Protesta para Parlamentit/ Qytetarët dhe opozita: Meta të shkojë para drejtësisë, vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme

0
156

Gëzim Saliu

cadrat ne proteste Halimi: Kryetari në ikje iu fsheh qytetarëve, vetëm hetimi i pavarur sjell një Parlament normal. Balla: Berisha dhe Basha nuk kanë as moral dhe as të drejtë të kërkojnë llogari

Krejt ndryshe nga atmosfera e tensionuar e javës së kaluar si para nisjes së protestës ashtu edhe në sallën e Kuvendit, seanca e kësaj jave kaloi pa probleme dhe përplasje mes palëve. Shkak i kësaj “paqeje” ishte mungesa e Kryeparlamentarit Meta, i cili ndodhej për vizitë në Zvicër e, nisur nga kjo, deputetët e opozitës u mjaftuan me një deklaratë në seancë dhe më pas iu bashkuan protestuesve para ndërtesës së Parlamentit. Po ashtu, dje demokratët nuk bllokuan as foltoren e Kuvendit siç kanë bërë dy javët e shkuara, por përmes deklaratës së deputetit Eduard Halimi në emër të grupit parlamentar theksuan se kërkesa e tyre kryesore ishte dorëheqja e kryetarit të Kuvendit për ti hapur rrugë hetimit të pavarur. “Vetëm dorëheqja e kryetarit të kuvendit do të sjellë një hetim të pavarur dhe një hetim të paanshëm, të akuzave më të rënda në këto 25 vjet që kanë përfshirë kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm Sot kryetari në ikje, i është fshehur sërish qytetarëve. Vetëm hetimi i pavarur dhe i paanshëm do të sjellë një Parlament normal dhe një paqe sociale. Deri në atë ditë ne do të jemi me qytetarët, do t’i prijmë ata sepse pesha e krimit nuk mund të rëndojë më mbi shpatullat e qytetarëve”, – tha Halimi. Pas kësaj deklarate, deputetët e PD-së u larguan nga Kuvendi për t’iu bashkuar protestuesve e ndërsa mazhoranca iu përgjigj indirekt përmes nënkryetarit të Partisë Socialiste Taulant Balla. Ky i fundit theksoi nga foltorja e Parlamentit se ish-kryeministri dhe kreu aktual i PD-së janë të vetmit njerëz, sipas tij, që nuk mund të kërkojnë llogari. “Ka vetëm dy njerëz në Shqipëri që nuk kanë as moral dhe as të drejtë të kërkojnë llogari. Lulzim Basha është i akuzuar për vjedhje, ka vjedhur 230 mln euro dhe është i akuzuar dhe për tradhti kombëtare. Sali Berisha është personi frymëzës që qëndron pas disa bandave me shfarosje të tritolit”, – akuzoi Balla.

 

Protesta

E ndërsa për kohën më të gjatë u detyruan të qëndronin nën shi, ishin jo të paktë qytetarët që kishin vendosur dje të dilnin para Parlamentit e të protestonin duke kërkuar dorëheqjen e Kryeparlamentarit Meta. Qytetarët bllokuan vetëm hyrjen kryesore të Kuvendit, ku përmes thirrjeve dhe pankartave kërkonin që Meta të jepte llogari para drejtësisë si një qytetar pa pushtet. Ndërkaq, protestës së qytetarëve iu bashkuan edhe deputetët e opozitës që para braktisjes së punimeve të kuvendit, ku akuzuan mazhorancën e majtë si të lidhur me krimin. “Ne i kemi kërkuar Metës të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë. Ka dy javë praktikisht që ky Parlament nuk funksionon. Edhe sot ai që ne i kërkojmë dorëheqjen nuk është në Parlament. Do të kërkojmë drejtësi deri në fund. Nuk do lejojmë që ky shtet të marrë të ardhmen e qytetarëve tanë dhe të fëmijëve tanë”, – tha kreu i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka. Pas kësaj deklarate deputetë demokratë u futën në seancë plenar ku mbajtën qëndrimin e tyre përmes Eduard Halimit dhe iu bashkuan sërish qytetarëve në tubimin e tyre. Nënkryetari i PD-së theksoi se kërkesa e opozitës për dorëheqjen e Metës është domosdoshmëri për një hetim të paanshëm e ndërsa theksoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhjet të parakohshme. “Ilir Meta të japë dorëheqjen dhe të shkojë para drejtësisë. Ta çojmë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme”, – u shpreh Spaho.

 

Mungesa e Metës dhe opozitës e lë Ramën me “gisht në gojë”

As kreu i qeverisë Rama nuk e kishte pritur që seanca e djeshme parlamentare të kalonte aq qetë dhe pa përplasje mes palëve. Nisur nga mungesa e Kryeparlamentarit Meta, opozita vendosi që kërkesën e saj për dorëheqje ta bashkonte me qytetarët në protestën para parlamentit duke braktisur punimet e këtij të fundit. Në këto kushte mazhoranca u gjend e vetme në seancë ku diskutoi dhe më pas miratoi projektligjit e rendit të ditës pa shumë debate. Duke se ky fakt nuk i ka pëlqyer as kreut të qeverisë Rama, i cili është marrë pothuajse gjatë gjithë kohës me celularin e tij të ri. Pasi ka bërë një selfie me Niko Peleshin, Rama ia tregoi celularin edhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Ashtu si edhe dy javët e kaluara, edhe në seancën e djeshme kryeministrit Rama nuk mori fjalën në Parlament.

 

 Brukseli i tronditur nga akuzat/ Brok: E çuditshme se si Meta s’jep dorëheqjen kur hetimi vazhdon. Basha: BE na mbështet

Dorëheqja e kryetarit të parlamentit, Ilir Meta i akuzuar si porositës i vrasjes së dy deputetëve,  konsiderohet nga eurodeputetët një akt i detyrueshëm për standartet demokratike. Kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme në PE, Elmar Brok, i cili pohoi se në një vend demokratik, kreu i Kuvendit duhet të jepte dorëheqjen. “”Së pari, është detyrë e autoriteteve shqiptare që të hedhin dritë mbi çështjen dhe të kryejnë hetimin. Nëse ka akuza për kreun e Kuvendit që ai ka urdhëruar dy vrasje, atëherë është Prokurori i Përgjithshëm që hap hetimin dhe në rrethana normale, në këta rast, në një vend demokratik, Kryetari i Kuvendit jep dorëheqjen. Nëse hetimi është në vijim e sipër nga autoritetet shtetërore, atëherë do të ishte e çuditshme të mos jepet dorëheqje”, u shpreh Broke.  Ndërkaq Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e drejtuesve të shteteve dhe qeverive anëtare të BE, drejtuesve të institucione të BE, dhe parlamentit europian, në aksionin që ka bashkuar opozitën dhe qytetarët shqiptare, atë të pastrimit të politikës dhe administratës nga personat e inkriminuar. “Pata rastin të informoj të gjithë bashkëbiseduesit për situatën jashtëzakonisht të rëndë në Shqipëri, për mos-iplementimin e marrëveshjes së dekriminalizimit, për skandalin “Doshi-Meta” dhe përpjekjen për të mbajtur të fshehtë për 6 muaj, si një klikë brenda shtetit dhe jo si një shtet ligjor. Siç mund ta imagjinoni këto ishin jashtëzakonisht shokuese për bashkëbiseduesit që i dëgjonin për herë të parë, të cilët, po kështu si kolegët, bashkëpunëtorët që ishin mjaft të informuar për situatën, konkluduan se një situatë e tillë përbën një rrezik, një kërcënim për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për të ardhmen e tyre europiane por edhe më gjerë”- tha Basha. Në këtë kontekst kreu i demokratëve theksoi se mori mbështetje të gjithanshme për aksionin e opozitës për ta kthyer këtë çështje një mundësi të artë për ta pastruar politikën dhe institucionet nga krimi dhe personat me rekorde të tmerrshme kriminale. I pyetur nëse u artikulua nga PPE mbështetja për një hetim ndërkombëtar si edhe për një mundësi për të përfshirë një ekspertizë ndërkombëtare në hetime, dhe dorëheqja e kreut të Kuvendit, Basha pohoi se,: “edhe këtu në Bruksel, edhe këtu në Samit u diskutua gjerësisht për domosdoshmërinë për të mbështetur besueshmërinë dhe objektivitetin e këtyre hetimeve përmes institucioneve europiane, angazhimin dhe mbështetjen morale në hetimin për të qenë sa më objektiv. Në mënyrë absolute dorëheqja e një personi me pushtet të tillë si kryetar i Kuvendit, u konsiderua një standard europian për t’u përmbushur automatikisht në rastin e një skandali, një akuze kaq të rëndë, si ajo nën të cilën është vendosur Ilir Meta”.