Zbardhen detajet/ Arrestohet avokati, Krahasoi Ramën me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin. 8 mesazhet kërcënuese

0
146

Alma Çuka

avokat bashkim hoxha Bashkim Hoxha, natën e 28 nëntorit, i dërgon një SMS lavdërimi shefit të qeverisë. Nën efektin e pijeve alkoolike, pas marrjes së përgjigjes ka nisur 8 mesazhe të tjera kërcënuese

 Policia e Shtetit ka vënë në pranga mbrëmjen e 29 nëntorit, avokatin Bashkim Hoxha, me akuzën e kërcënimit dhe keqpërdorimit të thirrjeve telefonike. Burime të policisë së kryeqytetit bëjnë me dije se personi i cili ka rënë pre e kërcënimeve të njëpasnjëshme të avokatit, brenda një harku kohor shumë të shkurtër, është Kryeministri i vendit, Edi Rama. Të njëjtat burime konfirmojnë se avokati Bashkim Hoxha i ka nisur mesazhet drejt celularit të shefit të qeverisë, ndërsa ka qenë nën ndikimin e pijeve alkoolike. Ky fakt është pohuar edhe nga vetë avokati, pas arrestimit dhe shoqërimit të tij në mjediset e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Mesazhet e avokatit, sipas burimeve të Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, e cila ka marrë tashmë dosjen në dorë, kanë qenë të rënda. Ai ka kërcënuar numrin një të qeverisë për vrasje, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur edhe pjesëtarët e tjerë të familjes së tij.

 

Kërcënimi

Prokuroria e Tiranës bënë me dije se avokati Bashkim Hoxha do të dalë sot në orët e para të mëngjesit para Gjykatës së Tiranës, për të mësuar lidhur me masën e sigurimit personal. Sipas Prokurorisë, avokati Hoxha, ndërsa ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike, në orën 4 të mëngjesit të së shtunës, i ka nis një mesash Kryeministrit Rama, duke e lavdëruar atë për punën që po bën. Në këtë mesazh nuk kanë qenë vetëm lavdërimet për punën. Por avokati, sipas tabulateve telefonike dhe mesazheve tashmë të zbardhura nga Prokuroria, e ka krahasuar Kryeministrin me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin. Ai, mes të tjerash, i ka thënë Kryeministrit: “Fotografia juaj po qarkullon në gjithë botën si fotoja e Ismal Qemalit dhe Isa Boletinit në Konferencën e Londrës”.

 

Irritimi

Ky ka qenë mesazhi i parë, thonë burimet e akuzës. Pas tij reagimi i Kryeministrit ka qenë i menjëhershëm. Ai i ka kërkuar llogari avokatit, ndërsa e ka marrë në telefon për shqetësimin që i ka krijuar në orët e papërshtatshme, ndërsa ndodhej në gjumë. Në debat e sipër, hetuesit thonë se avokati pretendon se është ofenduar dhe fyer nga Kryeministri, çfarë ka bërë që ai të nisë atij edhe 8 mesazhe kërcënuese për Kryeministrin dhe pjesëtarët e familjes se tij. I acaruar nga biseda dhe mesazhet kërcënuese, Kryeministri ka njoftuar vartësin e tij, ministrin Saimir Tahiri, duke i dhënë të dhënat e kërcënuesit. Të alarmuar, forcat e rendit kanë identifikuar vendndodhjen e avokatit, të cilit i kanë vendosur prangat dhe e kanë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Gjatë marrjes në pyetje, avokati Bashkim Hoxha ka pretenduar se ka qenë nën efektin e alkoolit, por ai thotë gjithashtu se është ndier i fyer dhe i ofenduar nga sharjet e Kryeministrit, pas marrjes së mesazheve të para lavdëruese dhe kjo, sipas tij, ka bërë që më pas t’i nisë 8 mesazhet e tjera, që, pavarësisht se janë kërcënuese, janë përgjigje e atyre që i tha në telefon Kryeministri.

 

Komunikata

Arrestimi i avokatit Bashkim Hoxha është kryer nga Policia e Shtetit mbrëmjen e 29 nëntorit, ndërsa në Tiranë festohej nata e bardhë dhe 70-vjetori i Çlirimit. Ndërsa policia njofton arrestimin përmes komunikatës së datës 1 dhjetor. Ajo që duket në komunikatë është fakti se emri i avokatit, personit të arrestuar, jepet i plotë, ndërsa emri i personit, për të cilin dyshohet se avokati e ka kërcënuar, jepet me iniciale. Ka qenë organi i Prokurorisë ai që më pas ka dhënë hollësi më të plota rreth ngjarjes, ndërsa policia është mjaftuar vetëm në një komunikatë të thjeshtë, ku thuhet: “Më datë 29.11.2014, ora 23:30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bashkim Hoxha, 58 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë sepse ky shtetas ka dërguar SMS kërcënuese për shtetasin me iniciale E. R. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua telefoni celular i markës “Samsung”. Vepra penale, për të cilën akuzohet avokati parashikohet nga nenet 84 dhe 275 i KP”.

 

 Elbasan/ Fushata kundër ndërtimeve pa leje çon në pranga 5 persona në Peqin

 Policia e Shtetit vazhdon të arrestojë qytetar të ndryshëm, të cilët konstatohen se kryejnë ndërtime pa leje, duke dalë kundër vendimit të qeverisë të disa muajve më parë. Policia e Shtetit, konkretisht ajo e qarkut të Elbasanit, bën me dije se ka vënë në pranga pesë persona në qytetin e Peqinit, të cilët janë konstatuar se po kryenin ndërtime të pjesshme në banesat e tyre. Në komunikatën e saj policia sqaron se disa nga personat kanë qenë duke ndërtuar mure rrethuese të banesave në zonat përreth qytetit të Peqinit dhe për këtë qëllim është kryer arrestimi i tyre. Kështu njoftohet se janë arrestuar shtetasit, S. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Algjinaj, Peqin; A.F., 24 vjeç, banues në fshatin Pekisht, Peqin; Xh. K., 68 vjeç, banues në lagjen “Çezme”, Peqin; I. S., 47 vjeç, banues në fshatin Çengelaj, Peqin; Sh. H., 57 vjeç, banues në fshatin Përparim, Peqin. Këta shtetas kanë qenë duke ndërtuar banesat në tokën e tyre, të nisura kohë më parë dhe mure rrethuese të banesave të ndërtuara.

 

Grabitjet/ Goditet banda e vjedhjeve të makinave, pesë në pranga

 Pesë persona u arrestuan dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim nga policia si pjesë e një bande grabitësish të automjeteve. Në një njoftim për shtyp policia e Tiranës bëri me dije se në pranga ranë Iljaz Meçani nga Tirana, vëllezërit Genc dhe Ilir Kasalla nga Fushë-Kruja, Andi Lukani banues në Fushë-Krujë si dhe Pëllumb Jangozi banues në Thumanë. Sipas policisë, të arrestuarit janë autorë të mbi 8 vjedhjeve të automjeteve të cilat i çmontonin dhe i shisnin për skrap në Fushë-Krujë. Skema e grabitjes së makinave në kryeqytet nga persona me banim kryesisht në Laç e Fushë Krujë, tashmë është bërë tepër e njohur për policinë. Më herët në prangat e policisë kanë rënë edhe grupe të tjera kriminale që merreshin me grabitjen e makinave dhe më pas dërgimin e tyre në varreza për t’u çmontuar dhe shitur për pjesë këmbimi. Grupi i hajdutëve synon kryesisht të grabisë makina të shtrenjta ndërsa pre bien edhe Benzat e vjetër, të cilët shiten për skrap.

 

Greqi/ Arrestohet shqiptarja me 3.5 kg heroinë

Një shtetase shqiptare u arrestua nga policia greke, pasi iu gjetën 3.5 kg heroinë të fshehura në trup. Arrestimi u krye në pikën e kalimit kufitar midis Turqisë dhe Greqisë, ku 39-vjeçarja po udhëtonte me autobusin e linjës Stamboll – Selanik. Sasia e drogës, e futur në pesë paketa, me peshë të përgjithshme 3,625 gramë ishte fshehur në një brez të posaçëm që trafikantja e mbante të veshur. Pakot e mbushur me heroinë, ishin mbuluar me erëza dhe kafe qe te mos verifikoheshin ne rast kontrolli nga qentë e antidrogës. Policia greke beson se e arrestuara i përket një rrjeti që importon sasi të mëdha droge nga Turqia, me qëllim trafikimin në tregun grek.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency