Reagimet/ Fshehja e trafikantit Pllanaj, dyshime se Frroku fsheh të vërtetën

0
127

mark frroku prokuroriPolicia nuk mohon operacionin. Trafikanti Pllanaj ka qenë në makinë me deputetin Frroku. Prokuroria: Nuk jemi kontaktuar nga asnjë oficer i policisë, nuk kemi dhënë leje për lirimin e të kërkuarit

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me nxjerrjen e një dokumenti të cilësuar sekret në media, që bënë fjalë për një operacion të zhvilluar në tetor të vitit të kaluar, ku ranë në pranga 7 persona për trafik droge dhe ishin shpallur në kërkim tre të tjerë. Por ndërsa e quan dokument sekret, Policia e Shtetit në reagimin e saj nuk jep asnjë sqarim se përse pesë muaj më parë nuk arriti të ndalonte personin e shpallur në kërkim, Bardhok Pllanaj, dhe që ndodhej në makinën e deputetit Mark Frroku. Pllanaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikun e drogës nga Lezha drejt Malit të Zi, por në asnjë rast emri i tij nuk u bë publik dhe ai nuk u arrit të ndalohej nga njësia speciale kundër narkotrafikut, e cila ndaloi makinën e Frrokut dhe i kërkoi atij t’i nënshtrohej kontrollit. Policia e Shtetit bën me dije se me anë të nxjerrjes së dokumentit të firmosur nga nëntë oficerë të njësisë kundër narkotrafikut, është vënë në rrezik jeta e tyre dhe për këtë qëllim premton se do të nisë një hetim penal, me qëllim vënien para përgjegjësisë të personave që nxorën sekretin. Policia në asnjë rresht nuk mohon faktin se Bardhok Pllanaj nuk ka qenë në makinën e Mark Frrokut, por shprehet se kjo ishte një çështje në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

 

 

Deklarata e policisë

Në reagimin e saj policia shprehet se operacioni “Laguna e Vilunit”, i realizuar në datat 30.9.2014 deri më 2.10.2014, është organizuar dhe realizuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe policitë e vendeve fqinje, Italinë dhe Malin e Zi, në luftën kundër grupeve kriminale në fushën trafikun të lëndëve narkotike. Ndërsa thotë se në këtë operacion janë sekuestruar rreth 804 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë, pranon se ishin në kërkim të një personi i cili ishte identifikuar si organizatori i trafikut të drogës nga Lezha në Malin e Zi. Policia gjithashtu pranon se është ende duke hetuar për të identifikuar personat e implikuar në këtë veprimtari kriminale. Por më tej shprehet se është e shqetësuar në lidhje me dokumentacionin sekret që është nxjerrë në media, që sipas saj ka dekonspiruar punonjësit e policisë që kanë vepruar në këtë operacion, si dhe detaje të procedimit, gjë që rrezikon jetën e këtyre punonjësve dhe mbarëvajtjen e hetimit. Policia thotë se do të iniciojë ndjekje penale. Por Policia nuk ngurron të hedh topin në këtë rast tek organi i akuzës, duke pretenduar se çdo veprim gjatë çdo faze të operacionit “Laguna e Vilunit”, është kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me të cilën ka ndjekur këtë prej më shumë se një viti procedimin penal për veprimtarinë e këtij grupi kriminal.

 

Reagimi i Prokurorisë

Por Prokuroria e Përgjithshme zyrtarisht nuk pranon të flasë për përplasjen e deputetit Mark Frroku me punonjësit e policisë mesnatën e datës 1 dhe 2 tetor 2014 në Kamëz, ku policia po tentonte të ndalonte të dyshuarin Bardhok Pllanaj që ndodhej në makinën e deputetit.
Prokuroria në rrugë jozyrtare shprehet se nuk ka pasur asnjë komunikim me oficerët e Policisë Gjyqësore momentin kur është ndaluar makina e deputetit Frroku. Sipas Prokurorisë, nëse do të kishte një komunikim të tillë, ajo do të ishte shënuar në procesverbalin e bërë tashmë publik. Burimet thonë se prokuroria është vënë në dijeni për ngjarjen me shkrim disa ditë më pas, ndërsa verbalisht i është komunikuar që ditën e nesërme të ngjarjes. Sipas akuzës, hetimet vazhdojnë për ngjarjen në fjalë, për të cilën paraditen e së martës pranë Prokurorisë ka ardhur edhe zv.drejtori i Përgjithshëm Haki Çako, njëherazi personi që, sipas sistemit TIMS, duhet të njoftohet nëse konstatohet në pikat e kalimit kufitar personi në fjalë.

 

 

Frroku konfuz

Deputeti i Partisë Kristian-Demokrate, Mark Frroku, duket se është konfuz në deklaratat e tij lidhur me dokumentin sekret që tregon se ka ndihmuar të kërkuarin Bardhok Pllanaj t’i shpëtonte arrestimit të policisë mesnatën e datës 1 dhe 2 tetor 2014. Pas publikimit të fakteve, Mark Frroku ka dhënë versione të ndryshme. Fillimisht është shprehur se policia nuk e ka ndaluar asnjëherë dhe nuk e kupton përmendjen e emrit të tij. Por pak orë pas publikimit të fakteve, Frroku pranoi se makina e tij ishte ndaluar nga policia, por mohoi në mënyrë kategorike që kërkuari të ketë qenë me të. Një tjetër reagim erdhi ditën e djeshme nga deputeti Frroku. Në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, Frroku deklaron se nuk e ka përdorur ndonjëherë imunitetin për t’i ofruar ndihmë ndonjë personi të përfshirë në aktivitete kriminale apo të kërkuar nga drejtësia. “Unë e kam dëshmuar më se një herë se jam i gatshëm që t’i përgjigjem çdo kërkese që bëhet nga drejtësia, ashtu siç nuk denjoj t’u përgjigjem të gjitha shpifjeve që bëhen për qëllime të pista politike. Refuzoj me neveri çdo akuzë që bëhet ndaj meje për përfshirje në aktivitete kriminale dhe dua të sqaroj se të gjitha sipërmarrjet që kam ndërtuar bashkë me familjen time, prej shumë vitesh, kryejnë aktivitetin e tyre konform ligjeve në Republikën e Shqipërisë. Unë jam distancuar nga këto akuza monstruoze të cilat bëhen në këtë periudhë kur forca politike që unë drejtoj pritet të garojë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit”, – deklaron Frroku.

 

 

Kontrolli

Në dokumentin top sekret të policisë, thuhet se makina e deputetit Mark Frroku është ndaluar mes 1 dhe 2 tetorit si pjesë e një operacioni antidrogë, të koduar me emrin “Viluni”. Dokumenti është firmosur nga 9 punonjës të policisë, efektivë të Sektorit të Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Në të saktësohet se makina e deputetit Frroku, ku gjendej i kërkuari Pllanaj, është ndaluar në Kamëz, pranë Bulevardit Blu, nga një postbllok i policisë dhe se deputeti nuk ka pranuar të hapë dyert dhe as të kontrollohet, duke thënë se kishte imunitet. Në dokumentin e policisë thuhet se deputetit Frroku i është bërë e ditur se personi që ndodhet në makinë duhet të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë, por pas kundërshtisë së deputetit Frroku, agjentët e vëzhgimit kanë komunikuar me specialistin e sektorit për narkotikët e trafiqet, kryekomisar Florjan Pemën duke e vënë në dijeni për kundërshtimin e deputetit Frroku. I gjithë ky debat ka zgjatur për më shumë se 20 minuta dhe më pas agjentët janë larguar duke lënë të lirë Bardhok Pllanajn, i cili që prej asaj dite rezulton në kërkim në pikat e kalimit kufitar. Ky dokument Top Sekret i policisë jo vetëm rrëzon pretendimin e Mark Frrokut, por versionet e ndryshme të dhëna prej tij për ngjarjen ngrejnë pikëpyetje edhe mbi vërtetësinë e versionit që ai ka dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda që po heton mbi akuzat e Tom Doshit.

 

 

 

PD, Ristani: Rama, Meta dhe Didi shantazhojnë Mark Frrokun

 

Partia Demokratike ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta, se përmes shantazhit po mbajnë peng deputetin Mark Frroku, në lidhje me akuzat e bëra nga ish-deputeti i PS-së, Tom Doshi. Në një dalje për mediat sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, tha se faktet e publikuara se deputeti Frroku ka marrë në mbrojtje në automjetin e tij një trafikant të shumëkërkuar tregon se dyshja Rama-Meta po ushtrojnë presion ndaj Frrokut për rastin “Doshi”. Sipas Ristanit, mosmarrja e masave lidhur me këtë ngjarje është në funksion të presionit dhe shantazhit ndaj Frrokut për të manipuluar hetimet për akuzat e bëra nga deputeti Tom Doshi. Për sekretarin e përgjithshëm të selisë blu e gjithë kolona kryesore e shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ministri i Brendshëm, Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit janë përfshirë në këtë skemë të manipulimit të hetimit dhe mbulimit të ngjarjes, kapjes së dëshmitarëve, e presionit të vazhdueshëm ndaj prokurorisë, për të penguar drejtësinë dhe për të fshehur të vërtetën. “Kjo është një skemë mafioze e kriminale, kapja e dëshmitarit kyç të procesit, dhe përdorimi i tij më pas, sipas interesave të tyre, për të dalë të larë nga kjo histori. Deputeti Frroku është gjithashtu nën presion me gjyqin që ka ndërkohë vëllai i tij i cili akuzohet për vrasjen e komisarit Lamaj. Për ta pasur krejt të sigurtë dhe në duart e tyre dëshminë kryesore, Rama dhe Meta, e kanë futur nën sqetull dhe e mbajnë me shantazh deputetin, me anë të raportit të policisë ku faktohet përfshirja e tij e drejtpërdrejtë në trafik droge dhe marrja në mbrojtje e kokës së organizatës që i shpëtoi aksionit ndërkombëtar të Vilunit”, – tha Ristani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency