Taksimi në rritje i kursimeve të shqiptarëve, në momentin më të gabuar

0
142

Ervin Kaduku

 –  50 miliardë lekë të vjetra synohet të nxirren nga “shtrydhja” e të ardhurave personale, ku pjesën e luanit e zënë depozitat bankare. Për herë të parë këto depozita janë në tkurrje…

 mbledhje-qeverie-rama-4-Një nga masat më të dëmshme për sektorin bankar, pjesë e paketës fiskale, që pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari, është pa dyshim rritja e tatimit mbi të ardhurat nga depozitat bankare në 15%, nga 10% që është aktualisht, që, faktikisht, përbën një rritje të jashtëzakonshme, në masën 50 për qind.

Ekspertët janë të mendimit se një masë e tillë do të ketë një ndikim negativ në sistemin financiar. Aktualisht, interesat e depozitave janë ulur në vlerat minimale historike, ndërsa rritja e tatimit do të pakësojë akoma më shumë përfitimet e depozituesve. Në mungesë të një tregu të brendshëm të kapitalit, kjo masë mund të nxisë akoma më shumë tregu informal të parasë.

Mungesa e alternativave në tregun e brendshëm mund të nxisë gjithashtu nxjerrjen e parasë jashtë vendit, duke pasur parasysh edhe faktin se mbi 40% e depozitave të sistemit bankar janë në valutë të huaj. Vitin e kaluar, qeveria vendosi tatimin e progresiv me tri shkallë për të ardhurat nga pagat, ndërsa në paketën e këtij viti ka rritur në 15% tatimin për të ardhurat nga burimet e tjera.

Ndryshe nga tatimi për pagat, tatimi i të ardhurave nga depozitat nuk bën asnjë dallim mes individëve bazuar në vlerën e këtyre të ardhurave. Të ardhurat nga kursimet tatohen njëlloj, si për një familje të zakonshme, ashtu edhe për më të pasurit.

 

Situata

Masa për të taksuar shumë më tepër depozitat se sa deri tani bëhet në një kohë kur depozitat po njohin situatën e tyre më të keqe. Ndonëse sistemi bankar zotëron likuiditete të bollshme, rritja e depozitave bankare në vitin e fundit është drejt staniacionit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit Shtator sistemi bankar zotëronte depozita në vlerën e 959 miliardë lekëve, në rritje me vetëm 0.35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Stopimi i rritjes së depozitave lidhet sa me zbehjen e rritjes ekonomike, aq edhe me politikën monetare ekspansioniste, që ka synuar të ulë stimujt për të kursyer. Normat e interesit për depozitat 12-mujore në fund të Shtatorit zbritën mesatarisht në 1.6%, niveli më i ulët historik. Kjo rënie drastike e interesave reflekton qoftë normë shumë të ulët bazë të interesit, qoftë gjendjen e mirë të likuiditetit të bankave dhe dobësinë e kërkesës për kredi bankare. Të gjithë këta faktorë po e çojnë rritjen e depozitave drejt ndalimit.

Rritja e tatimit mbi të ardhurat nga interesat mund të jetë një faktor i mëtejshëm frenues, që mund të çojë në rënien e depozitave bankare. Ndonëse për momentin gjendja e likuiditetit nuk është një shqetësim serioz për sistemin bankar, rrjedhja e parave nga sistemi financiar formal mund të jetë i dëmshëm për ekonominë.

Ekspertët sinjalizojnë se një problem është tregu informal i huasë, ndërsa një tjetër mund të jetë rrjedhja e parasë jashtë vendit.

 

Amendimet

Paketa e re fiskale parashikohet t’i sigurojë arkës së shtetit rreth 160 milionë dollarë më shumë, edhe pse numri i masave lehtësuese është më i madh se ai i masave shtrënguese. Drafti parashikon 11 ndryshime që sjellin ulje apo zerim taksash dhe 3 masa që parashikojnë rritje taksash. Por janë pikërisht këto 3 të fundit që do të mundësojnë këtë shtim të ardhurash. Referuar paketës fiskale, një taksë që rritet është ajo mbi të ardhurat personale, ku rritja do të prekë depozitat, qiratë, dividendin dhe të ardhurat e tjera dytësore. Rritja e parashikuar është nga 10 për qind në 15 për qind. Një taksë tjetër që rritet është ajo e qarkullimit, që rrit me 10 lekë taksën mbi karburantet. Po ashtu, për vitin 2015 të ardhura të konsiderueshme në arkën e shtetit do të sigurojë edhe rritja me 20 lekë e akcizës së cigareve. Nga ana tjetër, në paketën e re fiskale janë parashikuar edhe disa lehtësi. Një ndër lehtësitë fiskale që parashikohet është ajo për heqjen e akcizës për pijet energjike, edhe pse ka pikëpyetje nëse gjatë shqyrtimit nen për nen, kjo lehtësi do të mund të marrë miratimin e deputetëve të mazhorancës.

Po ashtu, masa të tjera lehtësuese janë ulja e tarifës doganore për naftën bruto prej 10 % në 0 %, bërja 0 % e tarifës doganore për miellin e grurit, që aktualisht është 10 %, bërja 0 % e tarifës doganore për importin e produkteve që shërbejnë si lëndë të para për industrinë apo blegtorinë, bërja 0 % e tarifës doganore për materialin biologjik, që aktualisht është 10 % si dhe bërja 10 % e tarifës për gomat e reja pneumatike, që aktualisht është 15 %. Po ashtu, masa të tjera lehtësuese ndaj sektorëve përkatëse janë edhe përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat personale i kontributeve të punonjësve në fondin e pensionit vullnetar dhe rritja e përqindjes së rentës minerare. Këto dy masa, sipas relacionit, synojnë të mbështesin skemën private të sigurimeve shoqërore dhe zhvillimin e industrisë së përpunimit në vend.

Deri më tani, deputetët e mazhorancës kanë shfaqur hapur rezervat për 2 prej këtyre masave, duke paralajmëruar mundësinë e rrëzimit të tyre. Një prej masave të kritikuara është pikërisht ajo që rrit tatimin mbi depozitat, që sipas deputetëve të mazhorancës, nuk jep garanci se do të ketë efekt pozitiv dhe masa tjetër, ajo e heqjes së akcizës mbi pijet energjike, që sërish vlerësohet se nuk sjell efekt pozitiv në ekonomi.

 

 Tarifa e re e energjisë, synohet 10 lekë/kWh

Gjatë kësaj jave, Enti Rregullator i Energjisë do të shqyrtojë kërkesën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, të dorëzuar ditën e premte, datë 14 nëntor, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për klientët fundorë. Detaje nga kërkesa për rishikim të çmimit të energjisë elektrike që prek konsumatorin final nuk bëhen të ditura, megjithatë qeveria, që është pronare e OSHEE-së, duket se e ka fiksuar çmimin në rreth 10 lekë për kilovat-orë të konsumuar.

Këtë herë, duket se çmimi është vendosur në mënyrë indirekte nga ekzekutivi, duke shkelur kështu edhe pavarësinë e ERE-s dhe duke ndikuar direkt në vendimmarrjen e këtij subjekti. Kryeministri i vendit dhe ministri i Mirëqenies Sociale kanë bërë të ditur shpesh herë se, në buxhetin e vitit 2015 është parashikuar një fond prej 16 milionë dollarë, në formë kompensimi për rreth 200 mijë familje në nevojë shqiptare që nuk mund të përballojnë rritjen e çmimit të energjisë. E thënë ndryshe, qeveria do të rimbursojë në muaj 700 deri në 800 lekë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike që vjen si pasojë e heqjes së fashës së parë të konsumit deri në 300 kilovat-orë. Çmimi aktual që paguhet për fashën e parë është 7.7 lekë për kilovat-orë, ndërsa me një përpjesëtim të drejtë të vlerës së kompensuar me 300 kilovat-orët e fashës së parë që mbron shtresat në nevojë, e cila është dhe vlera e rritjes së çmimit të energjisë, del që qeveria do të japë 2.2 deri në 2.3 lekë për çdo kilovat-or- të konsumuar.

Llogaria tanimë bëhet e thjeshtë nëse këtë vlerë e mbledhim me çmimin aktual dhe kuptohet fare mirë se çmimi i ri parashikohet të jetë 10 lekë për kilovat-orë.

 

 Minierat, nis procedura e heqjes së licencës për 30 subjekte

Ministria e Energjisë dhe Industrisë njoftoi dje se ka nisur procedurën e revokimit për 30 leje të tjera të subjekteve që operojnë në fushën e minierave. Gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë është konstatuar se këto subjekte kanë mospërmbushje të detyrimeve ligjore, kryesisht për mospagesë të garancive financiare të mjedisit.

 

Lista e lejeve minerare për të cilat ka nisur procedura e revokimit

Subjekti “Mu-Leu”

Leja minerare Nr. 890

Subjekti “Tirana Inert & Konstrusion”

Leja minerare Nr. 1128

Subjekti “Mineral-Invest”

Leja minerare Nr. 1104

Subjekti “Bledi”

Leja minerare Nr. 1205

Subjekti “AG Cahani”

Leja minerare Nr. 290

Subjekti “Roirmar”

Leja minerare Nr. 580/1

Subjekti “Ismaili”

Leja minerare Nr. 587/1

Subjekti “Mineral Invest”

Leja minerare Nr. 1113

Subjekti “Ylberi”

Leja minerare Nr. 249

Subjekti “Prendi 02”

Leja minerare Nr. 1028

Subjekti “Prodhime Karbonike”

Leja minerare Nr. 896

Subjekti “Neza”

Leja minerare Nr. 291

Subjekti “Margariti”

Leja minerare Nr. 1627

Subjekti “Madridi-I”

Leja minerare Nr. 1648

Subjekti “Kanina 1”

Leja minerare Nr.1144

Subjekti “Imperial Construcsion Plus”

Leja minerare Nr. 1654

Subjekti “Ardmir”

Leja minerare Nr. 1647

Subjekti “Co.Be.In”

Leja minerare Nr. 1066

Subjekti “Zotaj-Z”

Leja minerare Nr. 1035

Subjekti “Aj-Fd”

Leja minerare Nr. 1184

Subjekti “Emiliano”

Leja minerare Nr. 1031

Subjekti “Euro Inert Biba”

Leja minerare Nr. 1637

Subjekti “Zhopi”

Leja minerare Nr. 1036

Subjekti “Xhindi”

Leja minerare Nr. 1054

Subjekti “Union Idea”

Leja minerare Nr. 1162

Subjekti “Simaku”

Leja minerare Nr. 866

Subjekti “General Cement Albania”

Leja minerare Nr. 1221

Subjekti “General Cement Albania”

Leja minerare Nr. 1220

Subjekti “Tirana konstruksion”

Leja minerare Nr. 1560

Subjekti “Malvini”

Leja minerare Nr. 1064

 

 Drejt “greminës” vlera e dinarit serb

Vlera e dinarit të Serbisë është në nivelin më të ulët rekord, duke tejkaluar 120 dinarë për një euro, njofton Radio Serbia. Gjatë periudhës së kaluar, ekspertët ekonomikë paralajmëruan për një rezultat të tillë, por zyrtarët e Bankës Kombëtare të Serbisë shpjeguan se nuk kishte arsye për t’u shqetësuar. Megjithatë, nëse trendi vazhdon, efektet negative do të ndihen si në sektorin e biznesit ashtu dhe te qytetarët. Vlera e monedhës kombëtare ka qenë në rënie të vazhdueshme në muajt e fundit dhe ka tejkaluar 120 dinarë për një euro. Që nga fillimi i vitit, Banka Kombëtare e Serbisë ka shpenzuar 1.2 miliard euro të rezervave valutore të huaj në mbrojtje të kursit të këmbimit të dinarit, por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Vetëm në tetor, banka qendrore ndërhyri me 140 milionë euro në tregun ndërbankar me qëllim që të parandalonte luhatjet në kursin e këmbimit të huaj valutor. Megjithatë, vlera e monedhës kombëtare ka vijuar në rënie dhe është me rreth 5% më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Autoritetet monetare ia atribuojnë situatën turbulencave në tregun financiar ndërkombëtar, rrjedhjes më të lartë të valutës së huaj për shkak të shlyerjeve të borxhit të bankës tregtare dhe nivelit të ulët të investimeve të huaja direkte. Zyrtarët e NBS-së pretendojnë se nuk ka parashikim të dinarit, të cilin ata do ta mbrojnë me më shumë ndërhyrje në tregun e huaj valutor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency