Dosja e tritolit/ Didi i drejtohet kryeprokurorit: Heto kush nxori deklaratat e vrasësit me pagesë Sinanaj

0
169

Alma Çuka

 julian sinanaj ne gjykatePolici – Prokurori, përplasje institucionale. Letra ka mbërritur në zyrën e shefit të Prokurorisë, Adriatik Llalla. Policia e Shtetit nuk flet për këtë fakt. Prokuroria e pranon

Policia e Shtetit duket se ka thelluar përplasjen institucionale me Prokurorinë lidhur me hetimin e krimeve të kryera nga e ashtuquajtura “banda e tritolit”. Ndërsa mes këtyre dy institucioneve, prej muajit korrik, kur në mes të Tiranës u vra bankieri Artan Santo, nuk po gjendet gjuha e përbashkët për të zbardhur të vërtetën, tashmë del në skenë një tjetër skandal. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, me anë të një letre, e cila ndonëse është dërguar në rrugë zyrtare, nuk bëhet publike për të gjitha mediat, i kërkon kryeprokurorit të hetojë lidhur me nxjerrjen e dëshmive që Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona, dy të penduarit e drejtësisë, kanë dhënë për krimet e kryera.

 

Kërkesa

Aktualisht, dosja e “bandës së tritolit” ndodhet në gjykim. Julian Sinanaj dhe Gjokona janë edhe dëshmitarët kryesorë për ekzekutimet. Pasi fituan të drejtën për të qenë të mbrojtur nga drejtësia dhe përfituan nga dënimi maksimal, dy të pandehurit rrëfyen gjithçka lidhur me vrasjet, madje me hollësi. Por dëshmitë e dy të pandehurve gjatë muajit nëntor, pikërisht në kohën kur dosja sapo kishte mbërritur në Gjykatë, dolën në shtyp. Asnjë sekret nuk mbeti në dosjen gjyqësore. Tashmë ngjarjet ishin të zbardhura edhe për publikun, pa u dëgjuar më parë në Gjykatë. Kjo gjë duket se një muaj më vonë, pasi dëshmitë dolën, ka irrituar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, i cili ka nisur drejt shefit të Prokurorisë një letër të hollësishme. Ekzistenca e letrës pranohet edhe nga Prokuroria, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e cila e ka bërë publike vetëm për media të caktuara, nuk preferon të japë asnjë koment.

 

Përmbajtja e letrës

Bëhet fjalë për rrëfimin e Julian Sinanajt, njeriut që akuzohet se ka kryer gjashtë vrasje me pagesë, i marrë nga fashikujt në përfundim të hetimeve dhe i publikuar njëkohësisht në disa media.Përgjatë nëntë ditëve në muajin nëntor, në media janë publikuar deklarimet e të pandehurve Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona, thotë numri një i Policisë. Sipas përmbajtjes së letrës, duket qartë se Didi i kërkon llogari kryeprokurorit, duke i mëshuar faktit se të dhënat kanë dalë nga Prokuroria dhe se në asnjë rast, gjatë marrjes së deklarimeve, nuk kanë marrë pjesë specialistë të sektorit të Akteve Terroriste në Policinë e Shtetit, çka do të thotë se ata nuk janë njohur me përmbajtjen e tyre.Në këtë mënyrë, duke nënkuptuar se të dhënat kanë dalë nga Prokuroria, drejtori i Përgjithshëm i Policisë kërkon nisjen e hetimeve për zbulim të akteve dhe të dhënave sekrete, sepse është dëmtuar procesi hetimor.

 

Shqetësimi i Didit

Kryepolici, në letrën e tij, ka bërë publike edhe një shqetësim. Në seancën e fundit, Julian Sinanaj u shpreh para Gjykatës se ka dhënë disa emra personash të përfshirë në krime dhe, sipas tij, këta emra kanë qenë të rëndësishëm për hetimin, porse policia nuk i kishte arrestuar. Sinanaj akuzonte policinë për implikim në ngjarjet ku ai ka qenë pjesë dhe ka ditur shumë mirë se çfarë është luajtur. Për Didin, prokurori i Përgjithshëm duhet të ndërhyjë në vlerësim të një situate jonormale, ku në media të shkruara dhe elektronike janë publikuar elemente të rëndësishme të hetimit, të cilat jo vetëm nuk disponohen nga strukturat e Policisë, por edhe trajtohen si sekret hetimor. Me shumë mundësi, kjo letër pritet të ndikojë së pari edhe në rrjedhën që do të marrë procesi gjyqësor, për të cilin deklarohet në rrugë jozyrtare se do të kërkohet gjykimi me dyer të mbyllura, derisa të përfundojë rrëfimin Julian Sinanaj.

 

Korçë/ Vrasja e katërfishtë në Gjonomadh, burgim përjetë autorit

 Bashkim Latollari, i akuzuar për vrasjen e katërfishtë në fshatin Gjonomadh të Korçës, është dënuar me burg përjetë. Gjykata e Pogradecit ka dhënë dënimin për Latollarin, si autor i vrasjes së Daniela Meçollarit, me të cilin kishte një lidhje disavjeçare, të bashkëshortit të saj Belim Meçollari si dhe të bashkëshortëve Rexhep Metollari dhe Valentina Metollari, të afërm të dy bashkëshortëve Meçollari, të cilët 40-vjeçari i akuzonte se pengonin lidhjen e tij me Danielën. Latollari ka kërkuar mëshirë në gjyq, ndërkohë që avokati ka pretenduar se fëmija i vogël i Danielës është fryt i lidhjes së klientit të tij me të, pavarësisht se ajo ishte e martuar. Ekzekutimi i çiftit Meçollari u bë në sy të dy fëmijëve të tyre të mitur, ndërsa më tej, në banesën e tyre, u ekzekutua edhe daja i Belimit, Rexhepi, me nusen e tij Valentinën.

 

Durrës/ “Porosia e fundit”, shkatërrohet banda e falsifikatorëve

 Policisë së Durrësit i janë dashur dy muaj kohë që përmes operacionit “Porosia e fundit” të vërë në pranga dy persona dhe të shpallë në kërkim një tjetër, nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Bëhet e ditur se në pranga u vu 49 vjeçari Adem Picari, lindur në Tiranë dhe banues në Durrës, i akuzuar për “Falsifikim dokumentesh”, “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikim i vulave, stampave”. Picarit iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale gjashtë karta identitet italiane, dy patenta italiane, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi shqiptare si dhe dy telefona celular. Gjithashtu u bë ndalimi i 44 -vjeçarit Qani Gaçi, lindur në Mat dhe banues në Durrës, pas iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy telefona celularë, një automjet tip “Mercedes-Benz” me targa AA 473 CL, tri karta identiteti italiane, tri tesera italiane dhe 1000 euro. Dy të sipërpërmendurit u arrestuan në flagrancë në afërsi të stacionit të trenit, në ambientet e një lokali duke shkëmbyer me njëri-tjetrin dokumente të falsifikuara. Në vijim të këtij operacioni është bërë shpallja në kërkim e 50-vjeçarit, Myslym Hysko nga Tirana, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan një monitor, një njësi kompjuteri dhe dy printera të cilët shërbenin për prodhimin e dokumenteve italiane dhe greke të falsifikuara, katërmbëdhjetë karta identitetit italiane, shtatë fletëpalosje karta identiteti greke, tre fletëpalosje karta identiteti të pa plotësuara italiane, gjashtë fotografi të personave të ndryshëm. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se Adem Picari dhe Qani Gaci merrnin porosi nga persona të ndryshëm dhe i prodhonin dokumentet e sipërpërmendura në Tiranë në banesën e Myslym Hyskos të cilit, në banesën e tij ju sekuestruan dhe pajisjet për prodhimin e këtyre dokumenteve. Në ngarkim të të sipërpërmendurve materialet i kaluan Prokurorisë për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve”; “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”; “Falsifikim i vulave, stampave”; “Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve” .

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency