Vendimi/ Merrte 5000 euro për një vend pune, Gjykata lë në burg drejtoreshën e Arsimit

0
157

Alma Çuka

drejtoresha e Arsimit “Arrest me burg” u vendos edhe për djalin e drejtoreshës dhe një mësues fizkulture. Ishin kthyer në sekserë. Merrnin paratë në këmbim të premtimit për të siguruar punën e mësuesit

 Gjykata e Lushnjës vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasen Liza Tabaku, me funksion drejtore e Zyrës Arsimore Lushnjë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. E njëjta masë u vendos nga gjykata edhe për shtetasit Xhanluka Tabaku (Bakiasi) dhe Rigert Zeneli, të akuzuar për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal. Vendimi i Gjykatës erdhi pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Lushnjës dhe provat e depozituara nga ky organ që na fazat e para. Sipas akuzës këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merrnin mara nga mësues të ndryshëm në zonën e Lushnjës, në këmbim të emërimit, transferimit apo moslëvizjes nga vendi i punës. Pas veprimeve hetimore paraprake, të drejtuara nga Prokuroria Lushnjë, të shtunën në datë 22.11.2014 janë arrestuar në flagrancë shtetasit Xhanluka Tabaku dhe Rigert Zeneli. Po në të njëjtën ditë, me urdhër të prokurorisë, është ndaluar shtetasja Liza Tabaku

 

Kërkesa

Sektorik Krimit Financiar, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier mbi bazën e të dhënave të siguruara në mënyrë operative, ka ardhur në dijeni të faktit se shtetësia Liza Tabaku, me detyrë Drejtoreshë e Zyrës Arsimore në Lushnjë kryen veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës, duke ofruar transferimin apo emërimin e personave të ndryshëm, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Sipas të dhënave të siguruara nga policia gjyqësore, dyshohej se në veprimtarinë korruptive shtetasja Liza Tabaku ndihmohej nga shtetas të tjerë, të cilët luanin rolin e ndërmjetësit për persona të ndryshëm për t’i punësuar si mësues, kundrejt shumave të ndryshme të lekëve, të cilat ndahen më pas me drejtoreshën e Zyrës Arsimore. Gjithashtu një rol ndihmës në ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme, dyshohej se kryente edhe djali i shtetases Liza Tabaku, shtetasi Xhanluka Tabaku. Nga hetimi ka rezultuar se shtetasja Liza Tabaku zhvillonte takime që paraqesin rëndësi për hetimin gjatë orëve të natës në ambientet e Zyrës Arsimore në Lushnjë. Referuar këtyre informacioneve, rezultonte se kishte të dhëna të mjaftueshme për të dyshuar se shtetasja Liza Tabaku në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kryente veprime korruptive në procedurat e emërimit dhe transferimit të mësuesve, kundrejt shumave të konsiderueshme të lekëve.

 

Takimet

Nga hetimi rezulton se në takimet e zhvilluara në ambientet e Zyrës Arsimore Lushnjë midis drejtoreshës dhe qytetarëve të ndryshëm të interesuar, rezulton se këta të fundit i premtojnë dhënien e një “kafeje”, kundrejt vendimit për emërimin në detyrën e mësuesit. Janë evidentuar raste, në të cilat e dyshuara Tabaku përfshinte djalin e saj, Xhanluka në çështjet e emërimeve-transferimeve, për të cilat dyshohet se i realizonte nëpërmjet veprimeve korruptive. Po ashtu, rezulton se këta dy shtetas vendosnin për mundësitë e emërimit, transferimit dhe lejimit të qëndrimit në detyrën e mësuesit, të personave të ndryshëm, kundrejt shumave të ndryshme parash, që variojnë nga 3000 deri në 5000 euro. Në një rast, shtetasi Xhanluka, nëpërmjet shtetasit Rigert Zeneli, ka ndërhyrë që të mos largohet nga puna një mësues në një komunë të Lushnjës, në këmbim të shumës 1300 euro. Sipas hetimit, pas dorëzimit të kësaj shume parash, shtetasja Liza Tabaku, me ndërhyrjen e Xhanlukës, nuk ka marrë asnjë masë transfermi ndaj atij mësuesi. Gjatë kryerjes së hetimit në dinamikë, të drejtuar nga Prokuroria e Lushnjës, nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore të komisariatit Lushnjë, janë konstatuar më datë 22.11.2014, rreth orës 1230 në afërsi të një pike karburanti në fshatin Allkaj, Komuna Allkaj, e rrethit Lushnjë, shtetasit Rigert Zeneli dhe Xhanluka Tabaku. Shtetasi Xhanluka Tabaku ka ardhur me mjetin tip “Mercedes Benz C-Class” dhe ka ndaluar në afërsi të një pike karburanti në fshatin Allkaj dhe aty është takuar në këmbë me shtetasin Rigert Zeneli. Pasi kanë biseduar për pak sekonda me njëri tjetrin, shtetasi Rigert Zeneli i ka dhënë shtetasit Xhanluka Tabaku një shumë lekësh në formë “mite” sipas bisedës së rënë dakord më parë.

 

Arrestimi

Në këto momente, kanë ndërhyrë forcat e policisë, të cilat kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Rigert Zeneli, me detyrë mësues në shkollën e fshatit Allkaj dhe shtetasit Xhanluka Tabaku, djalit të shtetases Liza Tabaku, me detyrë drejtoreshë e Zyrës Arsimore Lushnjë. Gjatë kontrollit personal që i është bërë të dyshuarve, menjëherë pas arrestimit i janë gjetur 160 000 lekë shtetasit Xhanluko Tabaku dhe 40 000 lekë shtetasit Rigert Zeneli. Këto shuma lekësh janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Nga hetimi provohet plotësisht fakti se marrja e shumës së lekëve nga shtetasi Xhanluka Tabaku, është për shkak të ndikimit të paligjshëm që ky i fundit ka ushtruar tek nëna e tij Liza Tabaku, me detyrë Drejtoreshë e Zyrës Arsimore Lushnjë, me qëllim që ajo të lejonte qëndrimin në detyrën e mësuesit të një shtetasi, edhe pse ky i fundit nuk kishte kualifikimin e duhur profesional. Në vijim të veprimeve të para hetimore, është ushtruar kontroll në banesën e shtetases Liza Tabaku, gjatë të cilit janë gjetur shuma të konsiderueshme lekësh dhe valute, të shpërndarë në disa zarfe, të cilët kishin mbishkrime emrash të ndryshëm. Gjithashtu, gjatë kontrollit është gjetur dhe një certifikatë për vërtetim pronësie për një apartament të regjistruar në emër të shtetases Liza Tabaku, me vendndodhje në qytetin e Tiranës, në lagjen Yzberisht. Pasi është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, shtetasja Liza Tabaku ka hedhur në tualetin e Drejtorisë një shumë prej 2500 eurosh dhe 50 000 lekësh, të cilat janë fiksuar me procesverbal këqyrjeje vendesh dhe më pas janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

 

 Ekstradimi/ Merr burgim të përjetshëm në Itali, vuan dënimin në Shqipëri

Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye dje ekstradimi nga Italia, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar, të dënuar në Itali, Gerd Gjinarari, 40 vjeç, nga Tirana. Transferimi i 40-vjeçarit u bë pas njohjes nga ana e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit Penal Italian. Gerd Gjinarari do të vuajë dënimin në Shqipëri, pasi është i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane. Në vitin 1997 në Milano të Italisë, Gerd Gjinarari ka qëlluar për vdekje me armë zjarri shtetasin shqiptar N. Z., duke konsumuar veprën penale të “Vrasjes me paramendim në bashkëpunim”. Në aeroportin Nënë Tereza në Rina, Gerd Gjinarari iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

Elbasan/ Hidhet nga kati i katërt i një pallati, në gjendje të rëndë 62-vjeçari

Një burrë nga qyteti i Elbasani është hedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonte. 62-vjeçari Ilia Cigari, pak pas mesditës së djeshme, është hedhur nga kati i katërt, duke bërë që të pësojë dëmtime të shumta trupore. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen nr. 14 të Elbasanit, ku Cigari është dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Nuk dihen ende rrethanat e një ngjarje të tillë, ndërsa kanë qenë fqinjë dhe të afërm, ata që kanë parë tentativën e vetëflijimit, duke i ardhur në ndihmë 62-vjeçarit. Nga ana e uniformave blu po mblidhen dëshmitë e rastit, me synim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes .

 

Korçë/ Kallëzon të ish-dashurin në polici, e ngacmonte në rrjetet sociale

Dyshonte se ish-i dashuri i saj e fyente përmes profilit të saj në “Facebook”, duke dëmtuar reputacionin e saj, ndaj bëri denoncim në polici. Një studente 20 vjeçare në Universitetin e Korçës E. R., me banim në lagjen nr. 4, denoncoi në polici se në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, i kanë shkuar një mesazh me të dhëna kërcënuese dhe ofenduese ndaj saj. E reja ka bërë denoncim në polici, duke thënë se dyshon tek ish- i dashuri me të cilin ishte ndarë para pak kohësh, dhe që kur ishin bashkë i kishte dhënë password-in. Ajo ka thënë se mesazhin fyes e ka parë i vëllai, çka ka bërë që së bashku të shkojnë dhe të bëjnë denoncimin në polici, në mënyrë që të vinin në vend nderin e saj. Lidhur me këtë rast vijojnë hetimet për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency