Katastrofa/ Në jug, 5 mijë ha tokë nën ujë, 420 familje të evakuuara

0
117

Alma Çuka

permbytjettttt (4)Dëme të pallogaritshme. Shtëpi të shkatërruara, qindra bagëti të mbytura. Banorët japin alarmin për ndihmë. Policia njofton shpërndarjen e pakove të para me ushqim

Nata e së hënës nuk ishte aspak e favorshme për kthimin e banorëve të zonave të përmbytura në shtëpitë e tyre, ndonëse intensiteti i shirave u ul ndjeshëm. Mijëra hektarë tokë, edhe pse në 24 orë nuk pati reshje shiu, vazhdojnë të jenë nën pushtetin e ujit të lumit Vjosë, i cili u tregua i pamëshirshëm në 48 orë. Familjarë të shumtë kanë qëndruar gjatë gjithë natës së të hënës pranë banesave të tyre, duke i ruajtur ato nga ndonjë grabitje e mundshme. Në të njëjtën kohë, Ministria e Brendshme gjatë ditës së djeshme publikoi edhe statistikat e para.


Statistikat

Sipas të dhënave zyrtare, sipërfaqja nën ujë në të gjithë vendin përllogaritet në rreth 5000 hektarë. Ndërsa thuhet se janë evakuuar nga banesat e tyre 420 familje. Në zonat e përmbytura ka nisur shpërndarja e pakove me ushqime. Sipas të dhënave, 250 pako me ushqimet më të domosdoshme u shpërndanë në Novoselë të Vlorës, ndërsa 250 të tjera në Levan të Fierit. Drejtoria e Rezervave të Shtetit ka përgatitur edhe 80 pako të tjera më ushqime që u dërguan në Urën Vajgurore. Situata në qarkun e Fierit vazhdon të mbetet problematike. Të dhënat tregojnë se niveli i ujit në lumin Seman mbetet në nivel kritik. Ndërkohë, në komunat Frakull, Levan dhe Darzezë ka prani të ujit. Situata po monitorohet e po bëhen matjet e nivelit të ujërave. Në këtë zonë vazhdon të jetë prania e ujit. Bëhet me dije se nën ujë janë rreth 220 banesa. Mbetet zona më e dëmtuar pas shirave të rëna ditët e fundit. Të evakuuara janë 160 familje dhe sipërfaqe tokë të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 3500 ha.


Vlorë e Berat

Niveli i prurjeve të ujërave të lumit Vjosë ka pasur rënie. Në rrethin e Vlorës të përmbytura dhe me prani uji janë rreth 602 banesa. Janë evakuuar 200 familje. Sipërfaqe toke të përmbytura dhe me prani uji janë rreth 100 ha. Segmenti rrugor Vlorë – Selenicë është përmbytur në disa pjesë nga dalja e ujërave të lumit Vjosë. Ndërsa në rrethet Sarandë dhe Delvinë, sipërfaqe toke me prani uji janë rreth 165 ha. Gjatë 3 ditëve të fundit, në territorin e rretheve Berat, Kuçovë dhe Skrapar, kanë rënë rreth 100 mm reshje shiu çdo ditë. Prurjet e lumenjve Osum dhe Devoll kanë qenë të shumta. Për rrjedhojë, ka pasur dalje të ujërave nga shtrati i tyre, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në bashkitë Berat dhe Ura Vajgurore, si dhe në komunat Otllak, Poshnje dhe Perondi. Sipërfaqe toke të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 150 ha. Të evakuuara janë 58 familje. Biznese të përmbytura janë 1.5 ha sera. Nga rrëshqitjet e tokës janë shfaqur problem në 3 pika të segmentit rrugor Pronovik – Çorovodë.

Gjirokastër

Në zonat malore, konkretisht në komunat Zagori, Frashër dhe Kurvelesh, kanë rënë gjatë natës e deri dje në mëngjes 20 cm reshje dëbore. Qarkullimi i automjeteve për në këto komuna kryhet me zinxhirë. Sipas informacioneve të marra, niveli i ujërave të lumit Vjosë në rrethin e Tepelenës ka qenë në ulje gjatë ditës së djeshme. Segmenti rrugor nacional Tepelenë – Gjirokastër nuk ka pasur probleme nga rënia e inerteve. Sipërfaqe toke të përmbytur janë rreth 1000 ha, kryesisht në komunat Lunxhëri, Antigone, Cepo, Dropull i Sipërm, Qesarat, Krahës, Qendër dhe Fshat Memaliaj. Në fshatin Karjan të komunës Lunxhëri është çarë argjinatura e lumit Drino që rrezikon përmbytjen e mëtejshme të sipërfaqes së tokës dhe një zonë të vogël banimi.

Përmbytja, familjet ruajnë pasurinë e mbetur nga hajdutët

Ndërsa shirat e vazhdueshme të ditëve të fundit përmbytën qindra shtëpi dhe bagëtinë, e cila dimëronte në ato zona, banorët kanë qenë të detyruar të mos i braktisin banesat. Gjatë dy netëve kur përmbytja ka qenë evidente, për çdo banesë qëndronte një banor, i cili është shprehur se ishte i detyruar për të mbrojtur atë pak pasuri që mund t’i kishte mbetur pa u shkatërruar. Banorët e zonës së Novoselës dhe të Darzezës, dy fshatra të prekura më shumë, janë shprehur se kanë qëndruar gjatë gjithë natës zgjuar për të ruajtur banesat nga hajdutët. Kjo situatë, sipas tyre, mund të shfrytëzohej nga personat që njihej për të vjedhur dhe në këto kushte do të humbnin edhe atë pak mall që mund të kishte shpëtuar nga vërshimi i ujit. Disa prej banorëve janë shprehur se kanë humbur gjithçka dhe e vetmja shpresë mbetet Qeveria, që ata shpresojnë t’i dëmshpërblejë.

Menaxhimi/ Situata në jug, deputetë të djathtë shkojnë në zonat e përmbytura

Partia Demokratike, thirrje Kryeministrit për të qenë në krye të Shtabit të Emergjencave. Deputetja Vokshi prek nga afër dhimbjen e banorëve të sfilitur

Deputetë të Partisë Demokratike zbritën dje në zonat e përmbytura nga rrjedha e lumit Vjosë në Vlorë dhe Fier. Deputetja Albana Vokshi ishte pranë këtyre banorëve, duke ndarë me ta dhimbjen për gjithçka që natyra u gllabëroi pa mëshirë. Gjatë takimit me shumë banorë të zonave të përmbytura, deputetja e djathtë dëgjoi edhe ankesa për mosmbështetje nga qeveria. Një pjesë e tyre u shprehën se nuk kanë asnjë vend ku të strehohen, kanë humbur gjithçka, nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria. Por kishte edhe nga ata që thanë se kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në shtëpitë e tyre mbi tarracë, me qëllimin e vetëm për të ruajtur atë pak mall që mund të shpëtonte nga rrjedha e furishme e ujit. Vokshi tha se në zonat e Novoselës, Urës së Mifolit, Darzezës, Ferrasit, Levanit, u vu re se ndërhyrja e forcave të ushtrisë dhe e shtetit ishte e pamjaftueshme. Këto fshatra ishin më të prekurat nga shirat e rrëmbyeshëm. Sipas saj, banorët kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme dhe në këto kushte i bëri thirrje qeverisë për të dhënë ndihmën e shpejtë e për të siguruar jetën këtyre banorëve.

Thirrja

Partia Demokratike kërkoi sërish që Kryeministri Edi Rama të vihet në krye të Shtabit të Emergjencës dhe të vërë në jetë një plan konkret masash për lehtësimin e situatës në zonat e përmbytura. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, deklaroi se banorët e goditur nga përmbytjet në jug të vendit po kalojnë momente dramatike, ndërkohë që qeveria ende nuk ka marrë masat e duhura. Ai tha se ende nuk janë ngritur qendra strehimi, teksa të dëmtuarit po kalojnë netët nëpër shtëpitë e të njohurve. Duke folur nga selia blu, Ristani u shpreh se Edi Rama flet për të ardhmen, por konkretisht asnjë masë për qytetarët që janë në qiell të hapur dhe asnjë masë për gjënë e gjallë e pronat e tyre. Sipas tij, asnjë siguri konkrete nuk është ofruar për dëmshpërblimet, ndërsa shtoi se banorët kanë nevojë për zgjidhje emergjente, në këtë moment, dhe nuk kanë nevojë për premtime boshe. “Ndërkohë, kemi informacion se në Kurvelesh, rreth 1200 banorë, janë pa energji e të bllokuar nga dëbora prej 5 ditësh. Ata ankohen se nuk po komunikojnë dot as me autoritetet e as me deputetët e mazhorancës që i përfaqësojnë. Në Fier në fshatrat Darzezë, Hoxharë, Poro e Cerven, gjendja është katastrofike. Nuk ka asnjë masë konkrete për t’u ardhur në ndihmë banorëve që po vuajnë për strehim e ushqim. Ndërkohë që po humbasin gjënë e gjallë. Në Vlorë, në fshatrat Bishan e Fitore, gjendja është alarmante. Edhe këtu asnjë masë konkrete nga autoritetet për strehim e ushqim. Vetëm premtime. Në Tepelenë, Memaliaj, Gjirokastër, Përmet, banorët kanë përballuar vetë pasojat e përmbytjeve, pasi nuk është parë asnjë prezencë e strukturave të shtetit. 5 fshatra gjenden krejtësisht të izoluar në Këlcyrë. Ka mungesë energjie në dhjetëra komuna”, – tha ai duke nënvizuar se situata është dramatike. Ristani shtoi më tej se nuk ka asnjë masë konkrete nga Edi Rama, për të cilin tha se në vend që të përgjigjet për jetën e pronën e qytetarëve, zgjedh të sulmojë opozitën. “Dhimbja dhe vuajtja e qytetarëve kërkojnë përgjigje të menjëhershme, jo vëzhgim e premtime të pabesueshme”, – tha në mbyllje të fjalës së tij Ristani.

Gjendja në segmentet kombëtare sipas Ministrisë së Brendshme

Ministria e Brendshme njoftoi gjatë ditës së djeshme se segmentet rrugore kombëtare në qarkun e Shkodrës janë të gjitha të qarkullueshme pa zinxhirë. Segmentet rrugore rurale, nga segmentet rrugore kombëtare për në qendrat e komunave janë të gjitha të qarkullueshme, me përjashtim të segmentit rrugor Fushë-Arrëz – Iballë që është i bllokuar nga dëbora. Firma kontraktuese ka punuar me një mjet për hapjen e këtij aksi. Aksi Vermosh – Tamarë është i kalueshëm me vështirësi. Ndërsa aksi Qafë-Thore është i bllokuar pasi trashësia e dëborës është 1 metër. Po sipas të dhëna vetë Ministrisë së Brendshme gjatë 24 orëve të kaluara në territorin e qarkut ka pasur reshje të dendura dëbore dhe me intensitet të lartë. Trashësia e dëborës në lartësitë mbi 400-600 m shkon nga 20-35 cm dhe mbi 800m lartësia e dëborës është 40-50 cm. Autostrada e Kombit ka qenë e qarkullueshme pa zinxhirë. Në hyrje të Tunelit të Kalimashit trashësia e dëborës të rënë gjatë natës është 25 cm. Të gjitha akset rrugore kanë qenë të qarkullueshme pa zinxhirë. Akset rrugore rurale: Nga akset nacionale për në qendrat e komunave Kalis, Grykë-Çajë e Zapod, qarkullimi i automjeteve kryhet me zinxhirë. Në akset e tjera të komunave qarkullimi i automjeteve kryhet pa zinxhirë. Vazhdon të jetë i bllokuar aksi rrugor nga rruga nacionale për në qendrën e komunës Arrën. Ndërsa në qarkun e Elbasanit gjatë 24 orëve të kaluara ka pasur reshje shiu me intensitet të dobët deri mesatar. Ka pasur reshje dëbore në aksin rrugor nacional Përrenjas – Qafë-Thanë dhe qarkullimi i automjeteve është kryer me zinxhirë. Aksi rrugor nacional Librazhd-Stëblevë ka prezencë të dëborës rreth 60 cm. Po punohet nga firma kontraktuese për pastrimin e rrugës për normalizimin e qarkullimit të automjeteve. Aksi rrugor nacional Elbasan – Gjinar është i bllokuar nga rrëshqitja e trupit të rrugës në segmentin Shelcan – Shelcan Katund si dhe nga dëbora e rënë gjatë natës me trashësi rreth 20 cm. Në fshatin Rrenës të komunës Grekan, rrethi Elbasan, është evakuuar një familje për shkak të përmbytjeve nga dalja e ujërave të lumit Devoll. Në komunën Lenie të rrethit Gramsh, për shkak të përmbytjeve, janë evakuuar 12 familje me rreth 48 banorë.


Rama: Jugu, sërish i kërcënuar nga lumenjtë

Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë ditës së djeshme udhëtoi drejt Urës Vajgurore, një tjetër zonë e prekur nga përmbytja. Teksa vizitoi zonën dhe takoi banorët, Kryeministri ngriti alarmin për kërcënimin që mund t’i vijë vendit si pasojë e reshjeve të dendura. Ai u shpreh se dita e sotme parashikohet të jetë me shi dhe në këtë mënyrë qytetarët duhet të jenë të përgatitur. “Sot është dita për të përsëritur një shfrim të dytë të tërbuar të motit prandaj u bëj thirrje të gjithëve të bashkëpunojnë ngushtë me emergjencat civile dhe të përfshirët në këtë proces në mënyrë që të mos kemi asnjë ngurrim për të evakuuar dhe të përballojmë këtë situatë dramatike kështu siç kemi ecur deri tani”, – tha Rama.

Ekspertët: Katastrofa pritet të vazhdojë, do të ketë shira të rrëmbyeshëm

Ndonëse dita e djeshme i qetësoi disi banorët e zonave të përmbytura, të cilët shpresuan se do t’i kthehen normalitetit, sinoptikanët thonë të kundërtën. Ekspertët japin alarmin, duke thënë se gjendja e jashtëzakonshme nuk ka kaluar. Sipas tyre, dita e sotme do të ketë stuhi të fuqishme shiu me intensitet të lartë, ndërsa në veri do të ketë reshje dëbore. Petrit Zorba, specialist i Shërbimit Meteorologjik, u shpreh për median se situata duke filluar nga mbrëmja e djeshme do të jetë më e vështirë. Ai shtoi se duhen marrë masa dhe Shtabi i Emergjencës të jetë në gatishmëri. Ai tha se lumenjtë mund të dalin sërish nga shtrati.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency