“Lufta” për pijet energjike/ Përplasja mes qeverisë e PS-së, pas deputetëve edhe Ruçi kundër Ramës: S’ka pse hiqet akciza

0
111

Gëzim Saliu

 Komisioni JashtemDokle: Ç’janë këta ambasadorë që sugjerojnë heqjen e akcizës për pijet energjike? Ruçi: Nëse e propozonte FMN, e mbështesja, por nëse e do një ambasador, kjo as nuk duhet artikuluar nga ne

Heqja e akcizës për pijet energjike është kthyer në çështjen kryesore të debatit mes qeverisë dhe deputetëve të PS-së, ku në krah të këtyre të fundit doli dje edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Në mbledhjen e Komisionit të Politikës së Jashtme, ku u diskutua buxheti për Ministrinë e drejtuar nga Ditmir Bushati në prani të përfaqësuesit të ministrit të Financave, deputetët socialistë janë përqendruar tek kjo çështje, duke theksuar se nuk mund të vendoset të rrëzohet kërkesa e vetë socialistëve një vit më parë për vendosjen e akcizës për pijet energjike mbi bazë të kërkesës së një ambasadori. Qëndrimin e numrit 1 të grupit kuvendor socialist e kanë mbajtur edhe deputetët e PS-së Arta Dade, Valentina Leskaj si edhe Namik Dokle, duke e cilësuar të pakuptimtë arsyetimin e Ministrisë së Financave për heqjen e akcizës. Ndërkaq, vetëm dy ditë më parë në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, deputetët anëtarë të tij shprehën kundërshti ndaj këtij propozimi, duke theksuar se të gjitha vendet evropiane kanë të njëjtin standard dhe se Shqipëria nuk duhet të bëjë përjashtim.

 

Debati

Sipas deputetit socialist Gramoz Ruçi, nëse propozimi për heqjen e akcizës për pijet energjike do të vinte nga FMN-ja do ta votonte, porse, theksoi ai, nuk mund të pranohet që kërkesa të propozohet nga një ambasador i akredituar në Tiranë. “Unë do ta mbështesja me të dyja duart nëse FMN-ja, që është mbështetja kryesore e vendit tonë, do t’i kërkonte që të hiqet akciza e pijeve energjike dhe jo nëse thotë një ambasador siç thotë një ambasador, madje kjo s’duhet të artikulohet nga ana jonë”, – u shpreh Ruçi. Në të njëjtën linjë, deputeti Namik Dokle e cilësoi si të pavend heqjen e kësaj akcize, kur me lekët e siguruara prej saj mund të bëhen investime në sektorë të ndryshëm. “Heqja e akcizës për pijet energjike është e padrejtë, humbasim më shumë se 282 milionë lekë në vit në buxhetin e shtetit. S’jam dakord as me relacionin e jam aq më pak dakord me argumentin e ministrisë që thotë na e ka sugjeruar një ambasador. Ç’janë këta ambasadorë që na bëjnë këto sugjerime? S’mund të përkrahim ca batakçinj që duan të përfitojnë në kurriz të njerëzve”, – tha Dokle. Ndërkaq, përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme nuk kanë mundur të japin një shifër zyrtare se sa është shuma që humbet nëse akciza e pijeve energjike nuk vilet, por kanë kërkuar që të konsultohen dhe përgjigjen ta nisin me shkrim. Çështja e heqjes së akcizës për pijet energjike ka hasur kundërshti të mëdha tek ligjvënësit e PS-së, të cilët kanë bërë të ditur hapur se janë kundër këtij propozimi të ministrisë së Financave dhe se në fund do ta rrëzojnë atë. Ndërkaq kryeministri Rama u shpreh në seancën e së hënës në Parlament i vendosur për të mbështetur propozimin për heqjen e akcizës për pijet energjike, pavarësisht debateve që ka sjellë kjo nismë. “Ka pasur debat të arsyeshëm lidhur me heqjen e akcizës për pijet energjike, por ne besojmë se është masa e duhur. Dhe besojmë se është një masë e cila duhet t’i nënshtrohet plotësisht standardit, duke iu referuar standardit të klubit të vendeve që ne kemi preferuar të jemi pjesë”, – ka pohuar ai.

 

Debati te Komisioni i Jashtëm

 Namik Dokle: Nuk më duket normale që të barazohet tatimi i një aktori, piktori apo këngëtari me tatimin e të ndershmit, hileqarit apo një batakçiu të lojërave të fatit. Ne e dimë që në lojërat e fatit në një lokal me 30 makina paguhej vetëm një dhe fitimi i secilit prej tyre shkonte në miliona. Të barazosh punën e një artisti me lojërat e fatit më duket e padrejtë. E drejta e autorit dhe pronësia intelektuale duhet të mbetet 10%. Vërejtja e dytë që kam është për ligjin e akcizave. Heqja e akcizës për pijet energjike është e padrejtë, humbasim më shumë se 282 milionë lekë në vit në buxhetin e shtetit çka është e barabartë me disbursimin 3e 10% më shumë të gjithë diabetikëve të Shqipërisë. Ose me këtë shumë mund të çonim 2 mijë studentë në universitetet më të mira perëndimore, ose mund të dyfishonim grantin e njësive vendore të Krujës. S’jam dakord as me relacionin e jam aq më pak dakord me argumentin e ministrisë që thotë na e ka sugjeruar një ambasador. Ç’janë këta ambasadorë që na bëjnë këto sugjerime? Jam që akciza për pijet energjike të mos hiqet. S’mund të përkrahim ca batakçinj që duan të përfitojnë në kurriz të njerëzve. Do votoj kundër këtij neni.

Arta Dade: I rregullojnë punët me të gjitha qeveritë.

Namik Dokle: Aq më keq akoma.

Gramoz Ruçi: Keni ndonjë shifër për tatimin e të drejtave të autorit sa është shuma nëse vihet tatimi 15%? Sa është shuma nëse vihet akciza për pijet energjike?

Përfaqësuesja e MF-së: Unë vij nga Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit dhe nuk mund të jap një përgjigje të saktë lidhur me paketën fiskale. Unë e përcjell shqetësimin tuaj.

Gramoz Ruçi: Këto dy çështje kanë ngrënë debat dhe duhet t’i kishit si Ministri e Financave. Duke u nisur nga këto arrijmë në diskutimin që bëri zoti Dokle. Njësoj duhet trajtuar e drejta e autorit me lojërat e fatit dhe pijet energjike? Pa pije energjike mund të jetohet, madje po t’i kursesh, të bëjnë më mirë.

Namik Dokle: Pije që të bëjnë me krahë.

Valentina Leskaj: Nuk mund të barazohen bizneset e vesit me krijimtarinë. Dhe për pijet energjike jemi shprehur kundër që në momentin e parë kur është diskutuar paketa fiskale në prezencë të dy zëvendësministrave.

Përfaqësuesja e MF-së: E drejta e autorit nuk është ndonjë shumë e konsiderueshme. Ndërsa për pijet energjike është më shumë. Është rreth 280 milionë lekë, nëse vihet akciza për pijet energjike.

Gramoz Ruçi: Një shkrimtar, një aktor, një regjisor nuk ka rrogë. Aktori merr një rrogë 500 mijë lekë dhe ne e tatojmë për këto 500 mijë lekë që merr në një muaj, po 11 muajt e tjerë? Nëse nuk përbën problem, ne do mbështesim heqjen e këtij tatimi. Ashtu sikurse unë do mbështesja, nëse FMN-ja që është mbështetësja kryesore e buxhetit tonë, do kërkonte të hiqet akciza e pijeve energjike dhe jo siç do një ambasador. Madje kjo nuk duhet as të artikulohet.

 

PS kundër tatimit me 15% të artistëve

Deputetët socialistë të Komisionit të Jashtëm janë shprehur dje kundër rritjes së tatimit nga 10% në 15% për artistët. Namik Dokle dhe Gramoz Ruçi kanë theksuar se nuk mund tatohen në të njëjtën formë si artisti ashtu edhe ai që luan në lojërat e fatit. “S’më duket normale që të barazohet tatimi i një aktori, piktori apo këngëtari me tatimin e të ndershmit, hileqarit apo një batakçiu të lojërave të fatit”, – tha Dokle. Në të njëjtën linjë, kreu i grupit parlamentar socialist pohoi: “Aktori merr një rrogë 500 mijë lekë dhe ne e tatojmë për këto 500 mijë lekë që merr në një muaj, po 11 muajt e tjerë?”

 

Ligji i ri i shërbimit diplomatik, pagat e ambasadorëve rriten me 25%

Qeveria do të miratojë së shpejti ligjin e ri të shërbimit diplomatik, i cili do të shfuqizojë ligjin e vitit 2003. Në këtë ligj parashikohet rritja e pagave të ambasadorëve me rreth 20-25 për qind si dhe trajtim financiar për bashkëshortët, gjë që aktualisht nuk është e përfshirë. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Jashtëm, kryetarja Arta Dade pyeti përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme nëse është parashikuar për vitin e ardhshëm rritja e pagave të diplomatëve. “Për pagat e diplomatëve, ata që shërbejnë jashtë vendit ka diferencim për vendin ku ushtrojnë detyrën. Nëse nuk hiqet tatimi mbi pagën për diplomatët a mund të ketë rritje të pagave të tyre?”, – pyeti Dade. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, i pranishëm në mbledhjen e Komisionit deklaroi se qeveria do të miratojë një ligj të ri që parashikon edhe rritjen e pagave të diplomatëve. “Ka përfunduar ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm. Shumë shpejt do e sjellim këtu dhe kemi parashikuar një trajtim të ndryshëm financiar për familjen, pra trajtim financiar për bashkëshortet. Rritja e pagës do të jetë 20-25%”, – u shpreh Qirjako. Sipas tij paga e ambasadorit do të përcaktohet përmes tre komponentëve që janë volumi i punës në atë ambasadë, paga që merr aktualisht dhe niveli i jetesës në vendin ku shërben.

 

Qeveria, marrëveshje huaje me BERZH-in për energjinë

Qeveria miratoi dje në mbledhjen e saj projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike. Kjo hua vjen pas asaj që ekzekutivi mori vetëm pak kohë më parë po për këtë sektor, 150 milionë dollarë nga Banka Botërore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency