Elbasan/ Vrasja e 27 –vjeçarit, policia identifikon autorin disa orë më vonë

0
134

Alma Çuka

 Vritet djali i një ish – punjësi policie. Ngjarja dyshohet për motive të dobëta. Autori është larguar nga vendi i ngjarjes me makinë i ndihmuar nga dy shokë. Hetohet në disa pista

 policia-11Disa orë pasi ekzekutoi me plumb në kokë një të ri në Elbasan, identifikohet nga policia autori. Burime nga blutë e Elbasanit bënë me dije se autori i vrasjes së Fatjon Oçkës është shtetasi O.SH.

Po kështu, policia dyshon se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Ngjarja e rëndë ku humbi jetën 27-vjeçari nga Cërriku, Fatjon Ocka ndodhi mbrëmjen e së shtunës rreth orës 20:30 në lagjen “Beqir Dardha” të qytetit të Elbasanit. Mësohet se i riu, djali i një ish-efektivi policie ishte duke ecur në këmbë në një rrugicë pa ndriçim kur është qëlluar me armë zjarri nga një person ende i paidentifikuar. Për pasojë Ocka ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa autori i krimit është larguar me ndihmën e dy të tjerëve që e prisnin me makinë disa metra më larg vendit të ngjarjes. 27-vjeçari është dërguar urgjentisht në Spitalin Kirurgjikal të Elbasanit, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Me gjithë përpjekjet e bluzave të bardha, ai nuk ka mundur të mbijetojë. Sipas mjekëve të këtij spitali, plagët ishin vdekjeprurëse.

 

Mjekët

“Nuk mund të bënim dot asgjë për ta mbajtur në jetë, pasi i riu nga Cërriku kishte marrë një plumb në kokë dhe një tjetër në zemër”, u shprehën mjekët. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila nisi  hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Sipas hetuesve të çështjes, ende nuk dihet se përse 27-vjeçari ndodhej në orët e vona në qytetin e Elbasanit dhe konkretisht në lagjen “Beqir Dardha”. Blutë pohuan se viktima është dërguar në spital nga persona të rastit dhe se në momentin e plagosjes ka qenë i vetëm. Fatjon Ocka, djali i një ish-polici nga qyteti i Cërrikut ka qenë person i skeduar nga policia si përdorues droge dhe shpërndarës i lëndëve narkotike. Ai ka qenë person me precedentë të shumtë penalë dhe pohohet të ketë qenë i dënuar dy herë për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa dyshohej edhe për plagosje. Paraprakisht dyshohet se shkak i vrasjes ka qenë mosmarrëveshjet në trafikun e lëndëve narkotike. Po të njëjtat burime deklaruan se 27-vjeçari kishte shoqëri të zgjeruar në qytetin e Elbasanit, më së shumti me përdorues lënde narkotike. Për të zbardhur sa më parë ngjarjen, si edhe identifikuar autorin, policia shoqëroi dhe marrë në pyetje më shumë se 10 persona derisa ra në gjurmët e autorit O.SH.

 

Lezhë/ Dhunohet 45-vjeçarja, policia arrestonbashkëshortin

 Një grua 45 vjeçare në Lezhë është dëmtuar seriozisht në fytyrë dhe pjesë të ndryshme të trupit pasi është dhunuar nga bashkëshorti i saj. Policia e Lezhës ka ndërhyrë duke kryer arrestimin e të shoqit, Lekë Marku. “Arrestimi i shtetasit Lekë Marku, 50 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë, u bë pasi ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij, shtetasen F.Marku, duke e goditur me grushte dhe shuplaka e për pasojë i ka shkaktuar dëmtime të dukshme në fytyrë e trup”, – saktësoi policia lokale. Ajo tha se materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale të “Dhunës në familje”.

 

Lushnjë/ Qindra hektar tokë nën ujë pas stuhisë së 17 nëntorit

Qindra hektarë toka në komunën e Krutjes në Lushnje janë të pëmbytura që prej stuhisë së 17 nëntorit. Edhe pse reshjet e dendura zgjatën për vetëm për pak orë, tokat e mbjella me grurë dhe ushqim për bagëtitë, por edhe serrat me perime në një nga zonat më pjellore të Myqezesë janë shkatërruar. Shkak është bërë mosfunksionimi i kanaleve kulluese. Sipas fermerëve i gjithë prodhimi dhe investimi i tyre kryesisht me grurë dhe perime ka shkuar dëm, ndërsa askush nuk ka shkuar për të verifikuar situatën e rëndë. Përballë kësaj situate, drejtori i Bordit të Kullimit të rrethit Ledio Gjylka ka pranuar se nuk ka fonde të mjaftueshme për të ndërhyrë. Prefektura ka mbledhur bordin e emergjencës, por asnjë nuk mund të rikuperojë më dëmin. Komuna e Krutjes në Lushnjë, është një nga zonat me pjellore të vendit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency