Protesta/ Studentët, debat me Kryeministrin: Na ktheni Universitetin. Rama: Nuk ju nxjerrim jashtë!

0
140

Studentët presin me fërshëllima Kryeministrin Edi Rama, pedagogët i kërkojnë anulimin e vendimit. Debati i studentes nga Himara me Kryeministrin. Pas 10 minutash Rama largohet me thirrjet “Turp, turp!”

protesta e gjeologji “Nuk ka asnjë urdhër që ju të dilni jashtë Universitetit”. Me këto fjalë u është drejtuar Kryeministri Edi Rama qindra studentëve dhe pedagogëve që po protestonin përpara Kryeministrisë. Në protestën e tretë studentët i kanë kërkuar Kryeministrit që të anulojë vendimin për kalimin e Fakultetit Gjeologji-Miniera në përgjegjësi të Ministrisë së Drejtësisë për Gjykatën e Lartë. Që në momentet para të protestës, studentët kanë kërkuar nga qeveria që të mos cenojë hapësirën universitare, ndërkohë që pas 10 minutash nga godina e qeverisë ka dalë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili është pritur me fërshëllima nga studentët. Kryeministri është përpjekur t’u shpjegojë studentëve dhe pedagogëve se nuk do të nxirren jashtë, po aty do të strehohet Gjykata e Lartë bashkë me Magjistraturën. “Kam thirrur rektorin dhe dekanin dhe u kam thënë që nuk është vendimi i qeverisë që “ikni ju dilni në rrugë”. E kuptoj që jeni të surprizuar, se kishit plan të bërtisni dhe ju doli mundësia për të biseduar. Ju sqarojnë drejtuesit tuaj se çfarë po bisedojmë. Protestat bëhen për t’u dëgjuar, jo si qëllim në vetvete. Për çfarë dilni këtu dhe bërtisni? Që t’ju dëgjojnë. Unë ju dëgjova ju dhe dola për t’ju respektuar ju. Dhe shpjegimet duhet t’jua bënte rektori dhe dekani, që u kam thënë që s’ka arsye për protesta, se nuk ka asnjë urdhër që ju të dilni jashtë. Kam lënë mbledhjen e qeverisë të dal t’ju takoj ju”, – iu drejtua Kryeministri studentëve dhe pedagogëve. Më tej Kryeministri i garantoi studentët se nuk do të nxirren jashtë dhe se mësimi do të vazhdojë normalisht. “Ky është fillimi i një procesi bashkëpunimi midis Ministrisë së Arsimit, Fakultetit dhe Rektoratit dhe Gjykatës së Lartë për të bërë një projekt të ri. Në territorin ekzistues ka mundësi të akomodohet edhe Fakulteti. Mësimi do të vazhdojë normalisht. Nuk do të ketë asnjë largim nga mjediset pa i pasur mjediset ashtu siç i takojnë Universitetit, në po atë vend, por jo në atë hapësirë, me mjedise më të mira”, – theksoi Rama.

 

 Debati i Kryeministrit Edi Rama me studentët dhe pedagogët

 Rama: Nuk ka asnjë urdhër që ju të dilni jashtë.

Studentët: Është një vendim i Këshillit të Ministrave zoti Rama.

Pedagogu: Zoti Kryeministër, ju duket e drejtë që të dalë Gjeologjiku nga ajo godinë? Unë di breza të tërë që e kanë ndërtuar atë Universitet dhe kanë mbajtur gurë nga 50 kg, për të ndërtuar Fakultetin Gjeologji-Miniera.

Rama: Mos më bëj propagandë!

Pedagogu: Nuk është propagandë, ne e kemi mbajtur politikën larg prej shumë vitesh!

Rama: Jo propagandë, dakord?

Studentja: Në cilin vend të Evropës zhvendoset Universiteti për institucione të tjera? Fakulteti i Gjeologjisë është monument zoti Kryeministër.

Rama: Nuk kam nevojë për këto gjëra. A ka mundësi të flas, pasi kam lënë mbledhjen e qeverisë për t’ju takuar ju apo doni të vazhdoni të bërtisni ju dhe unë të largohem?

Rama: Në protestë zotëri (i drejtohet një pedagogu) dilet dhe bërtitet që të të dëgjojnë. Unë ju dëgjova dhe dola. Vendimi është që në godinën e Gjeologjikut do të vendoset Gjykata e Lartë.

Studentja: Për këtë kundërshtojmë.

Rama: Më dëgjo të mbaroj! Nga të kemi?

Studentja: Nga Tirana, por me orgjinë himarjote.

Rama: Himarjote nga Tirana, e kuptova tani pse je e padurueshme.

Rama: Kam thirrur rektorin dhe dekanin, që t’ju shpjegojnë se vendimi i qeverisë është fillimi i një projekti, por kjo s’do të thotë që ju të dilni jashtë.

Gjykata e Lartë do të vendoset bashkë me Magjistraturën aty (studentët vërshëllejnë).

Studentët: Magjistratura aty është zoti Kryeministër.

Rama: Po jua përsërit, gjithçka do të bëhet bazuar mbi një projekt (ndërpritet nga thirrjet “Mbroni studentët” dhe “Larg duart nga Universiteti”).

Rama: O çuna, a e kuptoni që kjo që po bëni është që po i gëzoheni që s’keni vajt në mësim? Kur s’keni një urdhër për të dalë nga godina, s’keni pse bëni protestë.

Studentët: Po VKM-ja? Të anulohet VKM-ja!

Rama: Jo, vendimi i Këshillit të Ministrave nuk ju ka ardhur juve dhe sa për dijeni VKM-të nuk anulohen, por zbatohen. Po jua përsëris për herë të fundit, nuk do të dilni nga godina, por do zbatohet një projekt i ri.

Studentët: Godina është identiteti ynë.

Kryeministri tenton të largohet, fërshëllehet nga studentët dhe lëshohen thirrjet “Turp, turp!”

Pedagogu: Kërkojmë më shumë sqarime.

Rama: Je i paqartë, nuk do të largoheni nga godina.

Studentja: Zoti Kryeministër në asnjë vend… (ndërpritet nga Kryeministri).

Rama: Të lutem boll, se nuk mund të bisedojmë kështu!

Studenti lëshon thirrjet “Arsim turpi”, Kryeministri Edi Rama i kërkon të afrohet, por më pas shkon vetë tek ai.

Rama: Synimi im është që Universiteti të dalë më kushte dhe ambiente shumë më të mira.

Kryeministri Edi Rama largohet mes fërshëllimave të shumta të studentëve dhe me thirrjet “Turp, turp!”

 

 Berisha: Studentët po mbrojnë autonominë

“Studentët po mbrojnë autonominë e Universitetit më shumë sesa godinën e Fakultetit të tyre”. Kështu është shprehur ish-kryeministri Sali Berisha në një mesazh në “Facebook” për studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Gjeologjisë, që janë ngritur në protestë kundër ndërhyrjes në godinën ku arsimohen dhe ku ndodhet edhe Shkolla e Magjistraturës. Sipas Berishës, qeveria ka bllokuar ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, për të cilin janë dhënë 20 milionë euro nga KE-ja, ndaj dhe po ndërhyn në godinën e Fakultetit në fjalë. “Qeveria ka vendosur, në kundërshtim flagrant me ligjet, të konfiskojë ndërtesën e Fakultetit, de jure dhe de fakto pronë e Fakultetit dhe Universitetit Politeknik. Ky është një veprim arbitrar i pashembullt, antiligjor, që shënon de fakto konfiskimin së bashku me ndërtesën dhe të autonomisë universitare”, – shkruan Berisha. Ndaj dhe u bëj thirrje të gjithë studentëve dhe pedagogëve të universiteteve të vendi të mbështesin protestën e drejtë të studentëve dhe pedagogëve të Gjeologji-Minierave për anulimin e vendimit absurd të qeverisë. Ata po mbrojnë jo vetëm pronën e tyre por de fakto autonominë universiteteve, pa të cilën ato nuk kanë të ardhme. Studentët do fitojnë!”, – përfundon mesazhin e tij ish-kryeministri Sali Berisha.

 

Reagimi/ Bozdo: Për shkak të luftës politike që i ka hapur Bashkisë, Rama “bën kurban” Pallatin e Drejtësisë

Për nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, vendimi i qeverisë po i “rrëmben” pronën Universitetit dhe ia jap Gjykatës së Lartë. Por, sipas Bozdos, ky problem mund të zgjidhej, nëse Kryeministri Edi Rama do të lejonte ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë. “Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit, për sa i përket problemit të thellë që ka provokuar vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili “rrëmben” pronën e Universitetit Politeknik të Tiranës, Fakultetin e Gjeologji-Minierave dhe ia kalon atë në përdorim Gjykatës së Lartë, në emër të Bashkisë së Tiranës më duhet të sqaroj opinionin publik se ky konflikt i panevojshëm ka ardhur për arsyen e vetme se qeveria shqiptare ka bllokuar ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, një projekt i hartuar nga ekspertët e Komisionit Evropian, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe i financuar nga paratë e taksapaguesve evropianë. Pallati i Drejtësisë, si ndërtesë dhe si kompleks është konceptuar për t’u bërë streha e përbashkët e të gjithë institucioneve të drejtësisë dhe sigurisht edhe të Gjykatës së Lartë. Komisioni Evropian ka alokuar tashmë 15 milionë euro për këtë qëllim, nëpërmjet instrumentit IPA 2012. Pallati i Drejtësisë është konceptuar jo vetëm që të jetë dinjitoz për shërbimet që ofron por edhe të ketë hapësira dhe infrastrukturën e duhur për qytetarët të cilët i drejtohen institucioneve të drejtësisë. Por “mëkati” i vetëm i kësaj infrastrukture kaq të nevojshme është se ai është i pozicionuar në anë të bulevardit të ri të Tiranës. Për shkak të konfliktit politik dhe luftës që i ka hapur Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka vendosur të bllokojë bulevardin duke bërë kurban kësaj here edhe Pallatin e Drejtësisë. Bashkia e Tiranës i kërkon edhe njëherë Edi Ramës të ngrihet në lartësinë e një kryeministri, të lërë konfliktin politik dhe t’u shërbejë interesave të qytetarëve, të mos prekë godinën historike të universitetit dhe të lejojë ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë”, – u shpreh Enno Bozdo gjatë një konference për shtyp.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency