Skandal ekonomik/ Kreu i PD, Basha: Rama-Meta po mbajnë çmimin më të lartë në botë të karburanteve

0
133

Erneta Shevroja

Lulzim Basha“Ky është skandal politik, ekonomik dhe financiar, skandal i përmasave gjigante korruptive. Kontrabanda, evazioni dhe informaliteti lejohet nga qeveria”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë për çmimin e lartë të karburanteve në tregun e brendshëm. Sipas kreut të opozitës, çmimi i naftës në tregun shqiptar është ndër më të lartat në Evropë dhe në botë. Dhe për më tepër, sipas, Bashës, kur në tregun evropian dhe më gjerë prej tre muajsh çmimi i naftës ka qenë më i uli ndër vite, duke bërë që njerëzit të mund të kursejnë. Në kontrast me vendet evropiane dhe të rajonit, Basha u shpreh se qeveria ka bërë marrëveshje me korporata të caktuara për ta mbajtur këtë produkt në maksimumin e çmimit. Sipas Bashës, kjo ndodh për dy arsye: “Në njërën anë janë taksat e larta që ka vendosur kjo qeveri, ndër më të lartat në rajon, Evropë e në botë. Në anën tjetër është kontrabanda, evazioni, informaliteti gjigant, i lejuar, nxitur dhe koordinuar nga qeveria, nga kupola mafioze qeveritare me klientët e saj që operojnë në fushën e prodhimit, importimit dhe tregtimit të karburanteve”.

 

Basha

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka kritikuar qeverinë lidhur me çmimin e lartë, me të cilin shitet nafta në tregun shqiptar, në një kohë kur ky produkt në tregjet ndërkombëtare shitet shumë më ulët, 40 për qind. “Ka vetëm një vend në Evropë dhe në planet ku rënia 40 për qind e çmimit të karburanteve në tregun global nuk reflektohet thuajse fare në çmimet e karburanteve në tregun e brendshëm. Ky vend është Shqipëria e dyshes së oligarkëve, Rama-Meta”, – u shpreh kreu i partisë më të madhe opozitare.

“Rritja e çmimit të naftës në vendin tonë, – u shpreh Basha, – ndodh për arsye të aprovuara nga qeveria”. Sipas tij, qeveria ka bërë marrëveshje me kompani të caktuara që të shesin karburantin më çmim të lartë. Pse nuk reflektohet në Shqipëri ulja me 40 për qind e çmimit të karburanteve në tregun global? Sipas Bashës, arsyeja është e dyfishtë: “Në njërën anë janë taksat e larta që ka vendosur kjo qeveri, ndër më të lartat në rajon, Evropë e në botë. Në anën tjetër është kontrabanda, evazioni, informaliteti gjigant, i lejuar, nxitur dhe koordinuar nga qeveria, nga kupola mafioze qeveritare me klientët e saj që operojnë në fushën e prodhimit, importimit dhe tregtimit të karburanteve”.

 

Ku shkojnë paratë

Ajo që e përkeqëson këtë situatë, përveç çmimit të lartë, është fati se këto para nuk shkojnë në të mirë të konsumatorit. “Këto para, – tha Basha, – nuk përfundojnë në arkën e shtetit, por vidhen nga bashkëpunëtorët qeveri-klientë. Qeveria, me vetëdije, i lejon këta klientë të blejnë 40% më lirë dhe t’ia shesin popullit 40% më shtrenjtë. Këto shuma marramendëse parash, që paguhen padrejtësisht nga konsumatorët, qytetarët shqiptarë, nuk shkojnë në arkën e shtetit, nuk shkojnë për rritjen e pensioneve, të rrogave, nuk shkojnë për rritjen e ndihmës ekonomike të qytetarëve në nevojë, nuk shkojnë për shkolla dhe spitale, nuk shkojnë për ndërtim infrastrukture, për hapje vendesh të reja pune, nuk shkojnë për dëmshpërblimin e pronarëve, të përndjekurve politike. Këto para, thjesht dhe vetëm vidhen. Nga ata që e komandojnë këtë treg, nga duopoli qeveri-klientë”, – nënvizoi kryetari i opozitës.

 

Aferë korruptive

“Të gjitha këto të dhëna, – u shpreh kryeopozitari, – tregojnë për një skandal të madh ekonomik, politik dhe për një aferë korrupive, ku në mes janë shuma të mëdha parash. Ky korrupsion, – arsyeton Basha, – është ulur këmbëkryq në Shqipëri që me ardhjen e dyshes Rama-Meta në pushtet. Ky është një skandal i përmasave të panjohura më parë: skandal politik, skandal ekonomik dhe financiar, skandal i përmasave gjigante korruptive. Ky megakorrupsion është ulur këmbëkryq në Shqipëri që me ardhjen e dyshes Rama-Meta në pushtet. Është poshtërim dhe fyerje për shqiptarët që nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të pranojnë të vidhen e të varfërohen në mënyrë kaq cinike e të paskrupullt, vetëm e vetëm se qeveritarët kanë vendosur të pasurohen në kurriz të tyre”, – vijon kreu i PD-së. Ndërkohë, e vetmja gjë që mund të bëjnë qytetarët është ngrihen dhe të protestojnë kundër kësaj politike që vetëm merr nga xhepat e qytetarëve dhe nuk hap asnjë vend pune. “Rama dhe Meta, qëndrojnë si taksidarë të pamëshirshëm mbi xhepat dhe ekonominë personale dhe familjari të çdo shqiptari. Po varfërojnë përditë çdo vatër, e po majmen përditë ditë veta ata dhe klientela e tyre. Shqipëria në këmbë, Shqipëria në protestë është e vetmja përgjigje për oligarkët”, – përfundoi Basha.

 

Rama, ironi me deklaratën e Bashës për çmimin e lartë të naftës

Pas deklaratës së kreut të opozitës, reagoi Kryeministri Rama, i cili solli në vëmendje një kërkesë të vjetshme të demokratëve. Shefi i qeverisë ka bërë ironi me deklaratën e kreut të opozitës, sipas të cilit dyshja Rama-Meta po pengon uljen e çmimit të naftës. “Vjet thoshin do rritet nafta aq sa do bjerë Shqipëria, tani pse nuk është ulur aq sa duhet! A ju kujtohet ajo çfarë uji t’i japësh gomarit?”, – është reagimi i Kryeministrit në rrjetin social “Facebook”.

 

 Shifra/ Berisha: Shtohet me 6.2 herë numri i të varfërve ekstremë, rezultat i piktorit dështak

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon qeverinë se me politikat antiekonomi ka rritur në mënyrë të ndjeshme numrin e të varfërve ekstrem. Duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore, Berisha shkroi në “Facebook” se krahasuar me të dhënat e fundit, numri i të varfërve ekstremë në vendin tonë është rritur me 6.2 herë. Këto janë rezultat, vijon Berisha, i politikave dhe padijes së Kryeministrit në fushën e ekonomisë”. Tronditëse për të mos thënë të kobshme janë të dhënat e fundit për varfërinë ekstreme (sipas Bankës Botërore konsiderohen në gjendje të tillë personat me të ardhura nën 1.25 $ në ditë) apo siç quhet ndryshe mjerimin në Shqipëri. Të dhënat e Bankës faktojnë se varfëria ekstreme në Shqipëri ka arritur në 8.2% nga 1.3% që ishte në studimin e fundit, pra është rritur 6.2 herë. Sipas këtyre të dhënave sot në Shqipëri mbi 250 mijë vetë jetojnë në varfëri ekstreme, pra në mjerim, nga vetëm 30 mijë që ishin në studimin më të fundit. Rritja me shpejtësi e mjerimit lidhet para se gjithash me humbjen e vendeve të vetme të punës në familje, nga rritja e taksave, largimi i investitorëve të huaj, rënien me 50% të investimeve të huaja këtë vit, rënien e eksporteve krahasuar me një vit me parë, thellimit me 20% të deficitit tregtar në muajin tetor si dhe zhytjen e ekonomisë në recesion. Të gjitha këto janë rezultat direkt i politikave antibiznes të analfabetit në ekonomi, piktorit dështak Edi Rama, rritjes së madhe të taksave, bllokimit të ndërtimit në mbarë vendin, sektor qendror i ekonomisë në të cilin siguronin bukën e përditshme mbi 43 mijë familje shqiptare, anulimit të paligjshëm të qindra koncesioneve dhe kontratave”-shkoi ish-kryeministri në rrjetin social “Facebook”. Përveç këtyre arsyeve, Berisha shton edhe uljen e të ardhurave që sillnin emigrantët.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency