Frroku lë qelinë/ Gjykata e shpall të pafajshëm, vrasja e Lamajt, pa autor

0
148

Frroku lë qelinëDështon Prokuroria me provat kundër tij. Gjykata i hodhi poshtë të gjitha, nuk vërtetohen. Avokatët, të kënaqur me vendimin, do të kërkojnë dëmshpërblim

Gjykata e Krimeve të Rënda, dy vite nga arrestimi i Arben Frrokut në Selanik të Greqisë, ku u akuzua për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, e shpall të pafajshëm, duke hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë për dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Rreth orës 15:15 minuta u dha vendimi i Gjykatës, ndërsa Arben Frroku la qelinë e burgut 302 rreth orës 17:50 minuta për t’u bashkuar me familjen e tij. Në një seancë, e cila zgjati pak më shumë se një orë, gjyqtari Dritan Hallunaj argumentoi provat e paraqitura nga akuza gjatë 48 seancave gjyqësore me dyer të mbyllura dhe në përfundim i rrëzoi ato të gjitha. Duket se provat e organit të akuzës nuk kanë qenë bindëse për të fajësuar Frrokun dhe për të kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Sipas vendimit të Gjykatës, akuza nuk vërtetoi në asnjë moment me provat e saj se Arben Frroku ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, përkundrazi provat folën në favor të tij. Ndërkohë Arben Frroku i rrethuar nga efektivët e togës së shoqërimit të burgjeve, e ka pritur i qetë vendimin e Gjykatës, por në fund të tij, ai nuk e përmbajti gëzimin. Të njëjtën gjë bënë edhe familjarët, të cilët e duartrokitën vendimin e marrë nga pesëshja gjyqësore e kryesuar nga Dritan Hallunaj.

 

Provat e pafajësisë

Prova e parë që u rrëzua si e pavërtetë nga gjyqtari Hallunaj ishte ajo e dëshmitarit të mbrojtur nga drejtësia, Fatmir Vladi, i njohur ndryshe me emrin e koduar Arben Ndoka. Sipas Gjykatës, nga kamerat e sigurisë, vërtetohet fakti se dëshmitari nuk ka qenë i pranishëm në momentin e vrasjes, por rreth 3 minuta pasi janë dëgjuar të shtënat dhe makina ka qenë duke u larguar. Dëshmitari nuk ka qenë aty as kur Dritan Lamaj është transportuar me makinë drejt Spitalit Ushtarak. Të njëjtën gjë tha gjykata edhe për bashkëshorten e dëshmitarit të mbrojtur, Liza Ndoka. Kjo është një nga provat e para që u rrëzua për të vijuar më pas me barutin e gjendur në xhaketën e Arben Frrokut, të sekuestruar në 25 shkurt 2013 në Kapshticë, teksa sillej nga djali i Frrokut dhe dërguar për kryerjen e aktit të ekspertimit. Eksperti Ndoc Çardaku është shprehur se akti nuk është kryer në bazë të rregullave dhe në kohën e duhur. Ky fakt u forcua edhe nga trupi gjykues, i cili deklaroi se prokuroria nuk është thelluar në marrjen e provave. Gjykata e rrëzoi këtë provë të prokurorisë pasi sipas ekspertit, nuk mund të provohet 100% se nitratet e gjetura janë si rezultat i qitjes pasi provat nga pallto janë marrë në mënyrën e gabuar. Një tjetër provë për të cilën prokuroria në konkluzionet e saj ishte shprehur se Arben Frroku është autor i vrasjes së Lamajt është eksperimenti i kryer nga Tirana deri në Kapshticë në 24 shkurt të këtij viti. Në përfundim gjykata ndonëse pak kohë më parë e pranoi si provë, e ka cilësuar në favor të Frrokut. Sipas gjykatës, Arben Frroku nuk ka lidhje me vrasjen, pasi në kohën kur është vrarë Dritan Lamaj, ai ishte në Elbasan, pra ishte nisur nga Tirana para se të ndodhte vrasja. Madje, gjykata tha se, Frroku e kishte planifikuar më parë udhëtimin drejt Greqisë dhe kjo është provuar nga tabulatet telefonike. Një tjetër provë pro Frrokut dhe kundër akuzës kanë qenë edhe bisedat telefonike, oraret e këtyre bisedave si dhe kamerat e sigurisë të bizneseve të ndryshme përgjatë rrugës që ka përshkruar Arben Frroku. Po ashtu prova tjetër që ka të bëjë me përgjimet e transkriptuara për 12 shishe xhin që ka porositur Frroku pas vrasjes, për gjykatën kjo është e pavërtetë pasi janë në fakt 3 shishe. Për gjykatën kjo është një provë e gabuar e Prokurorisë. Pra, në përfundim gjykata ka quajtur të gabuara të gjitha provat e Prokurorisë duke rrëzuar gjithçka ajo ka renditur në konkluzionet përfundimtare.

 

Prokuroria

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me vendimin e gjykatës. Ndërkohë mësohet se ajo është shprehur më vonë se do të apelojë vendimin, të cilin e ka cilësuar të padrejtë. Për akuzën provat ekzistojnë të gjitha, por ajo nuk kupton vendimin e gjykatës. Ndërkohë në këtë moment duket se organi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka dështuar në një nga proceset më të bujshme. Që prej dy viteve prokuroria është shprehur se ka mundur të gjejë një nga autorët e vrasjes së kryekomisarir Dritan lamaj, por duket se në këto momente çështja është kthyer në fazën fillestare. Dritan Lamaj ekzekutohet, por nga ana tjetër nuk kemi asnjë autor. Ndonëse Frroku u arrestua, akuza nuk arriti të gjej autorin e dytë në këtë ngjarje. Por në fund të udhëtimit gjyqësor akuza ka humbur edhe autorin e vetëm të dyshuar me të cilin pretendonte të mbyllte një çështje të madhe.

 

Avokati: Të kënaqur me vendimin, do të kërkojmë dëmshpërblim

Menjëherë pas vendimit të gjykatës ka reaguar edhe pala mbrojtëse. I kënaqur me vendimin avokati Tonin Prendi tha se kanë të gjithë të drejtën ligjore të kërkojnë dëmshpërblim nga gjykata për mbajtjen në mënyrë të padrejtë për dy vite në paraburgim. “Gjatë seancave gjyqësore u provuar se Arben Frroku nuk kishte lidhje dhe në momentin që ndodhi vrasja ai ishte në Selanik. Jemi të kënaqur me këtë vendim dhe nga ana tjetër Prokuroria me argumente që nuk qëndrojnë, që të jetë objektivisht edhe në Tiranë edhe në Selanik nuk mund të kishte kryer vrasjen. I ndjeri ka pasur lidhje edhe me shumë persona të tjerë dhe Prokuroria duhet të kishte hetuar edhe në pista të tjera. Jam shumë i kënaqur për Arben Frrokun dhe për vuajtjet që ka kaluar. Besoj që patjetër do ta orientojmë në këtë drejtim për të kërkuar dëmshpërblim”, – tha avokati i Frrokut.

 

Dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur Arben Ndoka para gjykatës

“Më datë 24. 2.2013 rreth orës gjashtë pa pak, kam qënë në shtëpi bashkë me kalamajt e mi dhe për punë pesë minutash kanë ikur dritat pa dalë nga shtëpia. Kanë ndejt 5 – 6 minuta pa ardhur dritat. Në momentin që kanë ardhur dritat, unë bashkë me bashkëshorten time kemi zbritur shkallët e pallatit ku banoj me të dhe rreth 5 – 6 minuta kur kam dalë përballë me supermarketin e “Korçarit” isha duke ecur me nusen dhe në atë moment kemi dëgjuar 4 – 5 krisma të shkëputuara. Në atë moment pa bërë as 2 – 3 sekonda ka vazhduar edhe një breshëri automatike më e gjatë derisa u mbarua komplet karikatori, aq e gjatë ka qenë. Kam parë një makinë të parkuar ku nga aty dilnin dhe flakët e zjarrit. Në atë moment flakët e zjarrit kanë dalë nga krahu i shoferit, pasi makinën e kisha përballë, në krah të djathtë timin, pra plumbat mund të më kishin godit edhe mua, por kanë ikur në krah të djathtë timin. E kam dalluar nga cili krah kanë dalë plumbat e armës së zjarrit. Aty sa kanë ndodhur krismat e armës, unë e largova nusen nga rruga dhe e lashë të mbështetur në një makinë aty dhe kur ka ardhur kjo makina aty pikë plumbi dhe mirë që s`më mori edhe mua zvarrë dhe shkoi u takua me trotuarin e rrugës, tek i cili, i`ua kam shpjeguar edhe në vendngjarje oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorëve, se kanë qenë deri vonë shenjat e gomës së makinës në vendngjarje. Aty nga dritat e mëdha kam dalluar tre persona në makinë, ku dy persona kanë qenë të maskuar një në vend të parë dhe një mbrapa. Personi tjetër që ka qenë i pamaskuar, me maskën e ngritur, ka qenë në timon zotëria që bëhet fjalë Arben Frroku. Në atë moment nga shpejtësia e madhe kam nxjerrë telefonin dhe më së pari kam shënuar targën e makinës. Makinën e ndoqa me sy deri në fund të rrugicës, e cila mori kthesën djathtas në rrugën e Selitës që vjen me ra nga lagjia e gabelëve. Aty kam marrë nusen, e kam çuar nusen në shtëpi ngaqë ishte shumë e trembur nga krismat e armës, se një fishekzjarr të bjerë trembet njeriu, e çova në shtëpi dhe zbrita përsëri tek një kafe aty përballë pallatit tim. Aty thirra një punonjës të Gardës së Republikës ngaqë e kisha shok dhe e kisha të njohur dhe e thirra se s`kisha numër tjetër kë të thirrja dhe biseduam rreth ngjarjes dhe i tregova komplet skemën. I thashë se dua me thirr një njeri të besueshëm të shtetit t`i japë rrugë kësaj pune se nuk dua të futem me probleme me njeri dhe t`i hap probleme vehtes. Nxorri telefonin ai polici i gardës dhe thirri dy oficera të lartë të policisë së shtetit. Bisedoi sa bisedoi me të në telefon dhe na tha prisni tek shtëpia e zotnisë në fjalë për mua, tek shtëpia ime. Aty pa kaluar asnjë gjysëm ore më erdhën në shtëpi Tonin Voci të cilin e njihja si drejtor se e kam pas drejtor dikur kur kam punuar në polici të shtetit dhe Agron Kuliçi. I pritëm aty siç pritet robi në shtëpi dhe biseduam rreth ngjarjes që i kisha thirrur për këtë punë. I tregova komplet targën e makinës së pari dhe numrin e personave. Kur i tregova targën e makinës, ai zoti Kuliçi u çua dhe më tha mund ta bëj një telefon në korridor dhe bëri një telefon dhe i`ua dha targën e makinës policisë së shtetit siç jepen numrat, që kjo targë ka qënë aty. Kur mbaroi telefonatën u kthye aty prapë dhe po bisedonim. Unë i`u kërkova dy oficerave të lartë të policisë së shtetit, u kërkova për punën që të mos dilte emri im në asnjë vend për të kallëzuar personin që e kam njohur. Masandaj vazhdova jetën normale, i prita sipas premtimeve që më premtuan dy oficerat e lartë të shtetit. Mbas disa ditësh erdha bëra edhe marrëveshjen me zëvendës prokurorin e Krimeve të Rënda Kosta Belurin dhe tani jemi këtu ku jemi”.

 

Berisha: Rama-Meta vrasin për herë të dytë Lamajn

 Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që shpalli të pafajshëm vëllain e deputetit Mark Frroku, Arben Frroku ka reaguar ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe deputeti Eduard Halimi. Sipas Berishës, dyshja Rama-Meta e ka vrarë për herë të dytë komisarin Dritan Lamaj, ndërsa e cilëson vendimin pjesë të marrëveshjes me Mark Frrokun. Kjo marrëveshje, thuhet në deklaratën e opozitarëve, la pa autor vrasjen e Dritan Lamajt. Ish-kryeministri Berisha shprehet se vendimi për të cilin nuk dëshiron të ndërhyjë, duket më shumë i dhënë në emër të marrëveshjes e jo në emër të Republikës me të cilin, thotë ai, u shpërblye ndryshimi i dëshmisë kyçe të Mark Frrokut, dëshmitarit me kyç në dosjen “Doshi”. Berisha shprehet në statusin e tij se vendimin duket nuk e besojnë as ata që e kanë dhënë, ndërkohë që lë të kuptohet se e priste një fund të tillë. “Vetëm një muaj më parë u rrëmbye në Fushë Krujë nga banda e qeverisë dhe u zhduk pa nam e nishan, E. Stafuka, ai ishte njeriu që gjeti makinën me të cilën u krye vrasja e komisarit Lamaj. Të gjitha këto zhvillime që paraprinë vendimin, dëshmojnë se ky ishte më shumë një vendim alla Troç, apo vendim jo në emër të ligjit por të kodit të mafies, marrëveshjes Rama – Meta – Frroku. Kjo është goditja më e rëndë ndaj traditës serioze të Gjykatës së Krimeve të Rënda, dëshmi e peshës së tmerrshme të pushtetit të krimit mbi drejtësinë. Së shpejti dhe Frroku tjetër do lirohet. Thuhet se në një mesazh që Rama i ka shkruar atij i thotë se pret me padurim lirimin e tij e për të darkuar se bashku me të gjithë familjarët e tij. Drejtësia në gijotinën e pushtetit të krimit!”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency