Vendimi që çoi në arrestimin e dytë/ Parlamenti voton me 113 vota kërkesën e Prokurorisë, Frroku: I kemi dalë borxhit familjes Kurti

0
122

Gëzim Saliu

Frroku ne Parlament Berisha, Subashit: Si nuk guxoni të thoni pse kërkohet arrestimi i deputetit, po mbështillni krimin

Parlamenti i dha dje me 113 vota pro dhe vetëm dy kundër autorizimin Prokurorisë për arrestimin e deputetit Mark Frroku. Edhe pse me qëndrime të ndryshme të përmbledhura në dy raporte të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, mazhoranca dhe opozita dhanë votën në mbështetje të kërkesës së Prokurorisë. Për demokratët fajtori kryesor për kriminalizimin e Parlamenti është Kryeministri Rama, i cili, sipas tyre, ka përfshirë në grupin parlamentar persona me dosje penale dhe rekorde të rënda kriminale. Nga ana e saj, mazhoranca i qëndroi ftohtë ngjarjes përmes përfaqësuesit të saj Armando Subashi, i cili lexoi relacionin e Këshillit, gjë e cila ngriti edhe shqetësimin e ish-kryeministrit Berisha. “Mblidhet Parlamenti dhe vendos për arrestimin e një deputeti dhe përfaqësuesi i mazhorancës nuk guxon të përmendë në raport asnjë akuzë që Prokuroria i ka bërë Frrokut. Ju kështu mbështillni edhe më shumë krimin”, – tha ai. Në ndërhyrjen e tij, deputeti Paulin Stërkaj propozoi që votimi të bëhej veçmas, pasi sipas tij duke u nisur nga votimi i fshehtë, në media një ditë më pas do të aludohej se cilit grupim i takonin votat kundër. Kërkesa e deputetit nuk u pranua nga Kryeparlamentari Meta, që e cilësoi jashtë rregullores dhe në përfundim me votim të fshehtë kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e Frrokut mori 113 vota pro. Nuk munguan votat e dy deputetëve të Kuvendit që u shprehën kundër saj si edhe dy të tjerë që abstenuan.

 

Frroku në Kuvend

Ndryshe nga seanca e një jave më parë deputeti Mark Frroku, mbërriti dje në Kuvend i shoqëruar me policë dhe zgjodhi foltoren për t’u mbrojtur në aspektin ligjor, por edhe kanunor. “Jam betuar jo si deputet por dhe malësor me rregullat e traditës e jo malësorët e ditëve të sotme. Nuk kam vrarë e shtyrë asnjeri për të vrarë apo kanosur njeri. Dua t’u them të gjithëve se nuk ka një vendim të formës së prerë as në Belgjikë dhe në asnjë shtet tjetër. Kam respektuar ligjin gjatë gjithë kohës time si deputet. Jam gati të sqaroj akuzat që bëhen ndaj meje”, – tha Frroku. Më tej ai bëri të ditur se emrin e Aleksandër Kurtit, viktimës për të cilën ai akuzohet se e ka vrarë, e ka dëgjuar pas ngjarjes. “Unë nuk kam qenë në Belgjikë në këtë kohë dhe nga kjo kohë deri në 2004 nuk e kam shkelur kurrë. Ia kemi bërë më se të qartë organeve belge. Në mars të vitit 2013, familja ime në prani të 24 burrave dhe dy klerikëve i ka bërë be familjes Kurti dhe shumë nga ju e dini mirë çfarë do të thotë “Be” dhe “Falje gjaku”. Familja Frroku i ka dalë borxhit me moral familjes Kurti. Këtë informacion që ka sjellë Belgjika dhe që është future në relacionin e prokurorisë ta verifikojë mirë. Nëse doni ta provoni unë kam dhe pamjet filmike dhe firmat e këtyre 24 burrave, që kanë firmosur që ne i dalim borxh kësaj familjeje”, – deklaroi deputeti i PKD-së. Ndërkaq Frroku bëri të ditur se në vitin 2004 autoritet belge e kishin thirrur si të dyshuar dhe se për dy muaj ka qenë i ndalur, dhe më pas u lirua pa asnjë kusht nga gjykata belge. “Në 2010 jam dënuar në mungesë 10 vjet dhe Gjykata e Lartë shpalli pavlefshmërinë duke më shpallur të pafajshëm dhe duke më rikthyer çështjen. Këtu ka më të pasur sesa unë dhe qytetarët e Shkodrës s’më kanë votuar se unë jam i pasur. Nuk kam hyrë në këtë parlament nga dritarja por nga dera dhe 1 milionë vota ishin përgjigjja më e mirë për qeverisjen e kaluar. Them nga kjo sallë kush kërkon të kriminalizojë këto vota e ka gabim. Nuk lejoj që dekriminalizimin ta përdorin si sapun për djathë e duke përdorur kufomën time politike e hedhur baltë mbi figurën time”, – pohoi deputeti Mark Frroku.

 

Ristani: Rama e bëri deputet Frrokun, edhe pse e dinte që kishte tri prostituta në Belgjikë

Në emër të grupit të PD-së, duke lexuar relacionin për mbledhjen e Këshillit të Mandateve, sekretari i përgjithshëm i selisë blu Arben Ristani deklaroi dje në Kuvend se Kryeministri i vendit ka mbledhur krimin rreth vetes. Duke komentuar akuzat e Prokurorisë për Frrokun, Ristani tha se Kryeministri e bëri deputet atë edhe pse e dinte se ai akuzohej se kishte tri prostituta në Belgjikë. “Akuza e rëndë për vrasje të krijon përshtypjen se Kuvendi është shndërruar në një kaush burgu. Përgjegjësia për këtë degradim është e kryeministrit Rama, pa mbështetjen e shtetasve të akuzuar për vrasje, përdhunim dhe trafik droge nuk do të ishin bërë kurrë deputetë. Mos bërja deputetë do t’i kishte kursyer vendit këtë pasojë të rëndë. Rama e përdori Frrokun për një tjetër skandal, atë të atentatit ndaj dy deputetëve. Por për interesa të ngushta kriminale kryeministri Rama nuk ka lejuar drejtësinë të bëjë punën e saj. guximi i strukturave të policisë për të fshehur një kërkesë ndërkombëtare për të fshehur deputetin Frroku edhe pse provat ishin bërë publike që në 2014. Në këtë mënyrë Edi Rama është ekspozuar plotësisht se me krimin po i imponohet shoqërisë shqiptare. Në kërkesë sqarohet se vëllezërit Frroku kanë pasur tre prostituta në Belgjikë. Mirëpo të gjitha këto nuk e frenuan Ramën që ta mbështeste Mark Frrokun të bëhej deputet”, – tha ai.

 

Subashi: Deputetët në dakordësi me kërkesën e Prokurorisë

Në bërjen publike të relacionit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, deputeti i mazhorancës Armando Subashi theksoi dje se deputetët ishin të gjithë dakord në mbështetje të saj. Në deklaratat e Subashit u vu re mos përmendja e akuzve të prokurorisë ndaj deputetit Frroku e ndërsa foli shkurt lidhur me relacionin. “Këshilli për Mandatet në cilësinë e organit përgjegjës mori në shqyrtim kërkesën e ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme për autorizimin e arrestimit të deputetit Mark Frroku. Shqyrtimi i bërë mbi bazën e rregullore së Kuvendit. Diskutimi dhe mbledhja e këtij Këshilli u bë në praninë e përfaqësuesve të prokurorisë, avokatëve dhe deputetit. Do të thoja që mbasi ne dëgjuam palët dhe diskutimin që u bë, të gjithë deputetët u shprehën në parim dakord për t’i dhënë rrugë kërkesës së prokurorisë, aty kishte dhe pretendime të ndryshme nga deputetët e opozitës. Në dy rastet e fundit, ka disa probleme të diskutueshme jo vetëm nga pikëpamja e rregullores së Kuvendit”, tha deputeti i mazhorancës.

 

Debatet për çështjen “Frroku”

 Ristani: Kryeministri duhet të ishte në këtë sallë të votonte që të shfaqte vullnetin e tij për dekriminalizim.

Meta: Unë e kuptoj që ju për procedurë do të kërkoni që çdo deputeti t’i vihet tubi, por ne nuk jemi Policia Rrugore.

Fino: Ne e votuam edhe herën e kaluar, por ju ikët nga salla.

Braçe, Ristanit: Ulu mor aty ordiner!

Stërkaj: Zoti kryetar, a ka mundësi që ta bëjmë votimin veçmas, se mediat nesër do flasin për këtë se kush votoi kundër e duhet të dallohet kjo…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency