lënë i lirë. Por nuk janë vetëm këto. Mark Frroku është rënduar edhe me disa akuza të tjera të cilat kanë lidhje me fshehje të pasurisë, mosdeklarim të pasurisë, pastrim parash. Sipas akuzës, Mark Frroku dyshohet se ka vënë pasurinë e tij me veprimtari të paligjshme.

 

Avokatët

Kanë kundërshtuar që në fillim çdo akuzë të ardhur nga Belgjika dhe po ashtu të ngritur rishtas nga Prokuroria e Përgjithshme. Por dje janë gjendur të befasuar nga vendim i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë kryesuar nga gjyqtari Artan Broci. Avokatët mbrojtës të deputetit Mark Frroku janë shprehur të befasuar pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë, duke deklaruar se do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. “Jemi të befasuar nga vendimi, do ta apelojmë. Ndalimi dhe arresti në burg, të paligjshme”, – tha avokati Gjokutaj, ndërsa avokati tjetër Vishaj u shpreh se “Do ta dërgojmë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka asnjë provë që implikon Mark Frrokun”.

 

Akuzat nga Belgjika

Vrasje e Aleksandër Kurtit në Bruksel në 1999

Shfrytëzim prostitucioni

 

Akuzat nga Shqipëria

Refuzim për deklarim pasurie

Deklarim i rremë pasurie

Fshehje pasurie

Pastrim i produkteve të veprës penale

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency