Refleksion/ Arti që vjen pa thirrur

0
189

 Refleksion/Prej gati tri dekadash i kam ndjekur me kureshtje shfaqjet teatrore dhe përpiqem të mos më ikë sysh ndonjë shfaqje e bukur, për të mos qenë i detyruar ta ndjek pastaj nga ekrani i ftohtë i televizorit. Pa numëruar shfaqet e shumta prej nga kam dalë i penduar, i zhgënjyer dhe ato të paktat pjesë dramatike ku më është ndezur dëshira ta rishoh përsëri nga salla, dua të ndalem te befasia e radhës, befasi në kuptimin e gëzimit estetik si festë e intelektit dhe e shpirtit të ndjerë krijues, drama “Ata hyjnë pa trokitur” të Armand Borës

shfaqja ata hyjne pa trokitur

Virion Graçi

Prej gati tri dekadash i kam ndjekur me kureshtje shfaqjet teatrore dhe përpiqem të mos më ikë sysh ndonjë shfaqe e bukur, për të mos qenë i detyruar ta ndjek pastaj nga ekrani i ftohtë i televizorit. Pa numëruar shfaqet e shumta prej nga kam dalë i penduar, i zhgënjyer dhe ato të paktat pjesë dramatike ku më është ndezur dëshira ta rishoh përsëri nga salla, dua të ndalem te befasia e radhës, befasi në kuptimin e gëzimit estetik si festë e intelektit dhe e shpirtit të ndjerë krijues, drama “Ata hyjnë pa trokitur”, me tekst e regji të Armand Borës, mishëruar në skenë nga Rozi Kostani dhe Alfred Trebicka.

“Ata vijnë pa trokitur” pjesa që është duartrokitur e po duartrokitet fundjavave në Teatrin e Metropolit, ka një fabul të thjeshtë: një muzikant profesionist ka shkuar para disa ditësh të ngushëllojë shefin e tij të cilit i ka vdekur babai. Atje muzikanti ka gabuar, ose, ka dyshime, e bren ndërgjegjja se mund të ketë gabuar pasi shefi, e ka përcjellë me ëndje babain biologjik për në jetën tjetër për t’ju dorëzuar kokë e këmbë babait të të gjithë shqiptarëve, diktatorit. Babai biologjik është i urryer për djalin e tij, për shefin e muzikantit pasi ka bërë një tradhti ndaj atdheut duke vdekur në gjumin e drekës kur po gërhiste e jo në krye të punëve duke ndërtuar socializmin apo me plumb në ballë nga arma e armiqve. Meqë gjithandej njerëz të pafajshëm po rrëmbehen nga shtëpitë e tyre prej forcave shtetërore të dhunës, muzikanti dhe bashkëshortja si anëtarë të së njëjtës shoqëri, natyrisht kanë bërë gati valixhet, teshat dhe presin radhën për tu ndëshkuar…

  1. Bora me këtë pjesë është futur në radhën e autorëve të shumtë që kanë dashur të mishërojnë figurativisht një rend politik-shtetëror totalitar, përkatësisht diktaturën komuniste si tipologji, dhe diktaturën komuniste në vendin e tij si shëmbëlltyrë origjinale në ligësinë e saj. Sot do të dukej paksa i vonuar në kohë astronomike e pa gjasa për të qenë sadopak origjinal çdo autor në sipërmarrje të tilla, po ta shtrijmë kujtesën letrare që nga Zh. Oruell, Solzhenicin, Kundera (“Shakaja”,) K. Trebeshina (“Odin Mondvalsen”,) K. Kosta (“Absurd”,) Z. Pllumi, U. Kalakulla, V. Zhiti, A. Musta e dhjetëra dëshmi të letrarizuara për fatin e njeriut nën rrotën e kuqe të pushteteve staliniste, popullore.

Retrospektiva gjenetike e veprës është zonë e panjohur për ne, është ende privilegj i autorit A. Bora. Megjithatë, ashtu si e kemi të realizuar pjesën mund të vërehen qartë tre regjistra ngjyrash, shtrirë përgjatë veprës por me tonalitete të ndryshme në përshtatje me theksat rrëfimtarë, ideo-filozofike të autorit: I- Tragjedia e absurdit; II-Grotesku i vetëfajësisë; III-Modelimi i njeriut sipas monstruozitetit dogmatiko-policor.

Në pjesën e parë jemi në zonën e teatrit të Beket, Jonesko, Adamov, por me ngjyrat tona, me jetën tonë, me tipat tanë socialë. Me guxim e novitet të padiskutueshëm A. Bora shton në galerinë evropiane të teatrit të absurdit dy personazhet e tij, burrë e grua të cilët presin të arrestohen prej policisë pa uniformë… Pasiguria, pështjellimi psikologjik, pafuqia për të kuptuar ata vetë çfarë jete i përkasin e çfarë epërsish a mangësish kanë në ballafaqimin imagjinar me makinën shtypëse shtetërore, jepet saktë me mjetet gjuhësore të tekstit letrar-dramaturgjik si dhe falë lojës së përsosur të aktorëve.

Pjesa e dytë bën parodinë e rezistencës individuale e kolektive përballë përbindëshit totalitar: e ashtuquajtura shpërfillje ndaj autoriteteve të piramidës shtetërore, shtyrja e kohës duke mbllaçitur fara, duke u rropatur në limonti në rrugë të vdekura. Në këtë episod, realizmi therës dhe gjetja e përkryer e qëndresës përmes… përtypjes së farave nëpër trotuare…, e bën dramën të dalë nga shtëpia e protagonistëve dhe të përfshijë tërësisht dy epoka (totalitarizëm&tranzicion) si dhe secilin prej nesh, duke mbërritur në nivele të larta të një konflikti të papajtueshëm botëkuptimor, pikërisht ashtu si ka parashtruar dikur Artistoteli duke komentuar tragjedinë greke: …trajton një subjekt të mirëqenë, të dinjitetshëm…

Pjesa e tretë… duke “kursyer” numrin e aktorëve në skenë, duke mbajtur vetëm dy, burrin e gruan, kurorëzon gërshetimin e linjave të nënkuptuara që nga prologu, fati mëtejshëm i protagonistëve: arresti, hetuesia, burgu, ndëshkimi dhe verbëria kolektive para ekzekutimit të lirisë në shkallë të gjerë shoqërore. Gruaja pëlqen ta përfytyrojë veten hetuese që ushtron detyrën e saj me kënaqësi e mbron sistemin shtypës nga tipa si bashkëshorti i saj; burri po ashtu vihet në rolin e hetuesit posedues ndaj femrës së pambrojtur armike e pushtetit (bashkëshortja e tij). Provokohen një sërë interpretimesh nga ky epilog marramendës: njeriu merr formën e makinës që e ndrydh(?); njeriu e ka zili zhelatin e tij (??); njeriu në skllavëri ëndërron të jetë shtypësi i të tjerëve dhe jo thjesht një njeri i lirë(???)

Fati i protagonistëve zhvillohet deri në fund në skenë, para syve tanë përmes imagjinatës së inskenuar. Ky inskenim, teatër brenda teatrit hap një dritare të madhe semiotike prej të cilës të gjithë ne, pavarësisht moshës e fatit në diktaturë a post-diktaturë, shohim e lexojmë deri në themel vendin real që kemi në histori si popull në errësirë, i vendosur në ditën e gjykimit tokësor me thes në kokë, në verbëri absolute.

Të interpretosh deri në fund disa nga vlerat e spikatura e arritjet më të mira të shfaqjes së A. Borës është e pamundur, e panevojshme. Më mirë do të ishte t’i kujtosh lexuesit-spektatorit hullitë moderne të artit teatror dhe vetëm kaq, ai do ta gjejë me imagjinatë, vendin e Armandit në radhët e para. Për të tjerat, për reaksionet zinxhir ideo-emocionalë, si çdo art i madh që s’ka nevojë për post scriptume sociologjike, historike e statistikore, pjesa Ata hyjnë pa trokitur, flet vetë. Dhe do të flasë gjatë, tepër gjatë me gjuhën e bekuar të artit elitar.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency