Industria e Golit!

0
165

Artan Fuga

Artan_Fuga Hidhen tifozët përpjetë në stadium kur bëhet një gol. Nuk e dinë se përse gëzohen dhe ulurasin kur mundet skuadra tjetër. Thonë se njeriu e ka në gjene dëshirën për të fituar, mposhtur tjetrin. Simbolikisht e gjen te futbolli, tifozeria në përgjithësi. Tifozët nuk mund të jenë as paqësorë dhe as jo të dhunshëm, sepse vetë fakti i të shkuarit në stadium përmban dëshirën për atë që quhet “ndeshje”, pra dyluftim me tjetrin.

Tifozët nuk masin gjendjen normale psikologjike dhe psikopatologjike të asnjë kombi apo të opinionit të një qyteti. Tifozi nuk është njeriu normal, por ai që eksitohet për disa orë për të nxjerrë jashtë vetes gjithë streset dhe instinktet mijëravjeçare.

Futbolli është projekti i dëshirës për ta mundur tjetrin në jetën reale, jetë e zbutur dhe e kontrolluar fatmirësisht nga agjenci të ndryshme shtetërore, edukative etj.

Por, sot një ndeshje e mirë, që tërheq interes, nuk bëhet fare për tifozët e gjorë që janë në shkallët e stadiumit. Ata bëjnë qejf me qejfin e tyre, por nuk e dinë se me qejfin e tyre bëjnë qejf të tjerët. Tifozët në shkallët e stadiumit kujtojnë se janë spektatorë, kurse në fakt ata janë pjesë e spektaklit global që në kushtet e mediave mbarëglobale bëjnë që ndeshja të shihet nga miliona spektatorë. Tifozët e stadiumit paguajnë parà për të qenë “figurantë” sikurse ata që fton miku im i dashur Arian Cani te “Zona e Lirë” duke u paguar sigurisht. Janë pjesë e spektaklit që shihet në ekranin e tabletës, telefonit, televizorit, kompjuterit.

Tifozët që kujtojnë që për ta bëhet spektakli futbollistik që ata shohin, në fakt janë pjesë e spektaklit më të madh që e shohin telespektatorët në ekran, që në fakt janë pjesë e një spektakli edhe më gjigant që shihet nga kompanitë e marketingut, të cilat këtë audiencë e shohin si klientë të ardhshëm të kapur nga reklamat që dalin e shoqërojnë ndeshjen.

Tifozët që i kujtojnë se janë spektatorët, në fakt janë aktorë të spektaklit të spektaklit.

Ah të shkretët, nuk e dinë!

Një ndeshje e mirë bëhet kur ka gola. Gola dhe fitore. Nuk ka rëndësi që ndeshja të jetë miqësore apo zyrtare, ajo duhet të jetë ndeshje për fitore, agresive, burrërore, e shpejtë, jo pse këtu qëndron bukuria, por sepse nëpërmjet bukurisë, tërhiqen miliarda euro dhe dollarë fitime.

Goli në vetvete bëhet brenda asaj që quhet industri e sportit dhe e mediave të ndërthurura bashkë. Kush nuk bën gol ose nuk mbron portën nga goli është i destinuar të falimentojë financiarisht, ekonomikisht. Pra, të gjithë ata lojtarë që nuk plotësojnë këto dy parime dalin në pension, ikin, i heqin, i shesin, i hedhin si limon i shtrydhur.

Nuk është më goli si realizim i instinktit të fëmijës që shënon me topin prej lecke në portën e formuar me grumbuj çantash shkolle. Ka iku ajo kohë. Ka mbetur si instikt i vjetër mbi të cilin realizohen instinkte të tjera, mbivendosje instinktesh, mbi fitoren është vendosur fitimi. Fitimi ekonomik.

Nuk luhet për fitore, luhet për fitim.

Klubet kanë shitur të drejtat e transmetimit të ndeshjeve stacioneve gjigante televizive. Mirëpo këto nuk i përkasin vetes të tyre, pas tyre janë aksionerët që luajnë interesat. Ku mund të kuptohet ta zëmë futbolli anglez pa interesat si aksionere te BskyB i Century 21? Ku mund të kuptohet futbolli francez dhe transmetimi televiziv i tij larg interesave të firmave të Katarit në stacione të ndryshme televizive? Kështu edhe me futbollin amerikano-jugor etj.

Mirëpo pas interesave të aksionerëve të stacioneve televizive qëndrojnë edhe reklamuesit. Ata financojnë transmetimin televiziv. Matja e suksesit të një reklame të transmetuar bëhet me numrin e shikuesve të saj. Për këtë duhet që ndeshja në televizion të ndiqet nga sa më shumë telespektatorë. Çfarë rëndësie kanë tifozët në stadium, rëndësi kanë telespektatorët që shohin edhe tifozët në shkallare edhe lojtarët në fushë!

Tifozët duhet të jenë sa më agresivë që spektakli të jetë sa më i bukur në ekran. pse kot krijojnë shoqata tifozësh! Për ideale kombëtare a nder qytetesh!!! Jo, për ta grumbulluar, nxitur, ndërsyer tifozerinë që spektakli të bëhet edhe më tërheqës në ekranin televiziv. Nga ndeshja futbolli ajo duhet të kthehet në një ndeshje gadi gladiatorësh. Tifozët duhet të shkojnë në eksitimin e tyre deri në pragun e hyrjes në fushë. Ky është spektakël.

Tifozi pi birrë nuk pi kafe. Një tifoz që pi kafe në stadium prish spektaklin, ai hiqet qafe njësoj si sulmuesi që nuk shënon dot, njësoj si portieri që nuk mbron portën e vet.

Reklamuesi i një malli e quan ndeshjen e bukur atëherë kur reklama që ka transmetuar në televizion gjatë ndeshjes apo shfaqet si afishe në stadium, ka sjellë shitjen e këtij malli. Tifozi nuk e di që ai ka ardhur të shohë një ndeshje, në stadium apo në kolltuk para ekranit, por në fakt më e rëndësishmja është që ai të shohë reklamën që shoqëron imazhet e ndeshjes.

Reklama e parë është më e rëndësishme sesa goli i parë. Tifozi ose telespektatori po shndërrohet gjatë ndeshjes në blerës të mallit të reklamës që shoqëron transmetimin e ndeshjes. Bie shitja e mallit, humbasin investimet e reklamuesve në televizion, aksionerët e televizionit që financojnë klubet kërkojnë që ndeshja të ketë ritëm. Nëse jo, ndryshohen lojtarët. Duhen skuadra të forta. Nëse nuk është skuadra jonë aq e fortë sa duhet për të fituar, atëherë duhen paguar miliona që skuadra kundërshtare të bëjë sikur luan, por të na lejojë të shënojmë.

Çfarë më kushton më shumë, të investoj për lojtarë më të mirë për t’i pasur në skuadrën time, apo të investoj te lojtarët e skuadrës kundërshtare që ata të mos luajnë aq shumë mirë sa të më mundin? Si ta telekomandoj lojën e skuadrës kundërshtare???

Nuk është media masive që regjistron golat, ndodh që goli regjistrohet, sepse kështu e kërkon interesi financiar i mediave botërore.

Nuk është Goli që shënohet dhe kamera regjistron, është kamera që me rrotullimin dhe fuqinë e vet të padukshme shënon Gol, e merr nga njëra portë dhe e çon topin direkt te tjetra.

Fuqia e kamerës gjuan edhe penalltitë, kornet, goditjet e dënimit, kamera driblon, sprinton.

Por, pastaj mbi këto industri që bashkojnë sportin, me mediat dhe me financat, ngrihen shoqëritë e lotove. Miliona tifozë të lotove, një industri e tërë që edhe ajo bën gola, pa fund gola. E pastaj merkatoja e gladiatorëve, më falni, e prestidigjatorëve, ndjesë, e aktorëve, jo, jo, e futbollistëve ku lëvizin miliarda, në të zezë e në të bardhë.

Ja pra, pse sporti pa industrinë sportit nuk mund të zhvillohet sot, ndeshja e futbollit është bërë një industri e reklamës, e medias, e interesit bankar tê aksionerëve të sipërmarrjeve, e prodhuesit të mallrave, industri e lotos, e merkatos futbollistike, është bërë llogari financiare dhe fitimi.

Nuk luhet për fitore, luhet për fitim.

Çfarë mbetet sot nga goli i pastër i dikurshëm? Asgjë. Goli telekomandohet me dron, nga përqindja e interesit të fitimit, nga rentabiliteti financiar i marketingut, nga lëkundjet e bursës, nga vlerave e aksioneve në këtë apo atë biznes.

Nuk është futbolli cilësor që sjell fitime, janë industritë e sportit që mund të prodhojnë futbollin cilësor.

Prodhojnë cilësi në futboll, por ndeshja ka humbur thelbin e vet, si ndeshje njerëzish, si ndeshje humanësh, të barabartë që masin forcat e tyre, jo, ndeshja është matja e forcave në treg.

Nuk luhet për të fituar, por për fitim.

Fitohet për të fituar.

Futbolli shqiptar, sipas meje, përbëhet në planin funksional nga këto rrafshe:

  1. Futbolli industrialo – komercial i paraqitur nga futbollistët që luajnë në ligat e huaja.
    b. Futbolli i mecenatit, i financuar ashtu si mundet dhe për ato arsye që dihen, nga parelinj ose që dikur e kanë dashur futbollin, ose që e kërkojnë për qytetin e tyre, ose për imazh personal, ose me shpresa se ekipi duke dalë në kampionatet evropiane do të sjellë parà në forma të ndryshme, ose…
    c. Futbolli patriotik ku luhet nga disa futbollistë për motive kombëtare, por përzier me paranë, sigurisht, sepse pa parà, as dreqi nuk të do.
    d. Futbolli natyror i kalçetove, i oborreve të shkollave, i para-para të rinjve ku luhet badihava, por edhe aty vlon dëshira individuale ose e prindërve për të parë talente, por pa mbështetje dhe në gjendje të vështirë kushtesh materiale.
    Kalimi nga (d) te (b), lere pastaj te (a) një kalvar i tërë, e dinë vetëm ata që e kanë provuar, ata rrëfejnë.
    Kurse në planin e kombëtares, ne mbështetemi te (a), pra te lojtarët e eksportuar, sikurse shumica e vendeve të globit në fakt.
    Kombëtaret e futbollit në fakt janë globalizuar, janë planetarizuar, kombi atje është si kombi në ekonomi, thjesht një simbol para tregut global, në fakt janë lojtarë që funksionojnë jashtë futbollit kombëtar, stërvitem jashtë tij, motivohen jashtë tij, jetojnë jashtë tij, vetëm fanella, mbështjellësja, paketimi, ambalazhi është shqiptar, kot për sherr. Nuk paraqet gjendjen e futbollit kombëtar sikurse ndodhte në botë 40 a 50 vite më parë.
    Asnjë lidhje mes kombëtares dhe imazhit global.
    Mall i huaj me paketim kombëtar.
    E kundërta e tregtisë informale ku kemi mall shqiptar me ambalazh të huaj.
    Malli i dobët mbetet në vend, malli i mirë ikën tej, tutje, larg, sikurse eksportojmë qingja dhe importojmë mish kau,
    Sikurse në ekonomi, ku degët performante të ekonomisë, telekomunikacioni, bankat, etj., i kanë aktorët globalë, kurse kioskat jashtë ekonomisë globale, jashtë funksionimit ekonomik, në gjendje natyrore, i kanë hallat e çunave të tezeve, burri i motrës të gocës hallës, vjehrra e çunit të dajës, e kështu me radhë.

Tifozët që kujtojnë se po shohin një spektakël të ofruar për ta, në fakt janë pjesë e spektaklit që ata po japin për spektatorë të tjerë.

Loja natyrore gjendet vetëm në shoqëritë natyrore, paraekonomike, kurse tani lojrat natyrore, kaladibrançe, rraqe-rraqe-kikiko-, pincash, petash, me litar, me gogla, tërheqje litari, shfaqen vetëm në përralla dhe në ëndrra të rriturish. Sot ka industri sporti, jo sport natyror.

Ja pse sporti sot nuk ka lidhje me arsimin, as me edukimin, por me financat dhe ekonominë. Nuk është sport, është industria e sporteve. Na duhet një ministri e financave dhe e industrisë të sporteve:) .

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency