Procesi/ Dhuna ndaj Strazimirit, Gjykata rrëzon Ndreun, merr si provë videon

0
112

Dhuna ndaj StrazimiritDëshmojnë në seancë deputetët e mazhorancës Armando Prenga dhe Parid Cara. Dhuna, sipas tyre, ishte pasojë e fjalorit denigrues të Strazimirit në Kuvend

Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e deputetit të majtë Pjerin Ndreu për të deklaruar të pavlefshme videon, e cila regjistroi konfliktin e ndodhur në korridoret e Parlamentit dhe dhunën e ushtruar ndaj deputetit të djathtë Gent Strazimiri. Ndërkohë, po dje gjatë seancës u vendos të administrohej si provë edhe vendimin e drejtësisë italiane për deputetin Arben Ndoka, i gjykuar për një vepër kriminale në shtetin fqinj. Në seancën e djeshme gjyqësore Kolegji Penal dëgjoi në cilësinë e dëshmitarëve dy deputetët Armando Prenga dhe Parid Cara. Ata folën para trupit gjykues për atë çfarë kishin dëgjuar e parë në seancën parlamentare të 10 korrikut të vitit të kaluar. Në dëshminë e tij deputeti Prenga tha se gjatë fjalimit në Kuvendin e Shqipërisë, Strazimiri ka fyer deputetët, duke u bërë shkak për nxitjen e dhunës. Sipas tij, fjalimi i tij ishte denigrues për të gjithë deputetët. Ai tha se pas fjalimit ka dëgjuar Strazimirin të bërtiste në korridoret e Kuvendit. Ndërkohë, deklaroi se nuk kishte parë deputetin Pjerin Ndreu të qëllonte Strazimirin.

 

Deklarata e Ndokës

“Unë kërkoj falje publike lidhur me ngjarjen. Nuk do të doja kurrë që të ndodhte një gjë e tillë. Por këto gjëra ndodhin. Këto lloj episodesh kanë ndodhur në të gjithë parlamentet e Evropës, në të gjitha legjislaturat e Parlamentit shqiptar, gjithashtu edhe në parlamentet e Ballkanit. Deputeti Strazimiri ka qenë protagonist i disa konflikteve fizike në ambientet e brendshme të Parlamentit dhe Kryesisë së Kuvendit njëkohësisht me disa deputetë të tjerë. Absolutisht nuk jam dakord me kualifikimin ligjor të aktit nga ana e Prokurorisë, gjithsesi mbetet në vlerësimin e Gjykatës. Le të vazhdojnë të përdorin dokumente selektive ashtu siç i kanë përdorur gjatë gjashtë muajve”. Por ndërsa u shpreh për aktin e shëmtuar të Parlamentit, Ndoka nuk ishte aspak dakord me mënyrën se si po procedohej për administrimin e provave. Sipas tij, aktet e paraqitura nga e djathta nuk mund të shërbejnë si provë. Edhe avokati i të akuzuarit tjetër për të njëjtën ngjarje, Pjerin Ndreu, kërkoi që Gjykata të deklaronte të pavlefshëm videon e regjistruar. Por kjo ishte një kërkesë për të cilën Gjykata tha se nuk mund të merrej në konsideratë, për aq kohë sa ato plane tregojnë qartë dhunën e ushtruar.

 

Oerd Bylykbashi

“Ajo që doli e qartë nga dëshmitë që u paraqitën është se goditja e deputetit Strazimiri është bërë për shkak të detyrës. U rrëzua çdo tentativë e avokatëve dhe atyre deputetëve që duan të bëjnë avokatin e asaj ngjarjeje kriminale që ndodhi në Parlamentin e Shqipërisë, për të fshehur para drejtësisë atë që kanë parë me sytë e tyre të gjithë shqiptarët”. Hetimet ndaj dy deputetëve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu nisën pas kallëzimit të grupit parlamentar të PD-së me 14 korrik në Prokurorinë e Përgjithshme. Në këtë kallëzim thuhet se në 10 korrik 2014 në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, dy deputetët socialistë goditën për shkak të detyrës deputetin demokrat, Gent Strazimiri, pas deklaratave të tij se deputetë të dënuar nga Gjykata ushtrojnë detyrën në Kuvendin e Shqipërisë.

 

 Vlorë/ Kryebashkiaku Gjika lë spitalin, i drejtohet Prokurorisë

Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, gjatë paradites së djeshme ka lënë spitalin dhe është paraqitur në Prokurorinë e Vlorës për të firmosur procesverbalin. Por Gjika nuk ka qëndruar më shumë se 20 minuta në Prokurori. Vajtja e tij në institucionin e akuzës vjen si detyrim pas caktimit të masës së arrestit nga Gjykata në ambientet e spitalit. Mësohet se Gjika nuk ka pranuar të japë shpjegime për akuzat. Kjo seancë, sipas kryeprokurorit të Vlorës, do të kryhet në një tjetër moment. I akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve për ndërtimin e një pallati 11-katësh në Vlorë dhe pengim të hetimit, Gjika u arrestua më 6 shkurt 2015. Gjykata dha masën e arrestit detyrim me paraqitje, duke e argumentuar me gjendjen e tij shëndetësore. Por ky vendim është apeluar nga prokuroria. Këtë javë pritet që Gjykata e Apelit në Vlorë të caktojë seancën për ndryshimin ose jo të masës së sigurisë për Gjikën. Më 13 shkurt 2015 Prokuroria e Vlorës ka dorëzuar në Gjykatën e Apelit kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë. Sipas Akuzës Gjykata ka mbajtur qëndrime të ndryshme për raste të njëjta gjatë pyetjes së të arrestuarve duke lënë të lirë Gjikën dhe duke mbajtur në arrest me burg biznesmenin Artur Haxhi dhe shefen e Urbanistikës, Doriana Sulaj.

 

Durrës/ Konflikt me të shtëna armësh në zyrat e ALUIZNI-t, në kërkim autori

Një konflikt mes dy personave ka përfunduar me të shtëna armësh. Ngjarja ndodhi në ambientet e ALUIZNI-t në Durrës. Sipas një njoftimi të policisë, dy persona pasi janë konfliktuar fillimisht me grushte pas një konflikti të çastit, njëri prej tyre e pikërisht shtetasi Fabian Gashi ka marrë goditje në fytyrë. Kaq është dashur që ngjarja të degjeneroj me armë zjarri. Autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas ngjarjes pati prani të madhe të uniformave blu. Ndërsa një grua u dërgua me urgjencë në spital, për shkak të tronditjes që pësoi nga e shtëna me armë. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes pranojnë se kanë dëgjuar të shtëna por thonë se nuk kanë parë më shumë. Ndërkohë kreu i ALUIZNI-t Flamur Gjuzi përmes një deklarate për mediat saktësoi se ngjarja kishte ndodhur në oborrin e Prefekturës. “Dy personat do hynin në institucion. Ngjarja ndodhi në oborrin e prefekturës dhe jo në zyrat e ALUIZNI-t”, – tha ai duke shtuar se më pas puna vijoi normalisht.

 

Vendimi/ Vrasja e Lamajt, Gjykata, eksperiment për të saktësuar akuzën

Gjykata e Krimeve të Rënda nesër pritet të kryej eksperimentin e parë në llojin e tij për të saktësuar rrugën dhe kohën që i është dashur të pandehurit Arben Frroku të largohet nga Tirana deri në kufirin me Greqinë, pasditen e 24 shkurtit 2013, kur u vra kryekomisar Dritan Lamaj. Avokatët dhe prokurorët do të jenë të pranishëm në një seancë gjyqësore, e para për nga lloji i saj, e cila do të zhvillohet në terren. Një makinë e ngjashme me atë të të pandehurit Frroku do të niset në orën dhe në vendin ku u krye vrasja e komisar Dritan Lamajt dhe më pas do të ndiqet itinerari që ai pretendon se ka kryer ditën e vrasjes. I pandehuri Frroku nuk e ka pranuar akuzën e vrasjes. Alibia e tij është se vetëm pak minuta pas vrasjes e të ndjerit Dritan Lamaj, ai ndodhej në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, me destinacion shtetin grek. Por dëshmitarë të akuzës thonë se ata kanë parë në vendin e krimit të pandehurin. Dilema e Gjykatës nëse Frroku ka qenë dhe është larguar për pak orë nga vendi i krimit me makinën e tij duket se do të zgjidhet pas kësaj prove hetimore. Pas shumë kohësh, Instituti Meteorologjik ka kthyer një përgjigje për llogari të Gjykatës, ku përcakton se kushtet meteorologjike në datën 25 shkurt janë të favorshme dhe të ngjashme me ato të ditës kur u krye vrasja e komisarit Lamaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency