Kryeministri Rama: 8 Dhjetori, simbol i fuqisë së të rinjve që bënë histori. Arsyet pse vendit i duhet politika

0
129

Gëzim Saliu

 Kryeministri fton të rinjtë të jenë pjesë e politikës: Përmes saj u japim jetë aspiratave të njerëzve

rama16-300x163 Në punimet e mbledhjes së 16-të të Asamblesë së Përgjithshme të Rinisë, Kryeministri Rama e cilësoi dje 8 Dhjetorin si ditën simbol të rinisë shqiptare për të bërë histori. Sipas kreut të qeverisë, rënia e perdes së hekurt të regjimit komunist çliroi shpresën për sistemet politike njerëzore që ndërtohen nga njerëzit, për njerëzit dhe me njerëzit. “Lëvizja e Dhjetorit 1990, këtu në Shqipëri, që i dha zë ëndrrës për të jetuar në liri dhe në demokraci, kur liria dhe demokracia për atë brez të lindur e të rritur në diktaturë s’mund të ishin asgjë tjetër, përveçse përmasa e një imagjinate të formësuar vit pas viti, pa zë dhe brenda vetvetes. Rënia e perdes së hekurt, edhe për Shqipërinë, siç do të thoshte Vaslav Haveli, kapi në surprizë si Lindjen, ashtu edhe Perëndimin. Në fakt, ishte efekti surprizë i një shembjeje të paimagjinueshme, që çliroi një herë e përgjithmonë shpresën për sistemet politike njerëzore që ndërtohen nga njerëzit, për njerëzit dhe me njerëzit dhe janë mjete dhe jo pengesa në rrugën e realizimit të ëndrrave dhe të shpresave përmes ndjekjes së aspiratave të gjithsecilit”, – u shpreh kreu i qeverisë.

 

Deklarata

Por, sipas kreut të qeverisë, ajo që vjen pas lëvizjes, e cila reflekton aspiratat e njerëzve që shembin diktatura dhe sisteme shtypëse, nuk sjell gjithmonë dhe për gjithkënd hapësirën për të realizuar ëndrrën dhe shpresën e tij. Përvetësimi dhe transformimi pastaj i forcës shtytëse për këto ndryshime të mëdha nga protagonistë, që janë shfaqur në histori si të zot për të përvetësuar dhe transformuar diçka të nisur e të zhvilluar fillimisht krejt ndryshe, ka qenë pasojë në më shumë se një rast i këtyre momenteve të paharrueshme në histori. “Besoj që ajo çka vlen të thuhet gjithmonë, jo në momentet revolucionare, por në momentet kur jemi midis apo pas një momenti revolucionar është se përmbajtjen dhe cilësinë e përmbajtjes së një procesi historik, së një procesi politik, së një procesi qeverisës në një vend e përcakton cilësia e pjesëmarrjes së përditshme e njerëzve të zakonshëm të atij vendi në këtë proces”. Nga ana tjetër, duke iu drejtuar të rinjve, Kryeministri kërkoi pjesëmarrjen e tyre në politikë, pasi vetëm në këtë formë, sipas tij, do të bëhet e mundur përmbushja e aspiratave. “Politika që sot në të katër anët e botës shihet padrejtësisht si një fuqi e diskretituar, në fakt është një fuqi e pazëvendësueshme për t’u dhënë jetë aspiratave të njerëzve, për t’u dhënë jetë ëndrrave dhe shpresave të njerëzve, sepse është e vetmja forcë që u jep mundësi njerëzve të bëjnë së bashku atë që të vetëm nuk e bëjnë dot, është e vetmja forcë që u jep njerëzve mundësinë të gjenden në një hapësirë të përbashkët për t’i dhënë zë një ideje, për t’i dhënë zë një shqetësimi, për t’i dhënë zë një revolte të tyre. Është e vetmja forcë që u jep mundësi njerëzve, që së bashku të bëhen pjesë e një përpjekjeje që ndryshon qeverinë dhe qeverisjen”, – u shpreh Rama. Në këtë kontekst, ai tha siç politika ka bërë dëme për njerëzit. Nga ana tjetër ka sjellë edhe krijimin e projekteve më të rëndësishme për njerëzimin. “Një nga këto projekte të admirueshme është Evropa e Bashkuar. Ky është një projekt politik i njerëzve të politikës që me largpamësi dhe me kurajë çuan përpara një ide, të cilës në momentin e parë dukej se nuk do i vinte kurrë koha”, – theksoi Rama, duke shtuar se është iluzion i madh të mendosh se po s’u more ti me politikën, politika nuk do merret me ty: “Sepse sa më pak të merremi ne, njerëzit, me politikën, aq më shumë rrezikojmë të jemi viktima të vendimeve të gabuara të saj. Sa më shumë njerëzit e zakonshëm të merren me politikë, aq më shumë politika bëhet fuqia e tyre për ndryshim”. Në Asamblenë e djeshme të organizuar në Tiranë merrnin pjesë 50 vende të ndryshme të botës, delegatë, vëzhgues, përfaqësues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si edhe përfaqësues të qeverive të ndryshme.

 

 Në konferencë/ Studentët, Kryeministrit: Universiteti është kthyer në treg

Gjatë fjalimit të Kryeministrit, si edhe zhvillimit të konferencës së përgjithshme të rinisë, disa studentë të universiteteve mbanin disa pankarta në duar të cilat kundërshtonin vendimet e fundit të qeverisë për sistemin arsimor. Në pamundësi për t’u takuar me Kryeministrin, kur ai po largohej nga konferenca, disa studentë të lëvizjes për universitetin i thanë Ramës se janë trajtuar si klientë dhe jo studentë. “Na e keni trajtuar universitetin si të ishte treg. Do shihemi zoti Kryeministër”, – thirri një studente në sallë. Për të sqaruar arsyet e këtij reagimi, përfaqësuesja e lëvizjes tha se tarifat e studimit janë rritur dhe se ndryshe nga sa thotë Kryeministri, kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh. “Qëllimi ynë është ta ndryshojmë gjendjen në të cilën ndodhet universiteti sot. Jemi në situatën kur po merren shumë reforma ndaj nesh dhe shumë VKM po dalin në kundërshtim me atë çfarë duhet të ishte ideja e universitetit. Në peticion janë disa kërkesa. Por kishim disa kërkesa emergjente, që ishte heqja e 30% si kusht për regjistrimin në master. Shumë studentë e kanë paguar 30%, ata që nuk e kanë paguar janë përjashtuar nga universiteti dhe vendi i tyre ka dalë në shitje”, – tha Mirela Ruko.

 

 Zbardhet ligji i lustracionit/ Doda me Idrizin: S’jam e PDIU-së, mbrojmë deri në fund kauzën e studentëve të Dhjetorit

Në ditën e 8 dhjetorit, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, demokratja Mesila Doda si dhe përfaqësues të partive politike e të shoqërisë civile vendosën të prezantonin projektligjin për hapjen e dosjeve që tashme është depozituar në Parlament. Deputetja demokrate Mesila Doda theksoi se do të jetë e gatshme ta debatojë dhe ta mbrojë ligjin në Parlament. Po ashtu ajo bëri të ditur se drafti i hartuar nga Elsa Ballauri përveç saj dhe Shpëtim Idrizit është mbështetur edhe nga një deputet tjetër i se djathtës, nga Dashamir Shehi. “Është e pakët t’ju them se është një nismë që u ka pëlqyer shumë pak njerëzve. Të gjithë na kanë treguar se cilat janë arsyet, për shkak të të cilave kjo nuk është dhe nuk mund të bëhet dhe pakkush, flas nga drejtuesit e klasës politike të sotme, ka thënë po, është iniciativë e mirë dhe duhet ta përkrahim. Kjo do të thotë që tashmë do të kemi qasje tjetër, jo vetëm përballje e hapur në Parlament me forcën që nuk do lustracionin e politikës shqiptare dhe që ka të bëjë me mazhorancën e sotme që tenton të fshihet pas një gjysmëtendence për të hapur dosje pa emër e pa kryer lustracionin. Po dhe një tendencë për të bashkuar të djathtën në emër të një dekomunizimi të shoqërisë shqiptare”, – tha Mesila Doda. Nga ana e tij, kreu i PDIU-së i bëri thirrje politikës që të mos e shohë ligjin si një lojë të majtë apo të djathtë: “Është një nismë e shoqërisë civile. Lëvizje për dinjitetin e politikanëve shqiptarë. Kemi 24 vjet që dëgjojmë lloj-lloj epitetesh dhe do të thosha që ky është në moralin e politikës dhe shoqërisë shqiptare”. Kjo ishte hera e dytë që në 8 Dhjetor, deputetja e PD-së zgjedh të dalë para kamerave në krah të Shpëtim Idrizit, ndërkohë që nuk ishte e pranishme në aktivitetin e organizuar nga PD-ja. “Mesila nuk ka kaluar as në PDIU, as në ndonjë forcë tjetër politike, por mbetet një nga anëtaret e Lëvizjes Studentore dhe mbetet në ballë të lëvizjes për dekomunistizimin e Shqipërisë. Mos hapni këtë lajm, i cili dëmton!”, – iu përgjigj deputetja pyetjes së medias për afrimitetin me PDIU-në. Ndërkohë, fakti se pse nuk ishte e pranishme në aktivitetin e PD-së, ajo iu përgjigj: “Shkoni dhe pyesni se kë kanë ftuar, sepse mua nuk më ka ardhur asnjë ftesë, madje kam pyetur edhe deputetë të tjerë dhe më kanë dhënë të njëjtën përgjigje. Po të më kishin ftuar, do të kisha shkuar me shumë dëshirë”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency