A është lufta rrëfim individual

0
114

Arben Idrizi

 A është lufta rrëfim individual2Shënime rasti rreth luftës, të shkëputura nga fragmentet e mia në prozë

 & 53.

Më 1999, kur qëndruam mbi 78 ditë të fshehur si minjtë në një shtëpi me dy shokët e mi, të frikësuar se po të dilnim jashtë e po të na zbulonin serbët do të na vrisnin si qentë, pas ndonja 30 ditësh kisha mundësi të merrja në dorë një libër. Ishte një botim i vjetër, i zhubrosur dhe paksa i shqyer i Xha Gorioit. Mbaj mend se nuk arrita t’i lexoja as tre rreshta. Truri më ishte dembelosur dhe revoltuar nga ajo që ndodhte përreth sa leximi më vinte si absurditeti më i frikshëm. Bile, aty në shtëpinë ku ishim, pasi morëm guximin të lëviznim nëpër dhoma e të shpinim gjymtyrët, pas shumë kohësh, gjeta edhe një fletore të re, ku mund të shkruaja, të mbaja ditar. Vetë ideja e të mbajturit ditar më qe dukur aq e pa vend sa nuk arrija ta perceptoja si të mundshme. Truri im ishte bërë aq refuzues sa, kam frikë, po të vazhdonte ajo gjendje ashtu edhe disa muaj, ndoshta një ditë do të refuzonte përfundimisht të funksiononte, duke përfunduar në një ndryshkje dhe kolaps total. Kjo është shumë e mundshme. Ajo që nuk mund ta kuptoj është pse mua më ndodhi ashtu. Të tjerët lexojnë edhe në raste te tilla. Të tjerët kanë mbajtur ditarë edhe në rrethana të tilla, ndoshta edhe më të rënda dhe me aq janë bërë dëshmitarë të vyer dhe të pamohueshëm të një historie.

 & 54.

Vite më vonë u përpoqa të shkruaja për ato ditë ngujimi. Një version që e kisha shkruar në fletore e kam djegur, një version tjetër në kompjuter e kam fshirë. Nuk e kam gjetur ende mënyrën se si ta përshkruaj atë topitje të trurit, atë ndjesi aq të çuditshme të një 25 vjeçari fëmijë, “poet” me kokën në re, i vetmuar në ëndrrat e tij, atë ndjesi të përhumbjes, vetëdijes së është afër fundit dhe shpresës se mbase s’do të ndodhë asgjë e keqe dhe në të njëjtën kohë moskokëçarjes. Duket paradoksale, por kështu është. Në rrethana të tilla rreziku permanent, isha edhe moskokëçarës, por jo se unë doja të isha moskokëçarës; ishte vetë organizmi im që ma impononte atë moskokëçarje. Ende as sot nuk di ta shpjegoj se si, por kështu ishte.

Në të vërtetë, më ka bërë vaki të vërej se si edhe në kushte të tjera ndodh njëfarë rregullimi i pakuptueshëm për mua i mendjes. Përndryshe, si është e mundur që e përballoj pa u çmendur një situatë kur shoh një lypsar në pikë të dimrit të shtrirë në akull, lakuriq, për të lypur? Kaloj pranë tij i thyer në zemër, ama jam, jam; më dhemb qenia, ama shkoj tutje, shkoj në punët e mia, në jetën time. Ose kur e di se në këtë çast, diku në një kënd tjetër të botës dikush është duke vdekur urie, thjesht duke vdekur urie për një kafshore buke, të cilën do të mund të isha atje për t’ia dhënë, apo një tjetër e vrasin vetëm sepse atyre kafshëve vrasëse nuk u pëlqen ngjyra e tij, emri i tij, gjuha e tij, apo ku e di unë çka tjetër.

Si arrijmë të mbijetojmë në këso kushtesh? A jemi më njerëzor kur çmendemi nga kjo, kur i japim fund jetës për këtë, apo kur i mbijetojmë tërë kësaj?

 & 57.

I pëlqej më shumë imazhet e letërsisë se ato të realitetit.

Ama ka mjaft imazhe të çuditshme për mua, domethënëse për ekzistencës time, nga realiteti im.

Për shembull, s’më shqitet nga mendja imazhi i fshatit tim kur e vizitova herën e parë pas luftës. Kishin kaluar në të vërtetë tri a katër ditë nga mbarimi i luftës. Duhej të ishte 13 ose 14 qershori kur shkova, nuk jam i sigurt.

E kisha braktisur, si kokëkrisur, tetë muaj më herët.

Me të arritur në fillim të fshatit, por edhe teksa po kaloja nëpër fshatin e vogël fqinj të vendosur në luginë, para meje u përshfaq një pamje e panjohur. E dhunshme dhe e pakapshme për kujtesën dhe pritjen time. Forcat serbe i kishin rrafshuar për toke jo vetëm shtëpitë, por edhe, kjo më habiste më shumë, gjerdhet karakteristike të fshatrave, qoftë prej druri, ferrash, guri a materiali tjetër, që kufizonin oborret si dhe ato që kufizonin arat, livadhet, kopshtet, kryesisht prej drurësh e ferrash. Sa duket, kjo do të ketë qenë një masë strategjike për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm në befasi i ndonjë gueriljeje që vështirë se e bënte këtë. Kudo, deri edhe rrugë, kishte mbetur vetëm bari i rritur dhe i pa kositur, që kishte filluar të thahej dhe zverdhej nën diellin e fortë.

Ky ishte shpërfytyrimi i parë i hapësirës “sime” që më shkaktoi një trullosje dhe ndjesi të të qenit në një vend tjetër, të gabuar, si prej ëndrre.

Tmerrin e këtij shpërfytyrimi pastaj e përmbyllnin rrënojat e shtëpive.

 & 73.

Sa i rëndë do të jetë kujtimi i ngujimit… tërë koha e luftës dhe 78 ditët e bombardimeve të NATO-s…

Ai është faji i tjetrit dhe kurdo që ta rikujtoj ose ta hedh në letër, me gjasë, do të çlirohem, ose të paktën do të gjej një lloj ngushëllimi…

Po ç’të bëj me fajin tim, me atë që ia kam bërë unë tjetrit?

Sado që ta shtyj për më vonë, sado që të refuzoj ta kujtoj, është e kot, një ditë, si një rrjetë e përbindshme, do të bjerë sipër kokës… as pendimi s’do të sjellë kurrfarë çlirimi…

 & 74.

Njeriu është qenia më e dhunshme mbi faqen e dheut; për më tepër, nuk e ka as pafajësinë e kafshës.

 & 75.

Heronjtë e luftës janë vrasës. Ende mendoj kështu, sado e ngatërruar që të jetë kjo punë.

E megjithatë s’ka gjë më të lehtë se sa të jesh hero lufte, e sidomos s’ka gjë më të thjeshtë dhe më banale se patriotizmi në kohë të vështira për një vend. Kur vendi yt është i rrezikuar dhe pushtuar nga një vend tjetër, askush nuk e merr këtë si një gjë absurde dhe me habi, askush nuk i rrudh buzët të psherëtijë pa arritur të kuptoj gjë: duket sikur për të gjithë është gjëja më e afërmendsh që mund të ndodhë dhe duket sikur tërbimi që kanë në të vërtetë është kënaqësia që po iu jepet të tregohen patriotë dhe të gatshëm të kasapiten si kafshët. Thuajse shyqyr që ndodhi.

Pra, në kohëra të tilla, ka një unitet dhe një uniformitet. Ne jemi këndej, ata janë andej. Ata që për nga natyra janë më të paskrupullt do të veçohen dhe do të përfitojnë famë – jo për famën, por për të mirat e plaçkës. Ata që, nga ana tjetër, të skrupullt dhe të shkretë, do të veçohen – do të përfundojnë në fushën e betejës. Si edhe mijëra e mijëra të tjerë, në uniformë ushtarake e sidomos civilë, fëmijë, gra e pleq.

Kur këta të paskrupulltit ta shpallin fitoren dhe nisjen e jetës së re, duke e marrë pushtetin si ta mblidhnin një copë muti të tharë qeni nga rruga, pa u bërë mirë mëngjesi, do të vijë koha t’iu dilet kundër, të ndalen.

Ja ku vjen problemi më i madh: për një kohë shumë, shumë të gjatë s’do të ketë kush t’iu kundërvihet. Kundërshtimet nën zë, kafeneve të errëta a kuzhinave të zhurmshme, nuk do të bëjnë punë. Këtu në përgjithësi nuk ka unitet dhe uniformitet. “Armiku” është hero i gjallë i kombit, është i dashuri dhe i përkëdheluri i popullit, ai që e ka çliruar. Heronjtë e gjallë! Do të vjedhin orë e çast. Natë e ditë. Do të plaçkitin. Do të mashtrojnë. Do të torturojnë. Do të vrasin. Do të lavdërohen. Do të sajojnë trimëri dhe vuajtje. Do të gënjejnë. Do të majmen. Do të zaptojë gjithçka. Do ta rrjepin vendin. Do t’ia pinë gjakun si shushunjat.

Të guximshmit e parë që do t’ua nxjerrin në shesh të palarat do të vriten si qentë rrugëve. Disa të tjerë do të frikësohen dhe ndoshta edhe do të pshurrin në vete. E megjithatë, prapë do të ketë të tillë që nuk do të dorëzohen.

Do të shprehin pakënaqësi me zë të lartë. Do të shkruajnë. Do të thonë. Do të tregojnë. Do të dëshmojnë.

Nuk janë heronj. Janë vetëm qenie njerëzore të përgjegjshme dhe të ndershme. Plot dinjitet.

 & 76.

Qëndroj, ende, pas mendimit se, varësisht nga rrethanat, një kriminel ordiner mund të bëhet një luftëtar i tmerrshëm, sypatrembur, e në fund fare hero. Lufta është në natyrën e tij. Kur s’ka luftë mashtron, vjedh, plaçkit, vret. Kur ka luftë, i rrok armët dhe lufton për të mashtruar, vjedhur, plaçkitur dhe vrarë. Vetëm se, ndoshta, në rastin e dytë më me guxim, më me pasion, më me përkushtim. Jo për shkak të ndonjë ndjenje humane, por ndoshta ngase e ka përkrahjen dhe mbështetjen që megjithatë s’do ta kishte në paqe, për shkak të legjitimimit të veprimit të tij kriminal. Kur merr fund lufta, krimineli hero është personi i vetëm që e vazhdon aktivitetin e tij, të mashtrojë, të vjedhë, të plaçkitë dhe të vrasë. Për të tjerët është ndryshe. Ka një ndarje vendimtare dhe të pakthyeshme: para dhe pas luftës. Vetë lufta është një periudhë në vete, e cila do t’i gllabërojë, duke mos i lënë pothuajse ta ngrenë kokën më. Krimineli hero vazhdon tutje, në rrugën e tij të drejtë dhe të rrafshët.

Pothuajse të gjithë komandantët e luftës sonë, heronj të gjallë, po të mos kishte qenë lufta, do të kishin përfunduar në kriminelë të rëndomtë, disa prej tyre tashmë e kishin nisur atë rrugë dhe ishin dëshmuar, duke mashtruar, vjedhur, plaçkitur dhe vrarë. Gjatë luftës u legjitimua kriminaliteti i tyre. Pas luftës vazhduan të mashtrojnë, vjedhin, plaçkitin dhe vrasin. Si të mos kishte ndodhur kurrfarë ndryshimi. Gjatë luftës ishin në uniformë ushtarake, pas luftës në uniformë politike. Ditën drejtonin shtetin, nxirrnin ligje, dremisnin në Parlament, natën mashtronin, vidhnin, plaçkitnin, vrisnin.

 & 77.

Tmerri më i madh në jetën time është kur i shoh kriminelët më të mëdhenj të luftës dhe kriminelët e rëndomtë ta drejtojnë shtetin dhe shoqërinë.

Nganjëherë nuk më besohet. Nuk më besohet si mund t’i ndodhë kjo gjë një shoqërie. Ende edhe 15 vite pas luftës. Dhe çfarë absurdi: kur i sheh në televizion, kur i lexon në gazeta, ata flasin, me gjuhën e tyre të rëndomtë prej injorantësh dhe përbindëshash, për të mirën e përbashkët, moralin, përgjegjësinë, të drejtën, zhvillimin.

Ata e përcaktojnë të ardhmen e vendit.

E çfarë më mbetet mua të bëj atëherë?

Kështu është: absurdi çmend më parë se tragjedia.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency