Vendimi/ Aksidenti i Çim Pekës, Gjykata, “Arrest me burg” për Pelushin

0
158

Çim PekaVendimi i komunikohet në Spitalin e Traumës. Kundërshton avokati: Aksidentin e shkaktoi Çim Peka, ekspertizë e njëanshme, do të apelojmë

Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg ditën e djeshme drejtuesin e mjetit, i cili u përplas me makinën e gazetarit Çim Peka dhe për pasojë mbeti e vdekur në vend vajza e ish-ambasadorit tonë në Itali, Llesh Kola, Fleura Kola. Vendimi për caktimin e masë së sigurimit personal dhe vlerësimin e arrestit në flagrancë u dha nga gjyqtarja Manjola Osmani në Spitalin e Traumës, ku aktualisht ndodhet shtetasi Emiliano Pelushi që nga mbrëmja e datës 19 shkurt, kur ndodhi edhe aksidenti. Sipas Prokurorisë, e cila i kërkoi Gjykatës arrest me burg, Pelushi ka shkelur rregullat e qarkullimit, duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara, ka konsumuar alkool më tepër se sasia e lejuar me ligj nga 0.5% që është sasia e lejuar në 0.7%. Ekspertiza gjithashtu saktëson se, Emiljano Pelushi po qarkullonte me shpejtësi 100 km/orë në një rrugë ku shpejtësia maksimale e lejuar ka qenë 30 km/orë, ndërsa gazetari Çim Peka po lëvizte me shpejtësi 20 km/orë. Drejtuesi i “Audi”-t me targë AA 566 HT që përplasi makinën “Mercedes-Benz CLS” me targa AA 099 GB të gazetarit Çim Peka ku udhëtonte dhe vajza e ish-ambasadorit në Romë, Kola, e ka anashkaluar totalisht tabelën që përcaktonte kufirin e shpejtësisë.

 

Avokati

Por ndryshe shprehet avokati i të pandehurit Emiljano Pelushi, i cili akuzohet për dy vepra penale, neni 290 dhe 291 i Kodit Penal. Për njërën nga veprat penale rrezikon dënimin nga dy deri në dhjetë vite burg dhe për tjetrën nga 10 ditë deri në tri vite burg. Vladimir Germenji deklaroi se klienti i tij është e vërtetë që kishte konsumuar alkool por nuk është shkaktar i aksidentit. Ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen Kola, avokati i Emiljano Pelushit hodhi akuza ndaj Prokurorisë se po bën hetime të njëanshme për të penguar të vërtetën. Sipas avokatit Vladimir Germenji, klienti i tij nuk është shkaktar i aksidentit, por gazetari Çim Peka, i cili drejtonte automjetin ku ndodhej dhe 29-vjeçarja Fleura Kola. Avokati Germenji paralajmëroi se masa e sigurisë arrest me burg do të apelohet për të kërkuar lirinë e Emiljano Pelushit. I riu u arrestua një ditë pas aksidentit pasi sipas hetimeve, drejtonte makinën në gjendje të dehur dhe ecte me 80 km në orë kur tabela e kufizonte shpejtësinë në 30 km në orë. Sipas tij, gazetari Çim Peka ka shkelur rregullat e qarkullimit duke kaluar vijën ndarëse të parakalimit dhe duke u futur në korsinë e kundërt nga ku vinte makina e Emiljano Pelushit. Aty ka ndodhur përplasja ku më tej makina e Pekës është përplasur me bordurën anësore të rrugës duke u kthyer përmbys. Ndërsa pas përplasjes, sipas avokatit, “Audi” që drejtonte Pelushi ka dalë jashtë rrugës.

 

Deklarata

“Prokurori nuk e kundërshtoi, kjo flas as me një akt ekspertimi, pavarësisht se kishte bërë vendimin e ekspertimit. Nuk e kundërshtoi faktin që Peka, Benzi i drejtuar nga Peka ka dalë nga korsia e tij dhe ka kaluar në korsinë ku drejtonte mjetin Emiljano Pelushi. Pra, shkaku që solli aksidentin nuk është klienti im Emiljano Pelushi, por është drejtuesi i mjetit “Benz” i cili është përplasur kokë më kokë, sikur më tha edhe vetë i dyshuari Emiljano Pelushi i cili tha se kishte parë vetëm dritat e një makinë dhe goditjen e madhe që ka pësuar”, – u shpreh avokati Germenji pas seancës së mbajtur në spital.

 

 Shkodër/ Rilidhi energjinë, Gjykata liron nga burgu babain e 7-vjeçarit të sëmurë

Naim Dyli nga Guri i Zi, i cili u arrestua për rilidhje të energjisë për t’i ardhur në ndihmë djalit 7-vjeçar, është liruar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër. Gjykatësi Sokol Shehu ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin dhe ka shpallur masën e sigurisë detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore ndaj 39-vjeçarit Naim Dyli si dhe ka urdhëruar Prokurorinë e rrethit Shkodër dhe Policinë Gjyqësore për ekzekutim të menjëhershëm të këtij vendimi. Prokurori i çështjes, Vat Staka, ka kërkuar shpalljen e ligjshëm të arrestimit nga ana e policisë dhe ka kërkuar caktimin e masës arrest me burg. I arrestuari Naim Dyli është paraqitur para Gjykatës dhe ka preferuar të mbrohet nga avokati Artan Lika. Në cilësinë e palës mbrojtëse, Lika tha se është dakord me vlerësimin e ligjshëm të arrestimit, ndërsa kërkoi një masë më të butë sigurimi dhe u shpreh dakord me kërkesën e prokurorit për gjykim të drejtë për drejtë. Naim Dyli është arrestuar në 19 shkurt 2015 pasi ka rilidhur energjinë elektrike, me qëllim që t’i vinte në ndihmë djalit të tij 7-vjeçar Eglison Dyli i cili vuan nga astma akute dhe ka nevojë për oksigjen. Naim Dyli, sipas OSHEE-së Shkodër, është debitor me rreth 10 milionë e 600 mijë lekë të vjetra. Seanca e radhës gjyqësore do të mbahet më 9 mars 2015.

 

Peqin/ Makina përplaset me karburantin, digjet plotësisht

 Një makinë është përplasur me një karburant në Peqin, duke sjellë djegien e mjetit. Në fshatin Bishqem të Peqinit, 24-vjeçari E. S., duke drejtuar mjetin tip “BMW” veturë, me targa BN 517 PN, ka humbur kontrollin e drejtimit dhe është përplasur në pikën e shitjes së karburantit në pronësi të shtetasit A. S.,banues në fshatin Bishqem. Sipas policisë, si pasojë e përplasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme është djegur plotësisht mjeti si dhe disa pajisje të pikës së karburantit. 24-vjeçari po procedohet penalisht në gjendje të lirë, ndërsa lidhur me këtë ngjarje materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor dhe shkatërrim i pronës nga pakujdesia”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency