Energjia elektrike/ Kushti i përfitimit, afatet kur do të bëhet kompensimi i pensionistëve dhe invalidëve

0
141

Driçim Çaka

 Lekët do të jepen, para se të hiqet fasha mbrojtëse e energjisë. Kushti për të marrë pagesën do të jetë fatura e energjisë

 Vasili-Veliaj, akuza në Komisionin e Shëndetësisë: Nuk bashkëpunojmë me PS-në për fasonët

pensioniste Pensionistët, invalidët dhe të gjitha shtresat e tjera në nevojë kompensimin e energjisë elektrike do ta përfitojnë një herë në 6 muaj. Kështu u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë diskutimit për buxhetin në Komisionin e Shëndetësisë. Janë 204 mijë familje që preken nga heqja e fashës dhe për kompensimin e të cilëve nevojiten, sipas tij, 16 milionë dollarë. “Janë 204 mijë familje që do kompensohen nga heqja e fashës së energjisë. Për këtë kompensim na nevojiten 16 milionë dollarë. Kusht për ta marrë këtë pagesën do të jetë fatura e energjisë elektrike. Do kontrollohet një herë në 6 muaj”, – u shpreh ministri Veliaj në Komisionin për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Më tej, Veliaj theksoi se familjet do t’i kenë paratë, përpara se të hiqet fasha mbrojtëse e energjisë, duke lënë të nënkupton se kompensimi i parë do të bëhet gjatë muajve janar-shkurt 2015. Lidhur me buxhetin, Veliaj deklaroi se viti i ardhshëm do të jetë viti i parë pa asnjë borxh sa i përket ndihmës sociale, ndërsa theksoi se prioritet do të jetë rinia. Sipas ministrit, është katërfishuar buxheti për rininë, ndërsa në total është parashikuar një rritje prej 4.6% e buxhetit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale e Rinisë, krahasuar me një vit më parë. “Viti i ardhshëm është viti i parë pa asnjë borxh në ndihmën sociale. Prioritet do të jetë rinia, ku është parashikuar katërfishim i buxhetit për këtë kategori. Rritja e buxhetit krahasuar me vitin e kaluar është 4.6 %”, – tha ministri i Mirëqenies Sociale.

 

Debatet

Mbledhja e Komisionit të Shëndetësisë është shoqëruar edhe me debate mes deputetit të LSI-së, Petrit Vasili, dhe ministrit Erion Veliaj për dy pika të buxhetit. E para lidhet me fondin prej 5 milionë dollarësh që nuk është përfshirë fare në buxhet, ndërsa për 2014 është alokuar vetëm 2.5 milion dollarësh. E dyta me faljen e kamatëvonesave për sigurimet shoqërore për biznesin fason. “Nuk jeni transparent për fondin e punësimit për biznesin fason. Nga 5 milionë dollarë për 2015-ën parashikohen 2.5 milionë dollarë Kërkoj sqarime çfarë po bëhet me faljen e kamatëvonesës për sigurimet shoqërore për biznesin fason. Buxheti i parashikuar për këtë është 100 milionë dollarë”, – tha Petrit Vasili. “Ramë dakord që të ketë një fond më të lartë për fondin e punësimit të biznesit fason. Fondi prej 2.5 milionë dollarësh është për gjysmë viti kur hyri në fuqi. Unë kërkoj rritje të fondit. Amnistia do të bëhet për fasonët dhe sektorët e tjerë. Efektet mblidhen nga Ministria e Financave. Jemi në bisedime për ta finalizuar atë”, – u përgjigj Veliaj. Deputet e PS-së e pyetën gjithashtu ministrin nëse hiqesh nga skema e ndihmës ekonomike nëse ke frigorifer në shtëpi. Ministri Veliaj mohoi këtë, por tha se nga skema hiqen ata që kanë makinë, prona e vilë. 16 milionë dollarë është fondi për familjet në nevojë, kryefamiljaret vejusha, PAK, që preken nga heqja e fashës së energjisë elektrike.

 

Familjet që do të kompensohen:

Familje që trajtohen me ndihmë ekonomike

Kryefamiljarë me pension pleqërie

Kryefamiljarë me pension invaliditeti

Familjet që kanë në përbërje persona me aftësi të kufizuara

Paraplegjikë dhe tetraplegjikë

Të verbrit

 

 Në privat dhe publik/ Paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, gati përfitimet për pacientët

Institucionet shëndetësore publike dhe jopublike do të ofrojnë gjashtë paketa të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë: by pass koronar; interventet valvolare; intereventet kongenitale; pacemaker definitive; angiografi koronare; angioplastikë koronare, të cilat do të financohen 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci, lajmëruan fillimin e procesit të ofrimit të këtyre shërbimeve edhe në spitalet jopublike si dhe mënyrën e përfitimit të tyre nga pacientët. Drejtori i Përgjithshëm i Fondit, dr. Astrit Beci, u shpreh se pas kërkesave zyrtare dhe verifikimit të kushteve nga ekspertët tanë, është lidhur kontrata me pesë spitale jopublike, të cilët do të ofrojnë paketat shëndetësore, pa kosto shtesë për pacientët. “Aktualisht, po financojmë paketën e dializës sipas çmimeve të përcaktuara nga vendimi i Këshillit të Ministrave, falë së cilës po përfitojnë 900 pacientë në spitalet publike dhe jopublike. Ne jemi të gatshëm, duke filluar nga ky moment, që të financojmë edhe paketat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë dhe transplante, edhe në spitalet private. E vë theksin edhe një here tek financimi në masë të njëjtë të këtyre shërbimeve si në institucionet shëndetësore publike, ashtu dhe në ato private – e thënë më thjeshtë, pacienti nuk do të paguajë asgjë shtesë për shërbimin që do të marrë të parashikuar në këto paketa. Kjo pasi, mbi kostot që tashmë janë miratuar me vendim Qeverie, është parashikuar edhe një marzh fitimi, i cili, për të gjitha institucionet shëndetësore publike do të përdoret si e ardhur dytësore për institucionin. Ndërsa për spitalet private do të konsiderohet si normë fitimi, në mënyrë që pacienti të mos kryejë bashkëpagesë”, – tha drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetsore.

 

Rruga që do të ndjekë pacienti për përfitimin e paketave

Pacientët do ta përfitojnë shërbimin sipas një listë-pritje. Rruga që duhet të ndjekë pacienti nis nga zbatimi i sistemit të referimit për të pasur konsultën e shërbimit përkatës (të nefrologjisë, kardiologjisë, kardiokirurgjisë ose ORL-së). Vendimin nëse pacienti ka nevojë për një paketë shërbimi, e merr pikërisht shërbimi përkatës në QSUT. Më pas pacienti drejtohet në zyrat e Fondit, ku bën regjistrimin. Pacienti fillimisht regjistrohet në institucionet shëndetësore publike në përputhje me kapacitetet e lira të raportuara pranë zyrës së Fondit dhe në rast se në datën e përcaktuar nuk ka vende të lira në institucionin shëndetësor publik, atëherë nëpunësi i autorizuar i sektorit bën regjistrimin e pacientit në mënyrë të barabartë në institucionet shëndetësore private të kontraktuara nga Fondi. Pacientit i merren të dhënat anagrafike dhe adresa për t’u kontaktuar më pas nga Fondi në momentin e krijimit të mundësisë për marrjen e shërbimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency