SHBA: Çmimi për Rusinë mund të rritet

0
138

Samantha PowerShtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë për shkelje të Marrëveshjes së Minskut. Edhe pse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar njëzëri rezolutën e hartuar nga Rusia për të zbatuar traktatin për armëpushim, të arritur javën e kaluar, ambasadorët kanë shkëmbyer fjalë të ashpra mes njëri-tjetrit. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power, ka thënë se mirëpret marrëveshjen, porse Rusia duhet të dëshmojë angazhimin e saj për paqe.

“Ndaloni armatosjen e separatistëve. Ndaloni dërgimin e qindra armëve të rënda përtej kufirit, ashtu si edhe të trupave. Ndaloni të pretendoni se nuk jeni duke bërë atë që po bëni”, – ka thënë Power. Sipas saj, “Rusia nënshkruan marrëveshje dhe pastaj bën gjithçka të mundur për t’i minuar ato; Rusia mbron sovranitetin e vendeve dhe pastaj vepron sikur kufijtë e fqinjëve nuk ekzistojnë”.

Power ka thënë se është “ironike” që Rusia ka hartuar rezolutën, por, në anën tjetër, mbështet sulme të gjithanshme në Ukrainë. Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, i ka cilësuar si “fyese” komentet e koleges amerikane. “Që nga fillimi i krizës, Rusia ka bërë thirrje në mënyrë aktive për zgjidhje paqësore, përmes dialogut gjithëpërfshirës e transparent midis të gjitha palëve në konfliktin e brendshëm të Ukrainës”, – ka thënë Chrukin. Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se “çmimi për Rusinë do të rritet, nëse vazhdon të shkelë marrëveshjen”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Biden, pasi ka biseduar në telefon me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, ka dënuar ashpër “shkeljen e armëpushimit nga forcat separatiste që veprojnë së bashku me forcat ruse, në dhe përreth qytetit Debaltseve”.

Poroshenko, pas një bisedë telefonike me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, ka thënë se sulmi i rebelëve në Debaltseve është një “sulm cinik” mbi armëpushimin dhe ka bërë thirrje për përgjigje më të ashpër ndërkombëtare kundër “veprimeve tradhtare të rebelëve dhe Rusisë”. Vëzhguesit ndërkombëtarë që monitorojnë armëpushimin, nuk janë lejuar të hyjnë në Debaltseve.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency