Ryshfeti / Para në këmbim të vendit të punës, pranga drejtoreshës arsimore në Lushnjë

0
143

Liza-Tabaku-250x165

Sonila Mesareja

Prokuroria: Me ndërmjetës djalin dhe një mësues, Liza Tabaku dyshohet se merrte 3000-3500 euro për emërim si mësues apo ruajtjen e një vendi pune

Policia: Iu kapën 2 mijë euro në momentin e arrestimit, tentoi t’i hidhte në tualetin e komisariatit për t’i zhdukur si provë

 

Kreu i Zyrës Arsimore në qytetin e Lushnjës është vënë dje në pranga nga policia e këtij qyteti, pasi akuzohet për marrje ryshfeti. Mësohet se për emërim si mësues apo për ruajtjen e vendit të punës për të mos lëvizur nga njëra shkollë në tjetrën, Tabaku dyshohet se merret 3000-3500 euro për person. Bashkë me të në pranga kanë rënë edhe ndërmjetësit në marrjen e parave në këmbim të vendit të punës, djali i saj dhe një mësues fizkulture. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se mesditën e djeshme u arrestuan shtetasit Liza Tabaku, drejtoresha arsimore e Lushnjës, Xhanlukas Bakiasi, djali i saj dhe Rigert Zeneli, mësues fizkulture në një komunë. Sipas akuzës së Lushnjes, drejtoresha arsimore akuzohet se merrte para për emërimin e mësuesve në zonat ku ajo kishte kompetencë, apo dhe për lëvizjen e tyre nga njëra shkollë në tjetrën.

 

Operacioni

Prokuroria e Lushnjës bën me dije se pas një hetimi disa javor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është bërë e mundur të zbulohet se Drejtoresha Arsimore e qytetit Lushnjë, shtetasja Liza Tabaku, duke përdorur djalin e saj, Xhanlukas Bakiasi dhe shtetasin Rigert Zeneli, merrte para për emërimin e mësuesve të ndryshëm në shkollat e zonës ku ajo kishte kompetencë. Po ashtu, për këtë shtetase ka fakte se merrte shuma parash për të mos larguar mësues nga puna. Nisur nga faktet e mësipërme, mesditën e djeshme janë arrestuar në flagrancë shtetasit Xhanlukas Bakiasi dhe Rigert Zeneli, të akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm…”, të cilët sapo i kishin marrë një sasi të konsiderueshme parash një shtetasi për të mos e larguar nga puna si mësues, ndërkohë që është ndaluar, me urdhër të Prokurorisë, shtetasja Liza Tabaku, e akuzuar për “korrupsion pasiv…” Nga burime policore bëhet me dije se në momentin e arrestimit, drejtoreshës arsimore iu gjetën 2 mijë euro, të cilat tentoi t’i hedhë në tualetin e komisariatit të Lushnjes për t’i zhdukur si provë. Ndërkohë që gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj pas arrestimit, iu gjetën 12 mijë euro dhe 800 mijë lekë. Nga hetimet rezulton se drejtoresha Tabaku, me banim në Dushk, kishte si pronë edhe dy banesa në Tiranë. Më herët, drejtoresha arsimore e Lushnjes ka punuar për disa vite në ish-CEZ.

 

Marrja e ryshfetit

Nga hetimi i Prokurorisë ka rezultuar se për çdo emërim apo moslargim nga detyra, kjo shtetasve merrte shuma nga 3000-5000 euro. Në veprimtarinë e saj të paligjshme, kjo shtetase ndihmohej nga djali i saj, Xhanlukas Bakiasi, dhe një shtetas tjetër, Rigert Zeneli, mësues. Në kuadër të veprimeve hetimore dhe në ndjekje dinamike nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë, dje janë arrestuar në flagrancë shtetasit Bakiasi dhe Zeneli, të cilët sapo i kishin marrë një shumë parash një mësuesi, në këmbim të premtimit për të mos e larguar nga puna. Sipas hetimeve, rezulton që kjo shumë parash do të dorëzohej tek drejtoresha e zyrës arsimore, Liza Tabaku, e cila është njëkohësisht e ëma e njërit prej të arrestuarve. Për shtetasen Tabaku, bazuar në një seri veprimesh hetimore të kryera gjatë javëve të fundit, ka dyshime të provuara në fakte se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv….”. ndërsa për dy shtetasit e tjerë, të arrestuar në flagrancë, janë krijuar dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm….”. Nga hetimi është provuar se, në disa raste të tjera, shtetasja Liza Tabaku, duke përdorur djalin e saj, ka marrë para në këmbim të emërimit të shtetasve të ndryshëm mësues në shkolla të zonës.

 

Hetimi

Hetimi ka filluar pas materialit të referuar nga Sektori Kundër Krimit Financiar, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, e cila ka ardhur në dijeni të faktit se shtetësia Liza Tabaku, me detyrë Drejtoreshë e Zyrës Arsimore në Lushnjë kryen veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës, duke ofruar transferimin apo emërimin e personave të ndryshëm, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Sipas të dhënave të siguruara nga policia gjyqësore, dyshohet se në veprimtarinë korruptive shtetasja Liza Tabaku ndihmohet nga shtetas të tjerë, të cilët luajnë rolin e ndërmjetësit për persona të ndryshëm për t’i punësuar si mësues, kundrejt shumave të ndryshme të lekëve, të cilat ndahen më pas me drejtoreshën së Zyrës Arsimore. Gjithashtu një rol ndihmës në ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme, dyshohet se kryen edhe djali i shtetases Liza Tabaku, shtetasi Xhanlukas Bakiasi. Nga veprimet e deritanishme hetimore, rezulton se shtetasja Liza Tabaku gjatë ushtrimit të detyrës së saj si drejtoreshë e Zyrës Arsimore Lushnjë, në këmbim të emërimeve dhe transferimeve të mësuesve në komuna të ndryshme dhe në qytetin e Lushnjës merr shuma të konsiderueshme parash. Nga hetimi kanë rezultuar të dhëna të mjaftueshme për të dyshuar se shtetasja Liza Tabaku është implikuar në veprimtari kriminale të fushës së “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Ndër të tjera, rezulton se drejtoresha Liza Tabaku dhe djali i saj Xhanluka Bakiasi, kanë kërkuar shumën 3000 euro prej disa personave, për t’i emëruar në shkolla të ndryshme në komunat e Lushnjës. Gjithashtu, në bashkëpunim edhe me shtetasin Rigert Zeneli, këta shtetas dyshohet se kanë marrë shuma parash nga mësues të ndryshëm, për të mos i larguar nga puna.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency