Atentati/ Tom Doshi për të tetën herë në Prokurori, ballafaqohet me biznesmenin Lala

0
122

Tom DoshiPesë orë qëndroi Tom Doshi para prokurorëve. U përball me ballafaqimin e tretë. Këtë herë ishte përballë biznesmenit Ymer Lala. Nuk bëri asnjë koment për mediat

Pesë orë qëndroi deputeti Tom Doshi dje paradite në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Është hera e tetë që Doshi vihet në dispozicion të hetimit, me qëllim zbardhjen e komplotit të përgatitur kundër tij për eliminimin fizik. Ndërkohë, mësohet se seanca e djeshme ka sjellë edhe ballafaqimin e tretë të Doshit. Doshi u shoqërua në Prokurori nga efektivë të policisë, të cilët e kanë marrë në ruajtje. Tom Doshi u ballafaqua dje me biznesmenin Ymer Lala. Ndërkohë, mësohet se ishte vetë Doshi ai që i kërkoi akuzës një ballafaqim me Lalën, me argumentin për të sqaruar disa biseda që janë bërë mes tyre gjashtë muaj më parë. Ballafaqimi i tyre u bë përpara njërit prej prokurorëve të çështjes, Përparim Kulluri. Emri i Ymer Lalës ka dalë nga një tjetër shtetas i pyetur më herët, Fatjon Skënderi, i cili ka deklaruar se ishte vënë në dijeni prej tij që Tom Doshi i kishte treguar se ai donte ta vriste.

 

Fluturimi drejt Gjermanisë
Burime të akuzës bëjnë me dije se Ymer Lala ka rrëfyer të vërtetën ashtu sikundër ka thënë se e di. Ai është shprehur se ka qenë Tom Doshi ai që i ka treguar se Fatjon Skënderi ka pasur një plan për ta eliminuar fizikisht. Kjo, sipas të dhënave, e ka detyruar Lalën të udhëtonte drejt Gjermanisë për të takuar Fatjon Skënderin ose të njohur si Toni i Kombinatit. Por, ndërsa Skënderi e ka mohuar një gjë të tillë, më tej ai ka folur me nipat e Doshit, duke shprehur gatishmëri për t’u ballafaquar me të në lidhje me këtë trillim sipas tij. Prokurorët më herët kanë zhvilluar edhe ballafaqime mes Durim Bamit dhe Doshit, Mark Frrokut dhe Doshit, ndërkohë që pritet të ketë edhe ballafaqime të tjera mes Skënderit dhe Doshit si edhe mes Skënderit dhe Bamit, një tentativë kjo e organit të akuzës për të gjetur të vërtetën mbi planin e pretenduar për vrasjen e dy deputetëve dhe për të cilin të gjithë të pyeturit japin versione që nuk janë të njëjta. Doshin pretendon se atentati është i vërtetë, ndërsa Lala nga ana e tij mohon të ketë pasur njohuri.

 

Versioni i akuzës

Po të njëjtat burime saktësojnë se të hënën pritet që organi i akuzës të dalë me një qëndrim zyrtar në lidhje me akuzat e Doshit, ku në pyetje gjatë kësaj kohe janë marrë rreth 42 persona. Prania e Doshit në mjediset e Prokurorisë për të tetën herë vjen një ditë pas takimit të tij me deputetin Mark Frroku, sipas të cilit ishte thjesht një takim biznesi dhe jo për atentatin. Deputeti Frroku ka rrëzuar dy herë në ballafaqimet e tij me Doshin këtë të fundit se nuk ka dijeni për atentatin pavarësisht pretendimit të ish-deputetit të PS-së. Prej kohësh tashmë deputeti Doshi ka paraqitur kërkesën e tij për asistencë dhe hetues ndërkombëtarë për pretendimin e tij se Ilir Meta ka urdhëruar eliminimin e tij fizik. Jo vetëm kaq, por ai ka kërkuar që të sekuestrohen edhe pamjet e aeroportit të Hanoverit, në të cilat, sipas tij, shihet kreu i Komisionit të Sigurisë dhe shtetasi Nard Koka që takohen me vëllain e Fatjon Skënderit, ky i fundit i pretenduar si ndërmjetës në atentat. Por ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, i cili ka theksuar në fjalën e tij se nuk do të ketë hetues ndërkombëtarë për këtë çështje.

 

Tiranë/ Procedohet në gjendje të lirë djali i Doshit, drejtonte mjetin pa leje

Djali 15-vjeçar i deputetit të përjashtuar nga Partia Socialiste, Tom Doshi, do të procedohet në gjendje të lirë nga Policia e Tiranës, pasi u kap duke drejtuar makinën, e jashtëligjshme kjo në kushtet kur patenta (leja e drejtimit) merret në moshën 18-vjeçare. Djali i deputetit të Shkodrës Tom Doshi u ndalua nga policia pranë Urës së Tabakëve, teksa i jepte makinës “Audi Q7”. Pas kryerjes së procedurave nga efektivët rrugorë, ndaj tij nisi procedimi në gjendje të lirë.

 

Vendimi/ Atentatet me tritol, Vladimir Gjuta mbetet në burg

 Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka pranuar të shqyrtojë ankimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” të paraqitur në mungesë nga Vladimir Gjuta, i cili po ashtu sipas hetimeve të Prokurorisë është i dyshuari kryesor për atentatet me tritol më 10 shkurt në kryeqytet ndaj biznesit të babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Gjuta nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës ankimoi arrestin me burg, ndërsa me refuzimin e ankimit ndaj tij mbetet në fuqi masa e sigurisë e vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë. E ndërsa prej më shumë se 1 muaji Gjuta është shpallur në kërkim, ndaj tij një tjetër seancë është zhvilluar këtë të enjte në mungesë në Gjykatën Penale të Tiranës. Gjykatësja Klorinda Çela ka çelur seancën ku Gjuta akuzohet për kundërshtim punonjësi të Policisë së Rendit Publik, akuzë për të cilën e njëjta Gjykatë e kishte lënë atë disa kohë më parë me masë sigurie arrest në shtëpi. Së bashku me Gjutën në kërkim është shpallur dhe Baftjar Bruka, për të cilin policia ka konfirmuar se ai ka lënë Shqipërinë nëpërmjet Rinasit dy ditë para operacionit të arrestimit të 5 anëtarëve të tjerë të këtij grupi.

 

Gjirokastër/ Kontrollet e policisë në Lazarat, sekuestrohen 12 kg tritol në një tunel

Dymbëdhjetë kilogramë lëndë shpërthyese e llojit tritol është zbuluar dhe sekuestruar nga Policia e Shtetit në fshatin e Lazaratit në Gjirokastër. Kjo sasi tritoli u gjet në një tunel të fshatit gjatë kontrolleve të policisë për arrestimin e katër personave që dy ditë më parë qëlluan me armë postbllokun e policisë. Sasia e lëndës plasëse është gjetur në një tunel në fshatin Lazarat në vendin e quajtur Përroi i Haliqit. Ndërkohë mbrëmë persona ende te paidentifikuar hodhën në erë një shtyllë elektrike pikërisht me lëndë plasëse tritol. Mbrëmjen e së martës katër persona të paidentifikuar që udhëtonin me një makinë tip “Mitsubishi” hapën zjarr ndaj postbllokut të policisë në Lazarat. Duke marrë shkas nga ky incident në këtë fshat zbarkuan dhjetëra efektivë të policisë së Gjirokastrës dhe forcave RENEA dhe kryen kontrolle të imta në këtë zonë. Në Gjirokastër pas këtij incidenti ishte edhe drejtori përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, i cili shtoi se kontrollet intensive në këtë fshat do të vijojnë. Kontrollet në banesat dhe ambientet përreth fshatit Lazarat për kapjen e të kërkuarve po kryhen nga forcat e Policisë së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, RENEA e FNSH.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency