Flet ish-kryeministri/ Berisha: Basha, kandidati më i mirë për Tiranën. Paditë ndaj kryebashkiakëve, hakmarrje e Ramës

0
139

Erneta Shevroja

berisha me gazetaret, foto“Po të jetë puna për korrupsion, Rama është koka e meduzës. E falënderoj, se po u jep sulmin e fundit disa socialistëve të majmur”

Ish-kryeministri Sali Berisha ripërsëriti edhe një herë se Lulzim Basha do të ishte kandidatura më e mirë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Këtë fakt, sipas tij, po e përforcon edhe zilia që ka socialisti Ben Blushi ndaj kreut aktual të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Berisha nuk tejkaloi edhe paditë që janë ngritur ndaj disa kryetarëve socialistë bashkish për shpërdorim detyre. Mendimi i ish-kryeministrit është se ndaj tyre nuk është ngritur padi për shpërdorim detyre, por për hakmarrje personale, duke shtuar me ironi se duhet falënderuar Kryeministri Rama se po heq disa socialistë të majmur. Në bashkëbisedim me gazetarët, ish-kreu i Partisë Demokratike theksoi edhe një herë idenë se vendi është në një gjendje të rëndë e për këtë arsye duhet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Ai tha se Facebook-u i tij dhe i shqiptarëve mund ta rrëzojnë qeverinë e majtë e ardhur në pushtet 18 muaj më parë. Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar drejtpërdrejt Policinë e Shtetit se zhduk dëshmitarët kyç në rastet kriminale përfshirë këtu dhe vrasjen e 4-fishtë të Konstandin Xhuvanit.

 

Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha e nisi bashkëbisedimin e tij me ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në vend dy javët e fundit, ku policë kanë goditur qytetarët. Me një fotografi në dorë të një qytetari të dhunuar, Enver Basha, për të cilin Berisha tha se ishte dhunuar nga oficerët e policisë, pasi ai ishte një nga dëshmitarët e vrasjes së 4-fishtë që kreu djali i ish-deputetes, Luzia Xhuvani, Konstandin Xhuvani. “Sot (dje) do të denoncoj barbarinë e kryer nga individë të lidhur me të gjitha lidhjet me oficerë madhorë të policisë, të kryer ndaj dëshmitarit kyç të vrasjes së 4-fishtë, Enver Bashës. Qëndrimin e mëparshëm të policisë ndaj tij unë e kam denoncuar para jush në Parlament. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Enver Basha, qytetari, dëshmitar kyç në vrasjen e 4-fishtë, i cili pasi la punën në piceri dhe po shkonte në orën 4 të mëngjesit në shtëpinë e tij, u bë dëshmitar i një skene tragjike. Ai konstatoi se trupin e Arbër Demirajt e përplasën në një anë të rrugës dhe nuk e transportuan në spital. Konstatoi se në prani të tij, polici i tha: ‘Ik, zhduku’ vrasësit Xhuvani”, – tha Berisha. Pas këtij rasti, Berisha renditi edhe disa raste të dhunës që ushtrojnë forcat e policisë ndaj qytetarëve, ku disa prej tyre janë bërë publike nga televizionet.

 

Kandidimi i Bashës

Lulzim Basha është kandidati më i mirë për Bashkinë e Tiranës, por do të jetë ai vetë që do ta vendosë këtë. “Lul Basha pa diskutim që është kandidati më i mirë për atë bashki dhe dëshmia tjetër ishte zilia e Blushit ndaj tij. Kush e pyeti atë e patë se si doli zilia. A do të kandidojë apo jo e vendos vetë ai. Të dy vendimet mund t’i marrë në mënyrë të paqortueshme”, – u shpreh Berisha, duke vijuar se të vjetrit nuk janë përjashtuar. “Nuk besoj se të ketë shprehur ndonjëri dëshirën për të kandiduar”, – tha Berisha.

 

Paditë ndaj socialistëve

Sa u përket padive të ngritura ndaj disa kryetarëve bashkish të majtë, Berisha u shpreh skeptik lidhur me arsyen e padive. “A janë këta eksponentë të korrupsionit? Këta janë pa dyshim kalorës të zinj të korrupsionit në Shqipëri. Nuk ka diskutim, por apo i heq Edi Rama për korrupsionin, në mënyrë absolute jo. Nuk ka të bëjë me luftë kundër korrupsionit. Po të jetë puna për korrupsion, Rama është koka e meduzës, hidhni sytë Tiranës. Betonizimi i Tiranës është krimi i shekullit. 400 leje dertimi asnjë garazh poshtë. Shqiptarët do të ishin me biçikleta, sipas tij. Tani bërtet për krime. Shkoni dhe shikoni Gjushin e Durrësit. Mbi Lagunën e Karavastasë ndërtuar lokali. Zona më e mbrojtur. Nuk ka çështje korrupsioni, ka çështje hakmarrje personale. Për këtë e falënderoj, se po u jep sulmin e fundit disa socialistëve të majmur”, – u shpreh ish-kreu i demokratëve.

 

Zgjedhjet e parakohshme, protestat

Ish-kryeministri Berisha ripërsëriti edhe një herë idenë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme. “Kam bindjen më absolute, siç po shihet, situata po përkeqësohet gjithnjë e më shumë”, – tha Berisha. Ai tha se vetëm Facebook-u e rrëzon qeverinë. “U është dhënë urdhër pronarëve të mediave që statuset e Berishës të mos duken më as në lajme dhe as në me germa në mediat tuaja, çka më bind mua që do të jetë Facebook-u që do ta rrezojë Edi Ramën. Kur arrin të censurojë Facebook-un tim, të cilin unë punoj me shumë kujdes dhe nuk përgënjeshtrojnë kurrë asnjë status. Imagjino çfarë bëjnë ata me zërin e qytetarëve. Por Facebook-u do ta rrezojë atë”, – deklaroi Berisha.

 

PD kërkon heqjen e mandatit të Kokëdhimës. Reagimi i deputetit të PS-së

Partia Demokratike kërkoi dje përfundimin para kohe të mandatit të deputetit socialist, Koço Kokëdhima, me arsyetimin se ku i fundit ka përfituar të paktën 150 herë fonde publike nëpërmjet kompanisë që ofron shërbimin e internetit “Abissnet”. “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike sapo ka dorëzuar kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, bazuar në Kushtetutën e vendit”, – tha deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, nga Kryesia e kuvendit. “Ekspertët e departamentit të antikorrupsionit kanë bërë hetime të hollësishme në Thesarin e Shtetit nga ku ka rezultuar se ‎janë të paktën 150 raste të kalimit të parave në llogaritë e deputetit Kokëdhima”, – vijoi Tabaku.

 

Reagimi i Kokëdhimës

Këtë akuzë të Partisë Demokratike deputeti i PS-së, Kokëdhima, e cilësoi shpifje ndaj personit të tij. Ai sqaroi se nga muaji shkurt i vitit të kaluar nuk është më pronari i kompanisë, nga e cila PD akuzoi se ka përfituar. “Nga muaji shkurt i vitit 2014, nuk kam asnjë lidhje me kompaninë “Abissnet sh.a”. Nga data 6.2.2014, i kam shitur të gjitha aksionet që kam pasur në këtë kompani”, – reagoi deputeti nëpërmjet një shënimi në Facebook. Kokëdhima u shpreh i gatshëm të ofrojë çdo dokument apo sqarim që do të kërkojë Parlamenti nga ana e tij për pretendimet e opozitës. “Jam i hapur për çdo pyetje, sqarim, dokument dhe çështje në interes të opinionit publik. Gjithashtu jam i hapur ndaj çdo procedure që do të gjykojë të arsyeshme Parlamenti i Republikës së Shqipërisë”, – përfundoi reagimin e tij deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency