Dokumenti i Ministrisë për reformën në drejtësi/ Mazhoranca kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të 2008-ës: Presidenti, jo më kryetar i KLD-së

0
128

Drafti i Naços në komisionin për reformën: Zgjedhja e Presidentit, me shumicë të cilësuar në të 5-ta raundet

komisioni i reformes ne drejtesi Ministria e Drejtësisë, përmes një dokumenti analitik, propozon ndryshimin e Kushtetutës së vendit, duke shfuqizuar ndryshimet e amenduara në vitin 2008 me konsensus mes PD-së dhe PS-së. Po ashtu, në draftin e paraqitur në komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi, Ministria kërkon edhe rishikimin e kompetencave të Presidentit, duke propozuar që kreu i shtetit të mos jetë më kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Po ashtu, lidhur me Presidentin, Ministria ka propozuar që ai të zgjidhet me shumicë të cilësuar në të gjitha raundet e votimit, pra siç ka qenë para vitit 2008 ose mundësinë e zgjedhjes së tij nga populli.

 

Dokumenti

Sipas dokumentit të Ministrisë së Drejtësisë, Presidenti i Republikës nuk duhet të jetë më kryetari i KLD-së. Duke e përfshirë këtë pjesë tek propozimet për ndryshimet e Kushtetutës, ministri propozon edhe reduktim të kompetencave të kreut të shtetit. “Amendimi i Kushtetutës mund të jetë një mundësi e mirë për të rishikuar disa nga kompetencat që Presidenti i Republikës ushtron me organe të tjera. Për shembull, qenia kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjithashtu kompetenca për të emëruar gjyqtarët, pavarësisht faktit se nuk voton në mbledhje. E njëjta kompetencë vlen edhe për emërimin e prokurorëve, edhe pse Presidenti nuk është në krye të Këshillit të Prokurorëve. Përderisa kemi një President joqeverisës dhe një gjyqësor të pavarur a është i nevojshëm drejtimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga Presidenti i Republikës?”, – thuhet në dokumentin e Ministrisë. Duke mbetur në këtë kontekst, Ministria e Drejtësisë në propozimet e saj bën të ditur edhe argumentet se pse Kushtetuta e vendit duhet ndryshuar. Sipas Ministrisë, ligji themeltar i vendit lë hapësira dhe mangësi që kanë lënë vend për keqinterpretime. “Gjatë këtyre viteve janë vërejtur kriza sistematike në raportet mes Parlamentit dhe prokurorit të Përgjithshëm në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, vështirësitë e përsëritura në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, paqartësitë në lidhje me të drejtën e Parlamentit për të ushtruar kontroll përmes komisioneve hetimore”, – bën të ditur dokumenti, i cili njëkohësisht e cilëson si domosdoshmëri ndryshimin e formës së zgjedhjes së Presidentit, duke kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve të 2008-ës dhe rikthimin e shumicës së cilësuar në të 5-ta raundet e votimit. “Amendamentet e prillit 2008 duhet të rishikohen, me qëllim që të korrigjohen efektet e pamenduara anësore që krijuan ndryshimet në formulën e zgjedhjes së Presidentit dhe në mekanizmin e votëbesimit të qeverisë”, – theksohet në dokument. Ky i fundit mbështetet në 6 shtylla kryesore, të cilat janë: Ndryshimi i Kushtetutës, reformimi i Gjykatës së Lartë dhe i Gjykatës Kushtetuese, reformimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, reformimi i Prokurorisë dhe i Policisë Gjyqësore, reformimi i Shkollës së Magjistraturës dhe i arsimit juridik, reformimi i avokatisë, reformimi i profesioneve të lira në sistemin e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Dokumenti i Ministrisë së Drejtësisë i është paraqitur komisionit të posaçëm parlamentar për këtë reformë, në të cilin deri më tani opozita ende nuk ka marrë pjesë. Edhe pse mazhoranca ka rrëzuar kërkesat e saj për bashkëkryesim, numër të barabartë anëtarësh dhe veto, duket se opozita do t’i bashkohet punës së komisionit. Ndërkaq, demokratët nuk kanë ngurruar të shprehin më parë kritika për emrat e ekspertëve të përzgjedhur nga komisioni, gjë e cila duket se do të ripërsëritet edhe për dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë, i cili atakon ndryshimet kushtetuese të bëra me konsensus mes palëve në 2008-ën si dhe redukton kompetencat e kreut të shtetit.

 

 Në Urën Vajgurore/ Faza e tretë, Rama: Dëmshpërblim i banorëve për gjënë e gjallë dhe prodhimin e humbur

Kryeministri Edi Rama ishte dje në Urën Vajgurore, ku inspektoi procesin e shpërndarjes së ndihmave për banorët e prekur nga përmbytjet e lumit Osum. Në këto takime, kreu i qeverisë pohoi se faza e dytë ka përfunduar me sukses dhe se do të nisë faza e tretë që ka të bëjë me dëmshpërblimin e banorëve, kryesisht në gjënë e gjallë dhe prodhimin e humbur. “Kemi filluar komunikimin me BB ashtu si dhe me partnerë të tjerë qysh në ditë e parë. Me plotësimin e nevojave të fazës së dytë, hyjmë në fazën e tretë që është faza ku financimet e qeverisë, BB dhe partnerëve të tjerë do bëjnë të mundur zëvendësimin e krerëve të humbur, mbështetjen e atyre që kanë humbur prodhimin dhe rikuperimin e një pjesë të madhe të infrastrukturës prodhuese që është asgjësuar në zonat e përmbytura dhe do të bëjnë të mundur që ashtu siç i takon një qeverie dhe shoqërie të përgjegjshme të dalim nga kjo krizë më të fortë sesa ishim para se kjo krizë të na prekte”, – tha Rama. Nga ana tjetër, Kryeministri nuk ngurroi të rikthente kritikat për opozitën, duke e cilësuar menaxhimin e situatës aktuale nga qeveria si të mirëkoordinuar. “Praktikisht kemi sistemuar në mënyrë shembullore të gjithë mekanizmin dhe ky mekanizëm ndihme i mirëkoordinuar po funksionon krejt normalisht, duke bërë që çdo familje e përmbytur, çdo familje e prekur nga përmbytjet të marrë drejtpërdrejt ndihmën, duke i dhënë fund asaj epoke ku grumbulloheshin të tërë te një kamion që nuk dihej nga vinte, nuk dihej kujt i jepte ndihmën, nuk dihej se sa linte dhe sa merrte me vete”, – deklaroi ai.

 

Kushtetuesja: Pezullohet ligji për karrierën ushtarake

Gjykata Kushtetuese bëri të ditur dje se ka pranuar kërkesën e Presidentit të Republikës për të pezulluar nenin 25/3 dhe nenin 26/4 të ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në forcat e armatosura në Republikën e Shqipërisë. Këto dy nene ndryshuan mënyrën e nxjerrjes në rezerve ose në lirim të oficerëve me gradë madhore. Në ligjin e vjetër, nxjerrja në rezervë ose në lirim e oficerëve me gradë madhore behej me dekret të presidentit ndërsa me ndryshimet që i bëri shumica këto lëvizje mund të kryheshin me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes. Por, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar që këto dy nene të pezullohen deri në një vendim përfundimtar të saj. Sipas presidentit kjo formë e përcaktuar në ligj tejkalon dhe uzurpon funksionin kushtetues të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave te Armatosura. Në relacionin e tij presidenti nënvizonte se çdo kompetencë e rregulluar me ligj, dhe e konsoliduar me një eksperiencë 10-vjeçare, mund t’i hiqet Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm, vetëm atëherë kur ato vijnë në kundërshtim me Kushtetutën.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency