Për pushtetin vendor/ Ndryshon ligji: Si do të funksionojnë bashkitë e reja, ndryshon numri i anëtarëve në këshill

0
148

Gëzim Saliu

 Zbardhen ndryshmet: Ja cili do të jetë roli i administratorit në njësitë administrative dhe njësitë bashkiake, si do të përcaktohet numri i përfaqësuesve të bashkive në këshillin e qarkut

 mbledhje qeverieQeveria ndryshon ligjin për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore. Projektligji i miratuar dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8652 datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” vjen në kuadër të hartës së re administrative që përcakton reduktimin e njësive vendore. E ndërsa pritet miratimi i tij në Parlament, projektligji përcakton disa ndryshime të rëndësishme në ligjin për pushtetin vendor, duke nisur që nga mënyra e funksionimit të 61 bashkive deri tek reduktimi i anëtarëve të këshillave bashkiakë apo edhe tek roli i ri i administratorit të njësive administrative dhe atyre bashkiake.

 

Ndryshimet

Në nenin 1 të projektligjit përcaktohet se kudo ku në ligj janë përmendur fjalët “komunë”, “kryetar komune” e “këshilli i komunës” shfuqizohen. Ky ndryshim në ligj vjen, pasi reforma administrative-territoriale i shkriu të gjitha komunat, duke vendosur që në vend të ekzistonin vetëm 61 bashki. Lidhur me këtë të fundit ligji i ri përcakton: “Bashkia e Tiranës përbëhet nga njësitë administrative dhe njësitë bashkiake sipas ligjit nr. 115/2014, “Për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Njësitë administrative përbëhen nga qytetet dhe/ose fshatrat. Qytetet mund të ndahen në njësi më të vogla që quhen lagje. Një lagje mund të krijohet vetëm në territore me mbi 20 mijë banorë”. Nga ana tjetër, ligji parashikon të drejtën e konsultimit të njësive të qeverisjes vendore, ndërsa Këshilli i Ministrave pritet të hartojë aktet nënligjore që përcaktojnë strukturën, formën, mënyrën e organizimit dhe funksionimin. Një tjetër ndryshim që përcakton ligji i ri është ai që lidhet me numrin e anëtarëve të këshillit bashkiak, i cili përcaktohet sipas numrit të popullsisë. Në të njëjtën linjë përcaktohet edhe numri i përfaqësuesve të bashkive në këshillin e qarkut. Ndërkaq, në njësitë administrative dhe në njësitë bashkiake të qytetit Tiranë do të funksionojë administrata që drejtohet nga administratori. Ky i fundit emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë dhe është përgjegjës para tij për funksionimin dhe veprimtarinë e administratës. Ndërsa administratori i njësisë administrative/njësisë bashkiake është organi kompetent për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, të përcaktuara si të tilla me akte të këshillit bashkiak, brenda juridiksionit të caktuar territorial. Nga ana tjetër, në nenin 47, pika 1, që lidhet me ndryshimet e krijimit të lagjeve përcakton se në secilën lagje krijohet dhe funksionon administrata e lagjes që drejtohet nga administratori i lagjes. “Administratori i lagjes emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë”. Në fund të tij projektligji përcakton se deri në datën 31 dhjetor 2017, në çdo njësi administrative do të funksionojë administrata e njësisë administrative. “Nga 1 janari 2018, këshilli i bashkisë ka kompetencën të vendosë për riorganizimin e administratave të njësive administrative/njësive bashkiake, të cilat mund të mbulojnë territorin e një ose më shumë njësive administrative brenda bashkisë, sipas nevojave të komuniteteve vendore dhe efektshmërisë administrative”, – thuhej në projektligj.

 

Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak

– Bashkitë deri në 10000 banorë  15 anëtarë

– Bashkitë nga 10 001 deri në 20 000 banorë  17 anëtarë

– Bashkitë nga 20 001 deri në 50 000 banorë   25 anëtarë

– Bashkitë nga 50 001 deri në 100 000 banorë  35 anëtarë

– Bashkitë nga 10 0001 deri në 200 000 banorë  45 anëtarë

– Bashkitë nga 200 001 deri në 400 000 banorë  55 anëtarë

– Bashkitë mbi 400 000 banorë                65 anëtarë

 

Numri i përfaqësuesve të bashkive në këshillin e qarkut

– Bashkitë me popullsi deri në 10 000 banorë, 2 përfaqësues

– Bashkitë me popullsi 10 001 deri në 30 000 banorë, 3 përfaqësues

– Bashkitë me popullsi 30 001 deri në 50 000 banorë, 4 përfaqësues

– Bashkitë me popullsi 50 001 deri në 100 000 banorë,  5 përfaqësues

– Bashkitë me popullsi mbi 100 000 banorë, 5 + nga një përfaqësues shtesë për çdo 1 deri në 50 000 banorë mbi 100 000 banorë

 

 Nisma e grupit për të drejtat e njeriut/ Dorëzohet në Parlament ligji për lustracionin. Hoffman: Hapja e dosjeve edhe problematike

Një nismë ligjore për hapjen e dosjeve dhe lustracionin u dorëzua dje në Kuvend. Nisma ligjore është hartuar nga grupi për të drejtat e njeriut në bashkëpunim me ish-të përndjekurit, por edhe Studentët e Dhjetorit. Ambasadori i Gjermanisë, Helmut Hoffman, i pranishëm në aktivitetin tek Piramida, pranë Kryeministrisë, tha se hapja e dosjeve është një proces i rëndësishëm, por që do të krijonte mjaft probleme, nisur edhe nga eksperienca e vendit të tij. “Ky është një proces i vështirë për Shqipërinë, por duke u nisur nga eksperienca gjermane ky është një proces i vështirë për tu organizuar. Akoma Gjermania përballet me këtë problem. Ky është proces i rëndësishëm por mund të shkaktojë edhe probleme. Ka pasur raste në Gjermani që burri ka spiunuar gruan, apo raste të tjera të tilla”, – tha ai. Nga ana e saj deputetja e PD-së, Mesila Doda, tha se ligji duhet të miratohet në Parlament me votat e majta dhe të djathta. “Nisma ka pjesën e parë që ka lidhje me hapjen e dosjeve dhe më tutje është pjesa e lustracionit, e atyre njerëzve që kanë marrë pjesë, kanë pasur pozicione të larta dhe kanë qenë pjesë e ideologjisë së diktaturës. Ata nuk mund të jenë më pjesë e institucioneve të larta të këtij shteti. Ka ardhur momenti kur duhet të ndalemi nga e kaluara për të bërë një reflektim personal”, – tha ajo.

 

 Sekretari amerikan i Shtetit/ Kerry: Shqipëria, kontribut të çmuar në NATO, Afganistan dhe kundër Shtetit Islamik

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përcolli dje një mesazh urimi për 102-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, duke e cilësuar vendin tonë si një aleat të fortë dhe të besueshëm në NATO. “Falënderoj popullin për mbështetjen që i dhanë misionit në Afganistan dhe kontributin e tyre të çmuar dhe të menjëhershëm në koalicionin global kundër Shtetit Islamik. Shtetet e Bashkuara vijojnë të mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur kriteret për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Ju uroj progres në rrugën drejt integrimit të plotë euroatlantik”, – shkruante Kerry. Në fund të mesazhit Sekretari amerikan i Shtetit garantoi se SHBA do të mbetet një partner dhe aleat i qëndrueshëm i Shqipërisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency