Formalizimi i punës/ Ndryshim ligjit, Rama: Burg për ata që punojnë apo punësojnë në të zezë

0
117

Gëzim Saliu

 rama te konventa“Ulja 25% e numrit të familjeve në ndihmë ekonomike prej pastrimit të skemës nga abuzimi. 20 milionë dollarë për vitin 2015, mbështetje 169 mijë personave dhe 88 mijë familjeve”

Pas masave ekstreme me ndjekje penale për ata që vjedhin energjinë elektrike apo ndërtojnë pa leje, qeveria planifikon të njëjtën gjë edhe për ata që punojnë apo punësojnë në të zezë. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi dje në Konventën Kombëtare të Shërbimeve Sociale se do të futen në burg të gjithë punëdhënësit dhe punëmarrësit që nuk regjistrohen tek Sigurimet Shoqërore. “Fakti është që janë 81 mijë e 352 të punësuar të rinj, të regjistruar në librat e llogarive të këtij vendi, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat. Dhe në gjuhën e botës normale këto quhen vende pune. Sikundër, në gjuhën botën normale, puna në të zezë konsiderohet absolutisht veprimtari e dënueshme penalisht. Për këtë arsye, edhe në një ndërhyrje të re që ne po bëjmë në legjislacion, qoftë shmangia e përsëritur nga tatimet, qoftë edhe gjetja e përsëritur e një punonjësi në të zezë në një biznes do të jetë e barabartë me ndjekjen penale dhe çuarjen prapa hekurave të personit përkatës apo të drejtuesit të kompanisë përkatëse, sepse nuk mund të vazhdojmë më historinë e shmangieve pafund dhe të skllavërimit zinxhir që e kemi në të gjithë territorin e Shqipërisë, të pranishëm”, – tha kreu i qeverisë.

 

Punësimi

Lidhur me shifrat e punësimit, Kryeministri iu përgjigj akuzave të opozitës, duke theksuar se në vitin e parë të qeverisjes së majtë janë 81 mijë 352 të punësuar të rinj të regjistruar. “Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të punësuar rishtazi, falë skemave të mbështetjes së punësimit, por falë edhe investimeve private. Një pjesë tjetër e rëndësishme janë njerëz të nxjerrë nga kthetrat e skllavërisë në të zezë. Janë një shifër jashtëzakonisht e konsiderueshme që tregon se ka shumë hapësirë ende për të zgjeruar bazën e personave të siguruar dhe të mbrojtur nga pikëpamja sociale, dhe për të zgjeruar bazën e punësimit në vend”, – tha Rama.

 

Ndihma ekonomike

Sa i përket ndihmë ekonomike, kreu i qeverisë tha se në një vit, nga 27 000 dosje në lidhje me aftësinë e kufizuar 20% e tyre, pra 5400 dosje, kanë rezultuar me dokumentacion abuziv, me qëllim përfitimin e pamerituar. Për këtë sipas Ramës janë të domosdoshme reformat e thella që shpeshherë kërkojnë edhe sakrifica. Më tej, Kryeministri bëri të ditur se është dyfishuar fondi i ndihmës ekonomike, nga 10 milionë dollarë në 19 milionë dollarë këtë vit, pa borxhe. “Dhe rreth 20 milionë dollarë për vitin 2015, duke i siguruar mbështetje 169 mijë personave dhe 88 mijë familjeve të ndihmës ekonomike. Shembulli tjetër është 16 milionë dollarë ekstra të vendosura në dispozicion pikërisht të personave me aftësi të kufizuar dhe të familjeve në ndihmë ekonomike, plus të pensionistëve kryefamiljarë për të përballuar efektin e heqjes së fashës mbrojtëse 300 kilovat, në raport me konsumin e energjisë elektrike”, – u shpreh Rama. Ndërkaq sipas kreut të qeverisë ulja e 25% e numrit të familjeve në ndihmë ekonomikë është drejtpërdrejt rezultat i pastrimit të skemës nga abuzimi. “Ka akoma abuzim. Ka akoma familje që marrin ndihmë ekonomike në mënyrë të pamerituar, por do të vazhdojë operacioni i pastrimit të skemës”, – tha ai. Nga ana tjetër, Rama e cilësoi si mjaft të rëndësishëm kalimin e ndihmës ekonomike tek gratë duke theksuar: “Unë mund të mbroj idenë se këtë vend e “çmendën” burrat dhe mund ta shpëtojnë vetëm gratë”.

 

Batuta me përfaqësuesin e Ambasadës Zvicerane

“Unë kam një kompliment të veçantë, falë mikut tonë, përfaqësuesit të Ambasadës Zvicerane, i cili erdhi me vonesë. Është një rast unikal në historinë e këtij vendi që ne fillojmë me orën zvicerane dhe zviceranët vijnë me orën ballkanike. Kështu që, unë ju falënderoj dhe besoj që edhe për mikun tonë zviceran kjo është një shenjë e qartë e progresit”.

 

 Samiti i NATO-s në Bruksel/ Përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme, Mogherini: Shqipëria, rol kyç në rajon

Shqipëria ka një rol kyç në rajon dhe Bashkimi Evropian mund të mbështetet te qeveria shqiptare për të çuar përpara rrugën e ndryshimeve të brendshme dhe rajonale. Kështu deklaroi dje Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikat e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Federica Mogherini, pas takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. “Shqipëria është një histori suksesi në rajon dhe ne kemi nevojë që të vazhdojë në këtë rrugë, jo vetëm për BE-në, jo vetëm për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, por edhe për rajonin. Roli që Shqipëria mund të luajë në rajon është vendimtar dhe mendoj se ne e dimë, ju e dini dhe duhet të punojmë bashkërisht për të vazhduar jo vetëm në rrugën e integrimit evropian, por edhe atij rajonal”, – tha Moegherini. Nga ana e tij, ministri Bushati pohoi se kishte biseduar me Mogherinin për mënyrat se si BE-ja mund të ndihmonte Shqipërinë në rrugën e shtetformimit. “Qartësia gjeopolitike është vendimtare nëse duam të ndërtojmë shtete me synime dhe vlera të përbashkëta në Ballkanin perëndimor”, – u shpreh ai. Deklaratat e Mogherinit dhe Bushatit u dhanë në Bruksel, ku po mbahet samiti i NATO-s për Ukrainën dhe Afganistanin.

 

 Në Krujë/ Rama: Dënime të ashpra për ata që shkatërrojnë mjedisin, mbyllim guroret te Mali i Skënderbeut

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit Lefter Koka, iu bashkua dje në Krastë të rrethit të Krujës aksionit kombëtar të mbjelljes së fidanëve pyjorë që do të shtrihet në gjithë vendin. Sipas kreut të qeverisë, degradimi i mjedisit ndër vite është një plagë e turpshme për shoqërinë, e cila, siç theksoi ai, duhet të marrë fund, duke nisur nga mali i Skënderbeut ku ndodhet edhe kjo zonë. “Janë 500 mijë fidanë që mbillen në këtë sezon. Është projekti i parë, masiv, rehabilitues i gjelbërimit në Shqipëri. Por, rikthimin në normalitet të malit të Skënderbeut e kemi detyrim kombëtar dhe do ta bëjmë patjetër. Pas fazës së mbjelljes së fidanëve në rrafshina, duhet të bëjmë edhe hidrombjelljen, në mënyrë që të mbyllim këtë plagë që na e sheh gjithë bota sa zbret në aeroportin “Nënë Tereza”. Është një turp kombëtar i paimagjinueshëm”. Duke mbetur në këtë kontekst, Kryeministri pohoi se krimi mjedisor nuk do të tolerohet dhe paralajmëroi masa të reja në Kodin Penal kundër këtij krimi. “Do të vazhdojmë me mbylljen e të gjithë guroreve, absolutisht. Asnjë gurore nuk duhet më, të nxjerrë gurë nga ky mal. Do të marrim masa të reja në Kodin Penal për këtë. Është e pamundur ndryshe. Nuk marrin vesh ndryshe, njerëz që janë mësuar të spekulojnë, të abuzojnë dhe të korruptojnë për vite të tëra. Dëmi që bëjnë, në radhë të parë është dëmi më i tmerrshëm për gjithë këtë territor”, – u shpreh Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency