Rrëfimi/ “Vëllai qëndroi i plagosur 30 minuta nën rrënoja”

0
144

Anxhela Tato

 

 

B. Shahu tregon se oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes i kanë kërkuar informacion për plagosjen e vëllait

 Plagosja e Kastriot Shahut në repartin ushtarak të Kukësit, vinçi ngriti betonin që kishte zënë rojën

 

 

kukes-shperthimKastriot Shahu ka qëndruar për rreth gjysmë ore nën rrënoja, duke luftuar me vdekjen. Ky është rrëfimi i vëllait të rojës, i cili mbeti i plagosur ditën e diel në repartin ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes. Në një intervistë, B. Shahu tregon se ka qenë në Tiranë ditën që ndodhi ngjarja dhe është njoftuar në celular. I alarmuar dhe i shqetësuar për jetën e vëllait të tij, është drejtuar në Spitalin Ushtarak, duke qëndruar gjatë gjithë kohës nën shërbim të vëllait të plagosur. Ai rrëfen se Kastrioti ndodhet ende në sallën e reanimacionit, tashmë jashtë rrezikut për jetën. Dëmtimet kryesore Kastriot Shahu i ka në pjesën e legenit, tek këmbët dhe tek kavilja. Nga qëndrimi nën rrënoja ai ka pësuar shtypje dhe shembje. Ndërsa ka dëmtime në pjesën e legenit dhe ka probleme me njërën nga kaviljet. Por fatmirësisht ka arritur të mbijetojë, dhe pritet që për tre ditë Kastrioti të dalë nga salla e reanimacionit. B. Shahut i kanë rrëfyer se vëllai i tij është goditur nga soleta e godinës, e cila i ka zënë pjesën e legenit. Është dashur ndërhyrja e vinçit që të ngrinte betonin, që po mbante mbuluar Kastriot Shahun. “E vetmja gjë që më intereson në këtë momente është shëndeti i vëllait tim. Unë isha në Tiranë dhe jam njoftuar në celular. Kam ardhur me shpejtësi në spital dhe jam pa gjumë. Kam qëndruar gjatë gjithë kohës në shërbim të vëllait tim dhe mund të them se është stabël. Ai ka pësuar dëmtime nga mesi e poshtë. Ka shembje dhe shtypje tek legeni dhe tek këmbët. Gjithashtu ka probleme me kaviljen. Ne presim që pas tre ditësh të dali në dhomë. Më thanë se vëllai ka qëndruar gjysmë ore nën rrënoja dhe e ka zënë soleta. Kanë sjellë një vinç që të tërhiqte betonin që kishte zënë vëllain tim. Kanë ardhur oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët janë interesuar dhe kanë dashur të dinë se çfarë ka ndodhur. Por në këto momente mua më intereson vetëm vëllai dhe nuk dua ta di fare në këto çaste se çfarë ka ndodhur, nëse ka qenë aksident apo shpërthim”, – rrëfimi i B. Shahut.

 

Deklarata e Ministrisë

 Në repartin 2210 nuk ka ndodhur shpërthim siç u njoftua fillimisht por është shembur një nga depot e këtij reparti. Është Ministria e Mbrojtjes që me anë të një njoftimi për mediat, ka bërë të ditur se, roja i repartit Kastriot Shahu nuk është plagosur nga ndonjë shpërthim, por sepse është shembur ish-depoja që përdorej për veshmbathje. Sipas ministrisë, “rreth orës 08:30, të datës 13.4.2014, Pr. II, Kastriot Shahu me detyrë roje në Detashmentin e Mbrojtjes Rajonale Kukës, strukturë në vartësi të BrMR, në zbatim të planizimit të shërbimit ditor është paraqitur për të marrë shërbimin në objektin e këtij reparti. Objekti është brenda planit të përhapje dhe ruhet me vëzhgim”. Ministria ka sqaruar se, “në momenti e kontrollit të objektit nga Pr. II, Kastriot Shahu është vënë re se në një nga objektet (ish-depo e veshmbathjes) dera e jashtme rezultonte e hapur. Gjatë kontrollit për verifikimin e këtij fakti roja është futur në objekt”. “Në këtë moment nga personeli i shërbimit të Vendrojes Nr. II, i cili ndodhej në afërsi të këtij objekti është dëgjuar një zhurmë dhe është vërejtur pluhur. Nga personeli i shërbimit sipas linjës së drejtimit është shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është vërejtur se objekti (ish-depo e veshmbathjes ) ishte shembur dhe roja ndodhej nën rrënoja”, – bën të ditur Ministria e Mbrojtjes në komunikim e saj për median.

 

 

Korçë/ Vetëvritet 34-vjeçari, sapo ishte liruar nga burgu

 34-vjeçari Olsi Iljazi ka humbur jetën pasi është vetëhedhur nga kati i pestë i një pallati në Korçë, pak ditë pasi u lirua nga burgu. Ai ishte dënuar nga Gjykata me 2 vite dhe 4 muaj burg pasi dhunoi barbarisht bashkëshorten e tij shtatzënë, e cila vetëm një muaj pas ngjarjes humbi fëmijën në muajin e 5-të të shtatzënisë. Por i riu kreu rreth 1 vit burg dhe më pas u lirua, pasi rezultonte në kategorinë e të dënuarve që përfitojnë nga amnistia. Policia e Korçës bën të ditur se rreth orës 12:50, në lagjen 9 Korçë, është hedhur nga kati i pestë i pallatit ku banon dhe si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi O.I, rreth 34 vjeç. U ngrit grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Në prill të vitit të kaluar Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë dënoi me 2 vite dhe 4 muaj burg Olsi Iljazin, i cili dhunoi barbarisht bashkëshorten e tij shtatzënë, 28-vjeçaren Rudina Iljazi. Ngjarja e rëndë ndodhi më 12 dhjetor të vitit që shkoi. 34-vjeçari dhunoi me mjete të forta bashkëshorten e tij shtatzënë, ndërsa dhunës nuk i shpëtoi dhe vjehrra e tij. Pas arrestimit, Olsi Iljazi në kushte të një gjendjeje të rënduar psikologjike tentoi dy herë vetëvrasjen.

 

 

Itali/ Sekuestrohet 1 ton marijuanë, mbërriti nga Shqipëria

 Policia italiane ka sekuestruar dje më shumë se një ton marijuanë që kishte mbërritur nga Shqipëria në portin e Barit. Financierët e portit të Barit si dhe zyrtarë nga Shërbimi Doganor pas një kontrolli brenda portit për mallrat që vinin nga Evropa Lindore gjetën sasinë e drogës të fshehur në thasë çimentosh. Një 55-vjeçar, shoferi i automjetit, ka rënë në pranga të policisë italiane. Ngarkesa vinte nga porti i Durrësit. Sipas autoriteteve sasia e madhe e lëndës narkotike ishte destinuar për tregun italian dhe kapte vlerën e 14 milionë eurove. Hetuesit kanë kontrolluar ngarkesën pasi shoferi i automjetit ka pasur shenja ankthi. Droga ishte vendosur në enë prej druri. Kjo është një ndër sasitë më të mëdha të drogës që autoritetet e Barit kanë sekuestruar.

 

 

Vlorë/ Shiti apartamentin 4 herë, pranga mashtruesit

 Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 42-vjeçar, nën akuzën e mashtrimit. Burime nga policia bëjnë të ditur se në pranga ka rënë shtetasi Eduard Kacaj, i cili dyshohet se u ka shitur katër personave të ndryshëm të njëjtin apartament, të cilin nuk e kishte në pronësi. Sipas policisë, Kacaj i ka shitur përmes mashtrimit shtetasit M. Z. një apartament për 30 mijë euro, por në fakt rezultoi se 42-vjeçari nuk ishte aspak në pronësi të asaj banese. 42-vjeçari dyshohet se e ka shitur apartamentin edhe tek tre persona të tjerë, duke përfituar shuma të mëdha parash. Sipas Policisë së Vlorës, ndaj këtij shtetasi janë regjistruar disa procedime penale për mashtrim, pas kallëzimit të të dëmtuarve, të gjithë të mashtruar për shitje apartamenti

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency