Vendimi/ Vranë për gjakmarrje, dënohen me nga 25 vite burg vëllezërit Llani

0
146

Alma Çuka

 Gjykata e Tiranes_9_14Familja Llani ishte futur në gjakmarrje me familjen Shkreta gjashtë muaj para se të ndodhte kjo vraje. Djemtë e familjes Shkreta qëlluan mbi familjen Llani dhe vranë një fëmijë

Vranë për gjakmarrje, gjenden fajtorë nga Gjykata e Tiranës dhe dënohen përkatësisht me nga 25 vite burg. Bëhet fjalë për një histori vrasjesh midis djemve të familjes Shkreta dhe Llani. Të parët që kanë nisur betejën ishin djemtë e familjes Shkreta, tashmë të dënuar nga drejtësia, të cilët pas një grindjeje banale i zunë pritë dhe qëlluan me armë ndaj pjesëtarëve të familjes Llani, duke lënë të vdekur një fëmijë të mitur dhe plagosur një tjetër. Pas kësaj ngjarjeje, ishte familja Llani ajo që vendosi të hakmerrej. Dy djemtë e kësaj familjeje, ndonëse drejtësia kishte arrestuar kundërshtarët e tyre, nuk mundën të qëndronin pa ngritur armët kundër djemve të familjes Shkreta.

 

Vendimi

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Kurbinit dhe ka dënuar me nga 25 vite burg secilin nga dy vëllezërit Jetmir dhe Muharrem Llani, të akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” dy herë (një herë e mbetur në tentativë) dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Prokuroria e Kurbinit kërkoi shpalljen fajtor dhe kërkoi këtë dënim në seancën përfundimtare, të zhvilluar pak javë më parë. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, i cili është zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Prokuroria e Kurbinit kërkoi shpalljen fajtor të dy të pandehurve për vrasjen e shtetasit Arjan Shkreta dhe vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit Leli Shkreta (viktimat vëllezër me njëri-tjetrin), ngjarje e cila ka ndodhur në datë 4.11.2012 në fshatin Fushë-Mamurras të rrethit Kurbin.

 

Hetimi

Nga hetimi, gjatë të cilit shtetasi Jetmir Llani është gjykuar në masë sigurie “Arrest me burg” dhe shtetasi Muharrem Llani me masën e sigurisë “Arrest me burg”, në mungesë, Prokuroria ka krijuar bindjen e plotë se këta dy persona janë autorë të vrasjes së shtetasit Arjan Shkreta dhe vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit Leli Shkreta, i cili ka mbetur i plagosur rëndë nga goditjet me armë zjarri automatik nga ana e vëllezërve Llani. Shtetasi Leli Shkreta, në momentin e ngjarjes, ka arritur të shpëtojë, ndonëse i plagosur rëndë, pasi është shtirur si i vdekur deri në momentin e largimit të agresorëve nga vendi i ngjarjes.

 

Motivi

Sipas hetimit, rezulton se motivi i krimit është gjakmarrja dhe hakmarrja, pasi ndërmjet familjeve Llani dhe Shkreta kishte hasmëri, të nisura rreth 6 muaj para se të ndodhte kjo ngjarje. Në ngjarjen e mëparshme, më saktësisht në datën 5.6.2012, dyshohet se shtetasit Altin dhe Alban Shkreta, vëllezër të viktimës Arjan Shkreta dhe të dëmtuarit Leli Shkreta, kanë qëlluar ndaj disa anëtarëve të familjes Llani, në të cilën ka mbetur i vdekur djali i mitur i të pandehurit Jetmir Llani. Për këtë vrasje, po në Gjykatën e Tiranës, janë dënuar në një tjetër proces gjyqësor shtetasit Altin dhe Alban Shkreta, të cilët u akuzuan për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Nga hetimi ka rezultuar se të pandehurit Jetmir Llani dhe Muharrem Llani janë përgatitur më parë për kryerjen e vrasjes së shtetasve Arian dhe Leli Shkreta për motive gjakmarrjeje.

 

Lezhë/ Grabitën me dhunë një grua, shpallen në kërkim dy vëllezër

Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia e Lezhës të akuzuar për vjedhje me dhunë. Bëhet fjalë për vëllezërit Vladimir Gjinaj, 37 vjeç, dhe Andrea Gjinaj, 25 vjeç, të cilët në datën 20 janar, rreth orës 05:45, në lagjen “Besëlidhja”, Lezhë, i kanë marrë me forcë shtetases P. Gj., banuese në të njëjtën lagje me ta, një çantë në të cilën kishte 100 mijë lekë të reja. Gruaja bëri denoncimin në polici, pasi identifikoi dy autorët e grabitjes, çka bëri që uniformat blu të nisnin punën për kapjen e tyre. Dyshohet se vëllezërit Gjinaj janë të përfshirë në raste të tjera të vjedhjeve me dhunë. Këtë fakt e pohon Policia e Lezhës e cila ka nisur punën edhe për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet të kenë qenë të përfshirë në raste të tjera grabitjesh me dhunë.

 

Durrës/ I largohet vajza nga banesa, nëna kërkon ndihmë në polici

Një grua në Durrës ka denoncuar në polici zhdukjen e vajzës së saj 19-vjeçare. Ditën e djeshme, 45-vjeçarja F. S. ka denoncuar në polici se prej dy ditësh është larguar nga banesa e saj dhe ka humbur gjurmët e bija A. S., 19 vjeç. Gruaja ka thënë në polici se nuk ka dijeni se mund të ketë shkuar vajza, duke shtuar se kohëve të fundit nuk kishte dhënë asnjë sinjal të dyshimtë. Efektivët e policisë të sinjalizuar për ngjarjen po punojnë për gjetjen dhe kthimin e saj në banesë, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

 

 Korçë/ Kanosi dy punonjës policie, procedohet penalisht një djalë i ri

Një i ri nga Korça po ndiqet penalisht pasi kanosi dy punonjës policie. P. C., 26 vjeç, në qytetin e Bilishtit, në afërsi të një karburanti për shkak të detyrës, ka kanosur punonjësit e policisë rrugore A. T., banues në fshatin Fitore të Devollit, dhe F. H., banues në fshatin Miras të Devollit. Mësohet se efektivët e policisë e kishin ndaluar të riun për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe se i riu i ka kanosur me jetë në rast se do e gjobisnin apo do e shoqëronin në polici. Pas këtij veprimi, punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor kanë njoftuar sallën operative, e cila ka nis menjëherë procedurat për ndjekjen e kësaj çështje. Kohët e fundit, policia bënë me dije se ka nis procedimin e disa të rinjve për të njëjtin objekt.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency