Bllokohet ekonomia, BSH dhe FMN, çfarë po ndodh me paratë e Shqiptarëve

0
156

BSH, e shqetësuar për situatën në ekonominë shqiptare

Inside money mazeNë daljen e përbashkët me qeverinë dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, Banka e Shqipërisë shprehu shqetësimin se gjenerimi i rritjes ekonomike është një sfida serioze për ekonominë shqiptare. Zëvendësguvernatorja e parë dhe aktualisht guvernatore në detyrë, Elisabeta Gjoni, tha se me gjithë shenjat e zbehta të gjallërimit gjatë këtij viti, rritja ekonomike do të ngelet nën efektin e kufizimeve të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Një ndër faktorët frenues do të jenë edhe politikat për konsolidim fiskal, që gjithsesi, sipas Bankës Qendrore, do të sjellin përfitime në afatin e gjatë.

Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se këtë vit kreditimi dhe në veçanti ai i biznesit po jep sinjale pozitive. Në fund të 9-mujorit, kredia për biznesin u rrit me 2.7% me bazë vjetore. Një rezultat akoma më pozitiv shënoi kredia e re, me një rritje prej afro 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, ekspertët e sistemit bankar nuk janë ende shumë optimistë rreth rimëkëmbjes së aktivitetit të ekonomik. Sipas tyre, ekonomia ka nevojë për reforma të thella në sektorët që mund të bëjnë bazën për rritjen në afatin e gjatë, siç janë bujqësia apo turizmi. Me gjithë projeksionet për përmirësim gradual të rritjes ekonomike gjatë viteve në vazhdim, mjedisi ekonomik ngelet i pasigurt. Kjo provohet edhe nga efikasiteti i kufizuar i politikave monetare.

Me gjithë uljet e njëpasnjëshme të normës bazë, inflacioni ngelet poshtë objektivit, ndërsa rritja sasiore e kredisë është ende modeste. Bankierët kanë dyshime rreth aftësisë së ekonomisë për t’u rikthyer në ritmet e parakrizës, duke pasur parasysh se burimet kryesore të rritjes, si konsumi i mbështetur nga remitancat apo bumi i ndërtimit, janë drejt shterimit. Riorientimi i ekonomisë drejt sektorëve të tjerë do të kohë dhe kërkojë reforma të thella e të vështira.

 

 Bllokohet ekonomia, BSH ul në minimum historik normën bazë të interesit

Banka qendrore ka ulur dje normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar, nga 2.5% që është aktualisht, në 2.25% një tjetër rekord historik ky, i ulët i normës bazë të interesit. Kjo është një shenjë tjetër e dukshme e faktit që ekonomia nuk po ecën, se inflacioni është tepër i ulët, me rrezik madje deflacioni, çka reflekton konsum mjaft nën normë, si dhe bllokim të aktivitetit real në sektorë të ndryshëm, duke nisur nga ndërtimi.

Norma bazë e interesit, e njohur ndryshe edhe si çmimi i mbajtjes së parasë, është norma e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë për të mbajtur inflacionin brenda kufijve të synuar. Kjo normë luan rolin e instrumentit kryesor, të përdorur për të përçuar sinjalet e politikës monetare në ekonomi. Norma bazë e interesit aplikohet nga Banka e Shqipërisë në ankandet javore të marrëveshjeve të riblerjes (repo) dhe në marrëveshjet e anasjella të riblerjes (repo-t e anasjella). Deri dje, norma bazë e interesit në vendin tonë ishte 2.50 për qind. Repo-t dhe repo-t e anasjella janë instrumente të përdorura nga Banka e Shqipërisë për të administruar likuiditetin e sistemit bankar.

Marrëveshjet e riblerjes janë operacionet e tregut të hapur, gjatë të cilave Banka e Shqipërisë u shet letra me vlerë bankave të nivelit të dytë dhe i riblen ato në një datë të mëvonshme, të vendosur sipas kushteve të paracaktuara.

 

Politika e BSH

Qëllimi i uljes së normës bazë të interesit lidhet me dekurajimin e kursimeve dhe nxitjen e kreditimit dhe investimeve për të mundësuar një ritëm më të lartë të rritjes ekonomike.

Një lëvizje e tillë u paralajmërua dhe mbrëmjen e dy ditëve më parë, ku, në konferencën e përbashkët për shtyp me FMN-në, zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë Elisabeta Gjoni tha se politika monetare do të vazhdojë të jetë lehtësuese, duke paralajmëruar hapa të tjerë në këtë drejtim. Kjo u mbështet dhe nga shefi i FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, që pohoi se politika monetare e Bankës së Shqipërisë duhet të vazhdojë të mbështesë politikat ekonomike.

Një ulje e normës ishte planifikuar që në shtator, por vendimi u shty pas situatës së krijuar me largimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Kjo është hera e 12, që institucioni monetar qendrore redukton normën bazë, që nga shtatori 2011, kur filloi politika agresive lehtësuese monetare, që synonte uljen e kostos së lekut dhe nxitjen e kreditimit dhe investimeve në ekonomi. Gjatë kësaj periudhe segmenti që ka reflektuar më shumë politikën lehtësuese janë interesat e depozitave në lekë, që kanë zbritur në 1.6% në shtator (maturimi 12-mujor), duke u ulur me 4.3 pikë përqindjeje në raport me shtatorin 2011. Gjatë së njëjtës periudhë, interesat e kredive (mesatare për të gjitha maturitetet) janë reduktuar me 2.6 pikë përqindje, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, duke sjellë në këtë mënyrë rritjen e diferencës mes interesave të kredive e depozitave, në rreth 7%, nga 5% që ishte para fillimit të lehtësimit të politikës monetare, duke qenë një nga faktorët që ka ndikuar në rritjen e fitimit të bankave.

Nga ana tjetër, depozitat, sidomos ato me afat në lekë kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes muajt e fundit, ndërsa është rritur paraja jashtë bankave, në mungesë të alternativave të investimit.

Edhe kredia është rritur me ritme të ulëta, për t’u gjallëruar vetëm muajt e fundit.

 

Tregu i sigurimeve, në rritje 44%

Në periudhën janar-tetor 2014 tregu i sigurimeve ka pasur një rritje prej 43.55%, duke reflektuar shtrenjtimin e policave të sigurimit të automjeteve. Volumi i primeve të shkruara bruto është rritur me 2.88 miliardë lekë duke arritur shifrën 9.5 miliardë lekë, raporton Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

“Numri i kontratave arriti në 844.583 duke shënuar një rritje me 1.59% krahasuar me periudhën janar-tetor 2013”.

Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës kapi shifrën 8.7 miliardë lekë duke shënuar një rritje në masën 48.18% krahasuar me periudhën janar-tetor të vitit 2013.

Numri i kontratave në sigurimin e Jo-Jetës kapi shifrën 759,980 duke shënuar një ulje në masën 0.08% krahasuar me periudhën janar-tetor të vitit 2013.

Numri i kontratave në sigurimin e Jetës arriti në 84,586 duke shënuar një rritje në masën 19.60% krahasuar me periudhën janar-tetor 2013.

Gjatë periudhës raportuese, janë paguar gjithsej 2.2 miliardë lekë dëme ose 0.13% më pak se gjatë periudhës janar-tetor 2013.

Numri i dëmeve të paguara është rritur me 2.256 njësi dhe arriti shifrën 21.840, nga të cilat 21.252 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 588 nga shoqëritë e sigurimit të Jetës.

 

 BE shpall planin e investimeve 315 miliardë euro

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, prezantoi planin e investimeve prej 315 miliardë eurosh, që do të financohet kryesisht nga sektori privat.

Gjatë prezantimit të planit, Juncker tha se është koha për të mbështetur rritjen ekonomike, pa shtuar borxhin. Duke nënvizuar nevojën për të realizuar reformat strukturore dhe stabilizimin e borxheve dhe deficiteve, kreu i ri i Komisionit Evropian, tha përpara Parlamentit në Strasburg, se plani i tij do të jetë si një “këmbë e tretë”, në strategjinë për të rikthyer evropianët në punë.

Ai i pranoi kritikat se planit i mungon një komponent i rëndësishëm i shpenzimeve të reja publike. “Banka Evropiane e Investimeve do të kontribuojë me 5 miliardë euro, të shoqëruara nga 16 miliardë euro garanci nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Juncker përpara Parlamentit. Programi është quajtur Fondi Evropian për Investimet Strategjike dhe pritet të bëhet operativ në mesin e vitit 2015.

Ky program nuk i kërkon vendeve të anëtare të BE të kryejnë shpenzime shtesë apo të ndryshojnë marrëveshjet aktuale buxhetore. Juncker beson se Evropa gjendet në “kurthin e investimeve”, ku investitorët privatë po hezitojnë të investojnë, në një kohë që likuiditeti është i bollshëm, pasi Banka Qendrore Evropiane ka hedhur para’ në treg për të luftuar deflacionin.

Duke ofruar garanci për të absorbuar rreziqet fillestare të projekteve të rëndësishme, që mund të përmirësojnë infrastrukturën në Evropë, Juncker tha se Bashkimi Evropian mund të tërheqë më shumë investime private.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency