Kukës/ Gjykata lë në burg ish-kreun e OSHEE-së, vodhi energjinë për lokalin

0
133

Sulejman Brati furnizonte lokalin nga kabina elektrike. Nuk kishte kontratë për furnizimin me energji. Arrestimi, pas kontrolleve të operatorëve të OSHEE-së në Kukës

energjiaGjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Sulejman Brati, ish-drejtues i filialit të Hasit, i dyshuar nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike”, parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal. Vendimi i gjykatës erdhi dy ditë pasi organi i akuzës kishte depozituar pranë saj dosjen brenda se cilës ndodheshin të gjitha provat kundër ish zyrtarit të OSHEE-së, dega Has. Gjykata në vendim u shpreh se gjen me vend kërkesën e prokurorisë për të lënë në burg pa afat, Sulejman Bratin, për veprën e mësipërme penale, ndërsa shton se provat objekt hetimi që Prokuroria kishte depozituar kundër tij, vërtetonin plotësisht kryerjen e veprës penale.

 

Hetimi

Nga veprimet paraprake hetimore, të kryera nga Prokuroria e Kukësit, ka rezultuar se më datë 28.10.2014, policia gjyqësore në Komisariatin e Policisë Has ka arrestuar në flagrancë shtetasin Sulejman Brati, i dtl. 1958, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike”, parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal. Sipas Prokurorisë ka qenë një grup pune i OSHEE ai që pas kryerjes së një kontrolli pranë një ndërtese dykatëshe ka verifikuar shkeljen e ligjit, nga ana e të pandehurit. Më konkretisht bëhet e ditur se më datë 28.10.2014, grupi i punës i OSHEE Kukës, në bashkëpunim me punonjësit e policisë, kanë ushtruar kontroll në lokalin “Artikuj të ndryshëm” që ndodhet në fshatin Golaj, Has, në pronësi e posedim të shtetasit Sulejman Brati. Nga kontrolli i ushtruar, i cili është shoqëruar me tabelë fotografike, ka rezultuar se objekti është godinë dykatëshe dhe se shtetasi Sulejman Brati nuk kishte kontratë për furnizim me energji elektrike për këtë lokal me OSHEE. Ndërkohë është vënë re se i pandehuri, energjinë elektrike e merrte nëpërmjet lidhjes së fshehtë nga shtylla elektrike me anë të dy fijeve përcjellës elektrike tel bakri, duke konsumuar kështu veprën penale të “Vjedhje të energjisë elektrike” në lokalin e tij privat, parashikuar nga neni 137/2 K.Penal.

 

Dëshmia

I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Sulejman Brati e ka pohuar faktin se ka bërë lidhje jashtë sahatit elektrik për furnizim me energji elektrike të lokalit të tij. Në këtë rast edhe akuza dhe prokuroria e ka pasur më të lehtë të vërtetojë faktin dhe të vendos për fatin e ish-kreut të OSHEE, Kukës. Policia e shtetit në bashkëpunim me operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, prej më shumë se dy muaj janë duke kryer një operacion të gjerë për ndërprerjen e energjisë elektrike në të gjitha familjet, të cilat rezultojnë debitorë dhe për zhdukjen e abuzimeve. Sipas statistikave të policisë qindra qytetarë janë arrestuar për vjedhje të energjisë. Ndërkohë bëhet e ditur se numrin më të madh të të arrestuarve e mbajnë pronarët e bizneseve të ndryshme.

 

 Durrës/ Tenton të rilidhë energjinë elektrike, humb jetën tragjikisht

 Një grua ka humbur jetën, për shkak të kontaktit me energjinë elektrike në qytetin bregdetar të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:20 të së hënës në lagjen 15, në Spitallë, ndërsa viktima është R. Alla, 35 vjeçe. Sipas policisë, dyshohet se gruaja ka tentuar të lidhë energjinë elektrike, por ka gjetur vdekjen. 35-vjeçarja është dërguar menjëherë në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë. Policia në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave. Sipas burimeve të para, bëhet me dije se 35-vjeçares i ishte prerë energjia elektrike, për shkak të mospagesës së detyrimeve. Mbrëmjen e vonë të së hënës, për të shmangur errësirën në banesë, ajo i është drejtuar kabinës me qëllim rilidhjen e tyre. Policia po heton lidhur me shkakun e vdekjes. Nuk dihet saktësisht nëse gruaja ka rënë në kontakt me energjinë ndërsa tentonte ta lidhte atë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency