Testimi në shkurt/ Mjekët firmosin peticion për të mos u testuar, sindikatat: Po shkelet ligji

0
124

mjeket para urgjences qsutMinistria e Shëndetësisë: Vendimi është marrë, nuk ka kthim pas

 Mjekët: Na testojnë çdo ditë pacientët

Mjekët janë kundër testimit që do të bëjë Ministria e Shëndetësisë në muajin shkurt. Për të kundërshtuar nismën e drejtuesve të shëndetësisë, mjekët kanë nisur nënshkrimin e një peticioni, i cili do t’i drejtohet Presidentit Bujar Nishani, Kryeministrit Edi Rama, Avokatit të Popullit Igli Totozani, ministres së Arsimit Lindita Nikolla, ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, deputetëve dhe komisioneve parlamentare të shëndetësisë dhe arsimit. Mjeku kardiolog Petrit Vargu thotë se deri më tani numri i firmëtarëve është mbi 300 persona, pritet të shkojë deri në 500 dhe do t’u dorëzohet zyrtarisht institucioneve. Ai u shpreh se mjekët i testojnë pacientët e nuk ka nevojë t’i testojë shteti. “Peticioni tashmë ka nisur, ka një lumë mjekësh dhe personeli mjekësor që kanë firmosur sepse të them të drejtën këta nuk mendojnë dhe për anën morale. Më thoni ju, një mjek që merr 5 në testim a mund ti dalë para pacientit? Ata që drejtojnë çfarë prodhimi kanë dhënë për organizimin shëndetësor? Të fillojmë dhe t’i testojmë ata dhe pastaj jemi dhe ne gati. Dhe nëse mjekët kanë dalë të dobët është faji i profesorëve. Të fillojmë dhe të testojmë profesorët. Nëse do të bëjmë testim ne e dimë se kush duhet të testohen të parët. Testimin më të mirë neve na e bën populli”, – thotë Petrit Vargu. Nga ana e saj Ministria e Shëndetësisë zyrtarisht thotë se vendimi është marrë dhe është i pandryshueshëm, ndërsa plani i testimit do të bëhet publik në një moment të dytë. Ndërsa për arsyet, Ministria edhe më herët ka listuar 5 pika kryesore, të cilat lidhen me monitorimin e vazhdueshëm të bërë në sistemet shëndetësore dhe problemet e ndeshura në të, raportet e USAID-it për qendrat shëndetësore, nevoja për mbulimin universal të popullatës dhe përgjigjet që rezultojnë negative, qoftë të analizave laboratorike apo qoftë atyre imazherike që kërkohen rëndom nga mjekët e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend. Sipas Ministrisë, ky testim do të jetë fotografim i situatës në vend dhe nuk do të ketë largime nga puna.

 

Sindikata

Testimi që do t’u bëhet mjekëve dhe infermierëve është në kundërshtim me ligjin dhe me prapavijë politike. Ky është një tjetër kundërshtim që vjen nga sindikatat që mbështesin personelin shëndetësor, që thonë se mjekët dhe infermierët kanë nevojë për kualifikim dhe jo për provime, të cilat i kanë zhvilluar përpara se të diplomoheshin. “Është i kundërligjshëm, i panevojshëm dhe nuk mund të marrin në provim njerëz që kanë marr një diplomë dhe kanë shërbyer një jetë të tërë. Gjykatësi më i mirë për punonjësit e shëndetësisë është populli. Ne i kërkojmë Ministrisë së Shëndetësisë të vërë theksin te kualifikimi i punonjësve të shëndetësisë dhe jo testimi, pasi testi do të thotë provim. Dhe provimi sigurisht kuptohet që do të lërë vendin e punës”, – thotë Petrit Frangu, zv.president i Sindikatës së Shëndetësisë në Shqipëri. Sindikalistët i kanë kërkuar ministrit të Shëndetësisë të bëjë transparentë të gjithë procedurën se si do të hartohen testet, por edhe kriteret për ata që do të marrin pjesë në të. Nga ana tjetër ata kanë paralajmëruar protesta në të gjithë vendin nëse kërkesat nuk merren parasysh. “Ministri i Shëndetësisë të mos bëjë terror mbi mjekët, se kush nuk vjen në testim largohet nga vendi i punës. Ky është një presion psikologjik dhe shumë i dëmshëm. Nëse peticioni nuk do të japë rezultat atëherë do të përshkallëzojmë masat tona administrative dhe që na lejon statuti i konfederatës, për ti bërë thirrje gjithë mjekët për protestë masive nga Vermoshi në Konispol”, – tha Frangu. Testimi i mjekëve dhe infermierëve është paralajmëruar në shkurt deri në muajin mars. Sipas deklaratave të ministrit Beqaj, testimi nuk synon të largojë personelin shëndetësor nga puna, por nga ana tjetër, po sipas tij, ai që nuk do të marrë pjesë në të, do të shkëpusë kontratën me institucionin shëndetësor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency