Gëzim Saliu
Ish-kryeministri: Në qeveri ka ministër që ka 200 telefonata me trafikantë e kriminelë. Në 2011-ën më erdhi Prifti në zyrë me videon e Metës, por i thashë çoje në Prokurori
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi dje qeverinë shqiptare se është e përfshirë në afera kriminale, duke pohuar se deputeti Mark Frroku është fytyra e shëmtuar e Parlamentit dhe ekzekutivit. Në një prononcim për mediat, deputeti demokrat theksoi se bosi i vërtetë i Frrokut është Kryeparlamentari Meta, i cili, sipas tij, po bën çdo gjë që është e mundur për të mos lejuar hetimin e çështjes “Doshi”. “Mark Frroku është fytyra më e shëmtuar e këtyre lidhjeve. Është fytyra e këtij Parlamenti. Është fytyra e kësaj qeverie. Bosi i tij është Ilir Meta dhe dua t’u bëj edhe një herë apel qytetarëve shqiptarë, kurajës së tyre, përgjegjësisë së tyre, të vendosim ne për një revolucion paqësor, si rruga e vetme për të hapur horizontet e të ardhmes. Unë kam kërkuar që ditën e parë që Meta të shkojë i barabartë me deputetët e tjerë që s’kanë imunitet para Prokurorisë. Por Meta se bën këtë se ka frikë nga arrestimi. Meta është i tmerruar nga krimi”, – tha Berisha. Nga ana tjetër Berisha deklaroi se në kabinetin qeveritar, sipas pohimit të një të huaji, ka një ministër që ka 200 telefonata me kriminelë e trafikantë. “Ç’është e vërteta në momentin e duhur do ta themi. Ne nuk ngurrojmë, por problemi kryesor është se sot për sot kreu i Parlamentit, Ilir Meta, ka pushtuar kreun e Parlamentit dhe nuk bën detyrën më minimale, që të paraqitet jo si personi i dytë, por si një deputet i thjeshtë para hetuesit, para prokurorit”.
Kryeparlamentari Meta
Duke bërë të ditur se Kryeparlamentari Meta duhet të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë hetimit të pavarur, ish-kreu i qeverisë shqiptare rrëfeu dje në oborrin e selisë së Kuvendit para protestës së PD-së, një moment të vitit 2011 me deputetin Dritan Prifti. “Më ka ardhur Dritan Prifti me video në zyrë dhe ai mendonte se ai do të më thyente për shkarkimin e tij, se kjo video do bënte skandalin. Cili ishte reagimi im? Reagimi im ishte një dhe vetëm një. Ik dhe çoje në Prokurori. Për zotin Rama është ndryshe, pasi ai ka ngarkuar si kryeprokuror Saimir Tahirin. Zoti Rama caktoi kryetarin e PS-së për Tiranën për të hetuar çështjen. Ilir Meta e mbajti 6 muaj. Po pse e mbajti? E mbajti, sepse shpresoi se do mundte ose do eliminonte Tom Doshin, ndërkohë ose do mund të fajësonte Sali Berishën në mënyrën më monstruoze për skenarin e tij, do mund të manipulonte dhe eliminonte çdo provë gjatë këtyre 6 muajve dhe të eliminonte dëshmitarët kyç dhe se do mund të transformonte skenarin e këtij krimi”, – u shpreh Berisha. Më tej duke u përqendruar tek deklarata e Kryeparlamentarit një javë më parë në debatin me të në seancë, Berisha tha se ato ishin inskenime të Metës për të shpëtuar nga e vërteta. “Pasi shtroi të gjitha variantet dhe pasi dështoi me këto variante, “fajin e ka Saliu”, “fajin e ka Shkëlzeni”, atëherë u tha se “nuk e kam mbajtur sekret për mua, por e kam mbajtur sekret për Sali Berishën, sepse Tom Doshi nuk më ka akuzuar asnjëherë mua përveçse pas përjashtimit të tij nga grupi i PS”. Pasi dështoi edhe me këtë turp të tij atëherë kërkoi baba Takun, torbën e tij të zezë”, – u shpreh ai.
Çështja “Doshi”
Lidhur me çështjen “Doshi”, ish-kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se opozita mbetet e vendosur në kërkesën e saj për hetim ndërkombëtar, pasi vetëm në këtë formë sipas Berishës ajo mund të zgjidhet. “Ai (ambasadori amerikan) foli për qeverinë e tij dhe është në praktikën e tyre por në vendin e tij, vendi i cili ka institucionin e akuzës, do të thosha më të konsoliduarin, vendi i vetëm në dijeninë time që arrin të hetojë njeriun më të fuqishëm në botë që është Presidenti i SHBA në detyrë, kur vjen puna në këtë moment ky vend nuk e bën me prokurorin e përgjithshëm. Jo se prokurori nuk ka mundësi ta bëj, jo se ai nuk ka integritet, jo se ai nuk është i betuar në Kushtetutë por se ai proces me prokurorin e përgjithshëm të emëruar nga ai President nuk është i besueshëm”, deklaroi ai. Duke theksuar se dekriminalizimi mbetet prioritet i opozitës, Berisha pohoi se në grupin parlamentar të PD-së nuk kishte asnjë deputet me rekorde kriminale. “Megjithatë ftoj mediat, ftoj ata të cilët kanë dijeninë më të vogël që ti botojnë dhe të provohet nëse kreu i PD dhe udhëheqja e saj do ti qëndrojnë zotimit që kanë marrë para jush se do bëjnë një hetim të përgjithshëm për çdo eksponent të tyre”.
Deputeti i mazhorancës/ Frroku: Policia më ka ndalur 10 herë, po s’kam pasur trafikant. Nga Parlamenti nuk më nxjerr njeri
Deputeti Mark Frroku deklaroi dje se ai nuk është nën presionin e mazhorancës për të dëshmuar kundër Tom Doshit. Duke theksuar se ai as nuk shitet dhe as nuk blihet, Frroku iu përgjigj edhe akuzave të ish-kryeministri Berisha duke theksuar se nga parlamenti atë nuk mund ta largojë askush. Unë normalisht vazhdoj punën time, si parlamentar dhe unë dëgjova fjalët e zotit Berisha. Mandatin ma ka dhënë populli, jo Sali Berisha dhe as ai dhe askush tjetër nuk mund të më nxjerrë nga Parlamenti. Unë e kam bërë deklaratën time në Prokurori për çështjen “Doshi”, i qëndroj asaj deklarate pikë për pikë dhe nuk kam asgjë tjetër për të thënë. Unë nuk kam pasur asnjëherë një të kërkuar nga policia në makinën time. Unë mund të jem ndaluar dhjetë herë nga policia, por s’kam pasur asnjëherë trafikant droge në makinë. Unë s’i nënshtrohem asnjë shantazhi, pasi qeveria dhe asnjë person tjetër nuk ka bërë shantazh ndaj meje. Mark Frroku as shitet dhe as blihet”, – tha Frroku.