“EKSODI” ME AGJENCI/ Përfundon me pesë të arrestuar tentativa për azil në Gjermani

0
151

Alma Çuka

EKSODI ME AGJENCIPronari i një agjencie dhe katër bashkëpunëtorë të tij ranë në pranga. Kishin mashtruar rreth 545 persona. Për një biletë vetëm vajtje paguanin 140 euro

Përfundon me arrestimin e pronarit të një agjencie dhe katër bashkëpunëtorëve të tij, tentativa e largimit të rreth 500 qytetarëve nga rrethinat e Vlorës dhe të disa qyteteve të tjera drejt Gjermanisë, me qëllim përfitimin e azilit ekonomik. Policia e Vlorës pas verifikimeve që bëri gjatë gjithë ditës së enjte dhe marrjes në pyetje të shumë qytetarëve arriti në përfundimin se ndaj tyre ishte duke u kryer një mashtrim i pastër. Pronari i agjencisë “Agimi Travel”, sipas policisë kishte ngritur një rrejt mashtrimit, përmes të cilit, dërgonte qytetar të ndryshëm në Gjermani me premtimin se do u mundësonte marrjen e azilit ekonomik. Për këtë qëllim nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” për shtetasit Agim Muçaj, vjeç 55, banues në lagjen “1 Maji”Fier, administrator i agjencisë së udhëtimeve ndërkombëtare “Agimi Travel”, Shezai Aliaj, vjeç 45, banues në fshatin Fitore, pronar i pikës së Western Union në Novoselë, Kastriot Hoxhaj, vjeç 43, banues në fshatin Fitore, Komuna Novoselë,

gjithashtu u arrestuan për veprën penale “Moskallëzim krimi” shtetaset, Denisa Mitro, vjeç 26, banues në Fier, agjente e shitjes së biletave në agjencinë “Agimi Travel”, Matilda Mazreku, vjeç 26, banuese në Fier agjente e shitjes së biletave në agjencinë “Agimi Travel”.

si dhe ka filluar procedimi penal në ngarkim edhe të 4 personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

 

Ngjarja

Sipas Policisë së Vlorës, arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë të mundur kalimin e paligjshëm të kufirit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh nga Shqipëria për në Gjermani me qëllim përfitimin financiar duke dezinformuar qytetarët. Policia e Vlorës shprehet se gjatë ditës së enjte, nisur nga informacionet e marra në rrugë operative se një grup personash i organizuar do të udhëtonin drejt Gjermanisë nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Porti Vlorë me qëllim kërkimin e azilit ekonomik, është organizuar puna me qëllim kontrollin dhe monitorimin e të gjitha procedurave standarde për kalimin e kufirit. Nga verifikimet e kreyra në lidhje me dokumentacionin që dispononin personat që do të kalonin pikën e kalimit kufitar të Portit Vlorë ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm i tyre, konkretisht 245 persona kanë pasur mangësi të dokumentacionit të paraqitur dhe për këtë arsye janë prapësuar nga Shërbimet e Policisë.

 

Shoqërimi

Ndërkohë nga strukturat e Policisë Vlorë janë shoqëruar në ambientet e policisë dhe janë kryer hetime duke u pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale 50 shtetas, kryesisht banorë të fshatrave të Komunës Novoselë-Vlorë, të cilët kishin siguruar bileta për të udhëtuar për në Gjermani me autobusët e agjencisë “Agimi Travel”.

Në lidhje me këtë fakt, nga Policia janë sekuestruar të gjitha biletat udhëtimit dhe dokumentet justifikuese për kalimin e kufirit si dhe i gjithë dokumentacioni i agjencisë “Agimi Travel” dhe pikës së Western Union në Novoselë në pronësi të shtetasit Shezai Aliaj. Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se nëpërmjet dezinformimit të përhapur në komunitetin e fshatrave të Komunës Novosele “se në shtetin e Gjermanisë ofrohet azil ekonomik”

është nxitur interesi i komunitetit të kësaj zone për të udhëtuar drejt Gjermanisë me autobusët e agjencisë “Agimi Travel”. Gjithashtu për të bërë të mundur kalimin e kufirit të udhëtarëve, nga shtetasit Shezai dhe Kastriot Aliaj, krahas shitjes së biletës nga Shqipëria për në Gjermani në pikën e Western Union në Novoselë, siguroheshin edhe ftesa të parregullta të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Sqarojmë se nga deklarimet e marra shtetasve të shoqëruar polici, ka rezultuar se kanë ndërmarrë udhëtimin për në Gjermani, në disa raste familjarisht me qëllim për të kërkuar azil ekonomik në këtë shtet. Itinerari i udhëtimit ka qenë nisja me autobusët e Agjencisë “Agimi Travel” nga Fshati Novoselë i Vlorës si dhe nga vendi i quajtur Autogrilli në qytetin e Fierit fillimisht duke kaluar në Pikën e Kalimit Kufitar të Portit Vlorë më pas Brindizi të Italisë dhe më tej për në Mynih të Gjermanisë ku dhe do të kërkonin azilin ekonomik. Shuma e parave të cilët këta shtetas kanë paguar për një biletë vetëm vajtje ka qenë 140 euro për person.

 

Deklarimet

Gjithashtu në deklarimet e tyre personat e mësipërm janë shprehur se janë ndier të mashtruar pasi për të siguruar mjetet financiare për udhëtimin janë detyruar të shpenzojnë kursimet e tyre, të marrin para borxh dhe të shesin sende të ndryshme me vlerë. Bëjmë me dije edhe faktin se nga dokumentacioni i sekuestruar pranë agjencisë “Agimi Travel” ka rezultuar se ishin prenotuar edhe 320 bileta të tjera nga shtetas të ndryshëm të qyteteve të Elbasanit, Beratit dhe Durrësit, ku kjo agjenci ka pika shitje të biletave, me destinacion Mynihun e Gjermanisë. Mendohet se pasi të mbërrinin në Gjermani këta shtetas do të aplikonin për azil ekonomik të nxitur nga dezinformim i përhapur. Nisur nga ky fenomen nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese janë duke u hetuar edhe disa agjenci të tjera udhëtimi ndërkombëtare të cilat mund të jenë të përfshira në këtë veprimtari.

 

Takimi/ Didi-Chavkov, veprime të përbashkëta për të luftuar krimin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, zhvilloi dje një takim në Ohër të Maqedonisë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Maqedonase Mitko Chavkov dhe stafin e tij. Përmbushja e angazhimeve të ndërmarra nga dy qeveritë në rrugën drejt anëtarësimit evropian ishte një nga tematikat e trajtuara në këtë takim. Ndërkohë dy zyrtarët e policive respektive Didi dhe Chavkov kanë theksuar rëndësinë e përcaktimit të prioriteteve të përbashkëta për: garantimin e sigurisë në rajon, krijimin e një klime sa më të përshtatshme për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mallrave në të dy anët e kufirit, rritjen e nivelit të bashkëpunimit midis dy policive me vendosjen e kontakteve direkte, shtrirjen e nivelit të bashkëpunimit duke vendosur këto kontakte si në qendër ashtu edhe në nivelet vendore midis policive lokale për shkëmbimin në kohë reale të informacioneve. Gjatë takimit u përcaktuan prioritetet për forcimin e këtij bashkëpunimi nëpërmjet intensifikimit të veprimeve të përbashkëta operacionale në luftë kundër të gjitha llojeve të Trafiqeve të paligjshme kjo edhe me mbështetjen dhe ekspertizën e partnerëve tanë të përbashkët ndërkombëtarë.

 

Krujë/ Plagoset 27-vjeçari, në gjendje të rëndë në spital

Një djalë i ri është plagosur me armë zjarri në Krujë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e lënë pas në fshatin Thumanë të Krujës, ku 27 vjeçari E. N., është qëlluar me armë nga një person tjetër. Pas ndihmës së parë të dhënë në Krujë, i riu u dërgua për marrjen e ndihmës së nevojshme drejt kryeqytetit, për mjekim më të specializuar. Nuk dihen ende autorët e kësaj ngjarje, ndërsa uniformat blu po hetojnë për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency