Deklarata/ Shkarkimi i gardianëve për energjinë, Naço: Marrim përsipër koston

0
126

Alma Çuka

 nasip-naco“Jemi të gatshëm të përballemi në gjykatë me të gjithë. Kushdo që do të fusë dorën në xhepin e shtetit, do të përballet me ndëshkimin, pra nuk do të ndalemi në këtë proces të nisur”

 Pak ditë pas urdhrit të firmosur për largimin nga detyra të 131 punonjësve të Policisë së Burgjeve, për shkak se nuk kishin paguar energjinë elektrike prej vitesh, ministri i Drejtësisë ka forcuar bindjen se ata e kanë merituar një vendim të tillë. Sipas ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, punonjësit e shkarkuar nga detyra kishin futur dorën në xhepin e shtetit dhe për këtë duhet të ndëshkohen. Ndërsa tha këto fjalë, ministri nuk ngurroi të deklaronte se fushata e nisur për të identifikuar të gjithë debitorët e energjisë elektrike nuk do të ketë kthim pas. Këto deklarata ministri i Drejtësisë i lëshoi dje, teksa ishte i pranishëm në konferencën e organizuar nga Avokatura e Shtetit, me rastin e 15-vjetorit të themelimit të saj.

 

Verifikimi

Kreu i Ministrisë së Drejtësisë pak ditë më parë në njoftimin zyrtar do të deklaronte se institucioni i burgjeve kishte identifikuar rreth 650 punonjës të policisë, të cilët rezultonin debitorë me shuma të mëdha. Nga ky numër u tha se janë veçuar për t’u shkarkuar nga detyra vetëm 131, për faktin se, sipas tyre, të shkarkuarit kishin të paktën 12 vite që nuk paguanin paratë e dritave dhe shumat varionin deri 23 milionë lekë. Teksa fliste për këtë temë, ministri i Drejtësisë deklaroi dje se është i gatshëm të përballet edhe me një faturë financiare, e cila mund t’i faturohet pas vendimeve gjyqësore që mund të shpallë gjykata në favor të të pushuarve nga detyra. Aktualisht mësohet se të gjithë personat e pushuar nga detyra me urdhër të ministrit të Drejtësisë për faktin se nuk kishin shlyer faturat e energjisë elektrike do të nisin një proces gjyqësor. Paralelisht me kërkesën e tyre, një hetim është nisur edhe nga Avokati i Popullit, Igli Totozani. Pak ditë më parë, Avokati i Popullit nisi një shkresë drejt ministrit të Drejtësisë dhe drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto, ku i kërkonte t’i vihej në dispozicion dokumentacioni dhe baza ligjore ku është mbështetur shkarkimi nga detyra. Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se do të vazhdojë të kryejë verifikime të hollësishme edhe për pjesën tjetër të punonjësve të policisë, të cilët janë shpallur debitorë. Aktualisht, nuk thuhet se do të pushohen policë të tjerë, për faktin se institucionet kanë nevojë për punonjës. Ndërsa burime të besueshme nga burgjet bëjnë me dije se autoritetet e këtyre institucioneve kanë kryer marrëveshje individuale me punonjësit debitorë, duke i detyruar ata që brenda një afati të caktuar të shlyejnë detyrimin ndaj shtetit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency