Miratohet vendimi/ Si do të funksionojnë varrezat private në Shqipëri

0
168

Subjektet pas plotësimit të dokumentacionit tekniko-ligjor, aplikojnë pranë njësisë së qeverisjes vendore përkatëse, ku kërkohet të zhvillohet aktiviteti
varrezat private

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për funksionimin e varrezave private në Shqipëri. “Përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për varrezat private, të cilat ngrihen nga subjekte private, mbi troje në pronësi të tyre ose në troje në pronësi shtetërore, a të njësisë bazë të qeverisjes vendore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ngritja e varrezave private bëhet me miratim të këshillit të njësisë bazë të qeverisjes vendore dhe/ose të Këshillit të Ministrave. Subjekti privat ushtron veprimtarinë e tij në bazë të marrëveshjes së lidhur, sipas rastit, me kryetarin e njësisë së qeverisjes vendore ose ministrin përgjegjës për çështjet e planifikimit urban, në përputhje me ligjin nr. 9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, dhe rregullat e miratuara me vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 29.10.2014, “Për miratimin e rregullores “Për administrimin dhe funksionimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, dhe nr. 712, datë 29.10.2014, “Për miratimin e rregullores teknike “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, – thuhet në vendimin e qeverisë.

Privatët

Subjektet private të interesuara për ngritjen e varrezave private duhet të plotësojnë këto dokumente: Kërkesë me shkrim të drejtuesit ligjor të shoqërisë, për leje, ku të përcaktohen emërtimi, vendndodhja, adresa e plotë, drejtuesit ligjorë e teknikë të shoqërisë. Dokumenti origjinal ose kopja e noterizuar e ekstraktit të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (dokument i lëshuar nga QKR-ja jo më parë se 1 muaj nga aplikimi). Vetëdeklarim i drejtuesit/drejtuesve ligjor/ë mbi gjendjen e tij në lidhje me organet e prokurorisë dhe gjykatës. Vërtetim nga organet tatimore për shlyerjen nga shoqëria të të gjitha detyrimeve tatimore, kur është shoqëri në aktivitet. Kërkesë për t’u pajisur me leje zhvillimore, përfshirë të gjithë dokumentacionin përkatës, duke u mbështetur në ligjin 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe aktet nënligjore të tij, si edhe në vendimin nr. 712, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores teknike “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë””. Dokumenti i vërtetimit të aftësisë së ushtrimit të aktivitetit, bazuar në aktet nënligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë. Dokumentacionin që garanton mbrojtjen e biznesit nga falimenti dhe rregullon vazhdimësinë e aktivitetit. Subjektet e interesuara, pas plotësimit të dokumentacionit tekniko-ligjor, aplikojnë pranë njësisë së qeverisjes vendore përkatëse, ku kërkohet të zhvillohet aktiviteti. Njësia e qeverisjes vendore, pas kontrollit për plotësimin e dokumentacionit dhe kërkesës për leje, përcjell, brenda afateve ligjore, një kopje të dosjeve fituese, të cilat e kanë të plotë dokumentacionin tekniko-ligjor, pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Rikthimi te Akademia/ Reformë e dështuar me qendrat shkencore

Qendrat e kërkimit shkencor pranë universiteteve kanë dështuar. Puna kërkimore që bëhet nga studiuesit në institucionet e arsimit të lartë është larg parametrave të një studimi shkencor. Pedagogët duhet të merren me mësim në auditorë dhe studiuesit me kërkim shkencor. Kështu shprehet kryetari i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti, i cili thotë se po diskutohet që këto qendra t’i rikthehen Akademisë. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Medias dhe Arsimit për punën e Akademisë gjatë vitit që lamë pas. “Reforma e viteve 2006-2007 e shkëputjes së instituteve nga sistemi i Akademisë ka qenë pa rezultat, nuk e ka justifikuar veten dhe mendohet në variantin e paraqitur të kthehet në linjën themelore struktura që ka qenë në vitin 2005-2006. Domethënë, Akademia e Shkencave të jetë me institute të dy seksioneve, seksion të shkencave natyrore dhe atyre shoqërore. Kjo ndarje, kjo punë pedagogjike, shkencore na ka lënë pa punë të mirë shkencore, por punë të mirë pedagogjike”, – tha Muzafer Korkuti, kryetar i Akademisë së Shkencave. Reforma e vitit 2006-2007 bëri që Institutet e Shkencave Albanologjike të grumbulloheshin në Qendrën e Studimeve Albanologjike, ndërsa institucionet e shkencave teknike e natyrore u tjetërsuan dhe u përfshinë në Universitet. Numri i punonjësve u shkurtua në më shumë se 40%, ndërsa u vendos si kriter që akademikët mbi 75 vjeç duhej të dilnin në pension dhe të shkëputeshin nga kërkimi shkencor.


Përmbytjet/ Mbyllen 8 shkolla në Jug të vendit

Tetë shkolla në Jug të vendit ndodhen nën ujë, ndërsa disa të tjera janë krejtësisht të izoluara si pasojë e bllokimit të rrugëve nga vërshimi i lumenjve dhe përrenjve. Autoritetet e Ministrisë së Arsimit deklarojnë se krahas dëmeve të mëdha financiare ka dëme edhe në dokumentacion, si regjistrat me të dhëna disavjeçare të nxënësve, dëftesa etj. “Shkollat që nuk kanë bërë mësim sot, janë shkollat Fitore dhe Bishan që janë shkolla 9-vjeçare. Shkolla Fitore ka qenë e përmbytur ndërsa Bishan jo vetëm që ka qenë e përmbytur, po llumrat e ndryshëm dhe nyjat hidrosanitare janë bllokuar dhe duke pasur parasysh numrin e madh të fëmijëve, nuk mund të realizohet procesi i mësimit, pasi ajo lidhet me probleme të tjera pastaj që mund të jenë sëmundje të ndryshme dhe epidemi. Në qarkun e Fierit, shkolla e mesme të bashkuar Povelec, komuna Dërmenas nuk po zhvillohet mësimi pasi gjithë objekti është nën ujë. Gjithashtu dhe shkolla 9- vjeçare komuna Libofshë për arsye se pikon çatia dhe krijon problematika ka mungesë frekuentimi, por po realizohet mësimi. Në shkollat Bishan, Pishë, Ferras, komuna Levan janë shkolla nën ujë”, – thotë Nora Malaj, zv.ministre e Arsimit dhe Sportit. Por situatë e vështirë në shkollat e vendit paraqitet edhe në Veri. Për shkak të reshjeve të borës në disa shkolla mësimi nuk është zhvilluar fare ose me orë të reduktuara. “Aktualisht në Qarkun e Dibrës, në Komunën Kalaja e Dodës, shkolla 9-vjeçare Plozë dhe shkolla 9-vjeçare Radomirë kanë ndërprerë procesin e mësimit për arsye të kushteve të rënduara atmosferike. Ndërsa në Komunën Lurë, është ndërprerë, pasi ka borë shumë të madhe dhe është e pamundur realizimi i procesit të mësimit. Në Malësinë e Madhe, në shkollën 9-vjeçare Vermosh, është e pamundur të vazhdojë mësimi. Në Korçë kemi shkollën 9-vjeçare në fshatin Lekaj, për arsye të një sasie shumë të madhe bore”, – thotë Malaj. Autoritetet e Ministrisë së Arsimit deklarojnë se po merren masat që nxënësit të sistemohen në shkollat e komunave më të afërta ose të gjenden ambiente të tjera.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency