Hapet bunkeri antibërthamor i qeverisë komuniste. Rama paralajmëron për dosjet e Sigurimit

0
140

foto bunkeri

Gëzim Saliu

Kryeministri: Kemi mbyllur hesapet me Enver Hoxhën në vitin 1990, do të çojmë përpara projektin e çlirimit të kujtesës kolektive. Rishikimi nga historianët, dhe jo nga qeveria

 

Thuajse çerek shekulli nga rrëzimi i regjimit komunist, në Tiranë u hap dje bunkeri antibërthamor, që kishte ndërtuar qeveria komuniste dhe ku do të strehohej Byroja Politike, në rast të një sulmi bërthamor ndaj Shqipërisë. Pallati i ndërtuar i gjithi nëntokë, i ndodhur pranë repartit ushtarak të Shishtufinës, u hap dje për t’u bërë një objekt i vizitueshëm nga kushdo që do të mësojë përmes tij më shumë për 45 vitet e izolimit total të vendit. Ky bunker i ndërtuar nga Enver Hoxha në vitin 1978 përbën një ndërtim gjigant, me 5 kate nëntokë dhe me 106 dhoma, apartamente, zyra. Në të nuk mungon as salla e madhe ku mblidhej Shtabi i Përgjithshëm, madje dhe një sallë ku mund të mblidhej Kuvendi Popullor, në rast sulmi. Hapja e objektit i njohur si “Objektit 0774”, krejtësisht i blinduar për publikun u bë me një ceremoni qeveritare të quajtur “Bunk- Art”, ku merrnin pjesë përveç kabinetit qeveritar e Kryeministrit Rama dhe ambasadorë e nxënës të shkollave të mesme të kryeqytetit.

Kryeministri

Në nisje të fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal në rëndësinë që merr hapja e dyerve të këtij bunkeri. “Sot ne jemi dëshmitarë se kemi çelur derën e një thesari të kujtesës sonë kolektive. Ne jemi këtu për të çelur në fazë të re, raportesh me të shkuarën, por jo për të rishkruar historinë, por për ta ekspozuar të shkuarën në të gjitha format që e disponojmë, si një mundësi për t’i vendosur përpara syve, gjeneratave të reja, por edhe të gjithë të tjerëve, dëshmitë e saj”, – tha ai. Më tej, duke iu referuar debateve të nxehta për procesin e nisur në rishkrimin e historisë, Rama the se kjo çështje u takon historianëve dhe jo qeverisë e politikës. “Përpjekjet për të rishkruar historinë me porosi qeveritare kanë qenë sa tragjike në të shkuarën e largët aq qesharake në të shkuarën e afërt. Historinë e shkruajnë shkencëtarë dhe e diskutojnë mes tyre njerëzit e shkencës së historisë nuk e shkruan as Shtëpia e Bardhë, as Kongresi, as Parlamenti Evropian. Ne i përkasim asaj shkolle të re për Shqipërinë që nuk ja fsheh publikut misteret e së shkuarës”, – u shpreh kreu i qeverisë. Ndërkaq, Kryeministri nuk ngurroi të përmendte edhe ish-diktatoritn Hoxha dhe dosjet e Sigurimit të Shtetit, për të cilat paralajmërojë hapjen. “Ne jemi ata që i kemi mbyllur hesapet me Enver Hoxhën në vitin 1990. Nuk kemi asnjë problem t’ia shikojmë nga të katër anët, këndet e vështrimit dhe bëmat. Ndërkohë ne jemi ata të do të çojmë përpara projektin e çlirimit të kësaj kujtese kolektive, nga këto makthe. Ruajtja e këtij misteri dhe e këtyre mistereve, ashtu si edhe ruajtja me fanatizëm e misterit të dosjeve të së shkuarës, dosjeve të Sigurimit të Shtetit, ku fshihen plot të vërteta të hidhura, janë në fakt vazhdimësia e të njëjtës shkollë, e shkollës së vjetër politike të të sunduarit mbi tjetrin, pavarësisht kostos dhe tonelatave të propagandës gënjeshtare që derdhet përditë mbi të terat”, – tha Rama. Sipas kreut të qeverisë, do të synohet të çelete një fazë e re raportesh me të shkuarën. “Jo për të rishkruar historinë por për të ekspozuar të shkuarën. Për ti treguar gjeneratave të reja dëshmitë, skutat, imazhet, dokumente e saj si një mundësi për të inspiruar imagjinatën krijuese”, – tha ai.

 

 

Ferizaj

Frontistët për 28-29 Nëntorin: Enver Hoxha e vendosi Shqipërinë në krah të antifashistëve

Frontistë nga e tërë Kosova u bënë bashkë dje në Ferizaj për të kujtuar, sipas tyre, dy data të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të Shqipërisë. Kryetari i FP për kultivimin e veprës së Enver Hoxhës, Remzi Hasani, para të pranishmëve ka folur në vija të përgjithshme për rrethanat që sollën shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, duke vënë në dukje se pa dashjen e popullit tonë, një pjesë e madhe e trungut etnik mbeti jashtë kësaj krijese. Hasani më tej është ndalur edhe te kontributi i shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke nxjerrë Enver Hoxhën, si personin kryesor, që Shqipërinë e radhiti në krah të koalicionit antihitlerian. “29 Nëntori shënon ditën kur partizanët e Enver Hoxhës hynë triumfalisht në Tiranë, duke dëbuar nga toka, deti dhe qielli i Shqipërisë përgjithmonë bishën e tërbuar fashiste”, – tha Hasani. Ndërkohë duke iu referuar rrethanave të sotme, lidhur me përplasjet e fundit që ndodhën mes demokratëve dhe socialistëve në Shqipëri, shkak për të cilën ishin bërë fotografitë publike të Enver Hoxhës, Hasani sulmoi të djathtën dhe vlerësoi figurën e ish-diktatorit. “Berisha dhe ithtarët e tij duhet ta dinë se çlirimtarët e Shqipërisë, nuk kanë ditë tjetër të çlirimit pos 29 nëntorit të vitit 1944 dhe as nuk kanë komandant tjetër të çlirimit përpos Enver Hoxhës”, – theksoi Hasani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency