Angazhimi i SHBA-së/ Ambasadori Lu: Shqiptarët të luftojnë krimin e korrupsionin edhe në Parlament

0
145

Gëzim Saliu

 Lu, nishani, selamiPresidenti: Të shembim bunkerët e krimit dhe korrupsionit, s’kanë vend në shoqërinë demokratike

Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë thirrje për largimin e të inkriminuarve nga politika. Në 24-vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, ambasadori i aleatit strategjik të Shqipërisë, Donald Lu, tha se shqiptarët duan të ndahen nga krimi e korrupsioni. “Populli shqiptar sot vazhdon të ndeshet me trashëgiminë e komunizmit. Ata duhet të luftojnë me forcat e krimit dhe të korrupsionit çdo ditë, në shkollat, bizneset gjykatat e tyre madje dhe në parlamentin e tyre. Shqiptarët janë një popull i fortë dhe ne jemi besimplotë se Shqipëria është e gatshme të përballet me këtë sfidë pa pasur frikë. SHBA beson tek Shqipëria, jo nga një parti e veçantë politike apo nga një udhëheqës të vetëm politik, por tek aftësia e shqiptarëve guximtarë për të mbështetur ndryshimin dhe për të bërë sakrificën për veten dhe fëmijët e tyre. Mbetem besimplotë se në fund të ditës pjesa më e madhe e shqiptarëve që përkrahin ndershmërinë dhe integritetin do të triumfojnë mbi ata që përkrahin krimin, korrupsionin”, – u shpreh Lu.

 

Deklaratat

Duke bërë të ditur rëndësinë e dekriminalizimit, ambasadori amerikan tha se vendi do të ketë mbështetjen e SHBA-së në këtë çështje. “Unë zotohem që shqiptarët do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e SHBA-së në këtë betejë të rëndësishme”, – deklaroi Lu. Po ashtu edhe Presidenti i Republikës, që foli dje për herë të parë publikisht pas akuzave që kanë përfshirë politikën ditën e fundit për çështjen “Doshi”, kërkoi jo vetëm dekriminalizimin e saj, por edhe shmangien presionit mbi drejtësinë. “Duke iu referuar marrëveshjes së fundit mes palëve, partitë duhet largojnë pa ekuivok individët e përfshirën në veprimtari kriminale, të vendosin një barrierë që këta elementë të mos jenë pjesë e Kuvendit apo Administratës. Këta njerëz duhet të përballen vetëm më ligjin. Sfida jonë sot është të shembim bunkerët e krimit dhe korrupsionit, bunkerët e rinj, që vendosen kundër popullit dhe kundër partnerëve strategjikë, i bëj thirrje klasës politik e të gjithë shoqërisë se kanosja e krimit dhe korrupsionit nuk duhet të gjej vend e jo më strehim në shoqërinë e lirë e demokratike si duam ta shndërrojnë ne vendin”, – pohoi kreu i shtetit në diskutim e djeshëm për 24 vjetorin e partneritet strategjik SHBA-Shqipëri, ku ishin të ftuar diplomatë, deputetë, dhe një sërë personalitetesh të larta. Ndërkaq deputeti demokrat Eduard Selami tha se në raportet mes dy vendeve ka ende punë për të bërë. “Ka shumë fjalë në politikë për pro amerikanizëm por pak veprime pro amerikane. S’mund të jesh dhe pro amerikan dhe të jesh i korruptuar. Kaq e thjeshtë është. S’mund të jesh dhe pro amerikan dhe të thyesh ligjin. Kaq e thjeshtë është. Kështu që në këtë aspekt… We have a long way to go… Edhe në këtë duhet shumë punë”. Më 15 mars 1991, Shqipëria dhe SHBA rivendosëm marrëdhënies mes tyre pas një periudhe 52 vjeçare. Dita e djeshme shënoi 24 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë e SHBA-së, ku mes dy shteteve ka rreth 24 traktate dhe marrëveshje në fusha të ndryshme si drejtësi e polici, ekonomi, transport, siguri dhe mbrojtje dhe kulturë.

 

 Komisioni i Ligjeve pa kuorum/ Kodi Zgjedhor nuk kalon në Kuvend. S’pranohet rritja e kuotave të grave për zgjedhjet parlamentare

Kodi Zgjedhor, me ndryshimet e fundit, nuk mundi të kalonte dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, për shkak të mungesës së kuorumit. Largimi i opozitës nga mbledhjet e Komisionit që prej hapjes së çështjes “Doshi”, por dhe braktisja e punimeve nga disa prej deputeteve të vetë mazhorancës, bëri që votat për ta kaluar ligjin, të mos mjaftonin. Ndryshimet e hartuara nga një grup deputetësh parashikojnë rishpërndarjen e ZAZ-ve ose vendnumërimeve të votave sipas ndarjes së re territoriale, ku në total do të jenë gjithsej 90 të tilla. Po ashtu u përcaktua që për bashkitë e vogla të mos ketë më 5 tavolina numërimi votash, por 3. Ndërsa për Tiranën nuk do të votohet më me 4 kuti, por vetëm me dy si në gjithë pjesën tjetër të republikës. Pavarësisht largimit të opozitës, kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj njoftoi se pas konsultave me Oerd Bylykbashin, ishte marrë dhe konsensusi i kësaj force. Nga ana tjetër, tek diskutimi për kuotat e grave vetë anëtarët e mazhorancës kishin kundërshti mes tyre, pasi kërkesa e deputeteve që parashikon 20% femra të listat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe 40% tek zgjedhjet e përgjithshme nuk u pranua. Ndonëse për 20% te zgjedhjet vendore të gjithë ranë dakord, sipas kryetarit të Komisionit Fatmir Xhafaj nuk mund të ndryshohej kuota për zgjedhjet e përgjithshme pa pasur një dakordësi mes palëve që këtë mund ta bëjë komisioni i drejtuar prej tij. Po ashtu edhe komisioni i reformës në drejtësi shihet si një mundësi për një pjesë të deputetëve të mazhorancës, për të ndryshuar sistemin zgjedhor nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

 

 Informacione mbi krimin/ “Facebook” refuzoi 75% të kërkesave të qeverisë “Rama”: Ishin të pabazuara

Për dy vite qeveria shqiptare i ka kërkuar informacion rrjetit social “Facebook” lidhur me disa çështje kriminale e ndërsa gjiganti i komunikimit ka refuzuar 75% të tyre. Sipas të dhënave të publikuara nga BIRN, qeveria e Shqipërisë ka shtuar kërkesa për informacione personale të mbajtura në llogaritë e përdoruesve të rrjetit të medias sociale “Facebook”. Autoritetet shqiptare dorëzuan në periudhën korrik-dhjetor 2014, 16 kërkesa për informacion mbi 34 llogari, por “Facebook” raportoi se ka dhënë informacion për vetëm 25 për qind të kërkesave. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2014, Shqipëria pati dorëzuar vetë, 4 kërkesa për 6 llogari “Facebook”, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit 2013, qenë dorëzuar vetëm 6 kërkesa për 9 llogari. Përgjithësisht qeveritë e të gjitha vendeve dorëzojnë kërkesa te gjigantët e internetit si pjesë e hetimeve të tyre ose në rastet kur informacioni i shpërndarë nga llogaritë e medias sociale përbën shkelje të ligjeve vendëse. “Facebook” pohon se zakonisht autoritetet kërkojnë të dhënat bazë të një llogarie të dyshuar të lidhur me një aktivitet kriminal të rëndë si grabitjet me dhunë apo pengmarrjet, përfshirë të dhënat mbi numrat e identitetit dhe vendndodhjen e pajisjeve që kanë aksesuar llogarinë. Në disa raste kërkohet fshirja e të dhënave të një llogarie apo heqja e saj nga publikimi. “Facebook” nuk bën publike kërkesat sipas llojeve, por në disa raste, kërkesat për bllokim llogarish lidhen me propagandën e grupimeve të ndryshme terroriste si Shteti Islamik. Kompanitë e rrjeteve sociale pohojnë se i kanë vlerësuar me ashpërsi kërkesat e qeverive dhe përputhjen e këtyre kërkesave me legjislacionet përkatëse. Rrjedhimisht, fakti që Shqipërisë i janë refuzuar 75 për qind të kërkesave për informacion që i kanë dërguar “Facebook”, sugjeron dobësi të bazës ligjore të këtyre kërkesave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency